E merkure, 15.07.2020, 04:31 AM (GMT+1)

Komente

“Onufri i Neokastrës”, shfaqje premierë në Teatrin Kombëtar të Gjakovës

E shtune, 11.08.2007, 03:24 PM


Teatër - Premierë

Halil Haxhosaj:

SHTRESIME TË RRJEDHËS ARTISTIKE NË SHFAQJE

Mehmet Kraja “Onufri i Neokastrës”, shfaqje premierë në Teatrin Kombëtar të Gjakovës në regji të Nimon Muçajt

Shtresimet artistike në shfaqje

Halil Haxhosaj
Pas një pauze, më në fund, Teatri Kombëtar i Gjakovës, shfaqi premierën e dramës së Mehmet Krajës “Onufri i Neokastrës” në regji të aktorit të këtij teatri, tash në rolin e regjisorit, Nimon Muçaj. Ky aktor, edhe më parë ka treguar talent, madje bukur të lartë prej regjisori, por më shumë me tatrot amatore të Kosovës, si me atë të Deçanit, Isniqit, Gjakovës, Prizrenit, etj. Madje shumica e shfaqjeve të inskenuara nga Nimon Muçaj janë dalluar për nivelin dhe domethënien artistike, ku ai me ansamblet e tyre ka marrë pjesë në shumë manifestime dhe festivale teatrore në nivel vendi dhe në nivel federativ në kohën e ish Jugosllavisë. Para mëse 20 vjetesh ky regjisor, pra Nimon Muçaj, mu me këtë shfaqje, pra me dramën “Onufri i Neokastrës” të Mehmet Krajës, me ansamblin e Teatrit “Emin Duraku” të Gjakovës, kishte marrë pjesë në Kulla të Vojvodinës dhe kishte korrë sukses të mirë. Pra, pas më se 20 vjetësh, regjisori Muçaj e vë në skenë prapë këtë dramë të M. Krajës, por tash me ansamblin e Teatrit Kombëtar të Gjakovës, pra me kolegët e vet aktorë, duke i shtuar edhe aktorë nga Shkupi dhe Tirana. Dhe kështu, ky projekt tashmë shtrihet në dimensione të tjera, vien në kohë tjetër, por në të njëjtën skenë, në të njëjtën sallë të të njëjtit pallat të kulturës, në Gjakovë.
Drama “Onufri i Neokastrës” e Mehmet Krajës tematikën e vet e merr disa shekuj më parë dhe ngjarja e saj zhvillohet, në kohën e mesjetës, diku në Shqipëri, që në atë kohë vetëm sa përmendej pa u shënuar me kufi dhe as me ndonjë emërtim tjetër administrativ dhe shtetror. Bile ajo shtrihet nëpër errësirat shfarosëse të kishës ortodokse greke e cila nuk kursente asgjë që nëpërmes fesë t’i çkombëtarizonte shqiptarët dhe intelektualët, madje edhe priftërinj. Kështu ndodh edhe me piktorin dhe priftin e njohur Onufrin, fati, krijimtaria dhe jeta e të cilit janë shtresimet artistike të konfliktit dramatik të dramës së Mehmet Krajës. Ngjarja e dramës së Krajës kalon nëpër dy shtresime rrëfimtare artistike që janë simbiozë e rrjedhës së njëjtësuar. Ato janë jeta e Onufrit si piktor, krijues dhe prift në njërën anë, kurse në anën tjetër është jeta, vështirësia, krajatat dhe intrigat e tjera që i shoqëronin veprat e tij artistike në atë kohë. Rreziku i asgjësimit të veprave të Onufrit dhe zhdukja e tij fizike nga jeta, kalojnë nëpër të njëjtin teh, i cili mprehet edhe nga forcat destruktive të shokëve të tij piktorë, por edhe nga shenjëstra e kishës greke, e cila nuk kursente asgjë për ta zhbirë atë edhe fizikisht.

Aktorët dhe regjia

Regjisori Nimon Muçaj përveç aktorëve të Teatrit Kombëtar të Gjakovës, në dramë angazhoi edhe aktorin tashmë të mirënjohur nga Shkupi, Bajrush Mjakun dhe aktorin e pedagogun e Akademisë së Arteve nga Tirana, Alfred Trebicka. Madje këtyre ua ngarkoi barrën kryesore për t’i interpretuar rolet: Onufrin Bajrush Mjaku dhe Spiridonisin Alfred Trebicka. Po ashtu nga Tirana angazhoi edhe koreografin Gjergj Prevazi, i cili është i njohur për publikun kosovar, sidomos për koreografitë e paharruara me Ansamblin artistik “Shota” nga Prishtina. Andaj, trekëndshit: Mjaku, Trebicka e Prevazi iu bashkangjitën edhe Hadi Shehu, aktori më i njohur i Teatrit të Gjakovës, Ramazan Berkani, Hysen Binaku, Sulejman Lokaj, aktor në pension, Behar Zenelaj, Arben Lleshi, Vlora Muçaj dhe vajza Rilinda Selimaj. Këta aktorë, koreografi Prevazi, shkrimtari Mehmet Kraja dhe regjisori Nimon Muçaj përbëjnë orkestrën e shfaqjes “Onufri i Neokastrës”. Dhe kjo orkestër, në këtë ansambel funksionoi mirë në premierën e shfaqjes në sallën univerzale të mbushur përplot në Pallatin e Kulturës të Gjakovës.
Koncepti i regjisorit Muçaj nuk u shmang nga rrëfimi dhe konflikti dramatik i tekstit të shkrimtarit M.Kraja. Madje në disa raste dhe momente në skenë ai u shndërrua në figura të cilat funksionalizoheshin me atmosferën e shfaqjes, siç ishte ndriçimi me qirinj i cili fillonte në sallë te ulëset e spektatorit dhe ngjitej deri në skenë ku aktronin aktorët. Madje ky ndriçim krijonte atmosferën e ritualeve fetare nëpër kisha.  Këtë koncept regjisori e vijëzon, e ndërton dhe mbështet në tri grupe të aktorëve që janë: Bajrush Mjaku-Onufri- Alfred Trebicka-Spiridonisi dhe Hadi Shehu-Peshkopi, në grupin e parë, Hysen Binaku, Janisi, Ramazan Berkani-Aleksi dhe Behar Zenelaj-Teodori, priftërinj dhe ndihmës të Onufrit e të Spiridonisit, në grupin e dytë, ndrësa në grupin e tretë: Sulejman Lokaj-Bariu, Vlorë Muçaj-Shën  Maria, Arben Lleshi-Farëhedhësi dhe Rilinda Selimaj-vajza, intepretonin ikonat, figurat e pikturave të Onufrit si dhe popullin dhe traditat e tij. Kjo ndarje e aktorëve i dha mundësi regjisorit Nimon Muçaj që ta zhvillojë konfliktin dramatike nëpër rafsh tragjik, duke e trajtuar dhe ngritur atë në figuracion shpesh edhe të dhembjes, madje të përjetimit dhe të ndijësimit tek spektatori i Gjakovës, plagën e masakrimit, maltretimit, vrasjes dhe ekzekutimit të tij, jo vetëm gjatë epokave historike, por edhe para gjashtë - shtatë vjetësh në shtëpitë, rrugët dhe sheshet e qytetit të tyre, Gjakovës. Bile, efektin e këtij elementi regjisori Nimon Muçaj e arriti suksesshëm me ngritje artistike, duke e filluar shfaqjen, madje edhe duke e përfunduar atë me skena të tilla, të cilat janë pasqyrim figurativ, e pse jo edhe real, i jetës historike të tragjedisë sonë kombëtare që nga e kaluara e deri sot. Janë këto skenat e masakrimit të popullit, përsekutimet, vrasjet, përdhunimet e maltretimet, në njërën anë, dhe asgjësimi, prishja dhe shkatërrimi i ikonave, figurave dhe pikturave të Onufrit nga priftërinjt e fanarit grekë të kohës, në anën tjetër. Shfaqja e arriti kulmin e vet mu në fundin e saj kur Onufri u sakrifikua për t’i rikrijuar punimet e veta. Regjisori Nimon Muçaj, në këtë skenë përdori konceptin filozofik e psikologjik të metempsikozës.
Kështu, përzgjedhja e aktorëve për interpretim të roleve, ndarja e tyre, mandej përdorimi në nivel i gjuhës skenike e sidomos i interpretimit dhe koreografisë, e bënin shfaqjen të rrjedhte si një mekanizëm i akorduar për mrekulli dhe pa kurrfarë pengesash, madje as teprimesh dhe tejkalimesh të tjera teknike e skenike, e pse jo edhe artistike e konceptuale të regjisë. Për këtë, Nimon Muçaj edhe kësaj here me aktorë profesionistë në një teatër po ashtu profesionist, ia arriti që ta dëshmojë talentin e tij edhe prej regjisori me një invencion dhe dije të pasur e kreativitet të figurshëm artistik të artit skenik.

Interpretimi, skenografia, muzika ...

Bajrush Mjaku e interpretoi rolin e Onufrit me invencion, kreacion dhe ndijesim prej një aktori me përvojë në skenat teatrale. Kështu ai ishte mishëruar me rolin sa që edhe pse ekzistonte rreziku i futjes në grackën e atmosferës së realitetit dhe rrëmbimit emocional, kësaj ia doli me lehtësi dhe me faqe të bardhë. Mbase përvoja e tij e madhe prej aktori me gjithë atë numër rolesh, ia lejonin këtë komoditet për ta shprehur talentin dhe individualitetin e tij interpretues. Kështu, me rolin e Onufrit ai e shtoi edhe një interpretim epokal në piedestalin e realizimeve të karaktereve të tij skenike. Onufri i Bajrush Mjakut thoshte, rrëfente, tregonte, krijonte, vendosej dhe zhvendosej në çdo kohë dhe hapësirë në skenën e Teatrit Kombëtar të Gjakovës. Madje, edhe levëzjet skenike, gjuha dhe intonacioni ishin mjete që e zmadhonin dhe e kultivonin edhe më shumë figurën e Onufrit të Neokastrës në skenë. Ndërkaq, Alfred Trebicka në rolin e Spiridonisti e skaliti mirë anën tjetër të figurës së shfaqjes, anën tjetër të medaljes së saj. Ai e kishte studiuar dhe njohur në thellësi karakterin e këtij personazhi, andaj nuk e pati të vështirë të aktrojë. Gjuha e pastër, e kulluar, pa teprime interpretimi dhe në nivel të konceptit regjisorial e bën këtë aktor të jetë një akord i mrekullueshëm në skenë me Bajrush Mjakun. Andaj tandemi Mjaku – Trebicka ishin violinat e para që tingëlloni mirë e për mrekulli të orkestrës së shfaqjes. Mbase ky do të jetë njëri ndër rolet më të dalluara deri më tash nga ky aktor, sepse ai tregoi edhe dijen dhe pasurinë e madhe jo vetëm prej aktori, por edhe prej pedagogu të teatrit.
Paraqitja e Hadi Shehut në skenë, pas më se gjashtë vjetesh, në rolin e Peshkopit u duartrokit gjatë nga spektatori në sallë. Kjo dhe largimi nga skena, madje edhe gjendja shëndetësore, mbase kanë ndikuar te ky aktor, i cili pati paraqitje të shkurtër, por e dha kontributin e vet, edhe pse, siç dukej e kishin kapluar emocionet. Kjo gjë ndodh me aktorët që e kanë kaluar një jetë në skenë. Rast të njëjtë pati edhe aktori në pension, Sulejman Lokaj në rolin e Bariut, i cili në moshën 77 vjeçare u pa se ende mund të intepretojë role dhe nuk e ka humbur rutinën skenike.
Role simpatike dhe me kreacione të mira dhanë edhe Hysen Binaku, Ramazan Berkani, Behar Zenelaj, Vlora Muçaj e Arben Lleshi. Ndërsa roli i Vajzës intepretuar nga Rilinda Selimaj, ishte simpatik dhe u kordinua mirë me ikonat dhe figurat e tjera në skenë.
Segment i posaçën në shfaqje ishte skenografia dhe kostumet e përgatitura nga Petrit Bakalli. Ky mjeshtër i skenës dita-ditës është duke e gjetur rrugën e vet prej skenografi origjinal dhe plot imagjinatë e invencion. Skenografia ishte në stil modern, pa teprime, glorifikime dhe mbingarkime të rënda. Atmosfera e kishës lejonte që të shijohet elementi artistikë në skenë. Paraqitja e pamjes së kishës, qirinjtë e ndezur, karroca që simbolizonte edhe shkallët për punë në freska nga piktorët, paraqitën figuracion artistik duke u kordinuar me kostume, me drita dhe me efekte të tjera teknike në skenë. Ndërkaq, muzika e marrë nga opusi krijues i Jan Kukuzelit e Haig Zaharianit nën përzgjedhjen dhe përkujdesjen e Gjergj Prevazit, janë kaptinë e veçantë e shfaqjes. Niveli i lartë i kësaj muzike ishte dakorduar me elemente skenike të shfajes dhe me konceptin regjisorial të saj, sa që ia shtoi edhe më tepër vlerën artistike asaj në natën e premierës.
Dhe në fund, edhe njëherë Teatri Kombëtar i Gjakovës, më këtë projekt ia arriti ta tubojë spektatorin e vet, sepse ndihej një krizë. Pra, kur kreariohen dhe realizohen projekte të këtilla teatrore asgjë nuk mungon, as lekët dhe as publiku.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora