E premte, 26.04.2024, 05:46 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gripi i derrave, Shqipëria merr masat e para antivirus

E premte, 01.05.2009, 06:31 PM


BSH: Jemi në fazën e pestë. Evropa: Situata, jo e frikshme

Nga Gazeta Shqip

Gripi i derrit, shumë shpejt mund të prekë edhe Shqipërinë. Tashmë kjo është vetëm çështje kohe, pasi prezenca e tij ka trokitur edhe në vendet fqinje. Ka qenë vetë drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, Anshu Banerjee, që paralajmëroi dje, autoritetet shëndetësore të vendit tonë. "Duhet të rriten kushtet e higjienës nëpër ambiente publike dhe të përdoren maskat. Organizata Botërore e Shëndetësisë i kërkon sërish Shqipërisë që të marrë masa të forta, për të përballuar gripin e derrave, që sipas zyrtarëve më të lartë do të kthehet në një pandemi. Shqipëria është e rrezikuar përderisa virusi ka prekur vendet fqinje. Ministria shqiptare e Shëndetësisë po ndjek të gjitha rekomandimet e OBSH-së", theksoi dje Anshu Banerjee. Deklarata e tij u bë në një takim të posaçëm të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ku ishin thirrur edhe drejtuesit e spitaleve rajonale në vend, të cilët u njohën me planin e masave të përgatitura nga ky dikaster, në përputhje me rekomandimet e OBSH-së, për të përballuar një situatë hipotetike të prekjes nga virusi i ri A-H1N1.

Dje, OBSH deklaroi fazën 5 të nivelit të vlerësimit të pandemisë, e cila karakterizohet nga përhapja e virusit nga njeriu te njeriu. Faza 6 ose shpallja e pandemisë është vetëm një hap larg. Ekspertët theksojnë se deklarimi i fazës 5 është sinjali se pandemia është shumë pranë dhe koha për të përfunduar organizimin, komunikimin dhe zbatimin e masave të planifikuara të zbutjes së pasojave është e shkurtër.

Komisioni i ekspertëve që është ngritur pranë Ministrisë sonë të Shëndetësisë po merr të gjitha masat në pikat kufitare, si dhe në aeroportin "Nënë Tereza". Duke qenë përballë një emergjence të shëndetit publik, autoritetet e shëndetësisë në vend kanë kërkuar përgjegjshmëri të të gjitha strukturave mjekësore, për të përballuar rrezikun që mund të shfaqet në vendin tonë, nga gripi i derrit. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, në takimin me drejtorët e spitaleve rajonale, kërkoi seriozitet në punën e tyre, për t‘ju shërbyer pacientëve që mund të shfaqin simptoma të gripit. Sipas Ivanaj, trajtimi për këtë virus të ri gripi është ai me Tamiflu. Në gjendje, ministria disponon doza për mbi 100 raste pacientësh. Por Ivanaj ka shtuar se në rast të një epidemie, ata do të përdorin rezervat e kompanisë farmaceutike, që disponon doza për rreth një mijë persona. "Medikamenti është i disponueshëm dhe nuk do të shpërndahet në spitalet rajonale. Ai do të qëndrojë në farmacitë qendrore dhe në rast se do të duhet, do të shpërndahet në vatrën e dhënë", shpjegoi Ivanaj. Ai shtoi se nga të dhënat e OBSH-së, deri tani, me numrin e të prekurve, situata është njësoj me atë të gripit të zakonshëm, por alarmi është ngritur, pasi ky është një virus i ri. Bëhet e ditur se MSH është në kontakte të vazhdueshme me OBSH, me rrjetin e Rregullores Ndërkombëtare Sanitare, me institucionet e shëndetit publik evropian dhe rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit, ndërsa adaptimi i të dhënave është i përditshëm. Pranë MSH është ngritur dhe Komisioni i Ekspertëve të Pandemisë.

Analizat

ISHP: Po survejojmë 5 raste me grip


Në laboratorin epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik janë duke u kryer analizat e kampionëve të marrë nga pesë persona të sëmurë me grip. Kjo ka qenë pjesë e punës së stafit të ISHP-së lidhur me kryerjen e survejancës së gjendjes gripale në vendin tonë, nëse rezulton virusi i ri H1N1. Deklarohet se ende nuk janë identifikuar raste të dyshuara me virusin e gripit të derrave në vendin tonë. Ekspertja e ISHP-së, Silva Bino, është shprehur se aktualisht laboratori i ISHP-së nuk mund të konfirmojë rastet e dyshuara me gripin e derrave. "Sipas rekomandimeve të OBSH, çdo rast i dyshuar do të përcillet në laboratorin tonë të referencës në Rumani", theksoi Bino.

Në një takim me drejtuesit e spitaleve rajonale të vendit, specialistët e ISHP-së kërkuan rritjen e masave higjieno-sanitare. Por është evidentuar fakti se ka dhe spitale problematike që nuk i ofrojnë këto kushte. Nëndrejtori i QSUT-së ka garantuar se janë krijuar kushtet dhe hapësirat për të pritur dhe trajtuar pacientë që mund të preken nga virusi i gripit të derrit.

Porosia

Mjekët e poliklinikave, ata të familjes dhe të shkollave njihen me simptomat e virusit

Çdo rast gripi do të trajtohet si H1N1

Çdo pacient i sëmurë me grip që do t‘i drejtohet trupës mjekësore, qoftë në qendrat shëndetësore, te mjeku i familjes apo në urgjencat e spitaleve, do të trajtohet njëlloj sikur të ishte i infektuar me virusin e ri të gripit të derrit A-H1N1. Ky ka qenë mesazhi i shpërndarë dje nga Ministria e Shëndetësisë, ISHP dhe Autoriteti Shëndetësor rajonal kryeqytetas në një takim posaçërisht për marrjen e masave për gripin e derrit. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, tha në këtë takim se për "çdo rast i dyshuar dhe i konstatuar me shenja të gripit të derrit, apo dhe të gripit të zakonshëm, që do të konstatohet nga mjekët e shkollave, apo të familjes të shërbimit shkollor dhe parashkollor, do të funksionojë sistemi i referimit për 24 orë pranë ASHR-së, Drejtorisë së Shëndetit Publik, etj.". Gecaj garantoi se janë dhënë të gjitha udhëzimet e nevojshme, në rast të konstatimit të simptomave të virusit. "Gripi i derrave ka shenja të njëjta me gripet sezonale, ndaj dhe masat do të jenë të menjëhershme, qoftë izolimi i rasteve që do të konstatohen dhe do të jenë të prekura, deri tek ekzaminimet laboratorike, pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës", tha Gecaj. Specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, theksoi mesazhin e OBSH-së, se jemi në fazën 5 të pandemisë, ndaj dhe duhet të marrim masat e duhura. "Nuk ka raste të dyshuara në vend, por duhet të jemi të kujdesshëm pasi rastet janë konfirmuar dhe në vende të Bashkimit Evropian", theksoi ai. Me këtë rast, ai i bëri thirrje personelit shëndetësor të jetë i kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e higjienës personale, që janë thelbësore dhe të domosdoshme për parandalimin e infeksionit. Drejtori i Shëndetit Publik të Tiranës, Gjergji Ndoja, informoi drejtuesit e qendrave shëndetësore mbi simptomat e gripit të derrit, si dhe masat përkatëse, në rast të dyshimit të infektimit nga virusi.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, simptomat e gripit të derrit te njerëzit janë të ngjashme me ato të gripit sezonal të zakonshëm të njerëzve, si fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbja e fytit, kolla, por vihet re dhe diarre. Ndaj në rast të konstatimit të këtyre shenjave, të gjithë personat që kanë udhëtuar në zonat e prekura, duhet të drejtohen menjëherë te mjeku. A.Rr.

Ministria e Shëndetësisë

Fond 10 milionë lekë për epideminë

Ministria e Shëndetësisë ka vënë dje në dispozicion një fond emergjence, prej 10 milionë lekësh (të reja), për përballimin e situatës së gripit të derrit në rast nevoje. "Sigurisht ky fond do të rritet në varësi të ecurisë epidemiologjike", garantojnë përfaqësuesit zyrtarë të këtij institucioni. Po dje, në kuadrin e përgjithshëm të masave për përballimin e një prekjeje të mundshme nga virusi H1N1, Ministria e Shëndetësisë nxori urdhrin për shërbimin 24 orësh të shërbimit sanitar në të tëra pikat e kufirit. MSH përgatiti në bashkëpunim me OBSH-në dhe shpërndau dje edhe udhëzimin për spitalet rajonale, mbi masat që duhet të ndërmarrin për një situatë hipotetike të dhënë. "Është shpërndarë plan-veprimi, ku përfshihen veprimet që duhen ndërmarrë nga të gjithë punonjësit e Shëndetit Publik dhe spitaleve, në rast të dyshimit për ndonjë person të prekur nga virusi, deri në momentin e deklarimit të tij si i sëmurë. Në koordinimin e të gjitha veprimeve qëndron Ministria e Shëndetësisë, që do të ndërhyjë në momentin e dhënë, sipas situatës", thuhet në qëndrimin zyrtar të MSH-së. Drejtuesit e këtij institucioni garantojnë se "dhomat e izolimit tashmë ekzistojnë në spitalet rajonale, si dhe stafi mjekësor është i përgatitur për simptomat e virusit të gripit të derrit. Në të gjitha spitalet tona ka maska dhe doreza të nevojshme për këtë qëllim, që përdoren rutinë, pasi nuk ka nevojë për speciale".


"Fiks Fare"

Gazetarët e emisionit kanë shkuar në tri qendra shëndetësore për "kontroll"


Poliklinikat në Tiranë,

neglizhente ndaj virusit të ri


Asnjë poliklinikë në Tiranë nuk është e përgatitur për gripin e derrave. Ndonëse Ministria e Shëndetësisë na siguron se janë marrë të gjitha masat për të përballuar çdo situatë, në poliklinikat e kryeqytetit nuk shqetësohet asnjë mjek nëse në derë u vjen një pacient që ka shenjat e këtij gripi, edhe pse është shpërndarë një qarkore ku shpjegohen simptomat e këtij gripi dhe masat që duhen marrë në rastet e konstatimit të ndonjë pacienti të prekur nga ky virus. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, deklaroi dje për "Fiks Fare" se "jemi në një gjendje alarmi të sistemit të shëndetit publik". Sipas tij, në rastin e një të sëmuri të dyshuar për këtë patologji, ai izolohet, merren analizat, fillohet trajtimi me tamiflu deri në deklarimin pozitiv ose negativ nga laboratori. Shenjat tipike të këtij gripi, sipas njoftimit që shpërndau dy ditë më parë ISHP janë: temperaturë rreth 38 gradë, bllokim frymëmarrjeje, këputje. Me këto shenja gazetarët e "Fiks Fare" vajtën të vizitoheshin në disa klinika të Tiranës, duke u shtuar edhe një detaj më shumë, që vinin nga jashtë shtetit. Konstatuam se ato nuk përbënin asnjë shqetësim nga ana e shërbimit shëndetësor. Në një kohë që bota e ka ngritur alarmin në shkallën më të lartë, në Shqipëri të përcjellin me një "je ftohur". Shkuam në tri poliklinika shtetërore në Tiranë me të njëjtat simptoma. Çfarë na tha një mjek, nuk na e tha tjetri. Për të njëjtin gazetar, që u jepte mjekëve të njëjtat shqetësime, diagnozat ishin të ndryshme. Herë bronkit e herë laringit. Në asnjë rast, as nuk dyshuan e as u shqetësuan se mund të kishin të bënin me ndonjë të prekur nga virusi i gripit të derrit. Kur gazetarët i pyesin mjekët nëse mund të bënin analiza të mëtejshme për gripin e derrit, mjekët u përgjigjën se nuk është e nevojshme.


Ballkan

Alarm në Serbi, dyshohet për rastin e parë


Gripi i derrave po i afrohet Ballkanit. Në Serbi është dhënë alarmi për rastin e parë të dyshimtë të prekjes nga sëmundja.

Lajmin e bëri të ditur në televizionin kombëtar RTS, ministri i Shëndetësisë, Tomica Milosavljevic. Mjekët po i bëjnë analizat një gruaje që kishte ardhur nga Teksasi në qytetin e Novi Sadit, në veri të vendit. Sipas ministrit, përfundimet e analizave do të jepen brenda ditës. Ndërkaq, është shtuar numri i vendeve evropiane, që kanë raportuar për raste të shfaqjes së sëmundjes.

Dyshimet e rastit të parë të së infektuarës me gripin e derrit kanë shkaktuar gjendje alarmante edhe në vendet fqinje. Kryefjala e OBSH-së dje në Shqipëri ka qenë rreziku i afërt i prekjes nga virusi H1N1. Ndërsa drejtoresha e OBSH-së, Margaret Chan, i ka kërkuar të gjitha vendeve të botës që të aktivizojnë planet e tyre në prag të pandemisë. Kjo organizatë vlerëson se pandemia e gripit të derrave është e pashmangshme. Në Shtetet e Bashkuara situata nuk është ende e rëndë, por po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Veç vdekjes së një fëmije 2-vjeçar, tashmë janë konfirmuar 92 raste të tjera në 10 shtete.

 

Parashikimi

Dhjetëra mijë të vdekur në KE


Ka shkuar në 148 numri i rasteve njerëzore të gripit të derrave të përhapura në nëntë vende, që i janë raportuar zyrtarisht OBSH-së, pas analizave laboratorike. Sipas OBSH-së, numërohen tetë të vdekur, nga të cilët shtatë në Meksikë dhe një në SHBA. Sipas drejtorit të përgjithshëm të politikave shëndetësore të KE-së, Robert Madelin, do të duhen të paktën tre muaj që të përgatitet një vaksinë dhe do të jetë e pashmangshme që "edhe në Evropë të ketë dhjetëra mijë të vdekur". Në Evropë numërohen 10 raste, në Britaninë e Madhe 5, po aq edhe në Gjermani, ndërsa në Austri dhe Zvicër janë konfirmuar 2 raste. Zelanda e Re ka konfirmuar infektimin e 14 personave, të cilët kishin mbërritur nga Meksika.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora