E premte, 26.04.2024, 11:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Kujtime të ringjallura nga takimi me Profesorin e madh Jean-Philippe Assal

E diele, 12.07.2009, 08:27 PM


Prof Jean-Philippe Assal dhe Alfred Papuçiu
Prof Jean-Philippe Assal dhe Alfred Papuçiu

ESE


Kujtime të ringjallura nga takimi me Profesorin e madh zviceran Jean-Philippe Assal

Nga Alfred Papuçiu

Hapet dera e shtëpisë tek « 40 rue des Conches » dhe përpara më del profesor Jean-Philippe Assal. Me shtatin e tij të lartë, 1 metër e 75 cm, me flokët e tij të hirta dhe me buzëqeshjen e tij karakteristike. S’ka shumë kohë që mbushi 71 vjeç. « Mirë se erdhe, Alfred. U bë një kohë që s’jemi parë. Unë pata një episod të rëndë, por tani jam më mirë ». Më tepër mbresë tek ai të lë shikimi i tij. Një shikim me një shprehje të veçantë. U përqafuam si miq të vjetër, si para 20 vitesh, kur ai realizoi projektin me Shqipërinë, bashkë me profesor Isuf Kalon. Unë i dhashë atëhere një ndihmesë modeste dhe ai më ishte mirënjohës. Kaluam nëpër sallonin e tij, plot me piktura të piktorëve më të mëdhenj në botë, apo me relike të udhëtimeve të tij të shumta. Prapa kanapesë gjendej statuja e vogël prej bronxi e asaj vashe të bukur, si para 20 vitesh. Ndërmjet relikeve, edhe një pamje e bukur e Beratit të një mijë dritareve. Mbi komonë e gdhendur, një bukuri e rrallë e shekullit të 18-të, rosakët që profesori ka blerë gjatë udhëtimeve të tij. Si shenjë e besnikërisë bashkëshortore, me Tizianën me origjinë italiane, të urtën, eruditen, profesoreshën e gjuhës italiane në kolezhin « Calvin » (Kalvë). Shikoj rreth meje dhe gjithçka është e përkryer. Kthehem në të kaluarën. Kujtimet janë të shumta. Më vijnë ndërmend ato darkat që Jean-Philippe dhe Tiziana organizonin për miqtë shqiptarë që vinin në Gjenevë, të ftuar nga profesori, në seminaret që ai organizonte për problemet e diabetit. Më kujtohet ai ministri i Shëndetësisë që qau nga mallëngjimi kur profesori na çoi në Iverdon për të vizituar muzeun e të madhit, edukatorit Pestalozzi. Kishte lexuar shumë për të.

Dolore
Megjithatë, një pjesë e atyre kujtimeve janë fshirë nga kujtesa time. Mosha bën të sajën, por fatmirësisht nuk është Alzeimer, siç e ka përfshirë hallën time të mirë  Pandora, atje në Tiranë. Qysh kur i vdiq i shoqi 73 vjeçar, shëndeti i saj u keqësua. Jeta zhduket në honet e kohës. Ajo është si një cigare që tretet, hiri është dashuria, tym është çka mbetet. Më kujtohet ajo komshia e bukur, Natalia që vinte gjithmonë tek vila e profesorit. Me shikimin e saj depërtues. Një dashuri platonike e imja. «  Bëni që ëndrra të gllabërojë jetën tuaj, me qëllim që jeta juaj të mos gllabërojë ëndrrën tuaj ». Më kujtoheshin në ato çaste këto fjalë të Antuan Sent- Exyperi. Një dëshirë besoj e çdonjerit prej nesh është që t’i kthehemi të kaluarës dhe të ndryshojmë rrjedhën e jetës, duke shmangur vështirësitë. Jean-Philippe kthen kokën nga unë, sikur të lexonte mendimet e mija në ato çaste. « Fred, Natalia ka ikur në Kanada dhe është martuar atje me një arkitekt ». Vetëm kaq u shpreh ai, për të mos më lënduar.Më kujtohej kur mbaroja punën dhe kisha dëshirën të kthehesha, të bëja një banjë, një masazh të mirë. Këpucët mbanin këmbët e enjtura. Dhimbja kalonte deri në shpatulla, deri në vertebra, qysh nga qafa deri tek veshkat. Dy ditë pushim në fund jave. Cfarë fshihej pas atij shikimi depërtues i Natalias ? E përmbajtur, pastaj ajo fjaloste me bashkëshorten time. Duke larguar shikimin nga unë. Ti e kupton se jeta është e vështirë. Dëshiron në ato çaste të jetosh në botën e ëndërrave, për të cilat flitet në romane. Apo tek « Karuzeli i ëndrrave ». Takimi i parë me Natalian, puthja e saj në faqe, e dyfishtë, siç është zakoni. më kishte dhënë bindjen se një botë e tillë ekzistonte. Kisha njohur lumturinë e një dashurie të përkryer, puthjen e parë tek kinemaja verore në plazhin e Durrësit, buklet e asaj që lidhi jetën me mua. Por shumë shpejt u binda se ajo “ëngjëll” e viteve 70-të, nuk arrinte të më kuptonte, nuk i përqafonte dëshirat e mija dhe as nuk lexonte në mendimet e mija. Kujtonim vetëm ato vitet e arta…

Joconde
Joconde
Shkuam në oborrin e profesorit, plot me lule, ku unë kisha punuar me pasion 1 muaj kur më kishte ftuar bashkë me familjen të kaloja pushimet. Kujtimet e bukura më erdhën në mendje. Ai lumi që kalonte pranë dhe unë rrija me orë të tëra duke e soditur atë, si dhe peshqit që kalonin me shpejtësi në ujin e kulluar. I krusur, me gjunjët e vendosura deri në mjekër, me pulpat e kryqëzuara, me këmbët midis duarve. Ndizja një cigare dhe mendimet më shkonin në fragmentet e jetës sime të çuditëshme. Nga Tirana, në Gjenevën multietnike, tek Pallati i Kombeve, ku shkoja çdo ditë me biçikletën time. Tek fusha e tenisit, ku kujtoja rininë time “të artë”. Përballë ishte mali « Salevë » që gjendet në anën tjetër të kufirit, në Francë. Kufi i thënçin, pasi nuk ka ndonjë ndarje midis tij dhe Gjenevës. Vetëm fushë, lule shumëngjyrëshe, toka të mbjella me grurë, luledielli. Shtëpi të bukura, përsëri të rrethuara me lule, dhe me flamujt e dy vendeve fqinjë, të varur në ballkonet e tyre. Shpesh, sheh fqinjë nga të anët e « kufirit » që mblidhen mbrëmjeve dhe pijnë nga një gotë « kirsh» (lloj rakie qershie zvicerane) apo verë « Bordo » franceze…

Mendimet më shkonin tek Natalia. Profesori më tha se ajo ishte larguar përgjithmonë. Para pak kohësh. Ndoshta ajo kishte marrë në telefon në shtëpi, por nuk më kishte gjetur. Nuk do të kisha më puthje të ëmbla, si në të kaluarën e largët. Nuk isha më i lumtur që prej largimit nga Conches. Të vetmen kënaqësi e kisha patur kur shkoja në Universitet dhe ndiqja studimet e larta europiane. Një universitet i dytë për mua, por shumë kuptimplotë për bindjet e mija ndaj Europës. Përsëri kujtimet më shpunë tek shikimi i parë i Natalisë. Zemra ime kishte pushuar së rrahuri. Jeta e çiftit kishte ngrirë entuziazmin tim të dikurshëm. A mos vitet kishin mbuluar dëshirën e një mjegulle të akullt… Jam plakur, kam shtuar në peshë dhe nuk e kam trupin të lehtë, si dikur kur luaja tenis.

Kur e kisha njohur, jetoja akoma me prindërit. Megjithatë kishim çaste të bukura. Unë e fitoja mirë jetën, pasi veç pagës si gazetar, shkruaja edhe në gazeta letrare, apo të rinisë dhe revista. Lexoja shumë dhe i gjeta subjektet që i pëlqente lexuesi. Kisha marrë dhe disa çmime për tregimet dhe analizat e mija. Edhe një stilograf dhe një vepër të E. Hoxhës për studimin tim për „eurokomunizmin“. Shkonim shpesh tek restorant „Donika“ në rrugën kryesore që të shpinte tek stacioni i trenit dhe bisedonim si një çift i lumturuar atje në katin e dytë. Shpesh shkonim edhe në kinema, apo teatër dhe opera. Nuk kishte mundësi të tjera, përveç këtyre për të kaluar kohën e lirë. Kur shkoja tek e fejuara, duhej të përballoja të paktën një orë lojë letrash, me gjyshin e saj, ish kryepeshkop. Shpesh e lija të fitonte që të mund të dilja me të fejuarën…

Ndihem keq kur ulemi me profesorin rreth tavolinës, jashtë tek kopshti me lule. Një dobësi pushton gjithë trupin tim. Më merren mendtë. Shoh turbull. Ndoshta më është rritur glicemia. E vërtetë që këto kohët e fundit, megjithëse i marr ilaçet në rregull, sheqerin e kam të lartë. Ndoshta pasi e teprova me ëmbëlsirat në dasmën e Enit dhe Armandos në restorantin e vëllezërve Osmani midis Vorës dhe Durrësit, dhe në Fier tek restoranti „Kështjella“. Qepallat i kam si të rënda. A mos është një rrëshqitje drejt një humnere, për të mos u kthyer më në këtë jetë. Shpesh e kisha menduar një alternativë të tillë, por përsëri më mbante në jetë dëshira dhe këmbëngulja për të ndihmuar sado pak atë qënie timen të shtrenjtë që kishte akoma nevojë për mua…

Pestalozzi portret
Pestalozzi, portret
Fjalët e Tizianës më sollën në vehte, kur ajo solli ekspresin aq të qëlluar. Bie zilja e celularit. Por nuk u përgjigja. E vura zilen e tij në pozicionin me vibrues. Kështu nuk do të shqetësoja edhe profesorin. Disa mendojnë se çdo zgjedhje që ndërmarrim, e ndan botën në universe paralele. A egziston kjo në të vërtetë, apo ne jemi të ndryshëm, ose në të kundërtën, a jemi të destinuar të jemi ashtu siç jemi tani? Jam në një kryqëzim rrugësh. Duhet të vazhdoj të jetoj, nuk duhet të heq dorë. Ndiq fillin e jetës, më thotë ndërgjegja dhe shih deri ku të shpie ajo…Natalia ka ikur…

Fjalët e profesorit më sjellin në vehte. Hap sytë dhe zemra më rreh fort.

„Pra, Fredi, ke ardhur me kujtime dhe të reja inkurajuese nga Shqipëria. Jemi pra para një ringjallje shqiptare. Edhe unë kam kujtime të paharruara, por ato janë të para dhjetë viteve. Në telefon ishe tepër entuziast dhe më fole për ndryshimet e dukëshme në Tiranë, e në gjithë vendin, autostradën, universitetet e shumta, bankat, magazinat si këtu… Si është Ismail Kadaré? Dikur ka qënë edhe ai këtu“.

Ju përgjigja se është shumë mirë me shëndet dhe ka marrë çmimin Asturias. Se kisha folur një orë me të, atje në apartamentin e tij në „Sky Tower“ dhe kishim diskutuar ashtu lirshëm për letërsinë dhe ai më kishte dhënë dy libra të tij me autograf. Njëri prej tyre mbante titullin „Identiteti europian i shqiptarëve“. Më dha versionin e fundit të plotë, botimin e pestë.  Ndër të tjera në të, i thashë Jean-Philippit (pasi ai nuk don t’i them profesor, se Ismaili në atë „sprovë“ thekson se populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit europian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër 10 a 12 gjuhët bazë të kontinentit.

Tiziana që ishte pranë nesh më pyeti për Helenën. A ishte akoma e bukur, ashtu siç e mbante mend ajo para disa vitesh? I thashë për mirësjellje se ajo mbahej mirë dhe ishte akoma e bukur, ashtu siç e kishte njohur ajo. Mendova në ato çaste se isha ukur në bangën ku ishte ulur edhe shkrimtari ynë i madh dhe pse jo, ato ditë kishte shkruar faqe të tëra të një vepre të tij madhore…

Nausika dhe Milka
Nausika dhe Milka
Folëm për gjithçka. Për takimet e mija me Prof. Hamit Boriçin, shef i Katedrës së gazetarisë në Universitetin „Ufo“, Prof. Afrim Karagjozin dhe Bajronin e madh që ai e ka si idhull, për takimet me prof. Ksenofon Krisafin, me Analistin Shaban Murati, ekspert i Kosovës dhe ecurisë së saj, me juristin docent Piro Vito, me Gertin, Verin, Tashën, Sotiraq Hronin dhe Mihon, Vasilin, Armandon, Mitin, Prof. Ethem Likën, me profesoreshë Pandorën, Durimin dhe Janin, historianin Gjergj Biba dhe bashkëshorten e tij, me Dhimitrin 87 vjeç, me dy turistet kanadeze që e njihnin këngëtaren Celine Dyon, me Bujarin Kapexhiun dhe karrikaturat e tij tepër të bukura, Sali Metanin e „Légion d’honneur“, me miq gazetarë, artistë, ekonomistë, parlamentarë...Për takimin e rastësishëm tek hyrja e Rognerit me shtatlartin Sali Berisha që më falenderoi për votimin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe unë nga ana ime i urova suksese në ecurinë e reformave. Folëm shkurtimisht dhe për projektet tona për Talaseminë dhe operacionet me zemër të hapur me prof. Kalangos...Edhe për Natalian folëm përsëri me profesor Assalin Për atë vajzë shtatlartë, me një bukuri të rrallë, si ato shtojzavallat e përrallave…Shumë shpejt ju ktheva realitetit. M’u duk sikur dëgjova zërin e saj kumbues…

Profesori filloi të flasë për kujtimet e tij nga Shqipëria. Për Butrintin ku ishte mahnitur me mozaikët që mbroheshin, të mbuluar nga rëra. Për manastirin e Ardenicës, ku ikonat ishin ruajtur pas mënxyrës së 1967, pasi kishte qënë kazermë ushtarake dhe „të rinjtë“ shkatërimtarë nuk kishin mundur të futeshin aty. Kujtoi edhe udhëtimin me atë profesorin e diabetit dhe të mbipeshës. Kishin fjetur bashkë, në një krevat, në atë vilën që përdorej për vizitorët miq që vinin në Tiranë. Në dhomën tjetër kishte fjetur sekretarja e profesorit. S’kishte alternativë tjetër… Më foli edhe për shqetësimin e tij që diabeti, sipas thënieve të profesor I. Kalos ishte i dukshëm në Shqipëri. Folëm edhe për Talaseminë dhe dëshirën time që të krijonim një Qendër të Talasemisë në Fier, ku dhjetë përqind e popullsisë janë talasemikë. Folëm edhe për vetëaftësimin e pacientëve të sëmundjeve kronike që duhet të marrin vetë në dorë mjekimin e tyre. Më pyeti se a kisha ndonjë libër tjetër në dorë, pas promovimit të tre librave të mi, vitin e kaluar. I tregova edhe skicën letrare, botuar tek „Tirana Observer“ për udhëtimin tone tek vendi ku kishte jetuar Pestalozzi.

Pas pak, ai u largua në sallon dhe erdhi shpejt me librin e tij të ri : «   Nga vënia në skenë tek arsyetimi“. Vuri këtë shënim për mua, me autografin e tij: „Alfredit tim të shtrejtë, këtë libër me dedikimin tim, me gëzimin që mësova prej tij ringjalljen e bukur shqiptare. Me miqësi të plotë. Jean-Philippe“.

Libri në fjalë, siç më shpjegoi Profesor Assali, i drejtohej të gjithë kuriozëve, cilado qoftë disiplina e tyre, zanati apo pasionet e tyre. Më lexoi një pasazh të librit, që po ja u përkthej edhe juve lexues. Është i shkurtër, si postulatë, dhe besoj se nuk do të mërziteni që do lexoni këto radhë. Le të fillojmë: „ Në fakt, ne jetojmë në një botë, të drejtuar nga specialistët dhe ekspertët ( të banesave, të shëndetit, të ekonomisë, të politikës, të sigurisë, etj) Shumë herë harrohet se ata janë vetëm përfaqësues të një klase, të një profesioni dhe të interesave të tyre të veçanta. Pra ata punojnë duke u nisur nga postulatat që, në vend që të jenë asnjëanëse, në të kundërtën vijnë nga një ideologji që nuk del hapur. Duke u nisur nga ky fakt, na u duk e nevojëshme të dëshmojmë për dialogun e frytshëm që mund të egzistojë midis disiplinave të ndryshme“. Libri, i botuar nga shtëpia botuese franceze me prestigj „Harmattan“ që ka botuar edhe vepra të autorëve shqiptarë me zë, siç më shpjegoi profesori është ndërtuar në fillim si një lloj bisede midis Jean-Philippe Assal, mjek dhe Marcos Malavia, regjizor teatri. Duke u nisur nga 12 pyetje, ata ndërthurin me fjalë, përvojat e tyre, ashtu siç e bëjnë në praktikë, qysh prej 20 vitesh. Pjesa e dytë, përbëhet nga meditimet e Muriel Roland, aktore, e diplomuar në shkollën me prestigj Marcel Marceau. Ajo, duke rimarrë çdo njërën nga bisedat e sipërpërmendura, arrin në digresione të lira, meditime, „shëtitje“ të lindura nga rileximi si një metaforë. Këto meditime janë si një ftesë që i bëhet lexuesit që të japë edhe ai refleksionet e tij, në „teatrin e tij mendor“, me shpresë se tek ai do të zgjohen meditime të reja në fushën e tij të veprimtarisë, apo mendimit të tij.

Shkëmbimet e mija të fundit për sot me profesor Jean-Philippin kishin të bënim me Fondacionin e tij „Recherche et Formation et Enseignement du Malade“ (Punë kërkimore, Formim dhe Edukim i të Sëmurit) dhe edukimit terapeutik të pacientëve kronikë. Folëm edhe për projektin tonë për Talaseminë dhe ecurinë e tij. Folëm edhe për 50 seminaret e organizuara prej profesorit dhe 5000 pjesëmarrësit nga 70 vende të botës në Zinal e gjetiu, ku unë kam patur fatin të marr pjesë, bashkë me mjekë me zë shqiptarë…

Orët kalojnë me bisedat elokuente të profesorit tim të nderuar, Jean-Philippe dhe bashkëshortes së tij, Tiziana dhe unë kaloj në mendjen time filmin e ngjarjeve: gjithçka u shfaq shumë shpejt…Natalia më shfaqet duke hedhur guriçkat aty tek lumi që kalon pranë vilës së profesorit. Ajo më duket si Xhokonda. Që afrohet pranë meje. Ajo është e mrekullueshme. Për të më dhënë puthjen e dikurshme. Për të bërë dashuri që fillon me kryqëzimin e duarve dhe përqafimin me afsh. Silueta e saj e zhdërvjellët dhe e hajthme rrëshqet tek mua, pa prekur bile fare tokën. Ajo flet me zërin e saj të ëmbël dhe të largët, që depërton në mendjen time, si një zbulim i brëndëshëm. Ajo më flet dhe buzët e saj pas pak nuk lëvizin më. Ato janë mbërthyer tek buzët e mija…

Por profesori më sjell në vehte dhe unë vij përsëri në kohën e tanishme, më 11 korrik 2009.

Largohem nga profesori im i dashur dhe Tiziana erudite, me dëshirën që të takohemi përsëri së shpejti për projektin tonë të përbashkët…Afrohem tek vetura ime dhe i jap gaz. Kaloj në rrugët e Gjenevës, ku banoj prej mëse 20 vitesh. Pranë „Jet d’Eau“ (Shatrivanit), orës të vendosur në tokë dhe të rrethuar me lule të bukura, pranë Fondacionit „RFEM“, pranë Spitaleve Universitare të Gjenevës ku kam punuar me vite të tëra, edhe natën vonë, pranë „shtëpisë“, Pallatit të Kombeve, ku kam dhënë ndihmesën time modeste për projekte për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit. Pranë…Por jo pranë Natalias, e cila tani ndodhet larg atje në Toronto të Kanadasë dhe uroj nga zemra të jetë e lumtur…A do ta shoh edhe njëherë me atë buzëqeshjen sublime? Apo do të përfundoj i shtrirë në kanape, para televizionit, duke kaluar nga një stacion në tjetrin. Ndoshta një ditë do shoh siluetën e saj. Para se zemra ime të pushojë së rrahuri dhe të shkoj në botën e përtejme. Atje ku vetëm Hëna do më ndriçojë.

Marr lapsin në këto çaste dhe shkruaj një letër pa ditur se kujt do t’ja adresoj. Ty që më linde dhe je në moshën 86 vjeçare. Të dua shumë, por ti nuk më kupton tani. Do të doja t’ja drejtoja tim eti, idhulli im, por që është tashmë atje lart prej vitesh dhe më del gjithmonë në ëndërr. Asaj që ka ndarë me mua shumë vite bashkëshortore. Dashuria ime e papritur dhe shumë e fortë që filloi në Konviktin e Pedagogjikes së Korçës ku e shihja gjithmonë në kopshtin e saj me libra në duar dhe me buklet e bukura. Ajo ish-kolegia e saj atje në Nju Jork e mban mend dhe më shkruan shpesh për të. Por unë nuk kam guxim t’ja lexoj ato të gjitha. Pasi ajo nuk don që unë të shkruaj më. “ Pemë pa bukë”, më thotë. Edhe unë i dështuar si ai Mitrua…Kjo jetë është si një ferr, por do të desha në këto çaste që fantazma ime të dënonte të gjithë ata “qoftëlargë” ,qofshin të thjeshtë apo parlamentarë, të nxisë dashurinë, si unë me Natalian, mirësinë, paqen e përjetëshme, lumturinë, gëzimet, solidaritetin. Kur kam ardhur në këtë jetë, nuk kam nënshkruar ndonjë kontratë. Edhe kur të largohem, edhe nëse pas pak kohësh, nuk mendoj të nënshkruaj një tjetër. Kjo jetë nuk varet vetëm nga gjykimi im, edhe pse modest, nga dëshira ime, por edhe nga gjykimi dhe dëshira e miqve të mi të mirë, Gëzimit, Vaçes, Pjetrit, Irmës, Ilirit, Ksenofonit, Shabanit, Hamitit, Thanit, Gjergjit, Ladit, Mondit, Bujarit, Piros, Fatmirit, Vangjushit, Kostës, Kozetës, Qemalit, Almës, Suzanës, Dolorit, Rozës, Verit, Tashës, Luanit…dhe Natalias.

Sheshi Pestalozzi në Zvicër
Sheshi Pestalozzi në Zvicër
Ismail Kadare dhe Alfredi
Ismail Kadare dhe Alfredi
Hyrja tek Sky Tower ku banon I. Kadare
Hyrja tek Sky Tower ku banon I. Kadare
Fredi ,Eni ,Armando, Roza, Piro
Fredi ,Eni ,Armando, Roza, Piro



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora