E premte, 18.10.2019, 10:26 PM (GMT+1)

Personalitete

Homazh për këngëtarin e shquar lirik, në 85-vjetorin e lindjes

E shtune, 16.05.2009, 10:56 AM


Mentor Xhemali
Mentor Xhemali
Mentor Xhemali/As Vjena nuk ia bleu dot zërin brilant...

Shekulli, dhurata të tilla të çmuara një kombi ia bën shumë rrallë dhe është në nderin dhe qytetërimin e tij, që t'i çmojë këto dhurata e të krenohet para botës... është në nderin tonë të mburremi me zërin e ngrohtë e me amplitudë emocionale, hapsinor, sikur don të pushtojë gjerësinë e detit, e kumbues si jehona e maleve, të Mentor Xhemalit... Në një këngë Mentori thotë: "Morra rrugën për... .Unë do të thosha se morri rrugën drejt lavdisë".
ALEKSANDËR PEÇI, kompozitor

Nga Agron SEJAMINI

Nga dashuria, por ndoshta edhe më shumë nga rakia, Safet Xhemali e mbushi shtëpinë me shtatë fëmijë... Gjashtë djem dhe një vajzë, si për të lehtësuar Merjemen e urtë dhe punëtore. Mentori ishte më i madhi... Darkave edhe pse të varfër ajo shtëpi e vogël përmetare oshëtinte nga kënga. Ajo që e ndizte edhe më shumë harenë, ishte përsëri rakia... Në një mjedis të tillë familjar është rritur Mentori. Ndaj mezi priste muajt e verës kur niste stina e dasmave. Sikur mbante gëzimin e gjithë botës, i dukej kur të afërmit i jepnin të mbante veglat muzikore. Edhe pse ishte i vogël bëhej pjesë e isos, kur këndonin të rriturit. Por me zë të ulët, shumë të ulët se kishte frikë se u prishte avazin... Vërtet, prindërit e shkëputën nga shkolla që në klasën e tretë, por dashurinë për këngën nuk ia kursyen. Nuk është çudi që edhe zërin brilant, ta ketë trashëgimi nga babai. Ishte tellalli i qytetit Safeti, zanat që nuk ta jepte miku, por zëri i qartë dhe kumbues... Në shumë intervista, Mentori e ka shprehur këtë krenari. Pa i mbushur të pesëmbëdhjetat, fillon të punojë hamall në Sarandë. Dhe shikojeni vetë në fotografinë që po botojmë, se çfarë arkash të rënda mbante kurrizi i tij. Nga viti 1939 deri më 1942, kjo ngarkesë ka qenë e përditshme. Dhe përsëri nuk u privua nga dashuria për...këngën. Në atë port kishte himariotë, gjirokastritë, bregdetas... As që bëhej fjalë për hamejtë që të strehoheshin. Verës flinin në kodrën e Limjonit. Atje rrinin, hanin, ndonjëherë pinin edhe raki. Ama, për të kënduar, këndonin çdo natë! E bënin me radhë, sa e linte një grup ia merte tjetri... Diçka kuptoi te zëri i Mentorit, një shoku i tij më i madh në moshë. Ai e ndjente këngën edhe pse nuk kishte zë. Ndaj filloi ta mbante afër Mentorin se i nxirrte edhe dufet e veta me atë zë të bukur të djaloshit zeshkan nga Përmeti. Aty dëgjoi për herë të parë edhe këngën e famshme himariote "Vajza e valëve". Por po aty, filloi të ndjente edhe vetë, se këngën do ta kishte bashkëudhëtare besnike në jetë... Vitet e luftës i kaloi në luftë. Pjesë e formacioneve partizane ku më shumë i "vriste" kënga se sa pushka...Jo më kot, nuk u mëdysh i madhi Gaqo Avrazi, sapo e dëgjoi zërin e tij. Kështu nga hamall, puna e dytë dhe e fundit që filloi të bënte në jetë ishte këngëtar. Filloi pranë Ansamblit të Ushtrisë. Tashmë ajo pasuri nuk ishte e Mentorit, por e të gjithëve. Menjëherë u dërgua në Bashkimin Sovjetik për të vazhduar studimet e larta për kanto, në konservatorin "P.I. Çajkovski" të Moskës. Me t'u kthyer në vitin 1955 deri në vitin 1980, është pjesë e ndritur e trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit. Një yll mes yjeve... Lexoni konsideratat e ikonave të muzikës shqiptare Avni Mula, Çesk Zadeja, Mustafa Krantja dhe kuptohet lehtë, se kush është Mentor Xhemali.

Ai ka qenë dhe mbetet një nga përfaqësuesit më dinjitozë të këngëtarëve tanë në skenat botërore. Me zërin e tij mahniti fillimisht pedagogët e konservatorit "Çajkovski". - Ejani të dëgjoni një zë të rrallë, - u thoshte pedagogu i kantos studentëve të tjerë. Shumë shpejt fama e tij pushtoi faqet e shtypit të huaj. Me një zë të fuqishëm, të plotë dhe me ngjyrë kadife, ai u bë pjesë e këngëtarëve basë që i njihte bota. Më i miri i solist i Bullgarisë, e admironte Mentorin tonë, duke i lëmuar fytin me mollëzat e gishtave e pëshpëritur:- Më jep pak zë nga zëri yt...

Zëri i fuqishëm i studentit shqiptar, Mentor Xhemali, filloi të dëgjohej edhe jashtë konservatorit. Ishin të shumtë fansat moskovitë që dëshironin të dëgjonin vokalin e tij. Madje jo vetëm ta dëgjonin, por edhe ta shinin nga afër, ta preknin... Njëra prej tyre shkoi edhe më tej, duke rënë në dashuri... Mbase nuk do të kishte ngjyrat e incidentit ky rast nëse ajo nuk do të ishte vajza e një oficeri madhor dhe shumë i njohur për Bashkimin Sovjetik. Me marifetin dhe lezetin e tyre e thërrasin ustallarët në Ambasadën tonë në Moskë dhe i japin biletën e kthimit për në Shqipëri. I ndërprenë studimet, por nuk mund t'i prisnin zërin brilant...

Filloi punë në Teatrin e Operas dhe Baletit si një këngëtar me vokal të fuqishëm, melodioz dhe të ëmbël. Ishte solisti i parë si këngëtar klasik. E kush më mirë se Mentori mund të prezantonte nivelin e muzikës shqiptare në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Nga viti 1947 e në vazhdim, duartrokitet fuqishëm në Jugosllavi, Bashkimin Sovjetik, Gjermani, Rumani, Bullgari, Çeki, Austri, Hungari, Poloni, Turqi, Finlandë, Kinë, Kubë, Francë... Duke shkëlqyer mes yjeve të kantos që kishte Evropa, Mentori tërhoqi vëmendjen e qarqeve artistike të botës. Shumë e dëshironin ta kishin pjesë të trupave të tyre artistike. Por, Mentori kurrë nuk u josh. As nga Vjena e bukur dhe me tradita të mëdha muzikore që i ofroi vilë, veturë dhe para....Me humor kur nuk realizuan qëllimin e tyre, austriakët i thanë Mentorit, se nëse nuk rri vet, atëherë na shit gurmazin. Menjëherë ua dha përgjigjen:

- Këtë gurmaz ia kam falur vendit tim të vogël, por krenar, Shqipërisë!

I vajti në vesh kjo ligjëratë edhe Tiranës zyrtare. Me t'u kthyer nga Vjena, Mentorit i jepet titulli "Artist i Merituar". Më shumë i vlerësuan besnikërinë se sa talentin. Shumë shpejt, në vitin 1969, i akorduan edhe titullin "Artist i Popullit", por gjithë jetën këndoi për popullin dhe jetoi si gjithë të tjerët. Edhe shtëpinë ia "mobiloi" një këngëtar francez. Këmbënguli i huaji që të vizitonte shtëpinë e artistit me famë në Francë dhe Evropë. Më shumë se sa për hallin e Mentorit, Partia merakosej për reklamimin e epërsive të sistemit socialist. Brenda ditës, në shtëpinë e këngëtarit çohen mobiljet...

Pardje, ky këngëtar i shquar i muzikës klasike, asaj të lehtë dhe popullore shqiptare, nëse do të jetonte, do të festonte 85-vjetorin e lindjes. Ai ka vite që është larguar nga kjo jetë, por është e pafalshme që të harrohet kaq shpejt jeta dhe kontributi i tij i çmuar në kulturën kombëtare. Vetëm RTSH i bëri homazh jetës së tij...

- Prita me padurim leximin e shtypit, por nuk e dëgjova emrin e babait në asnjë titull, thotë i biri, Maksi.

Më tej, gjatë bashkëbisedimit mësojmë se familjet e dy djemtë e Mentorit janë të pastrehë prej 17 vjetësh. Banesës ku banojnë ata i ka dalë pronari dhe Bashkia duhet t'i strehojë diku tjetër. Por deri më tani, nuk kanë as banesën dhe as kujdesin e pushtetarëve lokalë. Ndaj nuk u duket ndonjë çudi i madhe që nuk dëgjuan emrin e Mentorit në titujt e shkrimeve apo kronikat e lajmeve. Dhe kur është harruar ai emër i paharruar nënkuptohet se sa të vlerësuar do të jenë ata. Të gjithë qytetarët duhen ndihmuar në zgjidhjen e një shqetësimi të tillë jetik... Por ndoshta kjo familje e nderuar e meritonte të rehatohej edhe më herët. Një arsye më shumë edhe për atë xhest të babait të tyre që nuk shiti as gurmazin për botën, as humbi kombësinë e fëmijëve të vet për një vilë, një veturë dhe shumë para...

***

Xhevahir i çmuar në oazin e muzikës shqiptare

E kisha shok dhe mik! Mik të zemrës dhe të rinisë! Kishim zgjedhur të njëjtën rrugë. Na bashkoi arti i bukur i interpretimit muzikor, na lidhi për të mos u ndarë kurrë për afro gjysmë shekulli. Hapat e para i hodhëm në Ansamblin e Ushtrisë, u formuam në Konservatorin "P. J. Cajkovskij" e, më pas u konsoliduam si artistë të skenës në Teatrin e Operës.

Ligji i natyrës! Ia këputi jetën, na rrëmbeu papritmas shokun tonë. Po, vetëm fizikisht. Ai ndodhet kurdoherë pranë nesh, ai nuk mund e s'ka se si të harrohet kurrë. Zoti dhe natyra i dha një privilegj të madh: një zë të magjishëm, të gjithpushtetshëm. Dhe Mentori ynë i mirë dhe i dashur e meriton pa asnjë ekuivok epitetin "I madh". Ai ishte një xhevahir i çmuar në oazin e muzikës shqiptare. Lum nëna përmetare që i fali atë zë dhe lum ai për trashëgiminë që na la pas. Mentorin nuk e kisha një shok të zakonshëm. Ai ishte shok i gëzimit dhe i halleve të përbashkëta, i humorit dhe, çuditërisht, si një koeçidencë e bukur i sportit "magjik" të gjuetisë së peshkut. Por jo, kurrsesi ato nuk ishin kryesore. Me Mentorin, me kolegun tim më bashkoi diçka më e madhe, më fisnike, na bashkoi jeta, skena, pasionet e mëdha, ëndrrat tona për muzikën, për artin skenik operistik. Na bashkoi kënga e popullit tonë. Të pashlyera do të mbeten në kujtesën tonë kënga partizane, kënga për atdheun, perlat impresionuese të qytetit të lindjes e sa e sa të tjera. Ai ishte dhe mbeti interpretuesi i shkëlqyer i artit koncertal dhe skenik të muzikës operistike. Si mund të harrohet interpretimi i Gjinit plak tek opera "Mrika", rolet në operat "Trovatore", "Aeko". "Berberi i Seviljes", "Evgeni Onjegin", "Skënderbeu", "Simon Bo-kanagra" dhe një galeri ariesh, monologji dhe romanca që kërkonin djersë, punë kolosale në vokal dhe interpretim të lartë. E kurdoherë ai ndriçoi. Me zërin e tij fitoi admirimin dhe duartrokitje në sa e sa festivale ndërkombëtare, ndër skena të mirënjohura nga Praga e Sofia, Bukureshti e Vjena, Moska e Helsinki, Berlini e Havana, nga Parisi, Amsterdami e duke mos lënë pëllëmbë të tokës së atdheut të tij pa kënduar.
Ai ishte njeri i thjeshtë dhe artist i madh. E kreu detyrën si atdhetar, patriot e demokrat në shpirt. Eshtë detyrë e historianëve dhe kritikëve të muzikës të thonë fjalën e tyre po me aq dinjitet sa e tha ai në fushën e muzikës vokale.
Zëri i tij do të dëgjohet gjithnjë frymëzues për brezat që vijnë.
AVNI MULA, Artist i Popullit

***

MENTOR XHEMALI, Artist i Popullit

U lind në Përmet më 12 maj të vitit 1924 dhe vdiq në Tiranë më 9 prill të vitit 1992.

Mentor Xhemali filloi të këndojë që në formacionet partizane gjatë kohës së luftës dhe më vonë kryen shërbimin ushtarak pranë Ansamblit Artistik të Ushtrisë nën drejtimin e G. Avrazi deri në vitin 1952. Në vitin 1953 kryen studimet e larta për kanto në Konservatorin "P. I. Tchaikovvsky" në Moskë. Pas ndërprerjes së studimeve, në vitin 1955 kthehet në Shqipëri dhe emërohet solist në TOB ku punon deri sa del në pension në vitin 1980.

Gjatë karrierës së tij, Mentor Xhemali ka realizuar dhjetra role të paharruara nga veprat operistike të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Nga ana tjetër, ai ka zhvilluar një aktivitet shumë të dendur koncertor edhe me vepra të gjinive të tjera vokale, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Kore, Vietnam, Mongoli, Kubë si me TOB, AKVP; me ansamblin e Përmetit në Turqi, Jugosllavi, Greqi, Francë, Gjermani. Angli, etj., në turne koncertore të organizuara nga institucione të ndryshme apo edhe personale, me të gjitha trupat më të rëndësishme të muzikës shqiptare, dhe me ansamble folklorike, dhe është vlerësuar maksimalisht nga mediat dhe spektatori. Nga fundi i karrierës së tij, Mentor Xhemali u shqua edhe në interpretimin e këngës popullore, sidomos këngës së Shqipërisë së Jugut.

Në arkivin e RTSH ka një numër shumë të madh inçizimesh të veprave të ndryshme shqiptare apo të huaja nga M. Xhemali.

Për aktivitetin e tij M. Xhemali është nderuar që në fillimet e karrierës së tij me çmime, medalje e tituj të ndryshëm, mes të cilëve përmendim çmimi i tretë, Konkursi në Varshavë 1955, çmimi i dytë Moskë 1957, çmimi i parë Vjenë 1959, çmimi i dytë në festivalin e Rinisë Botërore në Helsinki 1961, etj.; Medalja e Kujtimit, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Urdhëri i Punës i Klasit II, Çmimi i Republikës i Shkallës I, titulli Artist i Merituar dhe më vonë titulli Artist i Popullit, si dhe titulli Qytetar Nderi i Përmetit, 2001.

ROLE (PËRZGJEDHJE)

SHABANI, opereta Agimi, K. Kono, dir. K. Trako, ork. e TOB, 1955; GJINI, opera Mrika, R Jakova, dir. M. Krantja, ork. e TOB, 1959; GJON FLAMURA, opera Skënderbeu, P. Jakova, dir. M. Krantja, ork. e TOB, 1968; Partizan, opera Heroina, V. Nova, dir. R.Teqja, ork. e TOB, 1967; DON BASILIO, opera/i barbiere di Seviglia, G. Rossini, dir. R.Teqja, M. Krantja, ork. e TOB, 1979; II MARCHESE, opera La Traviata, G. Verdi, dir. M. Krantja, ork. e TOB, 1956; MIHA, opera Nusja e shitur, B. Smetana, dir. M. Krantja, ork. e TOB, 1956; ELSI HAKIA, opera Nusja e shitur, B. Smetana, dir. M. Krantja, ork. e TOB, 1957; BONZE, opera Madame Butterfly, G. Puçini, dir. R.Teqja, ork. e TOB, 1961; DOKTORI, opera Lulja e kujtimit, K. Kono, dir. R.Teqja, ork. e TOB, 1961; SPARAFUCILE, opera Rigoletto, G. Verdi, dir. M. Krantja, ork. e TOB, 1965; I JATI I ZAMFIRËS, opera. Aleko, S. Rahmaninoff, dir. M. Krantja, ork. e TOB, 1963; Gremin, opera Eugen Oniegin, R 1. Tchaikowsky, dir. R.Teqja, ork. e TOB, 1959.

***

"AVE" Mentor, të falem e faleminderit, të jemi mirënjohës!

Të falem dhe do të falem gjithmonë për ty, për frymëzimet dhe kënaqësitë që më jepte në skenë. Kur e merrte fjalën zëri yt i mëndafshtë, mbështetesha fort në pultin tim; në tingëllimin e atij zëri, orkestra dhe kori fitonin frymëmarrje të reja, harmoni të reja; dialogime të padëgjuara dhe këto, nën ndikimin absolut të dallgëve të tua zanore, të këndueshmërisë infinite aq të qartë. Kam parasysh këtu, i dashur Mentor, prologun e "Trovatores", modulimet vokale nga lirikja e hollë tek dramatikja e fuqishme. Kam parasysh sensin dhe logjikën tënde të mençur, në interpretimin e atyre recitativeve me kundërshti emocionale dhe karakteri, aq të theksuara: të prera, të përgatitura njëherësh, që ti i ndërtoje aq bukur saqë, pas tyre, aria, me shprehitë e rralla solistike që kishe, të bënte fitimtar. Këto veti aq të talentuara po në këto përmasa i ke shpalosur dhe në interpretimet e tjera. A të kujtohet kur pas këtyre shfaqjeve dhe koncerteve nganjëherë të pyesja: Mentor, këndove bukur mbrëmë, a mund të më thuash përse?". Më përgjigjeshe: "Lakja nuk di ta shpjegojë me libra, me fjalë, Lakja këndon vetëm me zemër". Ashtu, Mentor, zemra, ndjenjat, përjetimi i sinqertë dhe i çiltër në art janë për artistin e pajisur me një talent të fuqishëm, saqë zërit dhe profesionalizmit të fituar në shkolla i falin derdhje ekspresioni me forcë bindëse dhe vërtetësi emocion si ato të tuajat, që nuk do të harrohen kurrë.

Të falem, dhe do të falem gjithmonë për ty. Shumë gjëra na bashkojnë të dyve: skamja, varfëria, lufta për jetën, dijen dhe përparimin. Një lloj kemi kaluar një fëmijëri të rëndë. Ti endacak derë më derë për kafshatën e gojës e gjer hamall në Portin e Sarandës, unë po kështu në dyert dhe dyqanet e Kavajës, si shegert në magjet e brumit të bukës, në furrë. kur krahët dhe duart e njoma ma bënin të pamundur lëvizjen e lopatave brenda furrës së zjarrtë. U lidhëm dhe u miqësuam më shumë me njëri - tjetrin përmes këngës sime "Për Asim Zenelin", e cila, faktikisht është kënduar që në vitet 1941-'42, si pjesë e tablosë muzikore "Shqipëria në robëri", dhe teksti aktual i është vënë shumë vite më vonë. Transplatime të tilla arbitrare u bënë shkak që të shfytyrohen e të marrin karakter politik shumë vlera të qënësishme të krijimtarisë sonë muzikore. "AVE" Mentor, të falem e faleminderit, të jemi mirënjohës që të gjithë për kënaqësitë e mëdha estetike që na fale. Jo më pak nga të tjerët edhe në këngën e bukur përmetare që t'i e ngrite në një art të mirëfilltë, plot origjinalitet, që si fluturak i papërmbajtur i dhe dinjitetin dhe prosperitetin e merituar, ashtu si gjithë këngës shqiptare, ashtu sikurse edhe perlave muzikore shqiptare dhe të huaja, për të cilat të mbulonin gjithnjë e kudo me duartrokitje, lule, ovacione dhe çmime këtu dhe kudo në botë. "Ave" Mentor. Ke qenë dhe mbete bilbil mes bilblenjve të mëdhenj, Frashërllinj përmetarë, shqiptarë.
MUSTAFA KRANTJA, Artist i Popullit

***

Këngëtar i thjeshtë, me shpirt e zë fisnik

Mentori edhe në hapat e tij të parë kishte një fisnikëri shpirtërore, një intuitë të ndjeshme popullore, e cila ka ndikuar pozitivisht në formimin e tij si artist me një zë të kumbueshëm prej basi, të dritshëm dhe kurdoherë "folës", komunikues. E veçanta tek ky këngëtar është se ai qe kurdoherë shumë i ndjeshëm ndaj artit popullor, posaçërisht të atij të vendit të lindjes, gjë që i plotësoi ato "mangësi", nëqoftësë do të shpreheshim në mënyrë të sinqertë, që për vetë jetën e vështirë nuk pati mundësi t'i plotësonte. Mentori u rrit dhe u formua së bashku me vetë popullin, me këngët e tij popullore dhe të luftës, që i këndoi me atë patos qytetar dhe fisnikëri popullore. Ky talent i rrallë, që u fuqizua akoma më tepër me studimet jashtë, me përvojën koncertale të begatë, arriti të përjetësojë personazhe të rëndësishme të repertorit operistik botëror. Për të gjithë kolegët e tij mbeten të pashlyera në kujtesë interpretimet e shumë veprave operistike shqiptare dhe të huaja. Sigurisht, duke vlerësuar zërin e tij të dalë nga ndjenja thellësisht njerëzore, duke qenë bashkëudhëtarë për disa dekada me Mentorin, mund të theksoj se çdo koncert i tij mbetet një kujtim i paharruar. Nuk qe i rastit "rikthimi" tek kënga popullore, tek kënga që e ushqeu me nektarin e muzës së popullit. Aty ai gjeti mbështetjen më të sigurtë të emocioneve të tij. Ky kujtim mbeti për mua i paharruar ashtu si do të mbetet e pa shlyer kënga e këngëtarit të thjeshtë, por me shpirt e zë fisnik.
ÇESK ZADEJA, Artist i Popullit



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT