E premte, 26.04.2024, 09:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës''

E diele, 02.08.2009, 12:55 PM


SHAZIM  MEHMETI

LUMENJTË E DRITËS

Botues: Nositi-sh
Biblioteka: Poezia
Redaktor: Hilmi MEHMETI
Recenzent: Shpend Sokoli
Kopertina & disejni: Shazim Mehmeti
Shtypi: Tringa Desin
e-mail: nositi@yahoo.com


KALON PËRMES DRITE

KËNGË PJEKURIE

është nata që falimenton fytyrën e saj të ftohtë
në koncertin e yjeve që lëvrijnë

shprehja më muzikore e lojës së trupave fascinantë
dhe copëzat e dritës që shfaqen e shumëfishohen
mbi kurorën e grisë

agimi -
akti më i bukur i vdekjes së ankthit
mbi supe të të cilit qafën zgjat harbimi

harrimi më i bukur
i ditës me lotë

(domosdo të falem!
të të falem, o harrim!)

KALON PËRMES DRITE

Kalon përmes drite duke pirë dritë

Ajri ribëhet nga kurmi që përhapet
nga pranverë e saj

Shumohen jonet e përjetësisë
Pemët zgjatin krahët
drejt shiut shpirtërues

Frymojnë pemët e qenësisë?
Shndërrohen në këngë pemët?
Janë zogj dashurie
pemët që këndojnë?

Oh,
ndërkohë që ajo pi dritë
në gurrëdritën e kësaj peme
pema e jetës lëviz.
Me gjithë të paqenmen e saj
drita hepohet.

Drita lë gjurmët
pas hapit të asaj vashe
që pi dritë!...

MË NUHAT ME HUNDË PRANVERE

Kjo vjershë nis te hunda
kjo vjershë nis te hunda, E mira
te hunda jote e drejtë
e mprehtë si sqep pëllumbi
te hunda që më shëtit fytyrës
dhe më nuhat
dhe më lan fytyrën
me aromë pranvere
            
Oooo, frymim natyre!
Oooo, nuhatje e papërshkrueshme
që rrudhat e fytyrës mi thith
e më përtërin si prilli pemën!

Unë jam druri, E mira
jam druri që përtrihet
në pranverën tënde
në atë pranverë që ti ma nis fytyrës

Jam druri që nxjerr sythat
druri që rilind e bëhet
në kopshtin tënd blerosh

Preke drurin
preke drurin
preke drurin, E mira
preke drurin në çdo syth!
Duke prekur drurin
ti pranverën tënde ke zbuluar
Dhe blerimi im prej burri
do çelë aty mbi ty

Po vij
po futem
po vij po futem
në kopshtin tënd blerosh

Dëgjoje hapërimin
dëgjoje hapërimin, E mira!
Brenda teje më ndjej!
Ndjeje drurin që të sjell rinimin!

E ndjen shushurimën
e gjetheve gjelbëroshe?
I dëgjon zërat e zogjve buzëburimit?
Dhe vetë shpirtburimin
që rrjedh e gurgullon
me zërat e hareshëm?

Lëngështia rrjedh
lëngështia rrjedh flladshëm
nëpër dejet e drurit
kopshtin pranveror ujit, E mira

Ti je kopshti
ti je kopshti domosdo!
Unë jam druri
unë domosdo jam druri!
Jam druri që lëshon rrënjë
e derdh blerim

Më ndjej
më ndjej
më ndjej, E mira!
Më ndjej si pushtuesin
e tokës që ribëhet
ti toka ime që ribën pushtuesin

Më ndjej
më prek
më pushto
më ndjej më prek më pushto!
Më nuhat me hundë pranvere!

MËNGJES MOLLËSH

mëngjes mollësh-
cica verore
të vogëlthta
gati inatqare
me thimtha të zinj ngritur
nën bluzat blu

syçka  që ndjejnë
e shohin rinueshëm
drejt syve ujorë
të qiellit kaltërosh

freske gjinjsh
të posasajuar
të posadalë
që si puhiza mëngjesi frymojnë
mbi krahërorë të bardhë vashash
dhe gishta të hollë ndjesie
që si vesa prekin
ledhatojnë

flokë të lehtë natyre
të posalarë
të lagur
të njomë
që lëvaren e derdhen qafash
e bien ledhatueshëm
e frymojnë
mbi supe e mbi gjinj

 hukama epshesh
që gjurmët lënë
ballit të vesëzuar pranveror

padurimin e zemrës ndjej, o perëndi
dhe e përqafoj marrëzisht
shpërthimin e dritëshpirtit
të lulemollëve në kopsht

KËNGË PËR USHUJZËN E POSAZGJUAR

Dielli i përzjarrtë i gushtit
si copëz zemre digjet
mbi qiellin e shpalosur si një pëlhurë shpirti

Larg vitit, larg stinës, larg syrit të përbotshëm
ajo është në banjë
vetëm me vetveten
dhe me ujin që i skuqet ngadalë ngadalë
përposhtë këmbësh, në vaskë

Përballë ka pasqyrën
dhe te pasqyra veten
me mollëzat e posadalura
me fundbarkun e lulëzuar

Nimfëza ngjyrëgruri
e lëngësht dhe e gjallë
ngrit kokën, lag buzët
mbush gojën me jetë

Currilët e ujit i derdhen mbi supet si muzikë
Nën harmoninë drithëronjëse
që i derdhet trupit
nga flokët, nga duart, nga shkuma, nga sapuni
ajo frymon e ndizet

Kafshon buzët e fryra
dy gjysmëpjeshkëzat e kuqe
që i hapen gjithë epsh
në fytyrën e re të engjëlluar

Fshin avujt e nderur
që përepshëm mbushin
kënd më kënd pasqyrën

Bëhet ushujzë e posazgjuar
Gjithnjë e përflakur e lë vetveten
lulezën e posaçelur e të rrallë
që është e njëmë, e njomë, e njomë
tepër e njomë për ta këputur

Dielli i përzjarrtë i gushtit
si zemërimja digjet
mbi qiellin që është i shpëlarë si shpirt i saj
Larg vitit, larg stinës, larg syrit të përbotshëm
ajo është në banjë
vetëm për vetëm
me zotin e zjarrit dhe zotin e shiut
që xhelozojnë e dyluftojnë mbi avujt
dhe… dhe me syrin tim prej burri
që rri, e përgjon, e pret
e… s’e këput si pjeshkën
 
BORHES I VERBËR

O Borhes!
O Borhes i verbër
që sheh kur nuk sheh!
Me sy mendjeje,  Borhes!
Borhes dinak!
Borhes, Borhes!…

Më ke pikur në mendje
me atë Aleph
që s’është veç dritë
që s’është veç gjithësi
që është dhe plazmë gjaku
dhe flutur livadhi njëkohësisht!
Dhe sy!
dhe sërish sy
dhe sërish sy!
Dhe mendim i kaltërt ere
që nëpër trurë më frynë
e ëmbëlsisht më pëshpërit:
shikoji këto vithevise
shikoji këto visevithe!
Janë për t’u prekur
janë për t’u shkelur
janë për t’u parë!

Oh, vithe, vise
vithe , vithe, vise!…
Vithe nimfash
që si në dasëm vallëzojnë
e më rrëshqasin nëpër sytë
deri te i përgjakuri  shesh i zemrës!
Vise nimfash
me përmasa përsosmërie
si oaza të vogla jete
ku mund të pushosh
ku mund të pijsh ujë
në buzë të atij pusi të thellë të zi
nga ku derdhet drita krejt e bardhë!
Vithe të rrumbullakta vashash
që i shoh e s’mund t’i prek!

Preke jetën
preke jetën
preke jetën, Aleph!
Jeta mund të preket gjithandej
vetëm duke u bërë ajër

Më bër ajër
Më bër ajër
Më bër ajër, hirësi!
Më bër ajër
t’u ngjitem prapa këtyre vitheviseve
e t’i prek!
T’u ngjitem prapa këtyre visevitheve
e t’i puth!
T’i puth njerëzisht
t’i puth epshmërisht
t’i puth tmerrsisht
t’i puth përjetësisht
si e puth Zotin
si e puth Zotin
si e puth Zotin
ai Aleph!

VASHË

Ti shtrat trëndafilash
që kundërmon erë jete
erë kurmi të ri.
Je trup ku drita prarohet
mbi një zjarr prej uji
që djeg dhe vragë nuk lë.
Me flokët që t’i derdh era
dhe ku flakërojnë hareshëm
grumbuj të tejdukshëm jete.
Lëndinë e gjallë
ku rri e ç’mallet
e brishtë dhe e blertë
e blertë dhe e begatshme
bima e panjohur e frymëzimit.
Pllajë e pashkelur
ku qiellzohen përjetësisht
avuj të dendur drithërimash.
Një krua i pashijuar je
ku edhe zoti ka mallë të shijojë
të kërkojë me gjuhë
në ujërat më të freskët
në ujërat më të thellë të mundshëm.
Oh vashë, klithmë e lules!
Ç’fsheh me aq xhelozi
në fytin e lëngësht
të atij zogu të drojtur?

ËSHTË ÇUPKË

Të duket
si një stoli perëndishë?
Që duhet prekur patjetër?
Që patjetër duhet shijuar?

E kuptueshme!
Por, ti mos e prek!
Është çupkë dhe dashuron njerëzisht!

Ka edhe ca kohë
sa t’ua zbukurojë jetën jorgavanëve
sa s’është bërë grua
dhe sa s’ka filluar
të kafshohet njerëzisht!

VJERSHË MITURAKE

Flej, e dashur!
Pushi i argjendtë i ullishtës
le ta zbukurojë fytyrën
Reflekto me qepallët dritëza lumturie
të derdhen ullishtës
si zëra të mekur gjinkallash.
Dhe ëndërro për vete
një det lumturie këtë çast
sepse engjëll je, e re, e pafajshme.
Unë do të brof të bëj vjershë për ty.
Dhe, po që se s’do të di, e dashur,
me flakëbriskun e syve
hënën do ta ndaj përgjysmë!
Në gjoksin tënd të shndritshëm
do t’i vë dy gjysmëhënat
Që ti të flesh e qetë
si grua në ullishtë
me një det lumturie në qepallë.
Dhe unë të flej i qetë
si burrë në ullishtë
me gjirin tënd nën krye!

VARËSE

E njomë si këmisha që ka mbi trup
e posadalur nga vetja
e posalarë nga ëndrrat, një vashë
(mbase për ta blerë gazetën)
udhëkryqin kalon

Dhe pikërisht asaj
dhjetë palë sy kalimtarësh
ia heqin këmishën si me dorë
dhe sajojnë prej basmës
një qiell miturak

Dhe pikërisht asaj
dhjetë palë sy të tjerë kalimtarësh
ia heqin sytjenat si me dorë
dhe sajojnë prej sosh
një tjetër qiell miturak

Në sytë e mi prej uji, pikërisht
i plasin gjinjtë prej epshit
dhe barku me ijet i dridhet
dhe beli prej peri poashtu

Krej kurmi i saj
një varëse  drite bëhet
që mbi qiej basmash ngjitet
e më tall!…

RISHTAS

Në krahë puhize u shfaq
siç shfaqet një yll
dhe u tret mes valësh
si një mendim i çiltër

U shfaq në masë të atillë
sa për të njomur një valë
me gjakun e saj të ri
sa për t’ia përskuqur dhëmbët peshkaqenit
dhe sa për ta bërë ditën të kuqrremtë
dhe diellin më të kuqrremtë se veten

Vasha, vërtet ku humbi?
Ku iku?
Ku treti?

Treti për të m’u shfaqur rishtas
gjishpluar mbi valë deti

HUNDË

Përveç hundës
aq shumë ia preferoja fytyrën
e dot s’ia duroja mplakjen
S’bëja gjumë
me padurim e prisja mëngjesin
t’ia shpërlaja sytë nga ëndrrat
t’i hiqja sakaq
nga fytyra një rrudhë

Dhe, siç ha era për një gjethe një degë
për një copkë rrudhe një copë veshi i haja
një copë faqeje të lëvarur
një copë floku, a një copë gushe nën mjekër

Një ditë prej ditësh
u pendova shumë për këtë punë kanibalësh
Zot, thashë, e lashë pa fytyrë
dhe u shtriva të vdes sa gjërë gjatë
mbi shpirtin tim të lënduar

Mbase do kisha vdekur vërtet
po të mos m’i lëvizte qepallët një frymë
siç lëviz një fllad pranvere barin

Çela sytë të shihja
kush ma dhuronte së dyti atë jetë
Dhe pashë një buzëqeshje të përtëritur
që s’kish fytyrë ku t’ulej
por që kishte formën e një hunde të pamplakur
që rrudhat m’i fshinte me nuhatje

ZGJIMI I SAJ ËSHTË PIKËNDRRA IME

mbi balluket e lulejetës
zbuluar i ka karafili i dhembjes!
te cep i vetullndritjes i jep shpirt bashëndrra!

me melodinë e  pragagimit
mbyllur ka lulezambakët e syve!
në pikë të pikëditës flë gjysma ime e dritës!

(zgjimi i saj është pikëndrra ime!
paqëgjumi i saj është natëvdekja ime!)

nën nënkresën e sëmundjes
lulethara e dashurinjomëzës i kotet si gjyshe!
shpërfaqja e ditëpërditshme e diellmbarimeve e ka molisur!
e brenda meje e brenda meje
qanë (edhe) qeni im unë!

oh, qeni im unë!
i egri qen!
lehësi qen!
kafshuesi qen!
tmerruesi qen!
 
oh, oh, zot imi
gjumin e sëmundjes ajo flenë!
pikëgjumin e shpresëdritës e bën në pikë të pikëditës!
në këngëqarjen e lumit i fiket buzëndrra!
mbi fytyrën e dritëjetës
luledhembja i pik pikëlotin e përtharë!
e unë dhe qeni im unë
si dy zogj të plagosur
i lotojmë mbi flokëshprishjet!...

është dielli i rrudhosur
që na ulet mbi supet-
na përshpreson!...

HI VJERSHE

Po të mos ishte veranda e vegjetuar e dashurisë
dhe ajo pak hënë e ndezur mes yjesh atje lart
Po të mos ishte imazhi i bukur i natës
i vizatuar mjeshtërisht
në kornizën e tejdukshme të dritares
Po të mos ishte shtrati i djersëve të lumturisë
dhe shpirtrat tanë të trazuar përjetësisht
Po të mos ishte çarshafi i bardhë i amshimit
i djegur tmerrsisht i përdjegur nga epshet
Po të mos ishin trupat tanë të zhveshur
me lëvizjet e përkryera me format engjëllore…
Pra, vetëm po të isha, a po të ishe e vetme
e humbur e mërdhirë në freskun e asaj nate
as hiri i kësaj vjershe s’do të ishte

FAT(KEQËSI)

E larë me muzg
ajo mban nën sqetull
një copëz epsh
Ajo klith:
O dielli im
ti paske qenë
dielli më i shpejtë në jetë
dielli më i shkrijshëm
dielli që
akoma pa m’u ndalur mbi vetulla
më perëndon mes këmbësh

Ai përderdhet i kënaqur
mbi atë ëndërr të valë
një diell i ri epshi
i shfaqet si i marrë
Ai  klith:
O nata ime e freskut
që bark e gjinj e shpirt
i ke shpëlarë me vesë
do të lind sërish
brenda teje të vdes

BURG

Ah, ah, ah
Një pikë loti
në syrin e këtij qorri
është një e therrur
në shpirtin tënd

Eh, ç’na e shpikën
kaq të tejdukshëm
e kaq të pathyeshëm
këtë qelq të dendur drite
që na ndanë

Ah, ta kishe
ta kishe në duar tani
pikërisht tani ta kishe
të të lotonte para sysh
me syrin e tij verbak
të të rrezatonte me rrathë zjarrmie
të të dridhej në pëllëmbët
si një fëmijëz me fruth

Ta ngushëlloje, moj
ah, ta ngushëlloje
me pëllëmbët e pambukta
drithmat t’ia qetësoje

DRITË E VONUAR

Je ag drite?
Je dritë e vonuar?
E dielë është
dhe jam kaq i mbetur!
Një rrobë zhgënjimi
jam i tëri!

O gjeth i njomë fytyre
që ikë prej meje larg larg larg
si një frymë e freskët ajri
e posadalë nga mali!

Vesë mungese je!
Vetë vesimi je!

Si të frymoj
këtyre të dielave që bëjnë ftohtë
kur kurm i hijes sate nuk lëviz?

Pa ty
sytë e mi janë liqej të ftohtë
të vdekur majë bjeshke
nga zoti të harruar !

Bën dimër
në pikë vere kur nuk je!
O vashë,o dritë
o vesë  e zemrës sime!
Tharm jete je!...

DIAGNOZË

Oh, kjo vajzë!…

Ia ka puthur këmbët vdekjes
dhe ju i pëshpërisni në veshë
me gjuhën e trëndafilave!

Ia ka puthur duart vdekjes
dhe ju ia lagni buzët
me vesë përrallore!

Vdekjen ka përqafuar
dhe ju e shpalosni gjimbushur
me diell gushti ta shëroni!

E nuk e dini se…
e nuk e dini se është grua
e mund t’ju vdesë në duar
për një gllënjkë uji të freskët
nga kroi i gurtë i burrit !


(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora