Shtesë » Shoqëria
"Molla E Dheut" Dhe Vlerat Ushqimore
E merkure, 06.06.2007, 06:13 PM
Patatja është shumë e pasur me karbohidrate (sheqer në trajtën e amidonit) dhe me lëndë azotike (proteina), me vitamina dhe kripëra minerale, etj. Siç dihet, karbohidratet (sheqernat) janë burimi kryesor i vlerës energjetike që ka nevojë njeriu. Rreth 60-65 % e kësaj vlere ditore plotësohet vetëm nga sheqernat. Një kilogram patate jep jep rreth 840 kkal, që janë gati sa një e treta e të gjitha kalorive ditore që ka nevojë njeriu i rritur. Vlera kalorike e patates është katër herë më e madhe se e domates, tri herë më e madhe se e karrotës dhe sa gjysma e vlerës kalorike të vezës e të mishit të gjedhit. Vlerën e përgjithshme ushqimore të patates e përcakton sasia e lartë e lëndës së thatë 20-30 %, ku përbërësi kryesor është amodoni (14-22%), pastaj proteinat (1, 4-3%), kripërat minerale (0, 8-1, 6%) dhe vitaminat e ndryshme, ku mbizotëron vitamina C (10-40 mg). Amidoni pa dyshim është lënda bazë përbërëse e patates. Sasia dhe cilësia e amodinit përcakton jo vetëm rëndësinë e patates si produkt ushqimor, por edhe veçoritë teknologjike si lëndë e parë për përpunim industrial, për përgatitjen e mjaft produkteve të tjera ushqimore të rëndësishme. Prania e fosforit në amidon në trajtën e acidit fosforik dhe përbërjet e tij, luan rol të rëndësishëm në proceset fermentike dhe në hidrolizën e amidonit gjatë kthimit në qull të tij. Si burim i proteinave të një cilësie të lartë, patatet zënë një vend të rëndësishëm midis produkteve të tjera ushqimore me origjionë bimore. Është vërtetuar gjithashtu se proteinat e patates asimilohen më lehtë në krahasim me ato të mishit. Përmbajtja e proteinave në kokrrat e patates rriten nga periferia në qendër. Kjo është në drejtim të kundërt me rritjen e përmbajtjes së amidonit. Në proteinat e patates gjenden aminoacide të pazëvendësueshme (që nuk sintetizohen nga trupi i njeriut), shumë të nevojshme për funksionimin normal të organizmit, si valinë, leucinë, izoleucinë, lizinë, metioninë, treoninë, tripofan dhe fenilaninë.
Vitaminat dhe kripërat minerale të patates
Patatja është edhe një burim i mirë vitaminash. Ajo shquhet sidomos për përmbajtjen e lartë të vitaminës C. Në ato vende ku patatja mbillet në sipërfaqe të gjera dhe konsumohet në sasira të mëdha, ajo shërben si burim kryesor për sigurimin e vitaminës C nga organizmi i njeriut. Llojet dhe sasitë e vitaminave në tuberin e patates paraqiten si më poshtë:
Vitaminë C 10-40mg për 100 gr produkt
Vitaminë A 20-90 mg
Vitaminë B1 0, 07-0, 1 mg
Vitaminë B2 0, 05 mg
Vitaminë P 0, 9 mg
Si dhe vitaminat B5, B6 (0, 2 mg), B8, dhe K në sasira dhumë të vogla. Përmbajtja e vitaminës C është më e madhe një muaj para pjekjes së plotë. Pastaj ajo gradualisht pakësohet, derisa arrin në përmasat e mësipërme. Nëqoftëse njeriu konsumon 300 g patate në ditë (kjo është një normë shkencore për një njeri të rritur), organizmi i tij merr rreth 5% të nevojës ditore në vitaminë C, 15% të nevojës vitaminë B1 dhe rreth 5% të vitaminës B2.
Patatet janë të pasura dhe me kripëra minerale, në trajtë të asimilueshme nga organizmi i njeriut, si kripëra të kaliumit, kalciumit, magneziumit, fosforit, etj. Përmbajtja e tyre për 100 g produkt të freskët paraqitet si më poshtë.
Kaluim 568 mg për 100 gr produkt të freskët
Fosfor 500mg
Magnezium 23mg
Kalcium 10 mg
Natrium 2, 1 mg
Hekur 1, 21 mg
Përgjithësisht kripërat minerale tek patatja kanë reaksion alkalin. Kjo veçori ia rrit akoma më shumë vlerat patates.
Kujdes nga solanina
Nuk mund të mos përmendet këtu edhe prania e alkaloidit solaninë, substancë me veti helmuese. Sasia e saj në patatet e freskëta lëkundet nga 2-10 mg, që nuk ndikon fare në organizmin e njeriut. Rritja e përmbajtjes së solaninës vihet re sidomos në tuberat e patates me ngjyrë të gjelbër, kur qëndrojnë në ujë për një kohë të gjatë në ambient me dritë. Ajo pjesë e sipërfaqes që ekspozohet ndaj dritës ka më tepër solaninë. Për këtë arsye është e nevojshme që gjatë vjeljes dhe ruajtjes duhet merren masa për të mënjanuar qëndrimin e gjatë në diell të patateve. Është provuar shkencërisht se solanina shkakton helmime në organizëm, nëqofëse njeriu merr të paktën 200 mg menjëherë. Kjo mund të ndodhë nëse konsumohen jo më pak se 3 kg patate në ditë me përmbajtje 7 mg solaninë. Praktikisht një gjë e tilllë nuk mund të ndodhe kurrë. Gjithashtu duhet theksuar se në pranverë rritet shumë sasia e solaninës në lëkurën e patates. Parandaj në të tilla rrethana, patatet para se të gatuhen për konsum, duhet të qërohen thellë dhe sidomos në zonën rreth sythave.
Patatja dhe vlerat kurative
Patatja, përveç vlerës si produkt ushqimor, ka gjetur përdorim të gjerë edhe në mjekësinë popullore për kurimin e shumë sëmundjeve. Patatja është përdorur prej kohësh si substancë hipotensive (që ul tensionin e gjakut). Kjo është provuar më vonë edhe shkencërisht. Patatja ndikon në uljen e kolesterolit në gjak, duke ndikuar në metabolizmin e kësaj substance dhe kjo kryesisht në sajë të përmbajtjes së lartë të vitaminës C. Ka gjithashtu të dhëna eksperimentale se patatja ka vetinë të rrisë podhimin e acetilkolinës në organizëm, e cila zgjeron enët e gjakut, duke ulur tensionin e tij. Rezultate të kënaqshme ka dhënë përdorimi i lëngut të freskët të patates në mjekimin e ulçerës së stomakut dhe duodenit. Kjo ndodh për arsye se lëngu i patates ul prodhimin e aciditetit të stomakut dhe e nautralizon atë. Patatja e gatuar, e zier e pjekur, pure, ose lëng, ndikon pozitivisht në mjekimin e gastriteve hiperacide. Ajo vepron mirë dhe rekomandohet edhe kudër infeksioneve të zorrës së hollë, duke u përdorur në trajtën e supave ose pure. Ndikon pozitivisht edhe tek të sëmurët që vuajnë nga zemra, kur u është çrregulluar funksioni i saj. Ajo furnizon organizmin me kripëra minerale, sidomos me ato të kaliumit, që tek të sëmurët me zemër përmbajtja e tyre në organizëm ulet së tepërmi. Vlen të theksohet se patatja ka edhe veti diuretike. Si e tillë ajo gjen përdorim në shumë sëmundje të veshkave, madje edhe në rastet e infeksionit të tyre. Patatja rekomandohet edhe për sëmundjet e mëlçisë së zezë, sepse rregullon metabolizmin e ujit e të kripërave minerale dhe bën fiksimin e glukozës në trajtën e glikogjenit në mëlçi. Ajo mund të përdoret edhe në ushqimet dietike, për të ulur përmbajtjen e dhjamit në indet e organizmit dhe duke rregulluar metabolizmin e yndyrnave në përgjithësi. Për këtë ajo përdoret shumë në dietat e uljes së peshës trupore, nëpërmjet konsumit të dhjamit nga organizmi.
Prof. as. Dr. Llazi Birbo
(Specialist në fushën e ushqimit)