Editorial
Valon Kurtishi: Shqipëria në NATO – faktor stabiliteti dhe baraspeshe në rajon
E shtune, 03.04.2010, 04:00 PM
Shqipëria në NATO – faktor stabiliteti dhe baraspeshe në rajon
Nga Valon Kurtishi
Më 4 prill 2009, para saktësisht një viti, Republika e Shqipërisë u pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO - Aleanca veriatlantike. Një delegacion i plotë dhe gjithëpërfshirës shqiptar i kryesuar nga Presidenti Topi dhe kryeministri Berisha mori pjesë në samitin e Aleancës në Strasburg dhe Kehl, vende që simbolizojnë të shkuarën tragjike dhe të sotmen e të ardhmen paqësore të Gjermanisë dhe Francës.
Në fillimet e këtij procesi të rëndësishëm për shtetin tonë kombëtar, Shqipëria, Kroacia edhe Maqedonia me iniciativë të diplomacisë amerikane, nënshkruan më 2 maj 2003 në Tiranë krijimin e Kartës së Adriatikut, si një bashkim të fuqive për të përshpejtuar rrrugën drejt integrimit të plotë në Pakt. Më vonë, Shqipëria, Kroacia dhe NATO nënshkruan protokollet e anëtarësimit të cilat u ratifikuan nga Parlamentet kombëtare të vendeve anëtare. Shqipëria depozitoi në Ministrinë e jashtme (Departamentin e shtetit) në Uashington, të a.q “instrument të ratifikimit të aderimit” në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Pasi Senati amerikan pa asnjë votë kundër miratoi Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, presidenti Bush në prani të një numri të zyrtarëve amerikanë, sekretarit të përgjjithshëm të Paktit Veriatlantik Jaap de Hoop Scheffer, si dhe ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kroacisë, në mënyrë solemne më 24 tetor 2008 nënshkroi Protokollin në fjalë.
26 anëtarët e atëhershëm patën vendosur në samitin e Bukureshtit 2-4 prill 2008, që tu bënin ftesë dy demokracive të reja ballkanike për tu bërë pjesë e Organizatës. Ishte planifikuar që zgjerimi i NATO të përfshinte këto dy vende plus IRJM, pasi kjo shkonte në drejtim të përmbushjes së dy prej qëllimeve të deklaruara të Agjendës së Samitit të Bukureshtit, edhe atë, stabilizimi i Ballkanit perëndimor dhe zgjerimi i Aleancës me tre anëtarë të rinj nga ky regjion europian. Por kundërshtimi i vendosur i Greqisë ndaj anëtarësimit të IRJM shkaku i kontestit të emrit, bëri që kjo e fundit të mos marrë ftesë për tu anëtarësuar këtë vit.
Presidenti Bush gjatë nënshkrimit të protokolleve për Shqipërinë dhe Kroacinë deklaroi se Amerika, “shikon para drejt momentit kur gjithë shtetet ballkanike të jenë pjesë e NATO, duke përfshirë edhe Maqedoninë”. Pra siç
Për më tepër, ish presidenti amerikan Bush e mirëpriti edhe dëshirën e Ukrainës, Gjeorgjisë, Bosnjë Hercegovinës dhe Malit të Zi për anëtarësim si dhe tha se dera e NATO mbetet e hapur edhe për Sërbinë, “nëse ajo e dëshiron këtë rrugë”. Përpjekjet amerikane për të ftuar Ukrainën dhe Gjeorgjinë nuk dolën me sukses shkaku i kundërshtimeve të fuqishme ruse. Gjeorgjia më vonë u shndërrua në çështje të gjeopolitikave e strategjive të mëdha lindje – perëndim, gjatë konfliktit të armatosur Rusi-Gjeorgji në lidhje me krahinën e Osetisë në gusht 2008.
Përvjetori i parë i kësaj ngjarje kulmore në historinë e kombit, duket si një periudhë e shkurtër kohore për të ardhur në përfundime precize dhe të sakta në lidhje me përfitimet imediate nga anëtarësimi, apo në lidhje me çështjen e stabilizimit përfundimtar dhe afatgjatë të rajonit pas kësaj lëvizje të rëndësishme të diplomacisë perëndimore.
Megjithatë, interesat nacionale të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar duken më të mbrojtura dhe më të respektuara se më parë, kurse ndikimi i politikës shqiptare në skenën ndërkombëtare ka qenë në një ngjitje të vazhdueshme që atëherë. Një numër i analistëve sërbë menjëherë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO u shprehën për “rrezikun” e ritjes së kapaciteteve politike dhe ndoshta edhe ushtarake të Shqipërisë në rajon!. Një numër i analistëve të tjerë anti-NATO, folën për udhëkryqin gjeopolitik në rajon i cili është duke u pushtuar nga SHBA dhe perëndimi!?.
Përtej qëndrimeve të këtilla antishqiptare e antiperëndimore, anëtarësimi i shtetit tonë në organizatën më të fuqishme ushtarako-politike që ka njohur historia, ka garantuar njëherë e përgjithmonë pavarësinë politike, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Neni 5 i Traktatit e përkufizon sulmin ndaj një anëtari si sulm ndaj gjithë organizatës. Në këtë kuadër, në gadishull nuk ka pasur lëvizje të mëdha politike apo ushtarake të cilat do të rezikonin paqen rajonale.
Gjithashtu, anëtarësimi në këtë organizatë politiko-ushtarake ka ndikuar pozitivisht edhe në një numër të përbërësve tjerë të tranzicionit të tejzgjatur shqiptar, si në procesin zgjedhor të qershorit 2009 p.sh , i cili ishte më i organizuari dhe më transparenti në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Edhe reagimi i opozitës socialiste ndaj paregullsive të mundshme zgjedhore ka të ngjarë të ishte shumë më radikal dhe i pakontrolluar nëse vendi nuk do të ishte anëtar i një Aleance demokratike si NATO. Presioni i organizatave të ndryshme europiane dhe i vetë Asamblesë parlamentare të Aleancës në drejtim të mbajtjes së zhvillimeve politike brenda regullave elementare të demokracisë ishte i fuqishëm dhe shumë pozitiv. Stabiliteti i tanishëm politik në vend me gjithë disa lëshime që janë të paevitueshme, duket të jetë rezultat i drejtpërdrejtë i të qenurit pjesë e një strukture të avancuar perëndimore si NATO.
Shikuar nga një aspekt i pastër ushtarak, vendi ka bërë përparime të dukshme që atëherë. Reformat në Ushtrinë shqiptare kanë vazhduar me intensitet dhe përkushtim më të lartë dhe pa asnjë ndërprerje. Procesi i reduktimit dhe demontimit të armatimeve e municioneve të vjetra dhe të panevojshme, eliminimi i helmeve të ndryshme kimike, profesionalizimi i vazhdueshëm dhe gjithnjë në ritje i trupave të ndryshme, bashkëpunimi i thelluar me aleatët e rinj, përpjekja që në kuadër të mundësive të pajisemi me mjete dhe teknikë të avancuar luftarake, janë të gjitha këto rezultate të dukshme që erdhën pas anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancë.
Numri i ushtarëve është reduktuar në reth 14.000 trupa duke lëvizur nga një ushtri popullore me bazë rekrutimin e përgjithshëm të grupmoshave të reja në një ushtri më të vogël, mobile, efikase e përbërë nga ushtarë dhe oficerë profesionistë. Këtë vit, pra më 2010 pritet që Ushtria shqiptare të jetë plotësisht profesionale si rjedhojë e planit reformues 10 vjeçar, të nisur në bashkëpunim me partnerët e NATO që më 2002.
Buxheti i shtetit ndan 2.01% nga produkti i brendshëm bruto për forcat e armatosura që është implementim në praktikë i standardeve moderne të Organizatës.
Janë blerë një numër i helikopterëve nga kompania gjermano-franceze Eurocopter, e cila paraqet përpjekjen e parë të shtetit tonë demokratik që me mjete vetanake financiare të pajiset me teknikë moderne luftarake. Një numër i anijeve luftarake të flotës sonë detare janë futur në përdorim në bashkëpunim me marinën mbretërore holandeze.
Janë duke u modernizuar sistemet e lidhjeve dhe të informacionit që kanë një rëndësi të madhe për funksionimin e një Ushtrie moderne. Por në këtë drejtim mbetet edhe shumë për tu bërë. Ushtria shqiptare e cila sipas konceptit të ri të komandës së bashkuar është reduktuar në pesë brigada pa armatim të rëndë për trupat e këmbësorisë, pa flotë detare ushtarake dhe pa aviacion ushtarak, duhet të pajiset sa më shpejt me armatime moderne si dhe me makineri të rëndë ushtarake, pasi fqinjët tanë janë në nivele shumë më të larta se Shqipëria. Ushtritë greke, sërbe dhe bullgare janë shumë më të armatosuara dhe për pasojë edhe më të fuqishme se ushtria shqiptare. Duke qenë se populli shqiptar është numerikisht i barabartë me popujt e këtyre vendeve, edhe Ushtria shqiptare duhet të jetë së paku e barabartë në forca njerëzore dhe teknikë ushtarake me ushtritë e fqinjve ballkanikë.
Integrimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të veriut parë nga një distancë njëvjeçare duket të vërtetojë përgjithësisht qëndrimin se është një moment historik i cili dha efekte të mënjëhershme stabilizuese dhe baraspeshimi në mes të rivalëve të shumtë rajonalë. Mbetet që në të ardhmen faktori shqiptar në Ballkan të faktorizohet gjithnjë e më shumë duke shfrytëzuar hapësirat manovruese që krijohen kur jemi partnerë në një organizatë bashkë me fuqi të tilla të mëdha demokratike e dashamirëse ndaj nesh si SHBA, Gjermania apo Britania e Madhe.