E enjte, 02.05.2024, 02:06 AM (GMT+1)

Mendime

Hafiz Gagica: Një ditë në Berlin

E merkure, 30.09.2009, 08:33 PM


Një ditë në Berlin
 
Ose midis Portës së Brandenburgut dhe rrugës së famshme "Unter den Linden"
 
Shkruan: Hafiz Gagica

Vjeshta këtë vit në Berlin më dukej të jetë më e bukur se herë tjera. Ndoshta, sepse koha ishte e bukur dhe me diell që rrezatonte gati me shumë se në muajin korrik, e që adhuruesit e notit mund ta shijonin edhe ndonjë çast ujin dhe freskinë e pishinave të bukura të Berlinit.
Berlini, kësaj vjeshte dallonte shumë krahasuar me vitet e më parshme. Por, edhe administrata shtetërore këtu në Berlin dallon shumë nga ato në vëndet në tranzit (siç janë vëndet ballkanike), ku siç dihet në rastin e fushatave zgjedhore, jo vetëm ministrat, por i tërë stafi qeveritarë dalin në fushatë.
Këtu, përveç ministrave të cilët lobojnë për suksesin e partive të tyre, ose për fitore personale për tu bërë deputet, apo diç tjetër, të gjitha stafet ministrore ngelin në vendet e tyre të punës, dhe në këtë mënyrë i vërtetojnë deklaratat e kompetentëve, por edhe të njohësve të mirë të funksionimit të shtetit gjerman, se edhe fushatat zgjedhore këtu bëhen me plan.
Edhe pse kohë me diell, përveç pankartave të shumta, por jo edhe të lodhshme me figura dhe liderë të partive politike, këtu nuk vërehet ndonjë vrull i madh i fushatës parazgjedhore, edhe pse ajo ka hyrë në javën e fundit të saj, e që të lë përshtypjen se pas këtyre zgjedhjeve nuk do të ketë ndryshime të mëdha në qeverisjen e vendit.
Por, e diela pasdite (27 shtator 2009) do të tregojë nëse vërtet gjermanët do të vazhdojnë me koalicionin e madh (CDU-SPD), apo do shkojnë në formulat e njohura dekada me radhë; një parti popullore me një grupim të vogël politik në koalicion, ku kjo e dyta vetëm se do e ndihmon realizimin e programeve të partive të mëdha duke e sforcuar demokracinë e brendshme. Hiç më shumë se kaq. Sido që të jetë, Zonja e madhe Angela Merkel, do të vazhdojë edhe për një mandat të jetë Kancelare.
Madje, edhe këtu në Berlin sikur pa dashje këtë vend e krahasoj me vëndin tim, ani pse krahasimi ndërmjet Berlinit dhe Prishtinës nuk do të ishte me vënd, sepse kryeqyteti gjerman i bashkuar tash e  20 vjet më parë, me punë dhe investimet e veçanta është shndërruar në njërën nga qendrat kryesore të botës. Pra, këtu nuk ka vend për krahasime, përveçse në rastin tonë duhet shtruar pyetjen; ku ishin shqiptarët para 20 vjetëve, për të mos thënë edhe më herët, ose sa kanë ecur përpara në zhvillimet e përgjithshme, përkatësisht pse kanë ngecur kaq shumë?!
    
Evoluimi politik gjerman në njohjen e Kosovës ka ecur mbarë, dhe kjo e vërteton tezën e ish ministrit të jashtëm Hans Ditrich Genscher, i cili para 18 vjetëve pati thënë: “ Kur të vijë koha, Gjermania do të jetë ajo që do t´u njohë ndër të parat”.  Kështu edhe ndodhi. Gjermania ishte ndër vëndet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe  është pikërisht ajo që udhëheqë me donacione të shumta financiare në zhvillimin e Kosovës.
    
Pyetja tjetër që duhet shtruar, sidomos atyre që janë zgjedhur për ta  udhëhequr Kosovën është; pse nuk kanë krijuar kontakte dhe bashkëpunim më të madh me vëndet më relevante të Evropës dhe Botës në dobi të Kosovës?

Bie fjala, kryeministri i Kosovës për 2 vite ende nuk ka arritur të dalë për vizitë në kryeqendrat kryesore të Evropës, e lëre më të krijojë bashkëpunim të plotë bilateral, së paku me vëndet tona mike. Gjatë tërë kohës së kaluar dhe pa ndërpre kemi parë fushatë zgjedhore nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, ndërsa në të gjitha vendet evropiane koha e fushatave është e kufizuar, jo vetëm me ligje, por edhe me kulturë politike. Ndërsa, në vendin tim fushatat zgjedhore zgjasin gjatë gjithë mandatit qeverisës. Kurse, ministri i jashtëm i Kosovës që para 15 vjetëve ishte përkthyes i Presidentit të Kosovës ka pasur rastin disa herë në vit ta shoqërojë Dr. Rugovën në Bonn, Paris, Vjenë, Bruksel, Stokholm, Osllo, Kopenhagen, Londër, Romë, Madrid, Pragë, si dhe në vendin e miqësisë së përhershme, Washingtonin..! Pse mu kujtuan këto dhe shumë vende tjera që nuk i përmenda, sepse në kohën e Aparteid-it në Kosovë, ku lëvizjet ishin të kufizuara si dhe kushtet dhe mundësitë politike ishin po ashtu shumë të vështira, lobizimi në dobi të afirmimit të pavarësisë së Kosovës ishte shumë herë më i madh se tash kur Kosova i ka të gjitha mundësitë që të ketë një politikë aktive dhe të pranishme në të gjitha qendrat ndërkombëtare. Ndërkohë, i kemi edhe 18 ambasadat e Kosovës, por të cilat nuk vërehen se ekzistojë diku për së gjalli, ose që i kryejnë obligimet ligjore që kanë karshi vëndit i cili i ka akredituar.

Përfaqësuesit  dhe ambasadaorët  tanë sillen me komoditet të paparë, ashtu siç sillet edhe vetë ministri i jashtëm me neglizhencën e tij (përjashto disa ambasadorë), sikur të ishte ministër i ndonjë shteti të fuqishëm në botë.
    
Disa analistë patën shpresuar se ish përkthyesi i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, do të ketë mësuar nga diplomacia rugoviane dhe do të bëjë përpjekje për t´i  ruajtur dhe kultivuar më tej lidhjet e vjetra, dhe gjithashtu se do të angazhohet për t´i fuqizuar dhe zhvilluar lidhjet e reja miqësore me njerëz të politikës dhe biznesit me vendet kyçe evropiane. Për fat të keq ky ministër, siç shihet veç demagogjisë së tij në deklarata dhe vajtje-ardhjes në New- York, e që falë Protokolit dhe misionit të SHBA-ve, ai mund të ishte i pranishëm në sesionet e KS të OKB-së, por edhe aty-këtu në ndonjë tubim ndërkombëtar falë edhe MPJ të Shqipërisë, sa për të thënë se edhe ne jemi të pranishëm në këto sesione.
Zgjedhësit në Gjermani zgjedhjet i ndjejnë si detyrë patriotike që t´i votojnë njerëzit e duhur të cilët dijnë dhe mund ta tejkalojnë krizën globale ekonomike për t´ia kthyer vëndit të vet jetën e rehatshme, gjegjësisht që vëndi i tyre ta vazhdojë jetën me begati edhe më të mëdha.
Por çka do bëhet me zgjedhjet lokale dhe krizën e madhe ekonomike në Kosovë, si shtet i ri me një popullatë të re dhe shumë të bukur, e motivuar për jetë dhe punë të mëvetësishme, pra a do t´ia dalë votuesi kosovarë që kësaj radhe t´i zgjedhë njerëzit e duhur në vëndet e duhura në krye të komunave, aty ku fillon zhvillimi, jeta dhe përditshmëria si dhe emancipimi kombëtare, i mbetet elektoratit të vendosë. Apo, do të vazhdohet me avazin e pllakatave të mëdha dhe bajate të disa kryetarëve të partive politike, duke i lënë nën hijen e tyre ata të cilët vërtetë duhet të zgjidhen për ti shërbyer qytetarëve dhe për t´ia ndryshuar pamjen qyteteve tona.

Kosova tanimë ka hyrë në rrugën e saj të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit, dhe me ndryshimet pozitive që pritet të ndodhin pas zgjedhjeve komunale me 15 nëntor. Ndaj le të shpresojmë ,se do të jetë ky një sinjal i mirë që nesër në zgjedhjet nacionale të zgjedhim një qeveri tjetër e cila do t´i jep nderë, emër dhe famë vëndit tim, Kosovës së bukur, por e shumë vuajtur, nga trillimet dhe ndërskamcat e lidershipit të saj.


(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora