Kulturë
Drita Lushi: Dallëndyshja
E shtune, 02.03.2013, 10:47 PM
AH SIKUR…!
- Dallëndyshja -
Skicë-esé
Nga Drita Lushi
Atë vit, pranvera po vinte me nxitim.
Dukej sikur rrezengrohtat e saj,
kishin një dëshirë të papërmbajtëshme, të preknin sa më shpejt lekurëeturën për
ngrohtësi, a ndoshta, donin të sfidonin statujën në shpërbërje
të dimrit fodull, që dhe në dihatjet e fundit, kërkonte të ruante
pushtetin akullnajor gri.
Dallëndyshet e para që fluturuan
në qiellin tim,formonin ca ylberë me rrymat e ajrit sa pothuajse,
ngatërroja hapat që hidhja.
Gjethet e porsaçela, dukej sikur bisedonin me një
gjuhë fëshfëritëse me dallëndyshet,që përçohej në veshin tim si një simfoni e
gjelbërt.
Fësh-fësh! Ciu – ciu!
Fëësh – fëëëëësh! Ciu- ciuuuuuuu!
Ndoshta flisnin për dimrin që ikte
i mërzitur…, ndoshta për njerëzit që kishin takuar, ndoshta për folezat që do
të ndërtonin.
Te gjitha këto hamendësime, u ndërprenë nga një dallëndyshe krejt e veçantë, ndoshta më e bukura që kisha parë deri në atë kohë.
Erdhi përballë meje, e ndaloi në
shtëpinë me çati të rrënuar,ku tjegullat
dalëboje,dukej sikur u jepnin zemër themeleve që i mbulonte
Pasi u soll vërdallë, më
përshëndeti me cicërima e pastaj filloi
një punë të pandërprerë dhe vetëm kur pashë një folezë të ngritur aty, nën atë
cati të vjetër e kuptova se në ëndërr-zhgjëndrën time kishte fituar realiteti.
Ndoshta kjo dallëndyshe atje në
shtegëtim,
Ndoshta atje, ajo ka parë fëmijet që mbushnin cdo ditë
oborrin, me të qeshura dhe zëra…, ndoshta gruaja e shtëpise ka folur me të, për
shtëpinë ku ka qeshur, gëzuar, lindur dhe dashuruar.
Kjo dallëndyshe ishte atje në
mërgim,i takoi e bisedoi me ta, e tashmë është këtu, në strehëzën e tyre si
lajmëtare e jetës.
Oh ç’mike, e çfarë shembull
miqësie kjo dallëndyshëz e bukur!
E ndiej, se në ditët në vijim do
bëhet e afërt me mua.
Më sheh ndryshe, më flladon me krahët e saj, si rrjedha e bukur e një ujëvare, të cilën paskam një dëshirë “të çmendur” ta sodis.
Më kishin thënë se dikur, një
dallëndyshe, kishte rënë në dashuri me një njeri.
E shihte që jashtë dritares, kur ai vërtitej dhe kalonte ditët në vetminë
dhe mërzine e tij.
Dallëndyshja e bukur i çukiti në
xham lehtë dhe i shprehu adhurimin e saj njeriut.
Ai qëndroi indiferent ndaj saj,
dhe i tha se nuk i interesonte.
Megjithëse dallëndyshja vajti disa
herë duke i shprehur dashurinë e saj e duke i thënë që të bëheshin miq, ai
qëndroi i patundur ndaj bukurisë, zërit,mirësisë dhe dashurisë së saj.
Një ditë njeriu bëhet pishman,
ndjen vetminë më shumë se kurrë, dhe kërkon më kot dallëndyshen e sinqertë.
Më kot e priti, më kot!
Ajo nuk u kthye më, edhe kur
shoqet e tjera nisën të ndërtonin foletë
nëpër strehëza.
Kishte vajtur atje, ku dinin ta
donin dhe vlerësonin.
Mu kujtua kjo “përrallëz”, për
dallëndyshen e vogël dhe punëtore dhe ndjeva më shumë se asnjëherë nevojën që
të mos humbisja një mike të tillë, të vogël, te bukur, të mirë të mençur dhe punëtore.
Mundësitë dhe njerëzit, ashtu
sikuse kjo dallëndyshe krejt e veçantë,
na vijnë një herë në rrugën tonë.
Përse duhet t’u kthejmë krahët me
fodullëk?
Nuk ka mik/e, të vogël, apo të
madh/e, te shëmtuar apo te bukur, të zi apo të bardhë, të ri apo të vjetër.
Miqësia nuk gjini, komb, largësi,
nuk njeh ndasi fetare.
Miqësia ka vetëm një emër të thjeshtë :MIQËSI.
Vështirë se gjen mirësi dhe dashuri në jetë, krejt të
lira, të zhveshura, nga cdo lloj marrëdhënie interesi dhe ndërvarësie
imponuese.
Ja, kjo dallëndyshe e bukur dhe e
mirë, po sjell jetë në këtë shtëpi të braktisur, por jo shpresëhumbur.
Ia dëgjoj cicërimat dhe një
serenatë me nota të ëmbla, këndohet në qenien time.Pas cicërimave, fshihen me
mijëra fjalë, në sytë e saj të lëvizshëm dhe enegjikë pasqyrohen imazhe
njerëzish dhe jetësh, të cilat ajo i merr e i çon në vende të tjera, ku ata kanë të dashurit e tyre.
Çdo fllimpranvere, njerëzit presin
të shohin dallëndyshet e para,sepse u duket
se ajo u sjell një copëvend, një copëajër, një erëfushe, një borëmali,
një copëqiell, nga i vendit të tyre.
Po të fliste dallëndyshja, nuk di
se ç’do të bënim, do qeshim apo do qanim, do trishtoheshim apo do gëzoheshim,
do na ndrisnin sytë, apo do na humbte vështrimi tej, e do të zhyteshim në
mendime.
Sa e vogël që duket kjo
dallëndyshe!
Por ç’mall e mirësi, fsheh brenda
saj.
Ti veç cicëron moj dallendyshëz,
bri meje.
Por unë, ta kuptoj atë gjuhë jetëlindëse.
Njerëz, do mrekulloheshit ta
dëgjonit dhe ju, gjuhën dhe fjalët e saj…!
“Ah sikur!”:… Të fliste dallëndyshja!