Kulturë
Gani Qarri: Shkëlqimi shqiptar vazhdon mbi qiellin Kroat
E marte, 07.06.2011, 08:00 PM
Shkëlqimi shqiptar vazhdon mbi qiellin Kroat
Nga Gani Qarri
Shkëlqimi muzikor shqiptar,vazhdon që nga Patrik Nuo në Zvicër, shqiptar nga Babai, me origjinë nga rrethi i Gjakovës, i cili sivjet për herë të parë,ishte edhe pjesë e jurisë së spektaklit muzikor gjerman, "Deutschland sucht den Superstar" Duri Krasniqi në Austri,Vanesa Krasniqi dhe Ardian Bujupi në Gjermani , dhe të tjerë fëmijë të emigrantëve shqiptar, e deri te Fenomeni më i ri- aktual ,i spektaklit të muzikës "Kroacia kërkon yllin e muzikës" që po mbahet në Zagreb,djaloshi Mark Marku me origjinë nga Prizreni i cili po mahnit spektatorët dhe jurinë muzikore të spektaklit televiziv kroat.
Ai në kuptimin e plotë të fjalës nuk po mahnit vetëm kroatët por të gjithë ata që e përcjellin paraqitjen e tij me një zë aq të fortë , kumbues dhe të ëmbël muzikor sa që edhe vet rapsodi i ndjerë Augustin Ukaj i cili njihej për zërin e tij të "pakufishëm" dhe melodik , po të ishte gjallë, do t`ia kishte shumë lakmi Markut.
Me 4 Qershor ai shkëlqeu edhe një herë me tërë dimensionin e një diapazoni të pa kufizuar tonor, të formës së shkolluar muzikore deri në përsosje, duke habitur edhe jurinë, e cila jo vetëm u ndje e ngushtuar deri në përlotje,para performancës së shkëlqyer të këtij djaloshi shqiptar, por ajo ishte e gatshme edhe të përulej para një mrekullie të tillë performuese, e cila mund të jetë mësim i dobishëm edhe për yjet e tjerë që do të vijnë, në spektaklet e ardhme muzikore,kudo.
Mark Marku
Se fitoren e finales së këtij spektakli ky djalosh shqiptar e meriton, këtë më së miri e dëshmuan edhe shprehjet plot bindje deri në emocione të shoqëruara edhe me lot nga anëtarët e jurisë,kur kompozitori kroat i muzikës Toni Cetinski ,deklaronte se Marku me paraqitjen e tij,ishte treguar fitues i pesë sezoneve,kurse anëtari tjetër i jurisë Fox, shtoi se performanca e djaloshit prizrenas ishte më e mira që kishte parë ,derisa Ivana me lot në sy,këndimin e Markut e quajti interpretimin më të mirë të këtij sezoni.
Paraqitja e djaloshit prizrenas,u përcoll me aq shumë duartrokitje dhe komplimente të zgjedhuara, saqë ai nga 4 Qershori mund ta ndiej veten si fitues i pa konkurrencë i spektaklit televiziv të Kroacisë,i cili u nis për të kërkuar një Yll "kroat" por gjeti një Super- Yll , Shqiptar, për të cilin i ftojmë të gjithë bashkatdhetarët që të votojnë në mënyrë të organizuar dhe në numër sa më të madh që të jetë e mundur, që ky fenomen i dëshmuar muzikor, ta fitoj finalen e madhe kroate, sukses me të cilën ai, jo vetëm se do ti gëzonte të gjithë shqiptarët dhe adhuruesit e tjerë të tij, por edhe do ti nderonte që të dy shtetet, Kosovën dhe Kroacinë. Ndaj, unë e uroj Markun për të gjitha paraqitjet e tij të deritashme,dhe i dëshiroj përzemërsisht fitoren e finales së madhe të këtij spektakli, që do të mbahet në ditët e ardhshme.
Cyrih 5 Qershor 2011