E diele, 26.06.2022, 03:30 AM (GMT+1)

Kulturë

"Jam korçare e do ta dredh", s'është vargu im

E shtune, 18.04.2009, 08:00 AM


Ermira Babaliu
Ermira Babaliu
Nga Shekulli Online

Ermira Babaliu, edhe pse ka ikur para shumë vitesh nga Shqipëria me lotari në Amerikë, emri i saj nuk është harruar. Ajo ka lindur në Korçë (pasi në shumë intervista citohet si vendlindje Pogradeci), por është rritur në Pogradec. Mbahet mend jo vetëm si një këngëtare e talentuar, por dhe me një pamje të admirueshme, e qeshur, veshje plot sqimë. Ndërsa si nuk pritej nga askush, studimet e larta i kryen në Universitetin e Tiranës, në Degën Filozofi. Bashkë me studimet, zëri i saj dëgjohet me po atë forcë dhe bukuri në festivalet e këngës në RTV, ku Ermira Babaliu vlerësohet dy herë rresht me çmime të treta, Festivali i 25-të dhe i 26-të. Më pas është shfaqur në publik, sidomos nëpërmjet serenatave korçare, të bëra mjaft popullore dhe që ia shtuan adhurimin dhe famën, sidomos gjatë 13 vjetëve emigrante në Amerikë.

Ermira, përgjithësisht, ç'lidhje mban tani me Shqipërinë?

Përpiqem të ndjek ç'do gjë të rëndësishme që ndodh në atdhe, me aq sa mundem, dhe sa më lejon koha. Ndërkohë që flas, po i mbaj lidhjet me miqtë e vjetër e të rinj.

Ju jeni pogradecare. Si perceptohet ky qytet në jetën tuaj aktuale? Çfarë ju lidh me të, përveç kujtimeve dhe së kaluarës?
 
E kam mësuar veten të jetoj midis dy realiteteve njëkohësisht, atë aty dhe këtë këtu, pa diskutuar dhimbjen e pareshtur për të prekur të përditshmen e vendit tim. Arsye të shumëllojshme më bëjnë të ndihem mirë këtu ku jam, ndërkohë që atje kam gjuhën, nënoken time, fisin (lidhje të cilat me konservatorizëm unë i respektoj), miqtë e vyer, e gjolin e dashur që më mungon fizikisht. Këtu kam një jetë më të qetë e paksa të vënë në shina, pas shumë përpjekjesh, e që së largu shijoj e shoh më me qetësi dhe e pavarur atë që më intereson më shumë për vendin tim në përgjithësi. Përpiqem të vendos një balancë midis këtyre dy jetëve, që së fundi më ka qetësuar disi.

Duke qenë një këngëtare e suksesshme dhe duke qenë gjithnjë e azhornuar me tregun muzikor, cili është mendimi juaj për këngën shqiptare?

Nuk e di nëse mund të jap një mendim të saktë për këtë, pasi s'mund të ndjek dot çdo aktivitet muzikor. Por, duket që më në fund ka tendenca t'i rikthehemi vetes në muzikë, pa diskutuar që me patjetër duhet të rikthehet cilësia. Jam e gëzuar që do të jete Festivali i Gjirokastrës sivjet. Do të kisha shumë dëshirë të ndodhem atje.

Në sa festivale kombëtare keni marrë pjesë?

Kam marrë pjesë në 10 festivale rresht. Pra, prej vitit 1984 deri në vitin 1994, kam qenë e rregullt.

Por vetëm e çmimet...

Eh!!! Çmime të dyta apo të treta, se isha nga rrethet....Shembulli më i diskutuar, në mos gaboj, në vitin 1987 (kam qenë shumë e pavëmendshme me arkivin) ku u bë për herë të parë festivali me juri që jepte pikët në një monitor të madh që ishte në sfond, ku ne këndonim (kjo ishte një nga "çuditë" e para të modernizimit të skenës). Nejse, pikët maksimale ishin 100. Unë u paraqita me një këngë të Flamur Shehut, "Një jetë nga jeta ime". M'u dhanë 100 pikë dhe fitova çmim ....të dytë. Të parin e morën motrat Libohova, me 98 pikë. Kënga e tyre ishte e kompozitorit Agim Krajka.

Vetë ju personalisht, a po punoni për një album tuajin të ri? Apo më duket se po shkruani një libër?

Kam filluar punën për një album të ri. Më duhet të jetë ndryshe, pasi s'ka rrugë tjetër. Prandaj nuk nxitoj. Nuk më shqetëson numri i albumeve të mia, por cilësia e kontributi.
Ndërkohë, mërzitem kur këngët që unë sjell, transformohen duke përcjellë mesazhe të gabuara, si p.sh. "Verashitësi", një këngë shumë e bukur nga muzika e lehtë kosovare, të cilën unë e solla në formën time, në një nga koncertet e para të serenatave mbas viteve '90-të, vargun më të bukur, "në gaz hidhërimin do ta kthej", kush e këndoi më pas e deformoi në "...se jam korçare e do ta dredh".
Vazhdoje ti i dashur mik, komento shijen, efektin që jep mesazhi i transformuar në këtë formë. Do të isha shumë e gëzuar sikur në Shqipëri të ekzistonte kritika e shkruar dhe për muzikën. Do ta ndihmonte shumë kulturën muzikore. Nëse ka filluar dhe unë s'i di ...tërhiqem. Sa për libër, s'më duket që jam aq e mençur.

Ju keni studiuar për Shkencat e Filozofisë? Sa ju ka ndihmuar filozofia të bëheni kjo që jeni sot?

Po e nis me një thënie të A. Linkolnit: "Nëse më duhen tetë orë për të prerë, copëtuar një pemë, do të më marrë gjashtë orë të mpreh sëpatën" ...., duke mos harruar, se sapo hap sytë, kam përpara 24 orë, kaq minuta e miliona sekonda, që më duhet t'i shfrytëzoj maksimalisht, dhe e kam shkruar diku: e marr jetën si më vjen, ndërkohë që i "krijoj" ditët e mia. Kjo jam unë, me gjithë kokëkrisjen time...(bobo, ç'jeni ju gazetarët...lol). Kam dhe paradokse në karakter, thua të jem kjo, si efekt i filozofisë??!!!

Kur do të vini në Shqipëri?

Planifikoj të jem në Shqipëri gjithë verën. A nuk ia vlen të jesh në këtë stinë në vendin tonë, ku liqenet dhe detet kanë jo vetëm kaltërsi, por edhe aromë, zhurmë, lëvizje të pashtershme. Vera shqiptare është si shija e verës (pijes) franceze. Kush e ka shijuar dhe nuk është mrekulluar?


Nëse do t'ju propozonin, a do të merreshit ndonjëherë me politikë?

Nëse do të ndryshojë "SITA" e përzgjedhjes dhe nëse do të gjykohesha si e aftë për të tilla sakrifica, mbase po. Sepse të them të drejtën, kam një eksperiencë tepër të hidhur nga vitet e para të tentativës sime për t'u përfshirë në të, atëherë, në '90-ën. Megjithëse ajo që mua më intereson më shumë në këtë moment, është ecuria e shoqërisë civile, një lloj civilizimi i mentalitetit, që është i domosdoshëm.

Serenatat

Në Korçë, kur u zhvilluan për herë të parë serenatat, unë mora këndoj "Lulen e majit". Aty kënduan dhe shumë korçarë, amatorë, ë bukur ....Por, vinte "Lulja majit", që publiku "theu karriget" nga të çuarit në këmbë dhe nga duartrokitjet. Mirëpo dhe këtu, pas shumë lavdërimesh, zyrtarisht mora çmim të tretë, sepse...unë s'isha nga Korça. Tani, këtu mund të them që u zhgënjeva, por kemi qeshur për shumë kohë me miqtë e mi me këtë ndodhi, se ishte një shkak pa bazë, sepse unë kam lindur në Korçë, gjyshi im ka qenë një nga mjekët e parë pediatër atje, prindërit pas disa vjetësh u transferuan, e unë u rrita në Pogradec, për t'u rikthyer në Korçë kur u martova. U largova nga Shqipëria në 1996-ën. Paraqitja ime e fundit në Festivalin Kombëtar ishte në vitin 1995, me këngën e Ilir Dangellisë, "E njëjta ëndërr", e cila shënoi një nga kulmet e mia.

Zhgënjimet

Nuk mund të them se kam patur zhgënjime, pasi kam qenë me këmbë në tokë dhe sidomos fakti që, kënga ishte një nga hobet e mia, fakti që unë këndoja vetëm për kënaqësi, nuk më ka lejuar të mërzitem edhe kur nuk kam marrë atë që kam merituar. Në këtë rast, më shumë mërziteshin fansat e mi.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora