E merkure, 07.05.2025, 04:01 AM (GMT+1)

Sport

Topi i Artë i “France Football” pushton Botën

E enjte, 01.11.2007, 12:23 AM


Nga Besnik Dizdari, Anëtar i Jurisë së “France Football”

Në të vërtetë pritja ka qenë e gjatë, tejet e gjatë, plot 51 vjet, qysh 18 dhjetori 1956, kur “France Football” Nr. 516 mbushte mbulesën (kopertinën) e tij me njoftimin, që për sot të duket një faqosje krejt antike, se futbollisti anglez Stanley Matthews i klubit Blackpool një natë më parë kishte marrë prej duarve të gazetarit Gabriel Hanot, shpikësit të Kupës së Kampioneve, të parin “Top të Artë” të “France Football”. Pesëdhjetenjë vjet ky trofe vetanak (unik) është quajtur dhe njohur si i futbollistit më të mirë të Evropës. Ndonëse në “vetminë” e tij, ai shumë shpejt, për kah popullariteti, u bë vërtet botëror. Zyrtarisht jo. Zyrtarisht ai u bë botëror për herë të parë para pak javësh, më 25 shtator 2007 kur “France Football” Nr. 3207 bëri njoftimin e tij sensacional, që thoshte se duke filluar nga ky dhjetor 2007, “Topi i Artë” do t’i jipet futbollistit më të mirë të Botës! Dhe se ate nuk do të mund ta përcaktojnë më vetëm 52 anëtarët e Jurisë nga Evropa, por 96 anëtarë nga të pesë kontinentet. Çka do të thotë edhe 43 anëtarë të tjerë, natyrisht gazetarë, vetëm një për çdo shtet. Kështu gazetarëve të 53 shteteve evropiane (shtohet Mali i Zi) anëtare të UEFA-s, i bashkohen edhe 43 gazetarët prej çdo vendi të rruzullit, i cili ka marrë pjesë të paktën një herë të vetme në një turne fundor (final) të Kampionatit Botëror të Futbollit.

Kjo është ngjarja e madhe publike e futbollit të vitit 2007, e karakterit përzgjedhës, gazetaresk po e po, dhe mbi të gjitha e një Renditjeje të pashembullt të vlerave të futbollit tash mbarëbotëror.

Në numrin e tij proklamues të këtij shtatori 2007, drejtori i “FF” (“France Football”), i mirënjohuri Gerard Ernault, në krye të revistës qysh prej plot 13 vjetësh, mbasi më parë kishte qenë drejtor i “L’Equipe”, përcaktonte: “Topi i Artë botërorizohet. Për dy shkaqe: të lëvizjes së madhe migratore të lojtarëve që konvergon me rrugët e kontinenteve si dhe për shkak të informacionit të pandalshëm në kohën e sotme që përhap një njohje të plotë në perimetrat kombëtare dhe kontinentale. Në editorialin e tij të numrit të 23 tetorit 2007 që shpall 50 mëtuesit e Topit të Artë, Gerard Ernault përkufizon në mënyrë kuptimplote tri moshat e Topit të Artë. Mosha e parë që ai e quan evropiane, përfshin periudhën nga 1956 deri më 1994. Mosha e dytë që ai e përcakton si parabotërore, përfshin periudhën 1995-2006 kur Topin e Artë mund ta fitonte edhe një futbollist jo evropian, por i cili luante në Evropë (kujto këtu fituesit Weah (1995), Ronaldo (1997), Rivaldo (1999), Ronaldo (2002) dhe Ronaldinho (2005)). Dhe mosha e tretë, kjo që nis me vitin 2007 kur Topi i Artë bëhet botëror. “Botëror në Juri, botëror në territorin e garave, botëror në popullsinë e lojtarëve”, thotë drejtori i “FF”.

Ajo nuk është më një Juri evropiane, por edhe afrikane, aziatike, amerikanojugore, amerikanoveriore dhe oqeanike.

“Ky është një udhëtim i një Jurie të re drejt një udhëtimi të së panjohurës. Udhëtimi drejt qendrës së “Topit”, përcakton Ernault, duke nënkuptuar si një udhëtim drejt qendrës së botës.

Topi i Artë përbën kështu, edhe një dukuri gazetareske. Origjinaliteti i “FF” për të vënë për gjykues të tij gazetarët, ka ndikuar jo pak në gjithë këto pesëdhjetë vjet, jo vetëm në rritjen e popullaritetit të së shkëlqyeshmes së Parisit, tashmâ e dyhershme në javë, por dhe në përftimin për vetë gazetarin dhe gazetarinë, në këte rast të futbollit, si pjesëmarrës i pamëdyshje i vetë rrugës së zhvillimit të futbollit të sotëm si një dukuri universale e jetës sociale, kulturore, e pse jo, ekonomike dhe historike së bashku. Dhe me ndikime jo të pakta në vetë ecurinë e profesionit tonë nobël, duke ndikuar jopak, sidomos në Evropë për një përftim tjetër për këte profesion: saktësi, globalizëm dhe jo nacionalizëm, vlerësim i së bukurës pronë e kujtdoqoftë ajo, njohje e thellë e botës së sportit në tanësi dhe asaj të futbollit në veçanti. Kemi ardhur kështu në një farë mase, te gazetari studjues, në këte rast duke kuptuar me studim rrugën e gjatë deri në përimtim sa më pranë përsosmërisë për vetë vlerat e futbollit. Çka është tejet e vështirë natyrisht.

XXX

Shqipëria është në Topin e Artë, nëpërmjet këtij që shkruan këtu, qysh nga viti 1987. Ishte i vetmi shtet evropian i asokohe që mungonte në këte Juri. Udhëtonim drejt Vlorës. Pa e ditur se ai me të cilin po udhëtonim për ndeshjen Flamurtari – Barcelona të 9 dhjetorit 1987, Victor Sinet, ishte njeri prej gjashtë themeluesve të Topit të Artë në të largtin vit 1956: Gabriel Hanot, Jacques Ferran, Max Urbini, Jacques Thibert, Victor Sinet, François de Montvalon. I dërguar për në Vlorë për gazetën e madhe franceze “L’Equipe”, Victor Sinet, një figurë e shquar e gazetarisë sportive franceze, në emër të redaksisë së “France Football” më kërkon të bëhesha pjesë e Jurisë së tij që përcaktonte fituesin e përvitshëm të “Topit të Artë”. Ishte një befasi kur mendoje se deri në atë vit 1987, Shqipëria ishte i vetmi shtet evropian që nuk kishte pasur asnjëherë anëtarin e vet të Jurisë në Referendumin e “France Football”-it. Ishte normale megjithate, kur dihej se çfarë Shqipërie të diktaturës që kishim. Për çudi tejet “kundërshtuese”, ky ishte viti më i rrallë i futbollit shqiptar, të paktën për ate të klubeve. Kanë qenë ndeshjet e Kupës UEFA: Flamurtari– Partizani i Beogradit 2-0 në Vlorë dhe humbje 1-2 në Beograd me golin e Kushtës që skualifikon jugosllavët, por dhe me një protagonist të madh shqiptar: Fadil Vokrrin e Kosovës, kundërshtar i ynë. Mandej Aue e RDGJ-së- Flamurtari 1-0 dhe 0-2 dhe kalim në turin e tretë për t’u ndeshur me Barcelonën, humbje 1-4, por fitore e bujëshme, historike 1-0 për Flamurtarin në Vlorë me golin e Kushtës që sot na duket përtej një legjende sportive. Ishin Arapi, P.Ruci, K.Çipi, Taho, Iljadhi, Ferko, Zijaj, Memushi, Gjondeda, V.Ruci, Kushta, Daullja, Bubeqi, Ziu, Shabani. Pa harruar trajnerin e madh që quhej Leonidha Çuri. Ndërkaq pesëshja shqiptare i qe dorëzuar Victor Sinet-it.

Kështu iu afruam 29 dhjetorit të vitit 1987, ditë kur do të publikohej numri i “France Football”-it që do të shpallte përfundimet e Referendumit. Pesshja shqiptare ishte: FUTRE, GULLIT, AMOROS, BUTRAGUENJO, KUSHTA i Flamurtarit tonë. Ky i fundit ishte befasia e madhe sidomos për Evropën e futbollit, sepse dihej pesha tejet e vogël e futbollit shqiptar në Evropë. Por ishin tre turet e përshkuara prej Flamurtarit në UEFA, deri te Partizani i Beogradit e Barcelona e Spanjës, që joshnin imagjinatën tonë. Siç kam shkruar me kohë, në argumentin tim, përcaktova kështu për “France Football: “Falë edhe një sentimenti, unë vë në vendin e pestë shënuesin e Flamurtarit të Vlorës, aktualisht simboli i vetëm afirmues i futbollit shqiptar në progres, si një nga futbollistët e rrallë të vendit tonë të vogël që pati një shpërthim ndërkombëtar”. “Juria e madhe e Topit të Artë ka një ngjarje të veçantë: shqiptarët! Kemi më së fundi këte vit plot njëzeteshtatë shtete evropiane që marrin pjesë!”, - titulloi “FF”.

Tash, në këte dhjetor 2007 janë bërë 96 shtete!

Si anëtar i Jurisë kam emrin e Sokol Kushtës, një shqiptar i famshëm i futbollit, në këte “panteon” që sa vjen e rritet qysh nga 1956. Ajo që sot kjo nuk mund të ndodhë: çdo anëtar i Jurisë duhet ta përzgjedhë pesëshen e tij vetëm nga 50 emrat e parazgjedhur nga redaksia e “FF”.

Deri më sot kanë arritur të fitojnë të paktën 1 pikë në votimin për Topin e Artë plot 635 futbollistë, njeri prej të të cilëve është dhe Sokol Kushta. Duket si një kërshëri e rastit, por nuk është kështu. Ky votim i yni i vititi 1987 duke i dhënë 1 pikë Sokol Kushtës, ka bërë që në historinë e artë të Topit të Artë vetvetiu të regjistrohet edhe emri i Shqipërisë, i Sokol Kushtës dhe i një klubi shqiptar: Flamurtari i Vlorës, i cili atë 1987 u bë klubi i 125-të i përfshirë në Topin e Artë, kur sot numri i klubeve që përmes përzgjedhjes së futbollistëve të tyre qoftë dhe vetëm me 1 pikë të fituar, ka arritur në 183. Por sa i vogël numri i Kampionateve Kombëtare që ia kanë arritur të përfshihen një herë të vetme në pikë votimi! Eshtë vetëm 27! Shumë pak. “FF” rreshton midis tyre edhe Kampionatin Shqiptar, i cili përmes Sokol Kushtës së Flamurtarit ka një pikë të fituar. Do të mbesë ndoshta e përjetshme, sepse nuk ta merr mendja që një ditë “FF” të përzgjedhë midis 50 mëtuesve të mundshëm të titullit të Topit të Artë një futbollist nga Kampionati Shqiptar. Besojmë kështu që lexuesi e kupton vlerën e pazakontë të kësaj pranie të vetme shqiptare në historinë e Topit të Artë!

27 shtete anëtare kemi qenë më 1987. 96 janë sot mbas 20 vjetëve. Tashmâ mund të humbasësh lehtësisht në këte turmë, ndonëse roli mbetet po ai. Do të votosh po për pesë futbollistë, duke i renditur simbas vlerave që ti mendon, dhe mbi të gjitha duke zbatuar rregullohen e re të “FF” qysh nga ky 2007 i botërorizuar. Dhe duke mos harruar kurr pesë kriteret bazë që duhet t’i paraprijnë votimit tënd për pesë futbollistët:

1. Rezultatet vetjake.
2. Rezultatet kolektive.
3. Klasi (talenti dhe sportiviteti).
4. Personaliteti.
5. Karriera.

Dhe për këte, presidenti i Jurisë, Gerard Ernault pushteti i të cilit mbi drejtimin e pastërt të përzgjedhjes së futbollistit fitues, është absolut, parashtron tre parimet e etikës së votimit:

1. Paanshmërinë e padiskutueshme.
2. Marrja në konsideratë e kritereve të gjykimit.
3. Respektimi i mekanizmit dhe ecurisë së votimit.

XXX

Kështu nis epoka e re e Topit të Artë, epoka e botërorizmit të tij.

Në pesëdhjetë të zgjedhurit 2007 të “FF” jashtë kontinentit evropian, ka 17 futbollistë: Alvez (Brazil), Ceni (Brazil), Ronaldo (Brazil), Diarra (Mali), Drogba (Bregu i Fildishtë), Eto’o (Kamerun), Kaka (Brazil), Kanoute (Mali), Mahmoud (Irak), Messi (Argjentinë), Nakamura (Japoni), Ochoa (Meksikë) Riquelme (Argjentinë), Robinho (Brazil), Ronaldinho (Brazil), Tevez (Argjentinë, Toure (Bregu i Fildishtë). Dhe ajo që është më interesante: prej tyre nuk luajnë në Evropë vetëm katër futbollistë mëtues për Topin e Artë: David Beckham i cili luan në SHBA me Los Angeles Galaxy, Rogerio Ceni i cili luan në Brazil me Sao Paolo, Younis Mahmoud, i cili është pjestar i klubit iraken Algharafa, meksikani Ochoa i cili luan me America Mexico. Pak. Ndonëse shkaqet dihen: futbolli i cilësisë së lartë profesionist luhet kryesisht në Evropë.

Tash e ka fjalën votimi, i cili mbyllet me 12 nëntor në sekret të plotë. Asnjeri prej votuesve nuk ka të drejtë të tregojë diku pesëshen e tij. Madje jo vetëm mbrenda 12 nëntorit, por as deri më 4 dhjetor kur në numrin e tij të posaçëm “FF” publikon fituesin e Topit të Artë 2007. Në të vërtetë një ditë përpara, më 2 ose 3 dhjetor kur shpallja e fituesit do të bëhet përmes transmetimit të drejtpërdrejtë nga TF 1.

Kështu ka nisur ajo që Gerard Ernault e quan “mosha e tretë e Topit të Artë”, të Lojtarit më të mirë të Botës 2007, të përzgjedhurit të pesë kontinenteve, të Jurisë gjigande të 96 gazetarëve, kur më 1987 ishim vetëm 26. Dhe prej 96-tëve të sotëm, 9 jemi veteranët, apo dekanët e Topit të Artë, të cilët nuk kemi asnjë përparësi, por jemi të parët e barabartë midis të barabartëve. Sepse si 87 të tjerët kemi po aq të njëjtën të drejtë: të përzgjedhim simbas vlerave 5 më të mirët midis 50-tëve të përzgjedhur nga redaksia e “FF”. Kryedekani ynë është kolegu Jovan Velichkovic i Serbisë, i cili me ndonjë ndërprerje të shkurtër, është për 39 vjet anëtar i Jurisë, asokohe i Jugosllavisë, qysh nga 1967 – një rekord i papamë! Ai pasohet nga Maz Marquis i Anglisë, 38 vjet anëtar i Jurisë (1970); Michel Dubois i Belgjikës, 28 vjet; Jimmy Magee i Irlandës, 27 vjet; Rainer Kalb i Gjermanisë, 25 vjet; Ivan Avouski i Bullgarisë, 23 vjet; Roberto Beccantini i Italisë, 23 vjet; Czeslaw Ludwiczek i Polonisë, 22 vjet dhe Besnik Dizdari i Shqipërisë, 21 vjet rresht anëtar i Jurisë. Kësisoji gjithçka është dhe një garë apo duel gazetarije, për të përcaktuar tashmâ “Futbollistin e Botës të “France Football”. Në fund të fundit, gjithçka është subjektive. Sepse siç thotë Gerard Ernault, “futbolli nuk është një shkencë ekzakte, dhe aq më tepër Topi i Artë”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx