E merkure, 30.09.2020, 11:53 PM (GMT+1)

Komente

Blendi Fevziu: Politika, më e emancipuara

E marte, 07.07.2009, 07:29 PM


Politika, më e emancipuara

Nga Blendi Fevziu

Kush tradhtoi? Kush i dha dorën armikut? Kush mashtroi elektoratin? Kush na la në baltë? Kush i zgjati jetën tjetrit? Kush do të fitojë pushtet? Apo, kush do të bëhet milioner? Ndryshe nga sa pritej dhe mendohej, skena politike postzgjedhore, po vijon të dominohet nga pyetje të tilla, herë absurde e herë naive, herë me mllef e herë me dashuri, që po dëshmojnë se emancipimi i pritshëm i opinionit publik, nuk ka shkuar dhe vështirë të shkojë në atë nivel, që për fatin tonë të mirë, tashmë ka shkuar politika. Gjithçka që po ndodh, po dëshmon se situata postzgjedhore, po shihet më së shumti sipas projeksionit të dëshirave dhe pasioneve se sa analizës realiste të shifrave dhe veprimeve.
Askush nuk po thotë, që për herë të parë në historinë 19-vjeçare të pluralizmit, kemi zgjedhje që brenda 6 ditësh kanë dhënë zgjidhje dhe që vendi, një javë pas tyre dhe gjithë trazimit që prodhojnë ato po i kthehet punës.
Askush nuk thotë se për herë të parë shqiptarët nuk mandatuan vetëm një forcë politike, nuk votuan me 2/3 siç bënin vetëm 8 vjet më parë, por imponuan koalicionin si forma më e mirë për të qeverisur vendin në mënyrë të kontrolluar.
Ka një mënyrë të thjeshtëzuar për ta bërë llogarinë e rezultateve dhe shpresoj që analiza ime të jetë aq elementare sa për ta kuptuar kushdo. Po e bëj analizën në rrafshin e shifrave dhe atë moral për t’ju përgjigjur të dyja pikëpyetjeve.
Në zgjedhjet e 28 Qershorit u paraqitën katër koalicione zgjedhore, secili prej të cilëve synonte pushtetin. PS-ja me koalicionin e saj, PD-ja me koalicionin e saj, LSI-ja me koalicionin e saj dhe PDK/LZHK me koalicionin e tyre. Synimi i të katër koalicioneve dhe i liderëve të tyre ishte sjellja e votuesve të tyre në pushtet, për të zbatuar programin përkatës që ata e kishin në fushatën zgjedhore.
Për fatin e mirë të të dyja forcave të majta, elektoratet e tyre qenë këtë herë të ndara mirë. PS-ja u kujdes që t’i sqaronte gjithë votuesve të saj se çdo votë për LSI-në nuk ishte votë për PS-në, por votë për Berishën; e bëri këtë madje me një spot televiziv sipas po atij modeli të vitit 2005; PS-ja e nxori jashtë LSI-në me një stil ekstrem, duke përdorur për këtë përjashtim votat e Sali Berishës në ndryshimet kushtetuese të 21 prillit dhe e la atë në një grevë urie të gjatë thuajse 2-javore. Tentativat për bashkim vdiqën dhe në llogaritë e saj të pushtetit, LSI nuk figuronte.
Në këtë rast, nuk ka dyshim që LSI pësoi rrudhje. Elektorati i saj prej afro 11% u reduktua në thuajse 6%. 5% ose iu bashkuan PS-së, ose u humbën në numërim si pasojë e mungesës së komisionerit. Fati e solli që me 6% e saj LSI të siguronte 4 mandate, që siç i quajti njëri prej tyre, Dritan Prifti, qëlluan të florinjtë.
Nisur nga logjika parazgjedhore, LSI i kish premtuar elektoratit të saj ta sillte në pushtet. Arithmetika e thjeshtë nuk ia lejonte këtë me aleatin më natyral, por edhe me kundërshtarin e saj më të fortë në këto zgjedhje, PS. 4 votat e LSI në parlament, plus 65 apo 66 të PS, nuk shkojnë përtej 70 të pamundur për të krijuar qeveri. LSI kishte një zgjidhje të detyruar, bashkimin me PD dhe e bëri këtë. Midis agonisë së krizës që argëton kafenetë dhe forumet informale politike në Tiranë dhe stabilitetit të vendit zgjodhi këtë të fundit; midis krijimit të një qeverie me vota të trafikuara në Parlament, pra një deformim të votës dhe krijimit të një koalicioni si në çdo vend normal, zgjodhi këtë të fundit. LSI i solli mbështetësit e saj në pushtet ashtu siç i kishte premtuar; PD i mbajti mbështetësit e saj në pushtet, siç kish premtuar. PS i la ata në opozitë dhe në këtë mënyrë nuk ka asnjë dyshim që është humbëse. Nuk dua të bëj analizën e PD dhe PS, sepse këtë do ta bëj në dy shkrime të tjera së shpejti. Dua të them vetëm se LSI kish votat e saj. Ajo nuk doli në zgjedhje në koalicion me PS dhe më pas t’i transferonte votat e saj në parlament tek PD, siç bëri PAA në 2005. LSI thjeshtë bëri veprimin e vetëm që mundej për të realizuar dy arritje të mëdha: kthimin e elektoratit të saj në maxhorancë dhe stabilitetin e vendit. Llogaritë e tjera nuk kanë asnjë vlerë dhe janë thjeshtë llogari politike. Meta zbuloi këtë javë se 4 mandatet e tij, që më 2013 mund të bëhen 6 apo 8, janë mandatet që mund të përcaktojnë maxhorancën dhe është tashmë i qetë. Ka siguruar pakicën bllokuese me votat e tij, pasi PS ia bëri të qartë gjithë mbështetësve të saj që të mos votojnë për të, por për fatin e tyre të keq, duke arshivuar një tjetër 4-vjeçar në opozitë.


(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora