E marte, 30.04.2024, 07:38 PM (GMT+1)

Mendime

Lavdim Hamidi: Danezi Rexhep Qosja

E hene, 23.12.2013, 08:03 PM


Danezi Rexhep Qosja

Nga Lavdim Hamidi

Rexhep Qosja si danez që është shpeshherë jep vlerësime për media nga perspektiva e banorit të shtetit më të pakorruptuar në botë.

Ai kurrë nuk e ka dëgjuar fjalën korrupsion në shtetin e tij, pasi që ky fenomen nuk është i pranishëm në shoqërinë daneze.

Dhe si pjesë e një shoqërie të tillë, ai është shumë i shqetësuar që qytetarët e një vendi ballkanik paskan pasur fatin e keq që kishin një ish-kryeministër aq të korruptuar. Por, një fat të tillë e paskan vetëm qytetarët e Shqipërisë, e jo edhe vëllezërit e tyre kosovarë.

Duke e ditur se shtetet ballkanike kanë perspektivë të qartë evropiane, akademiku i njohur nga Danimarka, Rexhep Qosja, s’ka si mos ta akuzojë rëndë një ish-kryeministër të Shqipërisë, siç është rasti me Sali Berishën, pasi që me liderë të korruptuar nuk mund të shkohet në Evropë.

Si ndëshkim kjo e fundit nuk i dha datën për fillimin e negociatave për anëtarësim Shqipërisë, ashtu siç veproi me Serbinë.

Për mediet shqiptare, siç bën zakonisht, ai bëri një deklaratë “bombë” duke thënë se lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë e suksesshme, po qe se nuk dalin para drejtësisë të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj”.

Ndaj, siç thotë ai, Sali Berisha, si më i madhi, madje peshkaqen, duhet të nxirret në gjyq.

Qosja në këtë intervistë kritikon pushtetet e para 23 qershorit 2013 në Shqipëri, kur në krye të Qeverisë ishte Sali Berisha, se janë karakterizuar me korrupsion, krim, gënjeshtra, mashtrime, nepotizma, klientelizma, ndaj të cilave qeveria e re është e detyruar të veprojë duke marrë masa ligjore.

Ai e bën të ditur edhe një fakt të panjohur në vendin prej nga vjen, se gjyqësori në Shqipëri i amnistonte kriminelët pa brejtje të ndërgjegjes, ndërsa Policia me kreun e çorganizuar dhe të korruptuar, përskaj krimeve e kriminelëve kalonte symbyllur.

Të gjitha këto akuza do të ishin me vend sikur Rexhep Qosja të deklarohej nga perspektiva e një akademiku vërtet danez, siç po na shitet, e jo të një akademiku nga Kosova, shtet ky i 111-ti në listën e shteteve më të korruptuara në botë, në shoqëri me Tanzaninë, Etiopinë e Vietnamin.

Në fakt të gjitha këto akuza me një “copy-paste” do të mund t’ia bënte edhe kryeministrit aktual e të gjithë ish-kryeministrave të Kosovës, mirëpo ja që nuk i bën. E as që i ka bërë ndonjëherë.

Është për t’u habitur fakti, se si “Babai i Kombit”, siç preferon ta quajë veten, kurrë nuk e akuzoi kryeministrin Hashim Thaçi për korrupsion.

Qosja kurrë nuk i bëri pyetje publike Thaçit se si arriti që me një pagë prej 1500 euro në muaj, të ndërtojë pallat prej qindra metra katrorë dhe me vlerë prej qindra mijëra euro, derisa njëkohësisht djalin e shkollon në kolegje private, të cilat janë të kushtueshme.

Akademiku Qosja kurrë nuk i bëri kërkesë publike kryeministrit që ta shkarkojë ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi, kur zyrtarë të dikasterit që ai e drejton i morën 1.4 milionë euro korrupsion prej një kompanie evropiane.

Ai po ashtu i futi veshët në lesh, kur në të gjitha mediet jepet lajmi se djemtë e shefit të deputetëve të partisë më të madhe në vend sulmonin policët në detyrë. Kurrë nuk u deklarua as kur nga dhoma e sigurisë më të lartë në Policinë e Kosovë u vodhën shumë kilogramë drogë, dhjetëra kilogramë ar e qindra mijëra euro para të gatshme, përderisa vjedhësit në institucionin e sigurisë më të lartë ende sillen të lirë.

Ndonëse ka kaluar në normalitet korrupsioni dhe pasurimi i atyre që kanë në dorë agjendat politike, Qosja nuk besoj se është verbuar për të mos e parë këtë denigrim.

Nëse është arsye botimi i veprave nga Ministria e Kulturës për ta mbyllur gojën karshi të gjitha të këqijave që ndodhin në Kosovë, atëherë besoj shumë fort se më me shumë qejf një favor edhe më të madh do t’ia bënte edhe Sali Berisha.

Do të ishin shumë me vend këto kritika për Shqipërinë po qe se nuk do të vinin nga një akademik kosovar, siç është rasti me Qosen, i cili jeton në një shtet aq të korruptuar, e shitet, siç thuhej, francez, ndërsa moralizon si të ishte akademik danez.



(Vota: 28 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora