E enjte, 10.10.2024, 09:49 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Naser Aliu: Letër Burrave (II)

E hene, 21.09.2009, 03:24 PM


Letër Burrave

(II)

Nga Naser Aliu

Pas katër muajve qëndrimi në spital, e pat. Dje në orën 14:25 u bë tejkalimi nga kjo jetë në tjetrën dhe kjo u konstatua nga mjeku në klinikën e qytetit. Vaji i Sherifit dëgjohej edhe jashtë spitalit, rreth tij kunatat duke fshirë lotët dhe duke u munduar ta qetësojnë. Gjermanët në korridor kthenin kokën vështronin dhe vazhdonin tutje. Dikush hynte, dikush dilte nga dhomat. Të zymtë. Trishtim dhe rrëqethje në korridor.
Ishte një ndjenjë e çuditshme. Ajo ishte aty, e shtrirë, por nuk lëvizej. Dukje si engjëll, për herë të parë; e zbehtë, symbyllur dhe e qetë, çuditërisht e qetë!  Nuk kuptoja botën, as jetën. Infermieret shtynë krevatin e saj në një dhomë më të vogël. Ne qëndruam pranë saj të mpirë, një çerek ore, më vonë e zbritën në bodrum, në një sallë të ftohtë. Sherifi dhe kunatat e përcollën deri atje. Unë prita në oborr të spitalit, kisha frikë, nuk di pse, por nga të vdekurit kam frikë, edhe pse nuk lëvizen. Ndoshta pikërisht pse nuk lëvizen. Derisa po qëndroja në oborr luta Zotin t´ia falë mëkatet e bëra ndaj meje: përbuzjen, keqtrajtimin dhe përzierjen në bashkëshortësinë tonë, kryesisht manipulimin e Sherifit. Nuk harroj kurrë, ndoshta pse e përsëriste shpesh, se “gruaja e mirë duhet t´ia lajë këmbët burrit dhe ta pijë atë ujë!” Mirëpo, edhe pse më ka rrahur Sherifi shpesh për fjalët e saja shtinjake, kurrë nuk më ka detyruar t´ia lajë këmbët.
Që kur u shtri nanushi në spital, Sherifi nuk më ka pritur cullak në krevat dhe nuk ka pasur marrëdhënie seksuale. Më parë, edhe kur kisha menstruacionet, acarohej. Mendoj se i mungonte praktikimi gati i përditshëm; vëreja sjelljet e tija, nervozën, shpërthimet e befasishme, qëndrimi i shthurur dhe rrahjen e fëmijëve. Nuk kuptoja ishte bërë “xhys njeri” (impotent, edhe i lidhun thuhet te ne) apo ishte një sjellje e përkohshme, mirëpo kaluan gati katër muaj dhe ai nuk flet më për seksin. As për burrërinë. Tani është shumë i ndershëm me mua, në qytet ecim dorë për dore, gjë që kurrë nuk e kishim bërë!
Pasi u kthyem në shtëpi Sherifi dhe motrat informuan tri herë Zvicrën,  dy herë Norvegjinë,  një herë Belgjikën dhe dy herë SHBA-të, respektivisht anëtarët e familjes, që jetojnë nëpër ato shtete. Italinë nuk e informuam fare, me kushëririn atje nuk flasin qe shtatë vite, Sherifi e pat rrahur me një bisht të lopatës. Për 50 euro! Ai telefononte nga telefoni fiks, kunatat nga celularët. Amaneti nanushit ishte të varrosej në Maqedoni, ku kishte lindur, e jo ku kishte jetuar, nja 30 kilometra më larg, në Kosovë.
Akoma pa rënë terri morëm kontakt me zyrën e varrimeve “Amoris”. Sinani, këtu e quajnë Simone, na shoqëroi me makinën e tij deri aty. Ky ka një lokal dhe kthehet në shtëpi në orën pesë të mëngjesit, bashkëshortja e tij, shqiptare, pret në shtëpi derisa ai argëtohet me gra tjera. Sherifi thoshte se ai i njeh të gjitha gratë e shtëpisë publike! Ky është shoku i ngushtë i tij, që më parë furnizonte Sherifin me filma pornografik dhe ide perverse. Ai mbeti në makinë, ne u futëm brenda.
Nanushi kishte shtetësinë gjermane dhe me këtë pasaportë nuk mund të kthehej në vendlindje. Asaj kurrë nuk i patëm treguar se duhet të varroset këtu; do t´ishte çmendur, shpesh përsëriste dëshirën e saj për t´u varrosur në atdhe: këtu bie shumë shi, bën ftohtë dhe mjerë ata që duhet të futen nën këtë tokë të zezë dhe të lagët, thoshte ajo.
Një njeri shumë serioz, i vrenjtur, veshur me të zeza, na tha të ulemi. Sherifi duke dënesur i tregoi. Ai bëri vetëm shenjë me kokë duke luhatur kokën herë majtas, herë djathtas dhe ngriti vetullat sikur dëshironte të thotë, këtu nuk vihet për të gjallët. Nxori nga sirtari një album me fotografi dhe arkivole të ndryshëm si nga ngjyra ashtu edhe lloji i drurit. Sherifi shikonte fotografitë i zhytur thellë në mendime, apatik.
Ky kushton 500 Euro, ky 1000, ky 1500, ky 2000: nga druri i pishës, i arrës apo i qershisë, çmimi rritet natyrisht kur zgjidhet veshmbathja: çorapet , këpucët, fustani, xhaketa dhe varet çfarë shtroje vihet brenda. Dhe, më falni ju lutem, harrova të pyes, çfarë varrimi preferoni: detar, varrim tokësor apo djegie, pyeti ai duke ngritur kokën ngadalë.  Jo, jo, përsëriti Sherifi, varrim normal...
Natyrisht mund të zgjidhni edhe karakterin e shkronjave, për gurin mendoj: Times New Roman, Book Antiqua, Adorable etj. Kemi edhe shumë lloje të gurëve... Sa për dijeni: djegia kushton 499 euro, 500 gradë, ka njerëz që nuk donë t´u ecin krimba në gojë  apo t´u dalin nga vrimat e hundës, të veshëve prandaj parapëlqejnë djegien, tha ai. Varrin duhet ta paguani për një kohë të caktuar, për shembull për 15 vite, nëse nuk e vazhdoni, atëherë zhvarroset, digjet dhe futen në një tas dhe rivarroset anonime. Nuk di a ishte në gjendje Sherifi t´i përcillte fjalët e tija, por papritmas foli.
Nanushi në tas, në tas, përsëriti Sherifi, vetëm për 15 vite, pastaj në tas...dhe ia plasi vajit...Unë i shtrëngova dorën dhe i përkëdhela flokët.
Gjatë bisedës, nga korridori ngushtë doli një shqiptar dhe na përshëndeti shqip. Ky ishte Hasani (jashtë shtëpisë quhet Enrico), i cili dikur ishte në Kryesinë e LDK-së në qytet. Na pat thënë se punonte në institut dhe ne, të gjithë mendonim se ishte nëpunës, na tingëllonte disi si Instituti Albanologjik në Prishtinë. E ai punonte në “Bestattungsinstitut Amoris!”
-“ E rregullove, edhe njëzetë minuta vijnë të afërmit e tij”, - tha shefi.
Ai pohoi i skuqur në fytyrë. Ky Hasan hante pula të pjekura me paratë që dhuronin njerëzit për Kosovën para dhe gjatë luftës. Ky njeri në mbledhje u thoshte shqiptarëve, derisa ai të jetë anëtarë kryesie, asnjë shqiptar nuk mund të kthehet nga Gjermania. Sot, për herë të parë e shihja në institutin e tij. Lante dhe vishte, krihte dhe rregullonte të vdekurit, në institut!
“Te varret turke apo jo?”, pyeti Hasani, duke u përpjekur të ndërtojë një raport normal, thua se nuk e njihnim!  Deri në këtë çast nuk kisha menduar se ekzistonin varre të tilla, mendoja se këtu varrosen së bashku, por meqenëse për së gjalli nuk bashkohen njerëzit, edhe pas vdekjes, kur nuk lëvizen, kanë varret e ndara. Ka rrezik se kacafyten, edhe aty! Si jashtë!
“Turqit dhe arabët i kanë përballë atyre të protestantëve”, tha ai. Nëse ke dëshirë thërrasë edhe hoxhën Mehmet Hava, hoxhë shqiptar nuk kemi këtu. Pastaj iu kthye shefit të tij dhe i tregoi për këshillat. Shefi i hodhi një vështrim indiferent, por nuk tha gjë.
Sherifi tha se nanushi duhet të varroset përgjithmonë dhe për kohë të pakufizuar. Ata i treguan se diçka e tille nuk është e mundur, kushton shumë, madje edhe nëse varri nuk mbahet mirë, nuk mbillen lule dhe nuk mirëmbahet si duhet, pas disa vërejtjeve, atëherë zhvarroset digjet dhe futet në tas.
Në tas, përsërit Sherifi. Nanushi në tas dhe u ngrit. Nuk mund ta dëgjoj më këtë fjalë. Kjo nuk bëhet. Te ne njeriu varroset për gjithmonë. Ata u munduan t´i shpjegojnë se kjo nuk është e mundur, se pasi të vdesin të afërmit kufomat zhvarrosen dhe digjen, gati të gjitha, kështu mundësohet varrimi i tjerëve...
Sherifi brofi në këmbë. Eja, më tha me një zë urdhërues. Do ta dërgojë nanushin në atdhe dhe pikë. Nuk pyeta se si. Sherifi sigurisht e din.
Të nesërmen bisedoi në telefon me ambasadën. Ata refuzuan t´i bëjnë dokumente udhëtimi. Mori në telefon një mik të shkollës fillore, që punonte si mjek në perëndim. Ai pas shumë telefonatave në Qeveri dhe ambasadë i tha të shkojë t´i marrë dokumentet dhe t´i japë ca euro atij që ia dorëzon dokumentacionin e nevojshëm.

Gjersa Sherifi fliste në telefon me mikun e tij m´u kujtua një ngjarje e turkut të pafat, të cilën e dinë të gjithë në “Linden Strasse”. Kjo ngjarje tregohej shpesh te ne. Aty pak para luftës së Kosovës i pat vdekur i ati Jusufit (përjashta quhet Giuseppe). Për ta realizuar dëshirën e të atit, ai pat vendosur ta dërgojë kufomën vet në Turqi, sepse me avion kushtonte shumë. Pasi kishte kaluar Nishin ishte ndalur të pushojë në një bujtinë dhe kur ishte zgjuar në mëngjes, nuk kishte gjetur as makinën, as rimorkion frigorifer, ku ishte arkivoli i të atit. Në polici i kishin thënë, se paska pasur fat që i kanë vjedhur vetëm makinën dhe kufomën e jo dhe atë dhe e kishin përzënë përjashta! Në Gjermani u pat kthyer me tren, nëpër Hungari, i tmerruar.

Të hënën u organizua udhëtimi nga aeroporti i Berlinit. Ne ishim gjashtë veta që do të fluturonim së bashku. Trishtohesha nga fluturimi me një kufomë në avion.
Në orën 14:00 do të aterronim, për në  orën 17:00 ishte paraparë varrimi te daja i Sherifit. Kur iu afruam shtëpisë na dolën para të afërmit duke qarë, duke mbuluar sytë me duar, të zymtë e të trishtuar ishin mbledhur nja njëqind veta.  
Arkivolin e dërguan pas shtëpisë ku kishin improvizuar një tryezë të gjatë, katrore,  me dërrasa dhe hoxha urdhëroi të nxirret jashtë, të zhvishet, të lahet dhe të mbështillet me një qefin. Një burrë me një sharrë elektrike nisi hapjen. Pasi përfundoi punën lëvizi disa milimetra kapakun, për të parë se a mund të hapej dhe u largua. Katër gra iu afruan arkivolit. Dy sekonda më vonë bërtitën “ o kuku për neve, çka na paska gjet!” dy prej tyre u plandosën përtokë të alivanosura nën tryezë, njëra mbi tjetrën.
 “Ujë, ujë” bërtitën dy gratë tjera të shastisura. U bë një rrëmujë, një pështjellim i madh. Burrat që po prisnin në oborr shikonin njëri tjetrin të habitur, sikur pyesnin : ç’ dreqin i gjeti!? Sherifi vrapoi drejt arkivolit duke shtyrë njerëzit majtas e djathtas. Fëmijët, që qenë disa metra larg ikën të frikësuar, duke menduar se është lëvizur apo është ngritur kufoma.
Sherifi i hodhi një shikim arkivolit brenda dhe iku parapa i trishtuar. U kthye përsëri, e  kapi për gjoksi kufomën dhe bërtit: “ nanën e nanës ta ç...tash të mbys, çka ke lyp ti ktu!?!” Në këtë çast u ofruan burrat dhe e tërhoqën.
Në arkivol nuk gjendej nanushi, por një burrë, me mustaqe. Për një çast mendova se Zoti e paska bërë në atë jetë, ashtu si sillej  këtu, burrë, por më vonë u mor vesh se arkivoli i një turku me mbiemrin Murat dhe arkivoli i nanushit, me mbiemrin Murati qenkan ngatërruar nga nëpunësit gjerman në aeroport. Pas shumë telefonatave dhe ofendimeve, që i shprehu Sherifi, u mor vesh se nanushi paska aterruar në Stamboll.
-Merreni me mend po të kishte aterruar në Athinë apo Beograd! Kjo do t´kishte qenë një shenjë shumë e keqe!, tha hoxha. Ai qetësoi xhematin duke shpjeguar se ajo ka qenë grua shembullore, se Allahu e ka dërguar në vendin që ajo e donte dhe për fat të keq për së gjalli nuk kishte mundur ta vizitojë. Çdo gjë është e shkruar! Mos u mërzitni! Shenjë ogurbardhë, shtoi ai.
Askush nuk foli. Nisi përsëri saldimi i arkivolit dhe e kthyen në aeroport.
Njerëzi u kthyen në shtëpitë e tyre. Vaji dhe të folurit në vesh apo me zë të ulët nuk pushonte. Njerëzit në oborr ishin të mërrolur, sa më larg derës së shtëpisë, ndryshonin edhe pamjet e tyre dhe kafshimi i buzëve.
Të mërkurën në mesditë rinisi ceremonia. Pasi e mbështollën si një mumie me një çarçafë të bardhë duke e lidhur te koka dhe këmbët, e futën përsëri në arkivol për ta dërguar te varret. Sherifi më bëri shenjë me dorë nga rruga të shkoja edhe unë te varret. Hoxha kundërshtoi duke i folur në vesh, Sherifi injoroi qortimin e tij. Varri i hapur para dy ditëve kishte pak ujë brenda, pas shiut që kishte rënë; e nxorën nga arkivoli dhe Sherifi me dajën e tij e lëshuan ngadalë brenda dhe pastaj u ngjitën për të dalë nga varri derisa dy veta i tërhoqën për dore.
Hoxha lexoi lutjen dhe thirri tri herë : “ Nexharije bijë e Fatimes...”. Nuk përmendi emrin e të atit, sepse nuk dihet se kush është, mund të jetë kushdo, dihet vetëm emri i nënës, edhe pse babai i saj ishte i njohur në fshat. Aty pashë, isha e vetmja grua, se burrat përreth varrit të heshtur dhe kokulur pranonin pa vërejtje se nuk dinin djemtë të kujt ishin! Kjo më habiti kur mendoja në karakterin e tyre të fortë dhe burrërinë...

Gjatë kthimit në avion Sherifi m´u rrëfye: “ Hashimi nuk funksionon!”, më tha troç.
Cili Hashim, pyeta unë e habitur. Hashimi, shtoi ai, nuk lëvizet gjë. Ka vetëm një funksion, mund ta bëjë vetëm shurrën, ndryshe as gëk as mëk! I shtrëngova dorën duke dashur t´i them, për fat, por më vinte keq për të, sepse Hashimi në fakt ishte krenaria e vetme që kishte poseduar. Vështrova sytë e tij të mbushur me lot, buzët që i dridheshin dhe i thashë: “ Kemi fëmijë, nuk na nevojitet...”  
Po të mund të hapet ky xham i avionit, do të kisha kërcyer përjashta, shqiptar me Hashim të prishur, është turp! Tragjike! Më mirë i vdekur se i gjallë!, tha ai me zë të shterur.
Pastaj më tregoi se kishte folur me kunatën e madhe, edhe për dyshimet e saja se unë i paskam bërë ndonjë magji të zezë, edhe këshillat e kunatit se duhet të shkojë te ndonjë prostitutë se vetëm ato janë në gjendje t´i drejtojnë të alivanosurit. Mirëpo, unë nuk të tradhtoj kurrë më, më premtoi Sherifi. Pastaj kishte lexuar diku se gjermanët në mesjetë e kishin rrahur me hithra, për ta ringjallur.  Unë e këshillova të shkojë te mjeku, meqenëse për të ka rëndësi vitale....
Nuk mund ta bëjë këtë, më tha. Më vjen turp...
Ne si komb kemi dhuruar botës edhe Nënë, por edhe Atë. Tani kuptoj se pse Ferid Murati fitoi Cmimin Nobel. Sigurisht i tërë Komitetit i Nobelit furnizohet me barna të tilla, thash me vete.

Po i afroheshim Berlinit dhe Sherifi po flinte si qengj me kokën mbi gjoksin tim...Bobo thash me vete, që kur u dorëzua Hashimi, nisi edhe respekti! Çudi!  Nc! Nc! Flitet se edhe vjehrri im, aty nga mosha dyzetepesë vjeçare kishte ndërruar karakterin dhe ishte bërë nga ujku në  qengj dhe prej atij çasti kishte marrë pushtetin në dorë nanushi...Ndjesë pastë. Amin!


(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora