E diele, 28.04.2024, 03:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Viktor Koliqi: Andërr e nji nate mërgimi

E diele, 05.06.2011, 07:58 PM


ANDËRR E NJI NATE MËRGIMI

 

Nga Viktor Koliqi

 

Shpesh herë shoh n'andërr vendin t'im.

Më pezullon kjo andërr, në flatrat e çuditshme të nënvetdijes, më largon nga ky dhé mergimi e më shpjen deri atjè, n'atdhé. Varet në grrêmçen magjike të deshireve të pa shprehuna dhe në gozhdën e ngulun të kujtimeve qi s'mund të harrohen.

E, të gjitha këto, janë të paraftyrueme nga fantazija me ngjyra të trishtueshme e të zbrazta, pse në ketë andërr nuk shoh asnji njerí. Nji botë e pa jetë, plot hije të ndalueme e të heshtuna, mbulon ato lagje ato shtëpija ato oborre.

Eci mbë maje të gishtave nepër udhë të vetmueme, edhe unë hije e vetmueme n'at shkretí. Hapat e mij s'lanë mbas, kurrfarë jehone. E, mendoj: kjo pikë gjeografike e botës më tërhjekë mâ shum se çdo skâj tjeter.

Këtu çela sytë, e, në pergjumëshmenín e zgjimit të parë të parë pásh fytyrat mâ t'aferta e mâ të dashtuna. Me hapat e parë qi bâna, këtu filloj jeta e ime. Edhe psè fatet e vështira të jetës më larguen nga ky vend, janë po ato hapa qi, të lidhun me fijen e pakëputëshme të dashunís, prap më drejtojnë këtu, n'andërr.

Udhtimi i im andrratár më shpjen vetvetiu në rrugët mâ të njohtuna. Muret e qytetit t'im më duken germadhe të lodhuna në pritje të rrëximit të fundit. Nepermes të lëmashkut t'atyne gurvet më rrëshqasin kujtimet.

Muret e vendit t'im kanë edhè ato nji shpírt. Nji shpírt të molisun e të zgavrruem, por qi qendron gjithnji aty, i patundshem në heshtje. Nga dyert e çeluna vrej oborret e vetmueme. Këto oborre kishin dikur, ngrohtësi e freskí pernjiheri.

Këtu pelsitshin në rrythmin e rregulluem nga koha, damarët e zemres shqiptare. Nji pus, nji kug, nji mand, rreshti i shemshirit, tanda e hardhís e drandofilles e luleviles: krejt nji botë e lindun e e kalueme në vështirsina, por e lulzueme në frymen e pastër të deshireve bujare burrnore e miqasore. Sod, aty, gjithëshka më duket e veshkun e e thame.

Kështu tu'u endë mbrrijë te oborri i shtëpís s'ime. Hy mbrendë. Ndalem per nji ças, si fantazem i habitun, si hajn i padishruem i kujtimeve të mija mâ të dashtuna. Më shkojnë syt me'i herë te mandi. Mandi qe miku mâ i ngushtë i lojnave të mija fëmijnore. Gati nuk e njoh. Pa gjeth, pa fryt, më duket si perbindsh i thát qi nalton kah qielli krahët e shpulpuem (sic!) në nji lutje plot frigë. Skeletër i veshun me vetmí e heshtí por qi i ka gjithnji rrâjët në truellin e vet.

Dikur, kur frynte era, stuhija e vjeshtave tu'u pershkue nepër degët e mandit, më tregonte andrra guximtare kalorsash. I ndigjojshe me vemendje e me andje. Atbotë, pa frigë e plot guxim i hidhëshem shpresët e mija në qiellët e turbullta t'atdheut. E, fillojshe luftat e mija të vetmueme: me zhgulë me rrâjë demagogjinë, errësin mendore, zbraztësín shpirtnore.

E shpata e flakët e hoveve të mija rijnore (oh thjeshtësi qi kaperthen shpirtin në rinín mâ të parë!) u versulte e pa mëshrirë mbi ata qi deshten gjithëherë, perdhuni, me dalë në shesh e në shêj pa pasë kurrnji virtyt, kurrnji pregatitje, kurrnji qellim ndershmenije. O poet i im i dashtun , ti perkunde andrrat e mija nder degët e mandit t'im, e gëdhene në mue nji shpirtë e nji zemer qi kanë me ngelë të pandryshueme në kohë.

E dij se kanë me randue mbi mue krajata e pengime të gjithnduerta, pse andrrat janë bimë shterpe qi bulojnë në vullâjt e mystershem të nënvetdijes, por kur të lexoj prap rreshtat e tu, guximi e shpresa s'kanë me më lanë e kanë me lulzue gjithnji, edhe në degët e thame të mandit të sodshëm.

Mandej, bâj edhè pak hapa e mbrrijë ke pusi. Shikoj në thellsin e tij per të pa ujët e kulluet. Asht shterrë. Edhè çekerrku e kova, dikur plot zhurmë, heshtojnë aty të kota, në zbraztësí. Jo larg, permbi rrasë të lugut heshton edhè pirajka.

Ajo rrahje rrythmike e pirajkës qi u shperndante nga oborri në oborr tue kapercye mure e avullija nuk ngelë mâ pezull mbi qytet. Më duket kjo rrahje qi s'ndigjohet mâ, si jehonë e lashtë e njij riti të pa kryem. Heshtimi qi ka zbritë per rreth perkundet në nji shrregull qi nuk shihet, në nji valle qi nuk ndigjohet.

Shmangem andej. I ngjitem shkallave qi më shpijnë në çardak. Sa e zbraztë më duket kjo zemer e hapun e shtëpís! E hapun dikur per të gjithë, të njohtun e të panjohtun. U shuguronte në tê takimi i parë i mikpritjes. Kot mundohem të shoh ndo' i fytyrë të dashtun. Çardaku âsht mâ i zbraztë, i pafund.

Sikur i zbraztë e i pafund âsht heshtimi qi e mbulon. Papritmas më shkojnë syt atjé në skâj ke nji derë gjymsë-çelun. E njoh. Asht dhoma e miqvet. Hy mbrendë. Nga dritoret e mbylluna deperton nji fije drite qi zbulon n'atë dhomë nji rreze të zbetë e gati të harrueme kujtimesh.

Oh botë e ndalueme në prakun e stinve të mira, ti më thrret me mallin e largtë të fëmijnís, e unë, per me mbrrijtë ke ti (tu' qenë endè gjáll) jam i shternguem të bâhen hije. Këtu në ketë dhomë më ndydhen e më shtangohen në shpirtë të gjitha mendimet e të gjitha deshiret qi kisha dashtë të shprehi.

Fytyra e gjyshit e pikzueme n'at kuader të varun në mur, flet ajo per mue. Pa çelë gojë, pa lëvizë buzët më thotë: «Trupi i im ndá tash sa kohë nga kjo botë, ka lanë këtu shpirtin e vet. Ky shpirt desht të frymzojë ndjesitë e brezninave t'ardhëshme.

Desht të ruejë në votër, të pashueme flaken e lashtë. Besa, ndera, bujarija e dashunija do t'ishin Vestalet e sodshme qi do t'a mbajshin gjall këtë flakë. Kot. Shpirtit i âsht ngrî në mbrendsí edhè shprehja. Na jemi, këtu, si orenditë e kësaj dhome, kû as raftat s'pelsasin mâ n'ankim të vjeter».

Dal andej. Pershkoj lagjet e vetmueme, tu' persritë në këthim, udhtimin andrratar qi bâna per të mbrrijtë këtu, e papritmas gjindem jashtë qytetit. Ndalem i lodhun. I lëshoj vendit t'im shikimin e fundit. Qe: aty mbi at koder, plot krenari të lashtë, naltohet kështjelli.

E vetmja lëvizje qi shoh në krejt ket anderr âsht ai procesjon hijesh qi ecin tu' u projektue mbi gurët vigana. Janë hijet e sorrave të zeza qi fluturojnë diku, atjè nalt, por qi un nuk i shoh.

Kur zgjohem, më çelen syt në mergim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora