E premte, 26.04.2024, 02:09 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

“Birra Korça” vlerësohet me “Harkun Internacional të Evropës”

E shtune, 16.05.2009, 09:04 AM


Nga Ermira Shpëtimi

Të fitosh një “Oscar” në kinematografi ose një “Nobel” në mjekësi, letërsi, shkencë etj., është ëndrra e të gjithë atyre që kërkojnë të lënë gjurmë me punën apo misionin që kanë marrë përsipër. Ndërkohë edhe në biznes po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që suksesi të mos matet vetëm me të ardhura të mira që krijon, por edhe me vlerësime si një sipërmarrje që ka sjellë vlera, që ka përçuar ide, që ka dhënë mesazhe të qarta, se marrëdhëniet në treg nuk mund të thjeshtëzohen vetëm në shitje dhe blerje. Kjo ka qenë arsyeja që sot kompani të mëdha botërore kanë krijuar institucione vlerësimi për të gjithë ato biznese që me punën e tyre po shkruajnë një copëz të rëndësishme historie në librin e madh, ku tregohet se si ndërtohet një ekonomi tregu moderne me të gjithë aksesorët e duhur, pasi të vlerësohesh si më i miri mes më të mirëve, vlen shumë. Prandaj dhe një “Oscar” apo një “Nobel” për biznesin u pa si i domosdoshëm për të krijuar dhe kuptuar më mirë hierarkinë e vlerave.
Edhe pse shpesh themi se tranzicioni po mban peng çdo hallkë zhvillimi të shoqërisë tonë, përsëri me krenari pohojmë se mjaft sipërmarrje private po japin shembullin se disa standarde perëndimore tashmë janë një realitet edhe në Shqipëri. Ndërkohë vlerësimet e këtyre standardeve nuk kanë munguar, si në rastin e “Birra Korça”. Nuk është më një risi fakti që “Birra Korça” vlerësohet me çmime ndërkombëtare. Tani fama e këtij produkti cilësor i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Pak kohë më parë, në Frankfurt të Gjermanisë u zhvillua ceremonia e dorëzimit të çmimeve “Harku Internacional i Evropës”. Me qindra kompani prestigjioze nga mbarë globi, prisnin të vlerësoheshin nga BID, organizatore e këtij evenimenti. Ndër ta ishte edhe “Birra Korça”. Dhe lajmi i mirë erdhi, “Birra Korça” arriti të marrë çmimin “Harku Internacional i Evropës”, përkatësisht në kategorinë “Diamant” krahas shumë kompanive të tjera botërore me investime kolosale, teknologji, shërbim dhe cilësi të standardeve të larta. Personalitete të botës së biznesit, pjesëmarrës në këtë eveniment, patën mundësi të njihen me arritjet e “Birra Korça”, pasi të vlerësohesh me këtë çmim dëshmon për kualitete të veçanta. Presidenti i BID, Jose E. Prieto, i cili i dorëzoi personalisht këtë çmim përfaqësuesit të kompanisë, zotit Kasem Hysenbelli, theksoi se “Birra Korça” ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara për të merituar vlerësimin e tyre. Kompania është vlerësuar në angazhimin në lidership, në teknologji dhe novacion, ka çmime konkurruese, duke u bërë kështu model i kompanive që operojnë në të njëjtin sektor.
Për BID emri i “Birra Korça” është më se i njohur, pasi dy vite më parë ajo e vlerësoi me çmimin “Quality Golden Crown”, (Kurora e Artë e Cilësisë) në një ceremoni të mbajtur në Londër. Ky çmim jepej për të gjitha ato kompani të cilat prezantojnë një produkt cilësor në të gjitha parametrat e saj. Dhe “Birra Korça” është e tillë. BID, i cili vlerëson me çmime kompanitë simbol në cilësi, ka shtrirë aktivitetin e saj vlerësues në 178 vende të botës. Çmimi “Harku Internacional i Evropës” ka shkuar tek kompani me investime kolosale në 53 vende të botës, në Evropë, Amerikë, Afrikë dhe Azi, si shenjë e arritjeve të tyre në kulturën e cilësisë. Konventa e parë e BID është mbajtur në vitin 1975, duke krijuar një traditë të përvitshme në përzgjedhjen e atyre që e meritojnë çmimin e cilësisë.

***

Të punosh për cilësinë e lartë të një produkti, është shpërblimi më i madh që mund t’i bëhet konsumatorit, i cili beson në angazhimin serioz, që nga momenti që përzgjedh këtë produkt mes disa alternativave. As reklamat më të sofistikuara nuk arrijnë të kamuflojnë cilësinë e vërtetë nëse ajo nuk është me të vërtetë në nivelet e duhura. Prandaj dhe “Birra Korça” nuk ka kursyer asgjë për përsosjen e cilësisë së saj, si garancia më e madhe për të patur sukses në treg. Duke filluar që nga rikonstruksioni i fabrikës ekzistuese në Korçë, më pas me një teknologji të fjalës së fundit, por duke ruajtur edhe tiparet e birrës së dikurshme, ky produkt ka fituar sot besimin e konsumatorit dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve. Gjithashtu edhe mënyra e organizmit, politikat sociale, ruajtja e ambientit, cilësia e shërbimeve kanë qenë prioritete të kësaj sipërmarrjeje gjigante. Sot kur kompanitë shqiptare kërkojnë suksesin e tyre me mallra importi, “Birra Korça” ka treguar se edhe në Shqipëri mund të prodhohen produkte me parametra perëndimorë, falë punës dhe kërkesës në rritje për perfeksion në çdo drejtim. Nuk duhet harruar se një investim në Shqipëri si fabrika e “Birra Korça”, është ndër të tjera edhe një kontribut i madh edhe në politikat e punësimit.

Çmimet kanë ndjekur njëra-tjetrën

Tashmë “Birra Korça” mban shumë “kurora” mbi kokën e saj brune dhe bionde. Historia e çmimeve ka filluar shumë herët, me çmimin e cilësisë në Selanik, në vitin 1928. Edhe pse mban emrin e një qyteti, ajo ka qenë vazhdimisht birra e preferuar e çdokujt, nga veriu në jug. Sot mbas një investimi kolosal në infrastrukturë dhe teknologji, ky produkt vjen me ambicien për të qenë më e mira në treg. Dhe ia ka dalë. Sot ajo ka arritur të fitojë certifikatën ISO 22.000 për cilësinë dhe garancinë e konsumatorit, si e vetmja kompani birre në Shqipëri dhe Ballkan që ka arritur ta fitojë këtë certifikatë. Më pas ka ardhur çmimi “Kurora e Artë e Cilësisë” dhe vetëm një muaj më parë, çmimi “Harku Internacional i Evropës”, duke dëshmuar edhe një herë se një punë e madhe në drejtim të cilësisë, shpërblehet jo vetëm nga konsumatorët vendas dhe të huaj, por nuk mund të kalojë pa u vënë re edhe nga kompani të tilla si BID, të cilët përzgjedhin më të mirët e botës.

Kategoritë e çmimeve

Tre kategoritë e çmimeve që jepen në “Harkun Internacional të Evropës” janë: I treti “Harku i Argjendit”, i dyti “Harku i Artë” dhe i pari “Harku i Diamantit”, çmim të cilin në edicionin e sivjetshëm e mori “Birra Korça”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora