Shtesë » Lajme
Siri: Shqiptarët luftojnë krah radikalëve islamikë
E merkure, 04.09.2013, 07:45 PM
Siria
është vendosur në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar dhe të gjithë
presin ndërhyrjen për t’i dhënë fund gjakderdhjes që prej më shumë se 30 muajsh
u ka marrë jetën qindra-mijëra personave.
Në
Shqipëri jeton një komunitet i vogël sirianësh, njëra prej tyre është Alja
Noha, një vajzë e re siriane që ndjek studimet në Shqipëri dhe që vendosi të
flasë për “Wake Up” me Eno Popin. Ajo tha se që në nisje të revolucionit
sirian, që në nisjet e hershme të protestave kundër regjimit të presidentit
Bashar al-Assad, komuniteti sirian në gjithë botën ka kërkuar ndihmën
ndërkombëtare.
Sot, tha
Alja, kur kanë kaluar tre vjet që nga nisja e protestave, që më vonë u
përshkallëzuan në konflikt të hapur dhe luftë civile, asnjë nga komuniteti
ndërkombëtar nuk ka dëgjuar zërin e sirianëve.
“Wake Up”
mundësoi një lidhje telefonike me Ahmad Trad, ish–pilot i ushtrisë siriane, por
tashmë pjesë e luftëtarëve anti-Assad të Ushtrisë për Sirinë e Lirë, që lufton
në periferi të qytetit të Idlebit. Ai tha se ka grupe radikale që luftojnë në
Siri, por që nuk kanë peshën kryesore në konflikt.
Trad
pranoi se në Siri ka shqiptarë që luftojnë kundër regjimit të presidentit
Bashar al Assad, por se këta shqiptarë nuk janë pjesë e rebelëve, por e grupeve
radikale fondamentaliste që luftojnë për rrëzimin e presidentit Assad dhe për
ngritjen e një shteti islamik, ku ashtu sic tha edhe analisti Ilir Kulla, i
ftuar gjithashtu në “Wake Up”, Damasku të jetë qendra e Kalifatit, ashtu si
përpara 1 mijë vitesh.
Prej kohësh kanë qarkulluar në media lajme për shqiptarë që luftojnë kundër Assad në Siri. Mendohet se janë mbi 500 dhe mes tyre ka patur edhe viktima. Por tashmë vjen konfirmimi se ata janë përfshirë në këto grupe fondamentaliste islamike të cilat kanë një qëllim përfundimtar të ndryshëm nga ushtria për Sirinë e Lirë.