Shtesë » Historia
Ferdinand Dervishi: Gaspër Çurçia, dosja e muzikantit që u pushkatua për biletat false të trenit
E hene, 13.06.2011, 05:46 PM
Gaspër Çurçia, dosja e muzikantit që u pushkatua për biletat false të trenit
Nga Ferdinand Dervishi
Mëngjesin e acartë të 12 dhjetorit 1984, dy fatorino treni të linjës së Shkodrës, L. Dukeli dhe S. Çekerku, kishin rendur të takonin njëra-tjetrën si të marra. Fytyra u kishte ikur, ndërsa nëpër duar shtrëngonin ca bileta treni të cilat ua kishin marrë në mirëbesim pasagjerëve të nisur nga Tirana. Dyshimi i ditëve të shkuara ishte vërtetuar sërish. Pasi ishin marrë vesh, dy gratë, të cilat më pas do të dekoroheshin për këtë zbulim, që nga ana tjetër do të shkaktonte pushkatimin e dy qenieve njerëzore, një prej të cilëve muzikanti i njohur Gasper Çurçia, kishin nxituar të takonin dispeçerin, apo përgjegjësin e trenit, Xh. Beshnuni. Në kabinën e këtij, dy gratë këmbëngulnin se një pjesë e biletave që pasagjerët kishin në vagonët e tyre, ishin krejt ndryshe nga të zakonshmet. Ato nuk kishin as ngjyrë, as letër të njëjtë. Dispeçeri ishte bindur shpejt se diçka e madhe ishte duke ndodhur, se biletat sigurisht duhet të ishin false dhe se kjo histori duhet të përfundonte medoemos në polici. Duke i punuar mendja, ai i urdhëron dy gratë që në afërsi të stacionit të Shkodrës t’u grumbullonin udhëtarëve të gjitha biletat duke gjetur justifikime të ndryshme dhe të njëjtin urdhër ua komunikon edhe fatorinove të tjerë.
Pak kohë më vonë, teksa zbrisnin në stacionin e Shkodrës, udhëtarët vëzhguan forca të shumta të policisë, që bllokuan zbritjen e pasagjerëve nga dy prej vagonëve.
Në gjurmë të shitëses së biletave
Në stacionin e Shkodrës policia e kishte pasur fare të thjeshtë. Të gjithë pasagjerët që kishin në duar biletat e dyshimta, kishin dhënë të njëjtën adresë të blerjes së tyre. I kishin blerë atë mëngjes tek sporteli i dytë në radhë, në biletarinë e stacionit të trenit të Tiranës. Madje, dikush kishte përmendur edhe emrin e gruas që punonte aty. Quhej Bukurie.
Brenda të njëjtës ditë, 12 dhjetorit, pa përfunduar orarin zyrtar të punës, kolegët e policisë së Tiranës kishin vënën nën vëzhgim sportelin e dytë të biletarisë së stacionit të Tiranës. Gruaja quhej Bukurie Gjeçi, ishte rreth të dyzetave, e martuar, me dy fëmijë të mitur dhe pa ndonjë problem të reklamuar me mbarëvajtjen në punë. Urdhri kishte qenë i prerë. Ajo duhet të ndalohej dhe kontrollohej pa përfunduar orarin zyrtar. Policët që iu afruan sportelit të saj më pas do dëshmonin se tjetrës për pak i kishte rënë të fikët kur i kishin thënë se duhet të bënin një kontroll.
Sipas një hetuesi të çështjes, shuma e përfituar nga biletat false të shitura kryesisht gjatë vitit 1984 nga Bukurie Gjeçi, bashkë me shumën e atyre biletave false që ende nuk ishin shitur, shkonte diku te 4.7 milionë lekë të vjetra. Një shumë që në atë kohë mund të konvertohej me vlerën e përbashkët të disa shtëpive të banimit.
Pra, policia e gjeti çantën personale të Gjeçit tumllas me bileta të falsifikuara. Kishte qenë vetëm ajo shitësja e biletave false të trenit, të njëjtave bileta për të cilat kishin dyshuar ato ditë të ftohta të dhjetorit 1984 dy fatorinot e linjës Tiranë–Shkodër.
Pa shkuar te marrja në pyetje e shitëses, policët duke i hedhur një sy çantës së sekuestruar, kishin vëzhguar me sy të lirë dy lloj biletash false. Një pjesë ishin pothuaj bardhë e zi, ndryshe nga origjinalet që kishin një nuancë të ngjyrës jeshile. Ndërsa pjesa tjetër, apo gjysma e tyre, ishin krejt si origjinalet. Por gruaja e terrorizuar nuk i kishte lënë të mundoheshin gjatë. Ajo ishte treguar e gatshme të bashkëpunonte.
Arrestimi i muzikantit Gasper Çurçia
Atë natë do të kishte edhe një tjetër arrestim. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes një grup policësh do të zbrisnin nga makina pranë një pallati në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, ku banonte muzikanti Gasper Çurçia. Nuk dihet se si kishin rrjedhur ngjarjet me marrjen në pyetje të shitëses së biletave, por sigurisht që ajo makinë policie u gjend aty në bazë të së dhënave të saj. Policët kishin kërkuar fillimisht të bënin kontroll në dhomën personale të muzikantit duke e pyetur me kërcënime se ku i mbante lekët. Muzikanti u kishte treguar një sirtar, u kishte dhënë edhe çelësin madje, por policët kishin mbetur të pakënaqur nga sasia e të hollave të gjetura. Më tej ata e kishin mbyllur dhomën, për të shmangur prezencën e familjareve të tjerë dhe e kishin bindur Çurçinë se tashmë dinin aq shumë sa do ishte mirë, që ai të tregonte të hollat si dhe makinerinë stampuese të biletave të trenit.
Më pas në popull do të përhapej fjala, apo thashethemi i vërtetë, se Gasper Çurçia i kishte fshehur të hollat në brendësi të pianos dhe se këto të holla ishin në një sasi habitëse. Në të vërtetë policia në brendësi të pianos kishte gjetur vetëm stampën, ndërsa të hollat ishin në një sirtar të kyçur.
Rreth mesnatës policët ishin larguar “duarplot” duke e marrë me vete edhe të zotin e shtëpisë, Gasper Çurçia. Sipas një përllogaritjeje ata kishin gjetur në shtëpinë e tij një shumë prej rreth 15 mijë lekësh, pa llogaritur vleftën e biletave të fabrikuara që ishin ende të pa shitura.
Arrestimet e dy grupeve
Po atë ditë, pasi ishin ndërruar vetëm datat, por jo ngjyra e zezë e natës, Gasper Çurçinë e Bukurie Gjeçin do i ndiqnin nëpër hapat e të njëjtit fat edhe disa të prangosur të tjerë, që të gjithë të implikuar në falsifikimin e biletave të trenit. Shpejt hetuesit kuptuan se po konfiguroheshin dy grupe të ndryshme falsifikuesish që ia jepnin biletat të njëjtës shitëse, Bukurie Gjeçit. Po sipas hetimit, grupi i parë, që kishte bashkëpunuar me shitësen e sapoprangosur, kishte në përbërje, veç Çurçisë edhe një bashkëpunëtor të tretë, N. Hyskajn, një punonjës të NTUS (Ndërmarrja Tregtare e Ushqimit Social) të Tiranës. Edhe ky kishte ndihmuar në realizimin e falsifikimit të biletave të trenit dhe rrjedhimisht kishte marrë një pjesë të fitimit.
Nga ana tjetër, grupi i dytë i të arrestuarve, që duket kishte vepruar në konspiracion të plotë, nuk kishte asnjë lidhje me Gasper Çurçinë, madje asnjë prej tyre nuk e dinte se edhe Çurçia “furnizonte” me bileta të njëjtën shitëse.
Kreu i grupit të dytë ishte një djalosh i gjatë e i pashëm, me punë në postën e Tiranës, që quhej Shkëlzen Doçi. Ai duket kishte qenë gjahu i madh i radhës për policinë. Në shtëpinë e tij, saktësisht nën krevatin ku flinte i vëllai, ishte gjetur edhe një valixhe metalike me të holla, që të gjitha të përftuara nga shitja e biletave false të trenit. Duke qenë se para hetuesve të asaj kohe nuk mund të trimërohej askush, shpejt në pranga përfunduan edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë, të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër me Shkëlzen Doçin dhe falsifikimin e biletave të trenit. Përfundimisht, në mars të vitit 1985, shkojnë para gjykatës, kryesisht nën të njëjtën akuzë, dhjetë të arrestuar për falsifikimin e biletave të trenit.
Dy mënyrat e falsifikimit
Habia e hetuesve ishte bërë edhe më e madhe pasi kishin mësuar se dy grupet, që kishin si pikë të përbashkët shitësen e tyre Bukurie Gjeçi, kishin metoda të ndryshme të prodhimit të paligjshëm të biletave të trenit. Në dokumentet e dosjes gjyqësore nuk thuhet saktësisht se cili nga grupet ka nisur i pari falsifikimin. Vetëm shkruhet në një rast se Bukurie Gjeçi kishte komunikuar më parë me një të njohur të Shkëlzen Doçit. Kështu që për të dy palët përmendet e njëjta periudhë e bërjes lekë me anë të biletave false, që korrespondon me fillimin e mbarimin e vitit 1984. Nga ana tjetër dokumentet sqarojnë saktësisht dy mënyrat se si realizoheshin falsifikimet.
Ish-muzikanti Gasper Çurçia kishte mundur të sajonte në ambientet e shtëpisë së vet një pajisje artizanale stampimi që punonte me filma dhe që realizonte bileta treni false të një cilësie të lartë. Saktësia e tyre dukej qartë te ngjyra e arrirë e biletës, që pothuaj nuk dallonte nga origjinalet, por çalonte në elementët e tjerë, sidomos në shkronjat e numrat.
Ndërsa grupi tjetër, që falsifikonte biletat me ndihmën e një makine fotokopjuese që gjendej në zyrën e inxhinierit të Postës Qendrore, Shkëlzen Doçi, ishte më pak i suksesshëm në cilësinë e ngjyrës së biletave, por tepër si saktë në projeksionin e germave e numrave. Madje, pohohet se biletat edhe pse fotokopjoheshin bardhë e zi, shiteshin me sukses duke mos shkaktuar dyshime te pasagjerët e trenave.
Në plumb për 5 milionë lekë
Në kohët e ardhura mund të duket e pabesueshme, por dikur, kur e ashtuquajtura “diktatura e proletariatit”, apo “lufta e klasave” mbanin gjallë ngrehinën e kalbur të Shqipërisë komuniste, mund të shkohej në plumb edhe për vjedhje ku nuk përdoreshin armë, ku nuk plagosej apo kërcënohej kush. Kështu vetëm për vjedhjen e vleftave të biletave të trenit me anë të falsifikimit në vitin 1984, me një shumë dëmi prej rreth 4.5 milionë lekësh të asaj kohe, gjykatat dërguan në plumb tre prej dhjetë të akuzuarve. Dhe kjo bëhej, jo sepse dëmi i shkaktuar mund të trondiste Bankën e Shtetit Shqiptar, por për t’u treguar gjithë banorëve të vendit të rrethuar me tela me gjemba se shteti komunist është shumë i fortë dhe se që të gjithë ata që do tentojnë të vënë dorë mbi “pasurinë e përbashkët” do të kenë fat të njëjtë. Pra, një politikë që më shumë se zbatimin e ligjeve, kishte për qëllim jetëzgjatjen e sistemit përmes frikës së krijuar nga bërja shembull e një pjese të qytetarëve të vet.
Gjithsesi, Presidiumi i Kuvendit Popullor, që kishte atributin e faljes së jetës, vë dorën në zemër vetëm për një të dënuar me vdekje të dosjes së biletave të trenit, ndërkohë që nuk ndryshon asgjë për fatin e Gasper Çurçisë dhe Shkëlzen Doçit. Të dy këta do të pushkatoheshin natën, 24 orë para se ish-diktatori shqiptar Enver Hoxha të jepte shpirt zyrtarisht.
Edhe të arrestuarit e tjerë të së njëjtës dosje nuk u shpëtuan dënimeve të skajshme, që shkonin deri në 17 vjet heqje lirie. Si për të plotësuar gjithë kuadrin, nga ana tjetër, nga ana e atyre që ishin pajtuar me rregullat pavarësisht cilësisë së jetës që ato diktonin, për të njëjtën çështje, pati edhe të dekoruar. Ishin pikërisht dy fatorinot e linjës së Shkodrës dhe dispeçeri i trenit, që morën meritat e zbulimit të këtij grupi keqbërësish. Duke i bërë edhe këta, krejt padashur, protagonistë të një historie që dikur tronditi një popull të tërë.
Për këtë ngjarje të përmasave të pazakonta, që pati një impakt të madh në opinion në kohën kur ndodhi, gazeta "Panorama" ka përgatitur një cikël të plotë shkrimesh duke sjellë fakte dhe dokumente të papublikuara më parë. Janë siguruar gjithashtu edhe dëshmi të protagonistëve, të hetuesve të çështjes si dhe të njerëzve që morën pjesë drejtpërdrejt në pushkatimin e Gasper Çurçisë dhe Shkëlzen Doçit.
Të arrestuarit
1-Bukurie Gjeçi, e datëlindjes 20.11.1946, lindur në Shijak dhe banese në Tiranë, lagja Nr. 1, rruga “Dhimitër Kamarda”, Pallati Nr.7, hyrja 9, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë e gjendje shoqërore punëtore, me punë ish-shitëse biletash në Stacionin e Trenit në Tiranë, e martuar me dy fëmijë të mitur, e padekoruar, pa imunitet, me arsim të mesëm ekonomik, e padënuar, pa parti, e arrestuar më datën 12.12.1984.
2-Gasper Çurçia, i datëlindjes 13.11.1934, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, lagja Nr. 3, rruga “Ferit Xhajko”, Pallati Nr.63/1, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore pensionist, ish-punonjës në ndërmarrjen e mjeteve mësimore në Tiranë, i martuar me tre fëmijë, me shërbim ushtarak të kryer, pa imunitet, i pa dekoruar, me arsim të mesëm, i padënuar, pa parti, i arrestuar më datën 12.12.1984.
3-N. Hyskaj, i datëlindjes 25.01.1942, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, Lagja Nr.4, rruga “H.Dalliu”, pallati 16/1, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore piktor në NTUS, Tiranë, i martuar me një fëmijë, me, i padënuar, pa imunitet, pa Parti, me arsim të mesëm të pambaruar, arrestuar më 15.12.1984.
4-Shkëlzen Doçi, i datëlindjes 30.11.1949, lindur dhe banues në Tiranë, lagja Nr. 4, rruga “Kongresi i Përmetit”, Pallati 144, ap, 44, me origjinë shoqërore nëpunës i pushtetit popullor, me gjendje shoqërore nëpunës në Ndërmarrjen e Shërbimeve Transite, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, beqar, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të lartë, pa Parti, i pa dënuar, i arrestuar më 13.12.1984.
5-B. Erebara, i datëlindjes 25.06.1951, lindur dhe banues në Tiranë, lagja Nr. 9, rruga “Skënderbej”, pallati 33/2, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore piktor në Ndërmarrjen Elektroteknike Tiranë, i martuar me dy fëmijë, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të lartë, Instituti i Arteve, i padënuar, pa Parti, i arrestuar më 15.12.1984.
6-K. Shefqeti, i datëlindjes 21.10.1948, lindur dhe banues në Tiranë, Lagja Nr.7, rruga “Pandi Dardha”, pallati 44, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në Kombinatin e Autotraktorëve, beqar, me shërbim ushtarak të kryer, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të mesëm, i pa dënuar, pa Parti, i arrestuar më datën 15.12.1984.
7-S. Sadkaj, i datëlindjes 15.11.1950, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, Lagja 10, rruga “Aleksandër Moisiu”, Pallati 36/3, Apartamenti 39, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në Fabrikën e Këpucëve, i martuar, martesa e dytë më katër fëmijë, me arsim të mesëm dhe shkollën e Lartë Ushtarake, i pa dënuar, pa imunitet, pa Parti, i arrestuar në datën 13.12.1984.
8-D. Vasho, i datëlindjes 25.10.1948, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, lagja Nr.8, rruga “Myslym Shyri”, pallati 10/1, apartamenti 20, me shtetësi dhe kombësi shqiptare me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në sektorin e serave të ndërmarrjes së gjelbërimit, i martuar me dy fëmijë të mitur, me shërbim ushtarak të kryer, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të mesëm, i pa dënuar, pa Parti, i arrestuar më datën 13.12.1984.
9-B. Koxhaxhiku, i datëlindjes 10.03.1949, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë. Lagja 9, rruga “Muhamet Gjollesha, pallati 39/1, Apartamenti 19, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë e gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier elektrik në fabrikën e këpucëve, i martuar me dy fëmijë, i dekoruar me Urdhrin e Punës të Klasit të Tretë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, pa imunitet, me arsim të lartë, i padënuar, pa Parti, i arrestuar në datën 13.12.1984.
10-R. Fejzo, i datëlindjes 15.06.1953, lindur në Allagjatë dhe banues në Tiranë, lagja 10, rruga “Niko Avrami”, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Urave, i martuar me dy fëmijë të mitur, me shërbim ushtarak të kryer, pa imunitet, i padekoruar, i dënuar për mashtrim me 6 muaj heqje lirie në vitin 1977, me arsim 8 klasë, pa parti, i arrestuar në datën 17.12.1984.
Panorama 19/08/2009