E premte, 26.04.2024, 02:01 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Berisha: Koncert i fundit majtist në K-mol

E hene, 13.04.2009, 12:33 PM


Fejton – Provë për një fejton sarkastik

KONCERT I FUNDIT MAJTIST NË K-mol

(Donacionet, si dhe beneficionet e këtij koncerti do të deponohen në Fondin për mbylljen e së përditshmes “Bota Sot”)

Nga Arben Berisha

Ditëve të fundit, para banorëve të kryeqytetit, u shfaq një prej koncerteve më të mëdha majtiste, i cili njëkohësisht edhe mbylli stinën e dimrit.
Koncerti u përgatit dhe u mbajt në sallën më të madhe të Kosovës, në kthinën e majtë të Sallës së Kuqe, të cilën publiku ynë tani e njeh shumë mirë edhe me emrin Salla e Djegur. Kësaj radhe biletat nuk qenë edhe aq të shtrenjta, megjithatë vërehej tollovia, të cilën e kishin krijuar, në radhë të pare stërshitësit e biletave (edhe ata megjithatë duhet të jetojnë nga diçka). Reklamën e kuqe, të cilën e kishin ngjitur shpërndarësit me kujdes të veçantë nëpër gjithë pjesët e qytetit, të njëjtën, por në format të vogël, e kishin botuar edhe të përditshmet e tjera kosovare, përpos “Botës Sot” vetëkuptohet, së cilës nuk ia kishin besuar. Të gjitha këto premtonin se pjesëmarrja e publikut në këtë eveniment do të ishte e madhe.
Kësaj radhe reklama kishte vetëm tekst me ngjyrë të verdhë në letër të kuqe. Binte në sy emri i violinistit virtuoz, shokut Komandant, i cili paraqitet për herë të parë para publikut kosovar. Pastaj dallohej Trio e famshme: shoku Fizikanti (bariton), shoku Akademiku (tenor) dhe shoku 01 (bas). Vinin në radhë pianistët: shoku Aleanca dhe shoku  Nevrozi e fill pas tyre dueti me gitarë nga Maqedonia: shoku Araxhaf dhe shoku Duhan - Duhmen Qitha. Ndërkaq nga diaspora, poashtu, paraqitej trio e mirënjohur: shokët Përzhitani, Koqedani dhe Shkodrani. Kurrsesi nuk i kishin harruar edhe mysafirët nga Shqipëria: shokët Patkua Andarti, Vetulltrashi dhe Brisa Dogo. Ndërsa violonçelistët shoku Iril Tema  dhe shoku Banditiivlorës ishin ata që do të mbyllnin koncertin. Të gjitha këto nën dirigjimin e shokut Satanas.
Sipas traditës, vendet e rendit të parë ishin rezervuar për mysafirët e shumtë. Ftesat u ishin dërguar edhe ndërkombëtarëve, të cilët jo vetëm që nuk munguan, por as që u vonuan. Në sallë hyri zotëriu i NATO-s, i shoqëruar me përcjellësit e tij.  Ai zuri vend mes komandantit të KFOR-it, dhe të dërguarit special të OSBE-së, pranë të cilit gjendej shefi i zyrës amerikane. Shenjë të mirë bëri publiku vendës kur u ngrit në këmbë për të përshëndetur mysafirët e lartë. Në anën e majtë të sallës ishte ulur edhe një ushtarak i lartë rus, i cili kishte ardhur “rastësisht” për t’i vizituar trupat ruse të stacionuara në Drenicë dhe Rahovec.
Koncerti u hap me Internacionalen, të cilën e ekzekutoi orkestra e madhe (kuptohet pa nota). Pastaj e mori mikrofonin shoku Imna Lokuma. Ai përshëndeti dhe falënderoi, së pari mysafirët e nderuar, pastaj edhe të pranishmit e tjerë. I foli ca fjalë rreth programit, dhe njoftoi për ardhjen në skenë të dirigjentit me famë: shokut Satanas. Publiku e përcolli në takt, me duartrokitje frenetike ardhjen e shokut dirigjent, i cili nuk harroi t’i  përshëndeste të pranishmit me grusht.
Pas pak u ngjit në skenë, për herë të parë para publikut kosovar, violinisti i shquar, shoku Komandant, me komponimin e fundit të kompozitorit shokut Nepërka: “Do ta mbyllim Botën Sot”, melodi me intonim marshi ushtarak, e cila nganjëherë më përkujtonte ca pjesë të Internacionales, e nganjëherë ca pjesë të Marshit të Stalingradit. Megjithatë, duhet pranuar se ishte komponim i ri. Tingujt mbushën Sallën e Kuqe, ndër më nostalgjikët ishin disa veta përtej të pesëdhjetave, që kishin zënë vend pas ushtarakut rus, të cilët duartrokisnin në mënyrë frenetike duke mbajtur gjallë ritmin e melodisë.
Pjesa e dytë e komponimit: “Do ta mbyllim Botën Sot” ishte një arie, e cila u këndua nga trio: shokët Fizikanti, Akademiku dhe 01, ndër të cilët u shqua sidomos baritoni, shoku Akademik, që duke përsëritur refrenin: “Edhe Ne!... Edhe Ne!”, njëherë qetë, e gjithnjë duke e rritur zërin, fascinoi të pranishmit. Pas këmbënguljes së publikut për të kënduar edhe një këngë, Trio e lartpërmendur u paraqit kësaj radhe me këngen e komponuar enkas për ta nga dirigjenti i mirënjohur, shoku Satanas: “Prej Tirane n’Kretë! Prej Krete n’Athinë! Prej Athine n’Beligrad!”, në të cilën u vërejt profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Trios, sidomos i zërit, paksa të çjerrë , por shumë simpatik për dëgjuesin kosovar, zëri i ri i shokut 01, që në të njejtën kohë premton të ardhme të shkëlqyer.
Pas këngës së Trios, gjatë aplaudimit, të tre të famshmit i shtrinë duart në drejtim të dirigjentit, mjekër-pakrehur, Satanas. Publiku inteligjent rrahu shuplaka të pandërprera, kurse dirigjenti, shoku Satanas, u kthye nga publiku dhe u përkul tri herë radhazi, në shenjë falënderimi.
Trio i këndoi gjithsej tri këngë, të cilat u përcollën në sfond nga tingujt e violinës së shokut Komandant. Titulli i këngës së dytë ishte: “Revolucioni i Vonuar Demokratik”, me tekst të shokut Akademik, ndërsa muzikën e kishin bërë dirigjenti shoku Satanas në bashkëpunim me shokun Banditiivlorës. Kurse kënga e tretë titullohej, kuptohet: “Tre gishtërinjtë e Vlorës!”, e komponuar nga shoku Satanas dhe shoku Vetulltrashi, me tekstin e shokut Patkoi Andarti dhe shokut Brisa Dogo.
Pastaj në skenë u prezentua pianisti, shoku Aleanca, me komponimin e tij më të ri: “Edhen’luftët’kamgjuajtunë”, të cilën ia kishte dedikuar një personi të gjallë, me sa e kuptova unë pas koncertit, por të cilin nuk e kishte fort qejf. Komponimi i shokut Aleanca shquhej herë për melodinë baladeske, pak si legjendare, e herë për ritmin modern, pastaj i ekzekutoi edhe dy pjesë muzikore, “të thella”, plot shqetësime, e dramacitet, ishin evidente pjesët e muzikës ushtarake, të cilat artisti i improvizoi, megjithatë tregoi talent solid. Titujt e këngëve: “Prej Kosove n’Lausanne, prej Lausanne n’Tiranë!” dhe: “Burrë i mirë na ishte Enveri!”, të cilën e këndoi në stilin e rrafshit të Dukagjinit, të përzier me melos Rugove. Më duhet të shtoj se kënga e dytë, u dallua me pjesë ushtarake, e për fund, pas përfundimit të këngës së tretë, shoku Aleanca theu karrigën.
(Ndoshta këtë gjest e bëri se e kishte në program, sepse atë e ndërroi personeli menjëherë dhe e bëri gati karrigën e re për mjeshtrin tjetër). 
Pas tij u ul në piano, tashmë i njohur për kosovarët, mjeshtri shoku Nevroz, me komponimin e tij të mirënjohur: “Edhe unë kam qenë ministër!”. Muzika ishte shkruar nga ai vetë, ndërsa teksti ishte i shokut Akademik. Komponimi ishte i një stili të ri, por të largët për veshët e publikut,  “jo edhe aq të ngritur”. Kënga e dytë, teksti e muzika të shokut Nevroz: “Jemi më se tetë milionë!”, u këndua po ashtu në përcjellje të korit, ku dallohen momente të improvizimit të shkëlqyer të autorit, përdorimi dhe plotësimi me sinkopa, mjeshtrin e ngritën në nivelin e lakmueshem për të gjithë. Gjatë pjesës së tretë muzikore, të titulluar: “N’Gjenevë s’ndodhë të ndalët drita!”, në skenë sollën një pasqyrë të madhe, me të cilën thuajse mbuluan tërësisht mjeshtrin, e cila na ndriçoi për një kohë të gjatë, tërë publikun. (Më vonë e kuptova, se kjo u bë me qëllim të krijimit të efekteve speciale).
Shokët Araxhaf dhe Duhan - Duhmen Qitha u paraqitën me “hitin” e tyre të ri: “Rroftë Universiteti i Shtulit!... Poshtë Universiteti i Tetovës!”, të cilët poashtu mahnitën publikun me melosin e vet specifik e simpatik tetovar. Megjithatë, pas këmbënguljes së publikut ia thanë edhe komponimit të vjetër, muzikën e të cilit e kishte bërë shoku Satanas, me tekstin e shokut Araxhaf: “Partinë tonë e do Fatosi”, e cila, sërish i mahniti ata që ishin ulur pas ushtarakut të lartë rus. Kënga e tretë ishte, më falni nuk i paskam marrë shënimet si duhet, por me sa e di unë ishte një këngë e mirë. 
Sidoqoftë, e gjithë salla priste me padurim Trion e famshme nga Diaspora: shokët Përzhitani, Koqedani dhe Shkodrani, të cilët kënduan, po ashtu tri këngë. Shoku Partizan, jo, jo, shoku Përzhitan, zëvendësoi dirigjentin, tashmë të lodhur e të raskapitur dhe ekzekutoi pjesë nga repertoari i muzikantit të mirënjohur shokut Ermal, këngën: “Prina Parti!”, të cilën e kënduan jo vetëm në shqip, por edhe në rusisht, dy solistët: shoku Koqedani dhe shoku Shkodrani. Më duhet të shtoj se shoku Përzhitani, si mjeshtër i disa instrumenteve, komponimin e parë e ekzekutoi në piano, njëkohësisht që edhe dirigjonte. Komponimin e dytë në violinë, temën nga “Fronti i Kuq”, të cilën shoku Përzhitan e kishte shkruar në tren, gjatë një udhëtimi të rëndsishëm; ndërsa gjatë melodisë së tretë, artisti në fjalë mahniti publikun me zhdërvjelltësinë e tij, sepse i ra tarabukës, kontrabasit dhe çemballos, njëra pas tjetrës. Të gjitha këto ishin variacione, gati të së njejtës temë, me titull: “I, o, internacionale, solidaritet!”, me tekst të shokut Akademik, ndërsa muzikën sërish, po kuptohet, e ka bërë shoku Satanas. Ai herë pas herë shoqërohej edhe nga zërat e shokut Koqedani dhe shokut Shkodrani, të cilët, po ashtu, me nivelin e tyre të lartë të ekzekutimit, befasuan publikun vendas.
Në skenë u ngjit befasia e mbrëmjes, të cilët nuk figuronin në reklamë që e kishte skuqur qytetin tonë. Befasitë (e mira) janë gjithnjë të mira, ato të mahnitin dhe kënaqin. Siç e thashë edhe më parë, ku mbeta, ah, po, kuarteti, i cili e befasoi këndshëm publikun, në këtë përbërje: instrumentisti shoku Ishpërthyeri, këngëtari shoku Feferoni BM (nga Tetova), tupanat: shoku Esnafi, dhe kontrabasisti shoku Rrobaqepësi, (më sa më dukët këta dy të fundit ishin vëllezër). Kuarteti i ekzekutoi, po ashtu, tri këngë: e para: “Ku ku, nënë, ma rrëzuan shtëpinë!”, kënga e dytë u pëlqye më shumë nga publiku: “Ne jemi shokë të vjetër!”, dhe e treta, ku pjesën më të madhe e udhëhoqi instrumentisti shoku Ishpërthyeri, i përcjellë nga zërat e ëmbël të shokut Rrobaqepësi dhe shoku Feferoni BM (për një çast m’u kujtua Stambolli me xhami të mëdha): dhe kënga e fundit: “Pas çdo burgu u pasuruam!”. Në prezantimin e tij të shkurtër, shoku Rrobaqepësi shpjegoi, se me shokun Ishpërthyeri dhe shokun Feferoni BM, ishin ribashkuar, pas gati njëzet vjetëve, pasi që kishin bërë karrierë të çmueshme nëpër ansamble të ndryshme. Publiku, i kallur dhe i dalldisur, me duartrokitje të pandërprera kthei kuartetin, të cilët u detyruan të marrin edhe një këngë të vjetër nahije: “Lezet Saraj!”, e cila u pëlqye shumë nga të pranishmit, dhe kështu mbaroi befasia. 
Shoku Patkua Andarti u paraqit, edhe ky me tri këngë. Kënga me titull “Fort të dua unë Sërbi” (nuk deshta t’i bezdis lexuesit, sepse edhe titulli i kësaj kënge në origjinal ishte: “Fort të dua unë Serbi, aq sa edhe ty Greqi!”) ishte, për admirim në greqisht, po, po, t’i tregojmë botës se jemi internacionalistë. Autor teksti ishte vetë këngëtari, ndërsa muzikën e kishte shkruar, i pazëvendësueshmi shoku Satanas. Kënga e dytë ishte: “Fort ia kam inatin NATO-s!”. Gjatë dy komponimeve të para, gjë që vërehet edhe nga titulli, përdorimi dhe përsëritja e fjalës Fort, Fort, shokun Patkua Andarti e karakterizon, veçon dhe dëshmon Forca krijuese e rrallë e virtuozit të famshëm. Ndërsa kënga e tretë: “Poshtë Amerika, rroftë Rusia!”, me tekstin e dy autorëve: shoku Akademik dhe shoku Përzhitan, tingëlloi si këngë pas krahu, këngë malësie si t’i themi, kurse kompozimin e kishin bërë, po ashtu të dy mjeshtrit e mëdhenj, shoku Satanas me shokun Banditiivlorës, me disa momente kolorite, që krijonin përshtypjen e një ere nga jugu. Virtuozi i madh, shoku Patkua Andarti edhe një herë konfirmoi cilësitë e tij të jashtzakonshme si solist. Të gjithë e pëlqyen. I pëlqeu kësaj radhe edhe publikut të pranishëm kosovar.
Gjatë pauzës dëgjuam disa lajme të fundit, dy shoferë i kishin ngarë veturat me një shpejtësi të jashtëzakonshme, dhe meqë nuk ekziston mundësia e verifikimit të identitetit dhe posedimi i patentës, zotërinjtë policë ishin detyruar t’ua marrin veturat (shoferët gjatë transportit në burg, kishin shfrytëzuar rastin dhe kishin ikur nga vetura e zotërinjëve policë në drejtim të panjohur), por sipas deklaratës të policit vendas, asnjëri prej shoferëve nuk lenin përshtypje agresiviteti. Rasti ka ndodhur në magjistralen, përsëri m’u pskan përzier shënimet, më falni. Nesër do të përsëris lajmin, pasi t’i marr shënimet e sakta. Këto lajme në fjalë, të fundit, i sollën: shoku Sorra, shoku Shkopi dhe shoku Ibiriikryepolicit. Me vete i sollën edhe tre numra të gazetës së tyre të mirënjohur “Motiisodit”, në të cilën kishte dalë, në faqen e parë, violinisti i madh shoku komandant, me një pamje, pak si në hije, megjithatë impozante, por që, gjithsesi, paraqet artistin e vendosur. Gati harrova të shtoj se, përndryshe, që të tre janë mjeshtër të mëdhenj të muzikës, dhe kanë figuruar në reklamë, si solist, por që kësaj radhe do t’i ekzekutojnë, kuptohet, tri pjesë: “Edhe unë kam shku n’Amerikë!”, “Jam intelektual i pavarur!” dhe pjesa e fundit: “Të mira kanë qenë burgjet moti!”, megjithatë, me keqardhje po më duhet ta pranoj se harrova t’i marr shenimet e autorëve të tekstit dhe të muzikës, por pasi që nuk i ekzekutuan do të thotë  se, edhe në mungesë të shënimeve më të përpikta, ju me siguri se do të më falni, e ju me siguri se këto këngë të tyre i dini edhe gati për mendsh. Si e do puna, ishin tejet të zënë me shkrimin e gazetës së tyre ditore, prandaj nuk patën mundësi të marrin pjesë në koncert. Kuptohet se edhe ata iu bashkëngjitën publikut, (kësaj radhe vetëm si spektatorë).
Pas një pauze të shkurtër, këndoi kuarteti: shoku Vetulltrashi, shoku Brisa Dogo, shoku Iril Tema  dhe shoku Banditiivlorës, sidomos ky i fundit i pëlqeu publikut vendës pasi që e morën vesh, me sa më duket, se kishte bërë karrierë të shkëlqyer në Greqi dhe Itali. Këta i kënduan katër këngë: “Enver Hoxha e Mao ce Duni, janë si buka e një brumi!”, “Greqi, Serbi o nënat tona, Demokracinë ne nuk e dona!” (këto dy këngë i kanë titujt pak si të gjatë), kurse këto dy të tjerat më të shkurtër: “Unë e vrava Azem Hajdarin!” dhe “N’post do t’jemi gjithë jetën!”. Sidomos pas këngës së fundit, ata persona që ishin të ulur pas ushtarakut rus, u ngritën befas në këmbë, morën rusin për dore dhe ia filluan vallës nga gëzimi e dalldia që i kishte zënë. Ushtaraku rus, fillimisht pak i shqetësuar se nuk dinte se përse ishte fjala, më vonë e kuptoi se këta kishin ardhur krejt miqësisht, të vallëzonin me të e ta nderonin për praninë. Këndoi i kënaqur edhe shoku rus, kuptohet rusisht, saqë në fund nuk u muar vesh fare, nëse dëgjuam këngë shqipe apo ruse.
Në vijim, për herë të tretë e të fundit u paraqit virtuozi shoku Komandant, të cilin publiku e nxiti që para se t’ia fillonte ekzekutimit të pjesës së re, t’i binte edhe një herë komponimit të mëparshëm: “Do ta mbylli Botën Sot!”, pak si më rusisht, për hatër të ushtarakut rus, gjë që mjeshtëri edhe e bëri pa problem,  sepse mjeshtria e tij është të ndërrojë dyzenin sipas porosisë.
Në fund të programit publiku duartrokiti pandërprerë, duke ia hapur rrugën përfaqësuesit të NATO-s, të shoqëruar nga zotëriu i KFOR-it, dhe zotëriu i BE-së, dhe po ashtu nga shefi i zyrës amerikane, të cilët, të themi të drejtën, nuk e morën vesh a ishin në Rusi, Serbi apo Greqi. Pasi dolën nga salla e kuptuan se gjendeshin në kryeqytet, dhe shkuan të marrin nga një Ballantines, për t’i qetësuar veshët nga zhurma e Koncertit të Fundit Majtist në K-mol.
Një reporter, në hollin e Sallës së Kuqe, apo Sallës së Djegur (quajeni si të doni), e kishte takuar zotëri Adem Demaçin, i cili siç dukej e kishte përcjellur koncertin me vëmendje. Në pyetjen rreth përshtypjeve të tij për Koncertin, ai i ishte përgjigjur me atë thjeshtësinë e tij karakteristike: “Hajt se çdokush i di punët e veta”, duke dhënë në këtë mënyrë mendimin e tij të padiskutueshëm e përfundimtar.

P. S.
Si në sallë, ashtu edhe në podium, u ndie mungesa e madhe e solistëve: shokut Nepërka dhe shokut Hekur, të cilët ishin të zënë me punë shumë më të rëndësishme. Megjithatë, justifikimi që zotëri Satanas i bëri mungesës së tyre ishte aq bindës, saqë meritoi të nesërmen tri buçeta me karafila të kuq nga dy të lartpërmendurit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora