E premte, 26.04.2024, 12:13 PM (GMT+1)

Mendime

Eugjen Merlika: Të fundit!

E diele, 19.07.2009, 12:11 PM


Të fundit!

Nga Eugjen Merlika

Shijen e hidhur të vendit të fundit nuk e provojnë vetëm atletët në garat sportive, apo nxënësit në shkolla, kur nuk kalojnë klasën. Vendi i fundit është sinonim i të mbeturit prapa të tjerëve, i paaftësisë për të garuar me ta, i një farë mosbesimi që ngjall tek ata e që shtrihet pastaj edhe te vetja për mungesën e rezultateve.

Duke e shtrirë vështrimin nga individët te popujt te historia e tyre, shohim se edhe në të, rreshtimet e hierarkitë, në epoka të shkuara e në të sotmen, kanë respektuar aftësitë dhe forcën prodhuese në fusha të ndryshme të dijes, ekonomisë, organizimit ushtarak, largpamësisë politike, qëndrueshmërisë institucionale, vullnetit luftarak etj. Po të kthehemi në qindvjetorin e fundit të historisë sonë, që përkon me shekullin e parë të Shtetit shqiptar të pavarur, me trishtim do të vëmë re, se më shumë se një herë, kemi mbetur në vendin e fundit.

Të fundit në Ballkan arritëm të shkëputemi nga Perandoria turke, për të krijuar me shumë vështirësi një shtet të gjymtuar, kësaj here jo për fajin tonë, por për një fatalitet historik të bashkuar me keqdashjen e fqinjëve grabitqarë dhe përkrahësve të tyre. Të fundit në Evropë gjetëm udhën e demokracisë, mbi gërmadhat e një sistemi, që bëri gjithçka që Shqipëria të mbetej Vendi më i varfër e më i prapambetur i kontinentit. Jemi të fundit në Lindjen ish-komuniste që kemi ende në krye ata drejtues që ishin në agimin e ndërrimit të sistemit.

U nisëm në një start jo shumë të ndryshëm nga Vendet e tjera ish-komuniste, për të marrë rrugën drejt Evropës, demokracisë e mirëqenies që sjell liria në të gjitha fushat e jetës. Ecja qe e çalë e përfundimet na lanë përsëri në vendin e fundit. Për rreth njëzet vite, qeveritarët tanë na përkundën në djepin e iluzioneve për "sukseset" në rrugën tonë drejt Evropës, duke endur rrjetën e euforisë për kohët e shkurtra t'atyre proceseve. Ato iluzione e premtime ishin hashashi që vinte në gjumë shqiptarët e i bënte të votonin pas komunistët rozë apo blu, duke u munduar të gjenin mes tyre ndryshimet që do të përcaktonin "djegien" e etapave.

Kështu kaluam nga një katërvjeçar tek tjetri me bisedime, këshilla, shpresa të ushqyera nga ministrì integrimi të drejtuara nga zonja të hijshme, ndërsa të tjerët, ish-shtete të mëdha e të vegjël të ish-Perandorisë së kuqe, ishin bërë pjesëtarë me të drejta të barabarta të Bashkimit Evropian. Sot një përfaqësues i tyre, polaku Buzek, kryeson Parlamentin Evropian, ndërsa ne bëhemi prè e sarkazmës së përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE, spanjollit Solana, se nuk jemi në gjendje të nxjerrim një rezultat votimi, të kryer tri javë më parë. Të mos harrojmë se ai që u shpreh në Prishtinë: "Fakti që nuk mund të komentoj sot, është një koment," ishte ai që dhjetë vite më parë, si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, urdhëronte bombardimet mbi Serbinë e Milosheviçit. Sot, kur Evropa, nëpërmjet Solanës apo Komisionerëve Barrò e Ren, na lë në vendin e fundit, duke na mohuar qarkullimin e lirë në të pa viza, mbasi ua ka njohur atë, jo vetëm Maqedonisë e Malit të Zi, por edhe Serbisë, me të cilën ishte në luftë pak vite më parë, mendoj se të heqim përgjegjësinë nga vetja për t' ia veshur "antishqiptarizmit" të kontinentit të vjetër, është mënyra më e gabuar e më pak premtuese për të përballuar problemin.

Politika, në tërësinë e saj, është krejtësisht përgjegjëse. Vlen një ndërgjegjësim i plotë i gjithë opinionit publik, i klasës politike në radhë të parë, një mea culpa, jo formale por qenësore e kësaj të fundit. Ky proces nuk duhet të bëhet me metodat komuniste të mashtrimit e të shkarkimit të përgjegjësive, por me transparencën e përballimin burrërisht të tyre nga institucionet apo individët. Mendoj se kjo sot është një domosdoshmëri e shoqërisë sonë, e cila nuk meriton të mbetet në shkallën e fundit të përshkallëzimit evropian, për më tepër e akuzuar se nuk është në gjendje të realizojë disa parametra teknikë.

T'i shohim problemet që ngre Evropa, nëpërmjet përfaqësuesve të saj zyrtarë:
Havier Solana në Prishtinë: "Ky është një proces teknik dhe jo politik. Kur shteti ka kapacitet për të pasur kontroll në kufi, kapacitetin për të prodhuar pasaportën me të gjitha kushtet e kërkuara, ai shtet hyn në atë listë. Kjo është ajo që do të vazhdojë të ndodhë. Shtetet që kanë përmbushur kriteret do të marrin lejen brenda dy ditëve, të tjerët duhet të presin deri sa të përmbushin kërkesat. Nuk është proces që ndalet, por është proces, që u përshtatet shteteve kandidate dhe shtetet kandidate duhet t'i përmbushin kërkesat e natyrës teknike."

Komisionerët për Drejtësinë, Lirinë e Sigurinë, Zhak Barrò dhe për Zgjerimin, Oli Ren, në një komunikatë shprehen: " ....Për këtë arsye, gjatë gjysmës së parë të vitit 2008, Komisioni Evropian hartoi një listë të hollësishme kriteresh që duheshin plotësuar në fusha si përmirësimi i sigurisë së pasaportave, përforcimi i kontrollit kufitar, përforcimi i kuadrit institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo ishte e nevojshme për të garantuar që nga udhëtimi i lirë të mos përfitojnë aktivitete ilegale si trafikimi i qenieve njerëzore apo drogës, si dhe për të parandaluar emigracionin ilegal......"

Shkëputa këto dy paragrafë të deklaratave të komisionerëve evropianë, sepse m'u dukën më emblematikë për të patur një kuadër të qartë të arsyeve që për të satën herë na çuan në vendin e fundit, me synimin për të lexuar edhe ndërmjet rreshtave, për të kaptuar edhe ato gjëra që, për mirësjellje, ata nuk na i thonë. Evropa na thotë se kemi para një shkëmb të madh, pa shkërmoqjen e të cilit nuk mund të ecim në rrugën tonë drejt saj. Ky shkëmb është krimi që, në këta dy dhjetëvjeçarë, ka ecur paralel me shtetin, duke bërë me të kompromise miliardash të pakontrolluara.

Qytetarët e thjeshtë, që jetojnë me punë që shpërblehet në kufijtë e varfërisë, që kanë problem të përditshëm mbijetesën, e vështirësuar çdo ditë nga çmime stratosferike mallrash e shërbimesh, nuk mund as të përfytyrojnë përmasat e paligjshmërisë e të fuqisë së atij shteti paralel, që lulëzon në tokën tonë e që i shtie frikën Evropës. Atë shtet paralel mund ta dërmojë vetëm një qeveri e formuar nga njerëz idealistë e të pakorruptueshëm, siç ishin mjaft nga drejtuesit e politikës shqiptare të viteve 20 e 30 të shekullit të shkuar. Me fjalë e kanë luftuar të gjithë kryeministrat: Nano, Meta, Berisha, Majko e ekipet e tyre qeverisëse, të gjithë duke akuzuar njëri-tjetrin për korrupsion. Por ujqërit e shtetit paralel livadhisin të qetë, të patrazuar, të blinduar në plotfuqishmërinë e tyre që pjell vazhdimisht para e zullume për Shqipërinë.

"Shpejtësia e progresit të Vendit tuaj drejt një regjimi udhëtimi pa viza është në dorën e udhëheqësve tuaj." Përfundojnë mesazhin e tyre drejtuar shqiptarëve komisionerët Barrò e Ren. Më shkoqur nuk mund të paraqitet problemi, më haptas nuk mund të thuhet e vërteta.

Por, a janë në gjëndje zyrtarët tanë të lartë, në këtë çast historik për t'ardhmen e Shqipërisë, të jenë në lartësinë e detyrës? Edhe në një çast sublim optimizmi përgjigja do t'ishte mohuese, për vetë faktin e thjeshtë se po të kishin qënë nuk do të kishim përfunduar kështu. Në një Vënd normal, në këtë rast Kryeministri dhe Ministri i Integrimit do të kishin dhënë dorëheqjen, duke spjeguar motivet e mos plotësimit të kërkesave të Komisionit Evropian, duke hyrë në thelbin e problemeve, pa u fshehur, siç bën Ministri Basha mbas gjethes së fikut të pasaportave biometrike, të cilat një nga shtetet themeluese të Bashkimit si Italia akoma nuk i ka në qarkullim.

Gjëndja është alarmante dhe kërkon një mobilizim vullnetmirë të përgjithshëm. Besoj se i takon Kryetarit të Shtetit të thërresë një tryezë të rrumbullakët, në të cilën të përfaqësohen të gjitha forcat politike, të shumicës e të pakicës, e të gjitha institucionet si Prokuroria e Gjykata që kanë përgjegjësitë e dukëshme në këtë proçes. Duhet të jetë një rrahje mendimesh sui generis, një kuvend burrash në traditën më të mirë shqiptare, ku të zotërojë dëshira për të nxjerrë të vërtetën, sado e hidhur qoftë, e për të marrë masat për t'a shëndoshur atë. Ata që duhet të ikin t'a bëjnë, të vetëdijshëm se nuk qenë në gjëndje të kryejnë detyrën, cilat do qofshin meritat e mëparëshme, nëse i kanë patur. Ata që do të vijnë n'ato detyra duhet t'a peshojnë mirë veten para sfidës që i pret, mbasi nuk mund të ketë më kohë të humbur.

Nëse, nuk do të jemi në gjëndje t'a bëjmë këtë, siç ka shumë gjasë të ndodhë, do të vazhdojmë të nanurisemi në përrallat tona, në justifikimet pa vlerë, në akuzat e kundër akuzat pa bukë e të mbetemi gjithmonë në vëndin e fundit, duke merituar mallkimin e historisë e të fëmijëve tanë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora