Mendime
Arbana Xharra: PDK, partia që pret duar
E marte, 20.05.2014, 07:55 PM
PDK, partia që pret duar
Nga Arbana Xharra
Ra ky aderim i Margarita Kadriut në PDK dhe opinioni në Kosovë e pa edhe njëherë se deri ku ka arritur ligësia dhe shkelja e ligjeve në këtë vend. Në firmën e zonjës Kadriu, vite më parë një punëtor humbi dorën. Atij iu këput dora, për shkak se makina me të cilën punonte nuk kishte mekanizëm mbrojtës, gjë që është papërgjegjësi kriminale e punëdhënësit.
Shpejt e shpejt, punëtorin e çuan në spital, ndërsa në shtypshkronjën e gazetës “Kosova sot” u kujdesën që dorën e punëtorit Lulëzim Rexha ta hedhin në kontejner, ta fshijnë gjakun në makinë dhe në tokë dhe kështu të fshehin gjurmët e aksidentit. A ka veprim më çnjerëzor se të sillesh kështu me një viktimë? Ka. Sepse punëtori i aksidentuar u trajtua mizorisht edhe më vonë.
Nuk iu pagua dëmshpërblimi, edhe pse gjykata kishte marrë vendim për këtë. Deri më sot gazeta “Kosova sot” e Margarita Kadriut ka refuzuar të paguajë dëmshpërblimin e caktuar nga gjykata. Përballë kësaj situate, dukej absurde kur Margarita Kadriu me rastin e hyrjes së saj në PDK, të thoshte se do të punoj për një “shtet të fortë ligjor e me prosperitet”.
Derisa, Lulëzim Rexha rrëfente sesi në vitin 2004 i ishte këputur dora, për të vazhduar gjakftohtësisht puna në shtypshkronjë, kurse për dorën e tij të këputur nga bërryli e poshtë dhe të hedhur pa mëshirë në kontejner, ishte njoftuar nga kolegët e punës (pra, ka dëshmitarë për këtë rast), prurja e re në PDK e Margarita K. përkrah shefave të saj fliste për moralin politik dhe synimin që ajo ka “për të çuar Kosovën përpara”.
Kjo zyrtare, tashmë e lartë e PDK-së, e cila pretendon pushtetin, për më shumë se dhjetë vjet ka shantazhuar përmes medias së saj pikërisht sistemin e gjyqësisë, duke ia nxirë jetën gjykatëses Makifete Saliuka, e cila kërkonte me të drejtë dëmshpërblim për Lulëzim Rexhën, i cili ka mbetur invalid.
Ky sistem, si i gazetës “Kosova sot” dhe shefes së saj Margarita K., është i njohur nga grupet mafioze në vend, të cilët mbajnë pushtetin më kërcënime e shantazhe dhe nuk çajnë kokën për ligje e rregulla. Këtij karvani të sojit të vetë i është bashkangjitur së fundmi edhe Margarita K., të cilës si duket nuk i ka mjaftuar fuqia mediale për të rregulluar hesapet e veta, tash synon pushtetin.
Ajo tashmë është bërë pjesë e grupit, që kur flet për ndërtimin e shtetit ka vetëm një synim: arritjen e qëllimeve të tyre plaçkitëse.
Pas katër
vjetësh qeverisjeje me vota të vjedhura, duke u tallur me të gjithë, Hashim
Thaçi na
E lista e PDK-së, e cila ka pasur nevojë urgjente për reformë të brendshme, për pastrim të radhëve nga të dyshuarit për krime, vazhdon të jetë e njëjtë. Dorën në zemër, Thaçi nuk ka mundur të pastrojë listën, sepse ata i duhen për të mbajtur ato struktura të shtetit që zhvatësit nga partia e tij i kanë vënë tashmë nën kontroll. Listat e publikuara shfaqin emrat, që po tentojnë përmes PDK-së të kacavirren sërish në pushtet me përpjekje këmbëngulëse, që ta ruajë rrjetin e tyre që ka kapur shtetin.
Kjo perandori, e cila ka mbijetuar duke pasur nën këmbë një popull të varfër, i frikësuar nga pasojat e hakmarrjes, po rrit radhët e veta me kategorinë e njerëzve pa karakter njerëzor, që për interesa personale janë në gjendje të zhdukin çdokënd nga faqja e dheut.
Të gjithë ata që radhiten në listën e PDK-së për deputet, që kanë rënë në konflikt me ligjin po presin të festojnë sërish, sepse shohin përpara vetes një opozitë, e cila po ashtu është lehtë e shantazhueshme, një shoqëri civile, e cila kur janë në pyetje paratë nuk dallon shumë nga politika.
E, sa i përket mungesës së traditës demokratike në këtë vend krerët e PDK-së e dinë shumë mirë për këtë, sepse ata janë kontribuuesit e instalimit të frikës në palcë të qytetarëve, të cilët janë bërë dëshmitarë të paradës manipuluese të pushtetit dhe nuk bëjnë zë! Tash, na mbetet të shohim se kush e ka radhën të shantazhohet, kërcënohet e të shkelet nga “margaritarët e PDK-së”, kur preken interesat e tyre.