E premte, 18.10.2019, 12:41 AM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Elizabeta Marku: Për muzikën, braktisa drejtësinë dhe mjekësinë

E premte, 14.04.2006, 09:04 PM


Këngëtarja, Elisabeta Marku është e njohur për fansat e muzikës popullore për 4 albumet muzikore që ka nxjerrë në publik. Ajo ka lindur më Mjedë të Shkodrës, por prej 15 vitesh jeton në kryeqytet. Ndonëse ka mbaruar dy fakultete; atë të Mjekësisë dhe atë të Drejtësisë, është pikërisht kënga ajo që e ka lumturuar dhe që i ka dhënë më shumë famë dhe para. Videoklipi i saj i fundit i sapo dalë në treg titullohet “Jam si trandofile”, i cili në një farë mënyre nxjerr në pah edhe tipin e saj të veçantë, që siç shprehet edhe vetë, është natyrë çapkëne dhe lozonjare.

Keni mbaruar dy fakultete shumë të adhuruar nga të gjithë; Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Mjekësisë, ndërkohë që keni nxjerrë dhe 4 videoklipe me muzikë popullore, cila nga këto profesione të tërheq më shumë, drejtësia, mjekësia apo muzika?
Padyshim më shumë më tërheq kënga. Ndofta kjo vjen edhe nga natyra ime e hapur dhe e sinqertë, pasi në dy profesionet e tjera duhet të jesh më strikte dhe paksa më e mbyllur. Unë kam nëntë vjet që këndoj dhe kam parë se ka qenë pikërisht kënga, ajo, që jo vetëm më ka dhënë lumturi, por më ka njohur edhe me shumë njerëz. Pas këngës do të preferoja mjekësinë, pasi edhe kjo degë është shumë pranë humanizmit dhe njerëzve që kanë nevojë dhe duke e parë në këtë vështrim besoj që i përshatet karakterit që kam. Megjithatë është për të ardhur keq, që ndonëse kam mbaruar për drejtësi, akoma nuk e kam ushtruar këtë profesion, ndërsa në fushën e mjekësisë jam aktiviuar ca kohë në repartin e kirurgjisë, por për shkak të aktivitetit tim të dendur artistik, aktualisht unë jam shkëputur nga mjekësia.

Elisabeta, keni emrin e Mbretëreshës së Anglisë, mendoni se e keni justifikuar deri diku emrin që mbani, në fushën e këngës?
Nuk e di, pasi nuk jam unë ajo që mund të jap vlerësime për veten. Gjithësesi, përderisa kam nxjerrë katër videoklipe, kam marrë pjesë në shumë aktivitete artistike dhe kam bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar, si për shembull, Edmond Xhulali, tregon që diçka kam bërë në fushën e muzikës. Gjithësesi, duke parë edhe moshën time të re, mendoj që kam ecur mirë dhe kam akoma kohë për t’i servirur publikut këngë akoma më të bukura dhe për ta pasuruar edhe më shumë portretin tim artistik.

Cila është tematika e këngëve në albumet tuaja muzikore?
Në këngët e mia, më shumë vend zë dashuria dhe shumë pak këngët patriotike, ndonëse këta të fundit unë i këndoj më mirë dhe më me shumë ndjenjë se këngët e dashurisë.

Atëherë, përse ndodh kjo kontradiktë?
Sepse jetojmë një kohë që publikut shqiptar i pëlqejnë më shumë këngët erotike, pasi siç duket tek këto këngë ata kanë gjetur veten dhe problematikën e tyre.
Keni ndonjë këngë tuajën që mendoni se është kthyer në hit?
Është kënga “Hajde Shota marshallah”, por kam edhe këngë të tjera.

Nisur nga teksti i këngëve tuaja, mendoj që në fëmijëri duhet të kesh qenë natyrë shumë çapkëne?
Jo vetëm atëherë, por edhe tani jam natyrë e tillë. Këtë cilësi ma kanë vënë në dukje shumë njerëz, madje edhe ata që thurin teksetet e mia kështu shprehen. Kështu poeti Arben Duka përëpara se të shkruante tekstin e këngës “Jam si trëndafile”, më tha, që t’i tregoja paksa natyrën e tipit tim. Pas kësaj, ai shkroi tekstin e këngës, së mësipërme, e cila tregon natyrën time çapkëne dhe lozonjare. Kjo është një këngë shumë e pëlqyer, jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga pleqtë, të cilët kur këndoj këtë këngë, pleqtë duke mu lutur më thonë; “Aman na e këndo edhe një herë këtë këngë se na ndez zjarrin e dashurisë kur ishim në moshën tuaj”.

Fshihni diçka nga fëmijëria dhe rinia juaj?
E vogël unë kam qenë një vajzë shumë ëndrrimtare, ëndërroja shumë për jetën time. Ëndërroja të bëhesha aktore dhe të luaja filma. Më pas ëndërroja të bëhesha një balerinë e famshme, por që asnjëra nga këto dëshira nuk mu realizua, ndonëse baletin vazhdoj ta ushtroj edhe tani, por privatisht. Lexoja shumë libra, sidomos poezi. Kam qenë një vajzë shumë grindavece, por dhe shumë e dashur me prindërit e mi, saqë dhe tani unë jam si një fëmijë për ta.

Duke parë bukurinë tuaj, mendoj që në rininë tuaj duhet të keni pasur ngacmime të shumta nga meshkujt?
Eeee, shumë, shumë, aq shumë sa në disa raste edhe jam besdisur.

Ty, të pëlqejnë ngacmimet dhe komplimentet e meshkujve?
Ngacmimet dhe komplimentet u pëlqejnë të gjitha vajzave, papërjashtim, pasi tregojnë, që ti je një vajzë e adhuruar prej tyre. Por mendoj që këto kur bëhen vend e pavend, nganjëherë bëhen të besdisshme..

Të pëlqen ta jetosh jetën që të ka mbetur në disa nga kryeqytetet më të bukura të botës?
Më pëlqen shumë. Sidomos Parisin, Nju-Jorkun, Londrën e Venecian i kam ëndërr. Por jetesa në këto vende më pëlqen për pak kohë, pasi mendoj që qetësinë dhe adhurimin e fansave mund ta gjesh vetëm në vendin tënd, e jo në këto kryeqytete të huaja. Mendoj që atë lumturi që ta jep vendi dhe populli yt nuk ta jep askush tjetër.

Të ka shkuar ndonjëherë mendja për tu martuar dhe sa fëmijë do dëshiroje nga kjo martesë?
Në momentin që po flasim bashkë unë nuk mendoj fare për martesën, nuk kam menduar për këtë as edhe më përpara, por gjithësesi, mendoj që edhe për mua si për gjithë vajzat e tjera dita e martesë do të trokasë tek unë një ditë, por se kur do ndodh kjo trokitje nuk kam ndonjë ide të saktë aktualisht. Sa për numrin e fëmijëve do dëshiroja vetëm një vajzë.

Meqë dëshiron vetëm një vajzë, do dëshiroje që ajo të ecte në udhën e artit?
Do më pëlqente shumë që ajo të bëhej një aktore e madhe. Unë, si nëna e saj do bëja të pamundurën për t’i ngulitur dashurinë për aktrimin, por në fund të fundit do të jetë pikërisht ajo që do vendos për profesionin e saj.

Ju shoh që i kushtoni shumë kujdes tualetit, harxhoni shumë kohë për të?
Për tualetin kujdesem shumë pak, ndoshta vetëm për 5 minuata.

Duke qenë vajzë e bukur, mendoni se bukuria të ndihmonë shumë në skenë dhe në jetë?
Paraqitja e jashtme është një plus i madh për një artiste, por kjo nuk ka vlerë nëse t’i nuk shfaq talent në atë fushë që kërkohet. Për një këngëtare, mendoj që primare është zëri ai sugjestionon publikun dhe jo bukuria sado magjepsëse që të jetë ajo. A aaa… nëse zëri kombinohet me bukurinë atëherë suksesi është dyfish i sigurtë.

Për kohën që kalojmë mendoni se paraja është gjithçka?
Unë nuk mendoj kështu. Mendoj që paraja është pushtet më vete, por një pushtet që nuk t’i plotëson të gjitha dëshirat që mund të kesh.

Çfarë kërkon nga shoku juaj i jetës?
Nuk do kërkoja asgjë, por vetëm sinqeritet. Njerëzit e sinqertë unë i pëlqej shumë.

Po bukurinë e tij nuk do ta pëlqeje?
Bukuria për mua nuk ka vlerë. Mjafton që ai njeri të jetë i sinqertë dhe të më dojë pa hile.

Ju vetë jeni e sinqertë?
Jashtë mase.

Jeni e kënaqur me pamjen fizike që keni?
Padyshim që jam.

Nëse një ditë, krejt papritur duke u parë në pasqyrë do shihnit që fytyra juaj është shëmtuar, çfarë do bënit?
Do mërzitesha shumë. Nuk do më shijonte më asgjë, sado e bukur të ishte ajo. Mendoj se nuk ka fatkeqësi më të madhe për një femër, se sa pamja e saj e shëmtuar.

Si përfundim, pas gjithë këtyre arritjeve artistike ju ka mbetur ndonjë dëshirë pa plotësuar?
Ajo që më shqetëson tani është fati i dy motrave të mia që ndodhen në Itali. Ata ishin shumë të dhëna pas muzikës dhe këndonin shumë bukur. Kanë marrë pjesë në shumë koncerte dhe festivale këtu në Shqipëri, por duke qenë se jetojnë në Itali, pasi janë martuar me italianë, aktualisht ata e kanë ndërprerë këngën. Familja ime, është një familje muzikantësh, pasi të gjithë janë marrë me muzikë, duke filluar nga gjyshi, babai, motrat dhe vëllai, por nga këto vetëm unë kam dalë me albume dhe videoklipe, ndonëse nuk jam më e talentuar se ata.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT