E enjte, 01.05.2025, 03:17 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Condominium me Serbinë

E hene, 16.12.2013, 08:55 PM


Condominium me Serbinë

Nga Alma Lama

Për të gjithë ata që nuk e dinë, condominium (lat. bashkë-sundim) është një term që përdoret në ligjin ndërkombëtar për të përshkruar një territor politik në të cilin dy ose më shumë shtete sovrane ndajnë sovranitetin e tyre mbi të, në bazë të një marrëveshje të dakorduar, pa i ndarë pra në zona nacionale.

Në histori ka shembuj të territoreve të tilla, kryesisht zona kufitare, lumenj apo liqene mbi të cilat ka qenë e vështirë të vihet kufiri nacional. Zakonisht këto marrëveshje për të ndarë sovranitetin vijnë pas konflikteve ose dhe anasjelltas; janë një burim potencial i konfliktit mes shteteve, sepse implementimi në terren është shumë i vështirë.

Na rajonin tonë e kemi Bosnje-Hercegovinën me distriktin e Berckos, i cili qeveriset edhe nga Republika Serbska. Këtu puna ndryshon pak sepse Republika Srbska është brenda çatisë së shtetit boshnjak, së paku formalisht.

Tani t’i kthehemi realitetit të Kosovës, sovraniteti i së cilës është në një fazë shumë të rrezikshme. Nga njëra anë kemi zgjedhjet lokale të cilat prodhuan artificialisht 9 komuna të udhëhequr nga Lista Srbska, e krijuar në Beograd, e nga ana tjetër kemi minoritetet e përfaqësuara në Kuvend që nuk po lënë gurë pa lëvizur për të arritur që ta shtyjnë edhe për dy mandate të tjera privilegjin e vendeve të rezervuara.

Kërkesa është artikuluar në variantin si: të ndahen 5 vende rezervë për veriun, pra një rrugë e dy punë, edhe të formalizojnë ndarjen e kësaj pjese, nga pjesa tjetër e Kosovës e cila aktualisht është vetëm një zonë zgjedhore, edhe të marrin 5 mandate shtesë.  Ose në variantin tjetër që të shtyhen edhe dy mandate vendet e rezervuara, që do të thotë të mos aplikohet pragu zgjedhor për to dhe kështu t’i fitojnë edhe rreth 10 mandate në tërësi, përveç 20 që i kanë të garantuara me Kushtetutë.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të marrë pjesë edhe Lista Srbska, e dirigjuar prej Beogradit. Nuk është çudi që banditët të fitojnë mandate deputetësh. Për të qenë realist, këtu e kemi gojën disi të mbyllur sepse vetë ua kemi hapur rrugën duke futur në Kuvend njerëz me precedentë penalë.

Madje kam informata se Lista Srbska i ka përveshur mëngët që tani dhe po u bën shumë presion edhe deputetëve serbë që janë aktualisht në Kuvend, që t’i bashkëngjiten që tani.

Plani pra është i qartë, që me një numër të madh deputetësh në Kuvend, (nëse iu pranohen kërkesat do të bënte një nga grupet më të mëdha parlamentare), do të përcaktonin edhe se kush do të jetë president e kush kryeministër, e me një numër të madh komunash të udhëhequra prej tyre, shteti serb do të ushtronte sovranitetin e tij mbi Kosovën.

E kjo është pikërisht condominium, pra ushtrim i përbashkët i sovranitetit mbi të njëjtin territor.  Kjo në fakt do të thotë fundi i shtetit funksional. Kjo do të thotë më keq se Republika Srbska, prandaj iu jap të drejtë atyre që thonë s’ka Republika Srbska në Kosovë. Jo nuk ka, por ka shumë me keq se ajo.

Personalisht jam shumë e shqetësuar me këtë nivel të papërgjegjshmërisë dhe naivitetit të Qeverisë së Kosovës dhe mazhorancës në përgjithësi. Këta presin me gojë hapur vetëm çfarë u thonë ndërkombëtarët, duke harruar se për ndërkombëtarët është e pranueshme çfarëdo forme që është e pranueshme për ne, çfarëdo koncesioni që ne e bëjmë. E kanë harruar edhe porosinë e presidentit Ahtissari, i cili ka thënë se pakoja e tij nuk mund të hapet, përndryshe Kosova bëhet jofunksionale.

Shumica e deputetëve nga vota e të cilëve varet hapja apo jo e Kushtetutës për vendet e rezervuara, nuk e kuptojnë këtë proces, por edhe nëse e kuptojnë nuk kanë kurajën më të vogël për të votuar sipas vullnetit të tyre. Që janë frikacakë e dëshmoi më së miri situata me hoxhën e Prizrenit, kur pothuaj të gjithë e futën kokën në rërë si struci dhe nuk kishin kurajë të thoshin një fjalë të vetme për cenimin e lirisë dhe gjuhën perverse të urrejtjes e të fanatizmit.

Më çudit fakti se si partia në pushtet PDK, i ka thënë “po” kërkesës së minoriteteve edhe për dy mandate të tjera, ndërkohë që në shtatorin e vitit të kaluar, kur u hoq mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, këto provizione të përkohshme të Kushtetutës u votuan për t’u fshirë edhe nga minoritetet, pasi u konsideruan se ishin përmbushur. Provizionet e përkohshme, të dala nga propozimi i presidentit Ahtisaari, saktësisht përcaktonin se dy mandate pasi të shpallet statusi përfundimtar i Kosovës, përfshirë edhe mandatin në vazhdimësi, vendet e rezervuara do të hiqeshin.

Në rast se Kosova lëshon pe tani, duhet të përgatitet për bashkëqeverisje ne Beogradin, pra për condominium. Mendoj se është koha që edhe juristët dhe ekspertët duhet të thonë fjalën e tyre në këtë çështje kaq të rëndësishme. Nuk po arrij ta kuptoj as heshtjen e intelektualeve për çështje kaq të mëdha. Çfarë është kjo përgjumje letargjike prej kaq vitesh? Apo presin të reagojnë post festum?

Besoj se një bashkëndarje e sovranitetit të Kosovës me Serbinë është gjëja e fundit që duhet të pranojnë shqiptarët, pavarësisht nga presioni që ushtrohet mbi ta. Kjo do të na çonte në zhbërje të pavarësisë; nuk do të zgjidhte konfliktin me Serbinë por do ta përjetësonte atë; do të ishte stagnim i tmerrshëm ekonomik e politik.

Jo më kot e përmenda shembullin e Bosnjës më lart, një shtet i cili nuk është shtet, por një eksperiment nga më të dhimbshmit, i cili e ka çuar këtë vend në depresion total. E modeli i fundit që Kosova duhet të ndjekë, në rrugën e konsolidimit të saj shtetëror, është pikërisht Bosnja.

(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx