Udhëpërshkrim
Caio Werneck: Një pritje dinjitoze me një festë madhështore për të uruar Republikën e Kosovës
E shtune, 05.04.2008, 06:12 PM
LIGJËRATË E MREKULLUESHME E PROFESORIT KOSOVAR – ENGJËLL KOLIQI, NË INSTITUTIN EDUKATIV "NOVOS TEMPOS" NË CONTAGEM:
Një pritje dinjitoze me një festë madhështore për të uruar Republikën e Kosovës
Profesor Koliqi, në Contagem u prit si një ambasador i vërtetë: me paradë me flamuj, me hymnin shtetëror dhe me një program kulturo-artistik të nxënësve të Institucionit Edukativ "Novos Tempos" (Kohët e Reja). Autoritetet vendore të Contagem-it dhe drejtuesit e këtij instituti edukativ kanë shprehur interesim të jashtëzakonshëm për të bashkëpunuar me institucionet simotra në Republikën e Kosovës. Përfaqësuesit e pushtetit vendor thanë: Kur populli brazilian, me shumicë dërmuese e njeh dhe e nderon Republikën e Kosovës, Qeveria Federale në Brasilia, duhet ta njohë sa më parë këtë shtet.
Nga Caio WERNECK
Contagem MG, 4 prill 2008. – Dje, pasdite, qyteti i mirënjohur industrial i shtetit tonë Minas Gerais - Contagem, kishte një festë të jashtëzakonshme. Me ftesë të drejtuesve të Institutit Edukativ "Novos Tempos" (Kohë të Reja), tërë mbasditën e së enjtes këtu ka qëndruar Prof Engjëll Koliqi, tashmë nga të gjithë këndej i njohur dhe i pranuar si ambasador i vërtetë e Republikës së Kosovës. Profesorin kosovar, të shoqëruar nga anëtarët tjerë të Drejtorisë së Institutit për bashkëpunim mes Brazilit e Kosovës – BRAKOS – Dr Vera Lúcia Alves Neves (zëvendëspresidente e parë vikare) dhe Paulo Thiago Vieira da Silva Fernandes (drejtor i projekteve ndërkombëtare), bashkë me drejtorinë e Institutit "Novos Tempos", e kishin pritur edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor – të Prefekturës së Qytetit Contagem: Gil Antônio Diniz (këshilltar i Kuvendit të Qytetit), Lindomar Diamantino Segundo (sekretar i arsimit, kulturës dhe sportit), si dhe Agostinho Silveira (zëvendësprefekt i Contagem-it e ish deputet në parlamentin federal), i cili profesorit ia ka dorëzuar letrën përshëndetëse të Prefektes Marilia Campos, që për shkak të detyrimeve punuese nuk kishte mundur të jetë e pranishme. Në letrën e Prefektes drejtuar profesorit, ajo kishte shkruar:
Ligjërata e konkretizuar me programin kompjuterik "power point"
"PREFEKTURA KOMUNALE E CONTAGEM-IT
KABINETI I PREFEKTES
![]() |
Letra e Prefektes dërguar Prof Koliqit – e skanuar |
Ju dëshiroj i përndrituri ambasador një qëndrim të këndshëm në Contagem (Kontagjem) dhe që vizita juaj të jetë e plotsuksesshme. Me keqardhje ju bëj me dije se detyrimet nga agjenda nuk ma mundësojnë pjesëmarrjen në ligjëratën tuaj. Përcillja popullit të Kosovës afektin dhe solidaritetin e të gjithë kontagjemasve.
Malilia Campo
Prefekte e Contagem-it"
Edhe kësaj radhe, siç bën zakonisht, Z. Koliqi ka kërkuar që të mos quhet ambasador, sepse tha se është vetëm një qytatar i thjeshtë dhe i devotshëm i Republikës së Kosovës, por Z. Silveira i ka thënë se tashmë të gjithë këtu e njohin si ambasador i vërtetë dhe i denjë i Kosovës, që po e përfaqëson denjësisht vendin dhe popullin e vet. Ai, mbas kërkesës këmbëngulëse të Koliqit, që Brazili ta njohë sa më parë vendin e tij, ka thënë se shumica dërmuese e popullit brazilian e njeh dhe e respekton këtë shtet ballkanik dhe popullin e shumëvuajtur të Kosovës, prandaj edhe Qeveria Federale në Brazilia, patjetër se do ta zyrtarizojë së shpejti aktin e njohjes së Republikës së Kosovës.
Para se të fillojë ligjëratën, me profesorin kosovar kanë zhvilluar një bisedë të përzemërt, drejtoria e Institutit Edukativ "Novos Tempos", me këtë përbërje: drejtoresha e përgjithshme – Maria das Graças Martins Maia de Araújo (Glícia), drejtori administrativ e financiar – Joaquim Maia de Araújo, përgjegjësja pedagogjike – Keyla Glícia de Freitas Maia Mascarenhas dhe disa nga profesorët e institutit. Në kërkesën e Koliqit për bashkëpunim me shkollën e vendlijndjes së tij – Stubëll, në Kosovë, drejtoresha e përgjithshme – Glícia është përgjigjur, duke thënë se do të ishte kënaqësi e të gjithëve – drejtuesve, mësimdhënësve dhe nxënësve, bashkëpunimi me një shkollë në Kosovë dhe ka propozuar menjëherë binjakëzimin e këtij instituti me Shkollën Fillore të Stubllës "Dom Mikel Tarabulluzi". Mikpritësit e kanë njoftuar mysafirin e këndshëm me ecurinë e veprimtarisë së Institucionit Edukativ "Novos Tempos" (Kohët e Reja), që megjithëse i ri, me vetëm 10 vjet punë, kishte shumë suksese të mëdha, që do t'ia lakmonin shumë institucione edukativo-arsimore me renome ndërkombëtare.
Pastaj është realizuar pritja zyrtare e Profesor Koliqit, i cili është konsideruar jo vetëm si një ambasador, por si një burrështetas i vërtetë – me parada me flamuj, me hymnin shtetëror dhe me një vallëzim special, luajtur mrekullueshëm nga nxënëset e këtij instituti, të Grupit të Valleve "Teenagers". Ai, me këtë rast, duke i falënderuar mikpritësit ka thënë se këtë pritje madhështore e konsideron si nder dhe solidarizim me popullin e tij të shumëvuajtur, që përfundimisht ka filluar ta shijojë lirinë, në Republikën e Kosovës, që qindëra të pranishëm e kanë miratuar me duartrokitje frenetike.
![]() |
Engjëlli, me autoritetet vendore të Prefekturës, gjatë paradës me flamuj, organizuar për te, në Qendrën Sportive të Institutit |
Mbas ligjëratës, drejtoria e Institutit kishte organizuar një koktej freskues për mysafirin kosovar dhe të pranishnmit e tjerë. Edhe me këtë rast janë zhvilluar bisedime dhe janë shqyrtuar mundësitë e fillimit sa më të shpejtë të një bashkëpunimi konkret të qytetit industrial Contagem, me Kosovën, ku duhet të ndihmohet dhe të investohet ende shumë.
Veprimtarinë e sotme të Z. Koliqi në Contagem e kanë përcjellur edhe massmediat vendore. Edhe te gazetarët është vërejtur një interesim i jashtëzakonshëm për zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj. Ata i kanë marrë edhe intervista profesorit kosovar dhe përfaqësuesve të tkerë të Institutit BRAKOS.
| ||||||||||
Flamujt shtetëror (i Republikës së Kosovës dhe i Republikës Federale të Brazilit) në paradë, për nder të mysafirit kosovar
|