E marte, 26.10.2021, 12:41 AM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Nanizmi dhe injoranca e kthyer në profesion, shenja dalluese e zero-mercenarëve të penës

E diele, 26.04.2009, 06:15 PM


Nanizmi dhe injoranca e kthyer në profesion, shenja dalluese e zero-mercenarëve të penës

Nga Kostaq Xoxa

I kthyer në origjinë, por diametralisht i kundërt me llafet publicistike që lëshonte më përpara, “analizat” e Meros u ngjajnë recitimeve boshe, retorikës banale dhe shprehjeve propagandistike të zhveshura nga argumentet. Nuk mund të vepronte ndryshe edhe në shkrimin e 25 prillit në gazetën e tij “Tema”, që u shndërrua bashkë me Meron në një organ propagandistik të agjitpropit zëpist të nihilizmit të shpëlarë.
Është e kuptueshme se njeriu mund të ndryshojë opinion, madje edhe në përmasat e kalimit nga e majta në të djathtë apo anasjellas. Por kjo pirueta e Meros tregon të paktën mungesë personaliteti. Në shkrimin e tij të 25 prillit, me titullin “Përse u shkërmoqën në debat çifti Basha-Bumçi”, me titullin e falsifikimit të së vërtetës, gjejmë edhe këtë frazë: “Të dyve (Bashës dhe Bumçit) u mungon personaliteti”. Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari! Sepse, ish-kandidatit për deputet të PD-së, Mero Bazes, ia hëngri arrat Bizhga i PS-së, duke i marrë edhe komisionerët e vet nga Durrësi në Shkozet, - gjë e jashtëligjshme sipas Meros, - nëse i mbaj mend saktësisht këto mëtime të kandidatit të PD-së, që dështoi. Por, meqë duhej edhe një provë tjetër që të bëhej antipëdëist fanatik, u desh që të vinte edhe në jug e të rrihej në një fushatë tjetër zgjedhore nga socialistë që kishin marrë krahë nga kallashdhuna e ’97-s, që tani të bëhet propagandist i PS-së!
Pra, kemi të bëjmë me një person të depersonalizuar; për më tepër, edhe mazokist: të kesh hequr e të bëhesh puthador! Atëherë, si shpjegohet që tani na u mungoka personaliteti Bashës dhe Bumçit? A mund të thuhet se ata janë renegatë politikë? Kurse një renegat safí, siç është Meroja, nuk e ka të drejtën morale të flasë për karakterin e të tjerëve. Mero ka marrë edhe huqet e majtistëve, duke përsëritur jo fakte, jo shifra, por përbaltje frazeologjike të rëndomta, në dobi të propagandës zgjedhore, në dobi të së majtës. Citojmë: “Aldo Bumçi ka kohë që ka hequr dorë nga personaliteti i vet”! (Harroi se e kishte thënë njëherë këtë muhabetin e personalitetit, për të dy!).  
Tani nuk na duket çudi sesi e bardha bëhet e zezë, në shkrime si ai i 25 prillit.
Si duket njeri me personalitet na qenka Mero, me fobinë e tij kundër Berishës. Por dikur shkruante me superlativa për udhëheqësin e PD-së.
Tani flet për “debatin  e çiftit Basha-Berisha”, duke i quajtur ata me mbiemrin “zhurmues”. Mashtron edhe këtu. Duket sikur nuk e ka parë fare debatin, por ia kanë thënë njerëz me personalitet si i tiji, sepse përdor edhe foljen “u shkërmoqën”, kuptohet se nga socialistët Blushi dhe Klosi.
Ende nuk ka arritur ta kuptojë Baze se cilët janë zhurmuesit? Dhe jo vetëm në këtë debat? A thua se nuk e dëgjoi mirë Blendi Fevziun që i tha Bumçit se i jepej fjala për tre minuta, jo për dy se ai kishte folur më pak? Këtë askush nuk e kundërshtoi drejtuesin e programit. Por ja që Mero Baze nuk na qenka dakord! Është si ai tifozi fanatik që sheh penallti kot më kot, sepse kështu ia dikton halucinacioni, jo objektiviteti! Dhe kronometrimi u vu në zbatim nga llafazanëria e Ben Blushit dhe ngaqë B. Klosi ra në cajtnot, me ato “edhe dy fjali”, “edhe dy fjali” të tijat! (Fjali në të cilat përsëriteshin hartimet dhe “recitimet” e tij emocionale, krejtësisht të varfra, tërësisht të pamundura për t’u bërë ballë argumenteve). Fjala “recitim” është në çorbën shkrimore të Meros, por - natyrisht - e lëshuar në drejtim të Lulzim Bashës dhe të Aldo Bumçit, të cilët s’kishin nevojë për retorikë mërzitëse, se përdornin fakte të mbështetura në shifra. Madje edhe në shifra krahasuese me ato të tetëvjeçarit të shëmtuar pushtetar socialist, për të cilin morën, mandej, dënimin zgjedhor të merituar. Pra, Mero nuk kishte dëshirë të kuptonte se kush u dërrmua në të vërtetë, nëse nuk është katandisur “të mos dallojë prozën nga poezia”, siç thoshte Molieri për “borgjezin bujar”! 

Nga kapërcimi i Rubikonit, te zvetënimi

Kjo i ka bërë të vrasin mendjen mjaft njerëz sesi disa publicistë kalojnë nga njëra anë e vijës së demarkacionit politik, te tjetra. Këtë enigmë e qartësoi, padashur, Mustafa Nano kur, në një debat si ai për të cilin po flasim, Edi Paloka ia përplasi Muçit, kur ky i fundit  e kishte zbrazur gojën pak si shumë, sipas zakonit. Deputeti Paloka i kujtoi shtëpinë që kishte marrë nga Edvini. Mustafai brofi e tha se kjo nuk ishte e vërtetë.
-Sigurisht se, në të vërtetë, ta ka dhënë Fidel Ylli, që ndërmjetësoi pranë E.Ramës, -precizoi deputeti i PD-së. M. Nanos iu pre fytyra dhe atij i ra boll kapadaillëku dhe kaloi në një dërrasë më të kalbur akoma:
-Ta dish se unë marr një rrogë sa tri rroga të tua!
Ra nga shiu në breshër. Mbase u bë pishman që të hidhej në një temë tjetër, krejt artificialisht, por ishte tepër vonë, tashmë. Tri rroga deputeti, i thonë rreth 4 milion lekë (vj.) / muaj. A ka provë më të mirë shpjegimi për të provuar sesi mund të bëhesh mercenar i penës dhe ta hash turpin me bukë, për të kaluar nga djathtas, majtas?! Ja edhe shpjegimi i Meros, përse e drodhi belin vetëtimthi, me shkathtësi më të madhe se Galina Ulanova! Një i djathtë me personalitet pranon më mirë 400 l. (vj.) / muaj, sesa dhjetë herë më shumë, për të bërë pirueta të tilla politike! Pas kësaj vithpërdredhjeje e ka të lehtë i pari ta quajë prijësin e PD-së komunist dhe, i dyti, të shkruajë më 25 prill, në “Tema”: “Ata janë të detyruar të flasin në një gjuhë me Berishën!”, (fillimi i shtyllës së parë, në f.10 të fletushkës së tij të shitur e të vetëblerë, edhe pse do parë rasti, nëse kemi të bëjmë edhe me pastrim parash. Të shpresojmë se Ina Rama do marrë guximin të hetojë “kryesisht”). Ja çfarë quan personalitet, Mero Baze! Për të kuptuar më mirë se ç’është ky lloj “personaliteti” (apo kjo trajtë e mungesës së karakterit), le të shohim se çka shkruar Mustafa Nano, më përpara turivarjes së tij, pas kishte qenë në ambasadë, në Kroaci: “Opozita sheh në pushtetin e PD-së vetëm zi. Politika e saj është e sëmurë nga ipokondria” (shkruhet me h fillestare: hipokondria)...dhe e gjen veten në faqet e gazetës (X) dhe H. Lleshi, E. Rama, R. Alia, F. Çupi, K. Blushi (...) ku Rama e (Y) do të votojnë për PS-në (...), nën erën e djersës e të gëlbazave të pleqve të PS-së, të cilët nuk do të kenë fat të ngrenë dolli për fitoren e tyre”. Por sot po rrinë pa gjumë për të ngritur dolli bash për fitoren e socialistëve! Për Meron mund të citohen hipokrizira edhe më cipëplasura. Dhe kulmi i këtij zvetënimi është kur kërkojnë të përbaltin të tjerët me fjalën personalitet!
Që kur u bë “me personalitet”, u zvetënua edhe të shkruarit e tij, për të cilin po jap një shembull:
Kur lindi problemi i ndryshimit të emrit të Universitetit të Vlorës, Mero na doli me një artikull ... sensacional! E lexuam me kërshërinë se në cilën anë do të pozicionohesh: që t’i ndryshohej emri i I. Qemalit, apo jo? Në të vërtetë Mero kishte dalë nga orbita dhe kushedi se në ç’galaktikë do të përfundonte! I gjithë artikulli nisi dhe mbaroi nëse Plaku i madh i Vlorës duhej quajtur Ismail Qemali, apo Ismail bej Qemali! I shkëputuri nga tema (ndonëse është ende editor i fletushkës “TemA”!) ngulmonte se emri i tij duhej të kishte doemos atë “bej” në mes! A mos duhet të shkruajmë edhe Faik bej Konica, kur ky vetë hoqi dorë së nënshkruari në këtë mënyrë? Në librin “Memorie”, Traduzione di Nermin V. Falaschi,  si emër autori është shënuar Ismail Kemal Vlora. Në f. 278 të këtij libri kemi një dokument olograf të nënshkruar: Ismail Kemal. E, pra, kësaj i thonë “i zoti e jep, tellalli s’e shet!”.
Kuptohet se si i pari, ashtu edhe i dyti, kërkojnë të shkruajnë artikuj të bujshëm (si bretkosa e La Fontenit, që deshi të trashej sa një ka!), që të përligjin të ardhurat e tyre përrallore (të pohuara me gojën e Muçit), për gjëra që të bëjnë të qeshësh. Një e qeshur e hidhur, sipas pohimit të Mustafë Nanos, që na mburret se e marrin në telefon dhe e lavdërojnë (komunistët, sigurisht!). Edhe Baze merr përshëndetjet e Ramës. Paçka se ky i fundit tregoi zemërmadhësi ndaj Meros, i cili ishte prioritar në ato deklamimet e bujshme të aktores ish-bashkëshorte dhe të vjehrrit të saj, anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Tani Merua po i kthen reston, duke e bërë të bardhën të zezë!
E kjo e bardhë që bëhet e zezë qëndron në atë se Lulzim Basha dhe Aldo Bumçi i bënë që të turfullonin si Blushin, ashtu edhe Klosin. Kur fliste L. Basha ata të dy bënin grimasa, zvogëlonin sytë dhe shihnin njëri – tjetrin, me një pamje  tërë pezëm dhe të shpërfytyruar. L. Basha dhe A. Bumçi i argumentuan me të dhëna, krahasime shifrash, analiza të dokumentuara përparimet e vendit tonë; ata të dy përballë tij, të hardallosur nga zemërimi, i drejtoheshin platesë me zemërim të papërmbajtur dhe ulërinin që të pranishmit të mos duartrokitnin! Madje njëherë iu drejtuan edhe L. Bashës, që të mos shihte nga salla, por nga folësit që bënin recitime. (Fjalën “recitime” Baze e përmend për kundërshtarët e Blushit, Klosit dhe atij vetë. Pra, për ata që bënin retorikë me fjalë të dëgjuara nga Tahiri dhe nga Shalësi !
Sa për atë fjalën “qau...” kjo është për të qeshur, për të gjithë ata që i panë të dy hartimexhinjtë të bërë shoshë nga artileria asgjësuese e L. Bashës dhe e Aldo Bumçit. Të dy majtistët gëlltiteshin dhe të dyve u shkonte goja shtrembër, që të mos përgjigjeshin, sipas normave të temave tabù, që në kohën e Enverit. E kemi fjalën kur përmendeshin abuzimet faktike të Edvin Ramës për licencat e dhëna Alban Eftimit, i cili kishte të drejtën edhe të votimit të dhënies së këtyre licencave!
Në qoftë se nuk është e lejueshme para dy-tre muajve nga zgjedhjet që shkelja flagrante e dhënies së licencave në kundërshtim me ligjet që nuk lejojnë vendime kur vihet re konflikti i interesit (dhe në rastin Rama-Eftimi kjo kundërvajtje është me brirë), atëherë përse Rama bie në këtë kundërvajtje bash në kohë zgjedhjesh dhe nuk i dha licencat më parë? A mos do të thotë kjo se ai mund të bëjë ç’t’i dojë qejfi, vetëm se jemi para zgjedhjeve?
Në këtë çështjen e licencave korruptive, që të dy, si  Blushi, ashtu edhe Klosi, u ndien si peshku kur përpëlitet në rrjetë, për daljen nga mjedisi i tij. Ata shihnin njëri-tjetrin, si gjynahqarë. Por Mero nuk kishte sy që t’i shihte!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora