E hene, 29.04.2024, 01:34 PM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Lushaj: Krahina e Plavë-Gucisë me Shqipërinë

E marte, 17.12.2013, 09:10 PM


KRAHINA E PLAVË-GUCISË,

MUND TË RIBASHKOHET ME SHQIPËRINË

OSE ME KOSOVËN

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Krahina etno-historike e komunare e Plavë-Gucisë astenjëherë në historinë e saj nuk ka pranue para Fuqive të Mëdha t’ia dorëzojnë territorin e saj principatës, mbretërisë apo republikës së Malit të Zi. Kjo nuk ka ndodh as në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881. Po as në kohën e luftërave ballkanike, në vitet 1912-1913. As nw Luftwn e Parw Botwrore (1914-1918).

Askund nuk gjindet ndonjë dokument i shkruar që krerët e Plavë-Gucisë, nga koha para Kongresit të Berlinit deri në kohën pas Konferencën e Paqes të Londres e tw Parisit të kenë pranue dorëzimin e ligjshëm të krahinës së tyre nën Malin e Zi.

Kjo nuk ka ndodh as vullnetarisht “me paqe”, siç e kërkonte medoemos Krajl Nikolla i Parë i Malit të Zi në disa dokumente të firmosura prej tij. Po kjo nuk ka ndodh as forcërisht në këtë hark kohor.

Plavë-Gucia bani një luftë të jashtëzakonshme, epokale, të pashembullt: Luftën e Nokshiqit, nga 4 dhjetor 1879 deri më 11 janar 1880. Kjo luftë, e njoftun ndryshe edhe si “Lufta e Ultinës së Epërme të Limit” (Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, etj.), ishte “prologu” i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

Plavë-Gucia kreu luftime e sakrifica mbinjerëzore përgjatë luftrave ballkanike nga 13 tetori 1912 deri më 21 nëntorit 1913, gjatë së cilës u krye nga Mali i Zi edhe një nga masakrat ma të mëdha të botës, Masakra e Previsë, e cila përmban njëkohësisht krime kundër njerëzimit, genocid, krime lufte, spastrim etnik, që mbetet ende e pandëshkuar nga Historia e Drejtësia Ndërkombëtare.

2.

Për herë të parë në beteja luftarake të shqiptarëve në Ballkan, Flamuri Kombëtar Shqiptar i Skënderbeut u ngrit në “Luftën e Ultinës së Epërme të Limit” (1879-1880).

Në këtë luftë legjendare shqiptarët luftuan të vetëm përballë “Shtatë Krajlive”, ku sllavët ngriten në betejë flamujt e tyre, të Serbisë, Malit të Zi, edhe katër flamuj të Perandorisë Ruse, etj.

Lufta e qëndresa ishte aq e madhe saqë krahina e Plavë-Gucisë e detyroi Kongresin e Berlinit që të kryente “shkëmbim territoresh”, për t’iu dhënë në vend të saj krahina të tjera etnike shqiptare Malit të Zi.

3.

Plavë-Gucia me rrethina u ngrit në lartësi historike epokale duke kundërshtuar dorëzimin e territorit të saj gjeo-politik Malit të Zi. Kjo shprehet edhe në këtë ultimatum të saj dorëzue më 3 gusht 1879 në Podgoricë dorazi Komisionit mandator për Caktimin e Kufirit në mes Perandorisë Otomane e Malit të Zi.

Ky ultimatum u pranue dhe u shqyrtue edhe në Kongresin e Berlinit, qyshse më 10 gusht. Teksti i saj iu ba i njohur Fuqive të Mëdha: “Për hirësitë Zotërinj Komisarë, ne jemi informuar se për ta kryer mandatin që ju është besuar nga ana e kabineteve, sa i përket kufizimit me Malin e Zi, ju keni ardhur në vendin e ngjarjes. Është e pamundur të bëhet kjo ndarje pa praninë e krerëve dhe bajraktarëve shqiptarë dhe pa e pasur në duart e tyre një prokurë të rregullt nga tërë Shqipëria. Nëse kjo ndarje (kufizim) bëhet sipas pikëpamjeve dhe qëllimeve të Malit të Zi kufiri do të jetë baraz me zero dhe i rrezikshëm, pasi pa praninë e krerëve dhe bajraktarëve të Shqipërisë sonë, kjo çështje nuk mund të rregullohet dhe në këto kushte ne nuk do ta japim kurrë pëlqimin tonë dhe se asnjë gisht i territorit shqiptar nuk mund t’i jepet Malit të Zi”.

Kjo letër e 3 gushtit 1879 mban firma e vulat e Komitetit Kombëtar të Shpëtimit të Gucisë, kreut të Plavës (Rifatit), kreut të Pejës me rrethina (Hajredinit), kreut të Prizrenit me rrethina (Nuredinit), kreut të Dibrës me rrethina (Jusufit), etj.

4.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i diplomacisë së Malit të Zi tek Porta e Lartë në Stamboll, në Kongresin e Berlinit, etj. lidhur me qëndrimin kombëtar të krahinës së Plavë-Gucisë.

Po publikojmë një fragment nga letra e principatës së Malit të Zi drejtue Perandorisë Otomane: “Pa hyrë në motivet ose në shprehjet e dëshirave të banorëve myslimanë të Gucisë, ne jemi të befasuar që kjo letër e njohur si kërcenuese, është e nënshkruar edhe nga krerët e rretheve të Gjakovës, Pejës, Prizrenit dhe Dibrës. Me çfarë të drejte këta individë, funksionarë otomanë dhe banorë të një pjese të Mbretërisë, ku Porta e Lartë ka trupa të rregullta, përzihen në punët e Gucisë dhe kështu në mënyrë zyrtare i dërgojnë letër Komisionit Ndërkombëtar dhe trajtojnë një çështje politike. Kërkojmë që t’ia paraqitni dëshprimin tonë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Portës së Lartë duke ua bërë me dije se është lidhur paqja me Turqinë dhe se Turqia ka pushtetin mbi këto rrethe, ndërsa ata krerë reagojnë në emër të Shqipërisë, ekzistencën e së cilës ne e injorojmë. Qeveria e saj duhet të jetë përgjegjëse për faktet dhe veporimet e këtyre individëve mbi të cilët gjithnjë mundet të vë dorë dhe sipas të gjitha gjasave këto veprime janë tumirur dhe kryhen edhe nga pushteti lokal…”.

5.

Në një dokument tjetër diplomatik të Malit të Zi, që i përket gushtit të vitit 1879, ndër të tjera, thuhet: “Në takimin që pata sot me Safet Pashën, ai më deklaroi se duke parë situatën momentale dhe kokat e nxehta të shqiptarëve, megjithë dëshirën e saj, Porta e Lartë gjendet e përballur me pamundësinë e dorëzimit të Gucisë, Malit të Zi”.

Ky dekument iu ba i njohur edhe krajl Nikollës së Malit të Zi nga Ministria e Punëve të Jashtme e kësaj principate të vogël, që i ka nxjerrë mjaft problematika çështjes kombëtare shqiptare, pasi, pas saj, qëndronin Perandoria Ruse, Franca, Serbia, etj.

6.

Në korrespondencën diplomatike të Malit të Zi me Perandorinë Otomane, etj. del në pah fakti se ka nisë të diskutohet me “letra të hapura” edhe mundësia e shkëmbimit të territoreve, që në vend të Plavë-Gucisë të jepeshin krahina të tjera etnike shqiptare përgjatë lumit të Moraçës e bregdetit të Adriatikut.

Në një dokument të datës 11 gusht 1879, teksa flitej në kancelaritë e kohës për “shkëmbim territoresh”, gjendet edhe reagimi zyrtar malazez:“… Plava dhe Gucia nuk mund të krahasoheshin me rrëpirat e anës së Kuçit…”

7.

Në Dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, krahina e Plavës e Gucisë kishte katër delegatë të saj që nënshkruan me firmat e tyre në Aktin e Pavarësisë: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka dhe Mit’hat Frashëri (djali i Abdyl Frashërit). Këta morën pjesë që ditën e parë të Kuvendit.

Kjo dokumentohet botënisht me vet Aktin e Pavarësisë të 1912-tës dhe në gjithato burime të kohës.

Ky fakt i njohur ndërkombëtarisht do të thotë se krahina e Plavë-Gucisë, e pushtuar nga Mali i Zi më 13-20 tetor 1912, nepërmjet delegatëve të saj me mandat, e shpalli zyrtarisht territorin e popullsinë e saj brenda shtetit të ri të pavarur të Shqipërisë.

8.

Në tetor 1912  Mbreti Nikolla I porositë Divizionin Lindor, që krahina e Plavë-Gucisë të merrej me paqe, me bisedime me krerët e vendit si Hasan Ferri, etj. Kjo nuk ndodhi asokohe.

Përkundrazi: mbi 3000 forca shqiptare nga kazaja e Plavë-Gucisë, nga kazaja e Gjakovës, etj. të udhëhequna nga Bajram Curri e prijës të tjerë, luftuan kundër ushtrisë të Divizionit Lindor të Malit të Zi të udhëhequn nga gjenerali-agjutant, brigadieri-serdar, Junko Vuktiq, që më 21 nëntor 1913 do të bahej kryeministër i Malit të Zi e ministër i Luftës në këtë mbretëri të vogël ballkanike, që ka trefishuar territorin me toka etnike shqiptare.

 

Divizioni Lindor me 8 batalione e forca vullnetare serbe e malazeze, më 13 tetor 1912 e pushtoi Ultinën e Sirme të Limit, më 18 tetor Plavën dhe më 20 tetor 1912 edhe Gucinë.

Forcat shqiptare u thyen në luftë frontale me malazezët, por vazhduan luftën qëndrestare në male. Pati qindra të vrarë gjatë luftimeve dhe në Masakrën e Previsë. Malazezët pushtues e ndryshuan edhe organizimin administrativ të Plavë-Gucisë, e kthyen nga kaza në kapiteni me pesë komuna politike në territorin e saj. Mbretëria e Malit të Zi e Krajl Nikolla I ua (ri)nisën përpjekjeve të përjetshme për aneksimin e Plavë-Gucisë.

9.

Diçka duhet theksuar qartas për atë kohë: Plavë-Gucia nuk i ka pranuar në territoret e veta malazezët që të vinin paqësisht, siç ndodhi në ndanjë bajrak në Rugovë, në qytetin e Pejës, etj. por luftoi kundra tyre me armë në dorë. Derdhi gjakun e bijëve e bijave të veta. Iu dogjën shtëpitë e pasuria, etj. Nuk pranoi kompromis me pushtuesit malazez.

Në një dokument të kohës gjendet Autorizim i datës 29 tetor 1912 i qytetit të Pejës, të cilët ndryshe nga Plavë-Gucia, pranojnë e ofertojnë dorëzimin paqësor të qytetit të tyre: “Ne, të nënshkruarit, krerë të qytetit të Pejës – bejlerë, imamë, myftarë, autorizojmë këta persona: z.z. Sejfedin bej Mahmudbegoviqin, reisbeldi (kryetar bashkie), Zija bej Mahmutbegoviqin, Haxhi Balën, Abdyl Efëndinë, Abdurrahman Efëndinë, Haxhi Çelën, Hasan Agën, Ymer Agën, Mark Agën, Tosha Vilipoviçin, Marko Rajeviqin, Jovan Angjelkoviçin, Haxhi Niko Ristiqin, Jovan geriqin, Lubomir Markoviqin, Mihaillo Dimitrijeviçin, Toma Filipoviqin, Kosta Stergjevi dhe Spasoje Popoviqin, që në emër të gjitha popullit të Pejës të zhvillojnë bisedat e marrëveshjes me Komandën Mbretërore Malazeze të Divizionit Lindor – me të Madhin Mirëbërës të Tij, Brigadierin serdarin Janko Vukotiqin, në lidhje me mbajtjen e rregullit dhe të qetësisë me rastin e dorëzimit të qytezës, duke u pajtuar plotësisht me marrëveshjen që do të lidhin ata”. Firmëtarët e autorizuem janë: Mulla Zade, imam, Hysen Pasha, Mahmut Efëndia, tefderdar, Hysen Jetullahu, prifti katolik nuk e gjend në vend, myftari Abdyl Aziz Beu, Abdyl Efëndia, imam, Orhan ÇAUSHI, IMAM, Ali Çaushi, imam, Sinan Qerimi, imam (?), Haxhi Tahsumi, imam. (Shih dokumentin - Zekeria Cana: Gjenocidi i Malit të Zi….fq. 99).

10.

Krahina e Plavë-Gucisë edhe gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) pati qëndresë luftarake të madhe, kreu sakrifica të jashtëzakonshme, që ende historiografia shqiptare nuk i ka pasqyrue tërësisht e plotërisht.

Më 1 dhjetor 1918 u krijua e ashtuquajtura “Jugosllavia e Parë”, e njoftun ndërkombëtarisht si Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene me mbret Pjetri i Parë nga Dera mbretërore e Karagjorgjeviçëve, e cila e përfshiu në territorin e saj politiko-shtetëror edhe Malin e Zi. Pra, edhe krahina etno-historike e Plavë-Gucisë u ripushtua e rianeksua nën Malin e Zi.

Plavë-Gucia, si gjithnjë përgjatë historisë, edhe kësaj here, nuk donte të rrinte nën Jugosllavinë e Parë, por kërkonte bashkimin e saj me Shqipërinë Londineze, ende pa u mush katër javë pas bashkimit federal e vendosjes së regjimit monarkist të Pjetrit të Parë.

Dokumenti i datës 24 dhjetor 1918 (Shih: Nokshiqi i Historisë. Botim i AFCES. Tiranë, 2013) flet vetë për historinë e djeshme, të sotme e të nesërme: “Na, te nenshkruarit, perfaqesuesit e popullsinavet te GUSIS e te PLAVES, po diftojme se komiteti “MBROJTJA KOMBETARE E KOSOVES”, nder kryepari te Z. Hoxha Kadri  Prishtina me Qerim Beg Mahmut-Begollin, Hysni Beg Currin, Bedri Beg Pejanin, Halim Beg Gostivarin, porsi anetare, i ka te drejtat e nji delegates plotfuqishme para botes zyrtare e jashtezyrtare per me e realizue dishirin t’one kombetar qi eshte “BASHKIMI I GUSIS E PLLAVES ME SHQIPNIN E LIRE E VETQEVERIMTARE”

N’anen te popullsinavet te GUSIS E TE PLAVVES: Imam Hoxha Ejup, Gusi, Azem Bajraktari - Martinaj, Mahmut Bajraktari - Vuthaj, Mustaf Kadrija- Kukaj, Elez Bashi - Martinaj; Ethem Nuri, Hazir Shpendi - Vuthaj, Jusuf Meli, Cak Alushi - Hot, Mani i Dishit - Nokshiq, Rame Fakut - Pepiq, Bajram Zhuj Arifi - Rrzanic, Bektesh Alku, Halit Ardsabi, Hak Zhuku, Shaban Breca...”

11.

Të gjitha këto fakte e dokumente argumentojnë se krahina etno-historike e Plavë-Gucisë është marrë nga shteti shoven i Malit të Zi vetëm me pushtim e aneksim, si “një mall pa inventar”(!), etj.

Dosja “Plavë-Gucia” duhet të pasurohet në vazhdimësi me dokumente të tilla, që ta çojmë drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Nisur nga E Drejta Juridike Ndërkombëtare, edhe pas 95 apo 101 vitesh, krahina

e Plavë-Gucisë mund të ribashkohet me Republikën e Shqipërinë ose me shtetin e ri të  Republikës së Kosovës.



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora