E shtune, 18.01.2025, 09:30 AM (GMT)

Mendime

Naser Aliu: Antikonformizmi i Kokëdhimës, biznesi dhe shteti

E merkure, 16.12.2009, 09:37 PM


Antikonformizmi i Kokëdhimës, biznesi dhe shteti

Nga Naser Aliu

Tri ditë më parë, biznesmeni i njohur Koço Kokëdhima, botues i kësaj gazete, denoncoi njëzet fakte agresioni qeveritar. Letra e tij erdhi pas një sulmi të paimagjinueshëm nga vetë kryeministri ndaj tij.

Ashtu si "rastësisht" të sulmuarit kryesorë të baltosur prej gojës së kryeministrit janë botuesit e mediave kritike ndaj qeverisë. Kush jeton në Perëndim, e di mirë që as nuk mund të imagjinohet një kryeministër të ngrihet kundër ndërmarrjeve kryesore të vendit. Kundër medieve, as të mos flasim!Një kryeministër që shkatërron, damkos, shpërfytyron imazhin e firmave të vendit, është më së paku... i çuditshëm! Nuk mund të imagjinohet dëshira e shkatërrimit të ndërmarrjeve vendase, vetëm për ta eliminuar zërin kritik. Nuk mund të imagjinohet një kryeministër, i cili shpall mafioz, ata që paguajnë taksa për shtetin.

Politika perëndimore mundohet vazhdimisht të krijojë korniza ligjore për t´i përforcuar ndërmarrjet e vendit, që të jenë të afta të mbijetojnë në ekonominë globale. Madje, u mundëson pagesën me këste për ta evituar falimentimin tyre. Kurse shteti shqiptar, në vend të shtojë e të ndërtojë, merret me shkatërrimin e atyre biznesmenëve që nuk vallëzojnë sipas valcerit të çoroditur qeveritar.

Nuk ka dyshim se z.Kokëdhima nuk sulmohet për vepra që prodhon ai, por për shkak të gazetës ku investon. Për tipa si Saliu "Shekulli" është problem. Problem, sepse gërvisht përmendoren që i ka ndërtuar ai vetes. Në Kosovë dhe diasporë, pjesa qytetare e shoqërisë e njeh mirë antikonformizmin e botuesit të Shekullit.

Ashtu si Berluskoni që voton në Parlament ligje vetëm për vete ("Berlusconi lex"), këtë e bën edhe Sali Berisha duke hartuar ligj vetëm kundër një njeriu: kundër botuesit të "Shekulli"-t, të cilin e donte shumë, kur ai kritikonte Fatos Nanon, kur ky i fundit dëshironte të sillte plehra italiane në Shqipëri! Porse tani nuk e dëshiron, kur ky i kërkon llogari pse po ia shet një copë det Greqisë.

Saliu ka gjeneruar konflikt gjatë gjithë karrierës së tij politike. Kurse personat si Kokëdhima me kritikat e mediave majtas e djathtas, kanë dëshmuar dinjitet dhe shqetësim për vendin. Kështu sillen mediat edhe në Perëndim. Kritikohet devijimi politik dhe kontrollohet politika tradhtare!

Enver Hoxha i quante borgjezë punëdhënësit, Saliu i quan mafiozë! Papagajtë e tij duhet të kenë kujdes se nesër mund të përballen me ligjin, për rrugën që po ndjekin!

Sidoqoftë, ky njeri është shumë i rrezikshëm, sepse nuk është origjinal, por një kompozicion i: Enverit, Lukashenkos, Putinit dhe i një Cloën-i, i cili ditën shan e natën përkëdhel! Do ta ndihmonte Shqipërinë dhe Partinë Demokratike, nëse tërhiqet! Nëse mbetet, do të bëhemi gazi i botës!

Saliu thotë se dëshiron ta luftojë mafien, por, sipas tij, mafiozët janë simpatizant të së majtës dhe mund të gjenden vetëm tek e majta. Simpatizantët e së djathtës janë engjëj, "më të shkëlqyerit", - siç thotë Saliu.

E majta në Shqipëri ose është komuniste, sipas tij, ose pinjolle e komunizmit, edhe pse ata nuk kanë qenë anëtarë të Partisë së Punës, si Sali Berisha vetë.

Tash, zullumi është trashur. Do mjaftonin dy argumenta për të thënë: "Mjaft më"! E para, marrëveshja për detin, e dyta sulmi ndaj jetës private të Ramës.

Sado ta fshehim apo ta kamuflojmë, është bërë tashmë e qartë (falë edhe Shekullit) se Saliu e dëshiron ta falë një copë det për të blerë përkrahjen greke.

E ku janë demokratët e vërtetë që e tolerojnë këtë shitje apo dhurim? Ku janë ata që krenohen me Saliun, por pranojnë në heshtje që ky të bëj marrëveshje si ajo me Greqinë?

Po burra a kanë ngelur në PD?

Nëse po, si shpjegohet nëpërkëmbja e jetës private të nënës dhe gruas shqiptare? Në një vend demokratik nuk mund të imagjinohet të shahen gratë, vetëm pse janë gra nga rrethi i opozitës! Në demokraci dinjiteti i njeriut është i paprekshëm, i pacenueshëm! Në komunizëm, jo!

Në Pravdën (Rilindja Demokratike) e Sali Berishës botohen aktvendime nga shkurorëzimi i Edi Ramës. Në Perëndim, kjo as nuk mund të merret me mend, por kur Saliu nuhat se po i rrezikohet karrigia, është në gjendje të bëjë gjithçka.

Saliu na njofton se ka fotografuar njerëz të opozitës, duke ikur në Greqi me "fustan" dhe e shpall penisin si gjymtyrë me rëndësi të jashtëzakonshme shtetërore! Pastaj gënjen duke thënë se asnjë kryetar në botë nuk ka qenë lakuriq.

Nëse lexon biografitë e kryetarëve, mund të shihet se ata kanë konsumuar edhe kokainë e droga të tjera. Kanë ecur lakuriq nëpër plazhe, por askush nuk ka të drejtë në Perëndim t´i publikojë ato fotografi apo t´i vjedhë ato për publikim!

Fundi fundit edhe Saliu ka të drejtë të dalë lakuriq, nëse don, kryesore ta udhëheqë shtetin si duhet! E nëse vijon kështu si e ka nisur, shqiptarët kanë më shumë arsye të krenohen me penisin e Edi Ramës, se sa me kokën e Saliut!

E pastaj e fton në kongresin e Partisë Demokratike edhe Edi Ramën, nënën e të cilit, gruan e të cilit, e ofendoi publikisht. Nuk ka dyshim se kjo ftesë i bëhet sa për sy e faqe ose i detyruar.

Dhe këtu i ngjan Millosheviçit, i cili thoshte se shqiptarët mund të kthehen nëpër shkolla, por ata nuk po duan të mësojnë sipas plan-programeve serbe! Edhe Saliu do të arsyetohet se ka ftuar Edi Ramën, por nuk erdhi të mësojë demokracinë sipas programeve të komunistit Sali!

Nëse fjalori dhe sjellja e Sali Berishës demokratëve u tingëllon i mirë, atëherë ata kanë një problem të madh, apo dëshirojnë një Lukashenko në Shqipëri, i cili i kërcënohej opozitës se "do t´u presë kokën si të pulës!" Sali Berisha nuk është Partia Demokratike!

Nuk ka dyshim se në Partinë Demokratike ka qindra anëtarë që do ta bënin punën e Saliut më mirë se ai, por kanë frikë dhe nuk mund të ngjiten! Mbështetësit e saj ka ardhur koha ta pyesin veten: A ka Partia Demokratike demokratë brenda apo nostalgjik të Enver Hoxhës, i cili prodhon armiq sa herë që i nevojiten?

Ndoshta sjellja e Sali Berishës tingëllon krejtësisht normale në Ballkan. Nëse sillet si ai një kryeministër në Perëndim, nuk ka nevojë të merret opozita me të, por e rrëzon partia e tij, për ta shpëtuar partinë, sepse ai kështu shkatërron kulturën demokratike, dhe polarizon kombin për interesa vetjake karrieriste!

Ndoshta, krejt ky cirkus i Saliut tingëllon si i rëndomtë në Ballkan, por në Perëndim një kryetar me sjellje të tilla do të dërgohej në psikiatri dhe nuk ka asnjë dyshim se do të izolohej si i rrezikshëm.

Nëse në Perëndim mjafton një skandal për t´u dëbuar një njeri nga politika, te ne në Tiranë e në Prishtinë nuk mjaftokan as vrasjet, as korrupsioni dramatik, as autostrada, që kushton më shumë se autostrada gjermane, as cënimi i dinjitetit të grave!

Te ne nuk largohet udhëheqësi politik edhe nëse rrëzon shtetin, edhe nëse shkatërron ekonominë kombëtare me piramida apo me akuza denigruese kundër biznesmenëve, edhe nëse thyen embargon kundër fashistit të fundit në Evropë.

Ballkanasi ka një problem me vlerësimin e drejtë: nuk lidhen me partinë dhe orientimin politik, por me udhëheqësin e partisë, duke injoruar të gjitha skandalet e tij. Në Perëndim nuk lidhen me një njeri, por me partinë dhe orientimin politik! Kur politikani devijon, është në natyrën e demokracisë ta largojë, jo ta lejojë të kapet për pushtet si rriqër!

Vlen të përmendet se shtypi kosovar nuk publikoi fjalimet e sharjet e Berishës dhe për këtë mund të kenë dy arsye: ose duan ta ruajnë moralin e Sali Berishës nga kryeministri i çorientuar (kështu dikur fshiheshin edhe sëmundjet e Titos), ose duan ta konservojnë kujtimin e mirë për të, krijuar në bazë të propagandës së rrejshme!Është për t´u çmendur se si aq shumë intelektualë të mëdhenj shqiptarë kanë heshtur para këtyre devijimeve dhe trasgresioneve politike të kryeministrit!

A mos janë tek ajo lista e atyre që kryeministri sapo ua fali me 5 euro m2 tokën e vilave në bregdet? I njëjti kryeministër që gjëmon kundër tokave që "ka blerë lirë mafia punisto-mafioze në Tiranë" është ky që ka firmosur ?


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora