E premte, 26.04.2024, 09:00 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Një histori tragjike

E diele, 22.02.2009, 12:42 PM


Raif Lahu (Foto: Jetmir Idrizi)
Raif Lahu (Foto: Jetmir Idrizi)
Adem Demaçi, në një intervistë të mëhershme të dhenë gazetës Express mbi rishikimin e dosjeve të komunizmit, ka përmendur rastin e Bajram Lahut nga Podujeva. Në vdekjen misterioze të Lahut, Demaçi thotë të ketë qenë i implikuar Hilmi Zhitia, sot kryeprokuror i Kosovës, asokohe gjykatës hetues në rastin Lahu. Express ka hulumtuar ngjarjen e para 25 viteve dhe sjell detaje të dhimbshme të një historie tragjike.

Nga Nebih Maxhuni

Podujevë, 21 shkurt - 26 vjet kanë kaluar, ndërsa për të gjithçka është shumë e freskët. Tashmë në moshë të shtyrë, plaku 63 vjeç, Raif Lahu, kujton torturat që i ishin bërë atij, nga regjimi komunist i atëhershëm, duke përfshirë edhe shqiptarët, që në atë kohë ishin të përfshirë brenda sigurimit serb apo jugosllav.

Tani, 26 vjet më pas, kur kujtimeve të kobshme të asaj kohe u ka rënë pluhuri, plaku nga fshati Gllamnik i Podujevës, viktima e vetme në familje që u ka mbijetuar maltretimeve, rrëfen historinë e dhimbshme të tij.

Derisa kishte qenë në burg, i mbajtur pa faj, ai kishte para me sytë e tij se si fëmija i tij pesë javësh torturohej për vdekje nga njerëzit e sigurimit. Makthi për të nuk ka mbaruar me kaq. As futja në fyt e shkopit të gomës, nuk e kishte bërë këtë person që të dorëzohej.

E tërë kjo kishte filluar pas vrasjes së nipit të tij, Bajram Lahut. Ai nuk e kishte vrarë djalin e vëllait të tij, prandaj nuk e ka pranuar fajin për të cilin akuzohej.

“Na e vranë më të mirin, na e vranë Bajramin që ishte shpresa e familjes tonë. Përmes vrasjes së tij, Serbia dhe të gjithë argatët e saj shqiptarë dëshironin të na vrisnin të gjithëve. Ata na e vranë e na e shanë Bajramin. Thanë së familja e vet e vrau, sepse e gjetën në punë të liga. Turp e marre iu qoftë”, thotë plaku Raif.

I gjithë skenari për shkatërrimin e kësaj familjeje nga ky fshat i Podujevës kishte filluar kur më 14 nëntor të vitit 1984, regjimi i atëhershëm ia kishin vrarë familjes Lahu, djalin 24-vjeçar, Bajram Lahun, për të cilin familjarët thonë se ka qenë pjesëtar i organizatave që në atë kohë mendonin për bashkim të trojeve shqiptare.

Bajram Lahu ishte gjetur i vdekur në një vend të quajtur Malet e Shatorit, tri kilometra larg shtëpisë së tij.
Plaku Raif Lahu tregon se si pas 3 javësh përderisa një bashkëfshatar i tij kishte shkuar për të prerë dru në mal, kishte parë kufomën e Bajramit dhe me këtë rast ishin lajmuar forcat e policisë në stacionin e Podujevës.

Pa kaluar një muaj i plotë nga vrasja misterioze e Bajram Lahut, më 14 nëntor të vitit 1984 forca të mëdha policore, rrëfen Raif Lahu, në mënyrë agresive, rreth orës katër të mëngjesit kanë rrethuar shtëpinë e familjes Lahu, duke tërhequr zvarrë gratë, fëmijët, pleqtë deri në stacionin policor në Podujevë. Ata akuzoheshin se kanë vrarë nipin e tyre, Bajram Lahun.

“Filluan të na rrihnin si kafshë. Kampion të kësaj faqeje të zezë dhe të gjithë kësaj dhune ishin Muharrem Spanca, Aziz Hasani, Faik Sinani, Qazim Lloshi, Jetullah Kuqi dhe Ajvaz Rakinica. Që të gjithë këta kolaboracionistë të atij regjimi”, tregon Lahu.

Ata duhej të pranonin se kishin vrarë Bajram Lahun.

Derisa pas një jave familja ishte liruar, Raif Lahu tregon se ai ishte mbajtur dhe torturuar edhe më tej për të pranuar vrasjen e djalit të vëllait të tij, një vrasje që nuk e kishte bërë.

“Sa isha në stacionet policore, njerëz që përmenda më lart më kanë futur shkopin e gomës në fyt, e deri në bark vetëm për ta pranuar se unë e kam vrarë djalin e vëllait tim”, kujton ai këtë moment të rëndë. Për këtë, më vonë edhe ishte operuar, ngase prej shufrës së gomës në atë kohë i ishin përzier zorrët.

Raifi thotë se gjyqtarë hetues në rastin e vrasjes së djalit të vëllait kishte qenë Hilmi Zhitia, i cili tashmë është kryeprokuror i Kosovës.

Plaku 63-vjeçar tregon se Zhitia kishte përdorur mënyra të ndryshme të presionit për ta bindur atë që ta pranojë vrasjen.

“Asgjë nuk ishte e rastësishme që ai të jetë gjyqtar në këtë rast. Gjithçka ishte planifikuar në zyrat politike policore dhe gjyqësore të asaj kohe. Prandaj, nuk ishte e rastësishme që ky gjyqtar, Hilmi Zhitia të dilte dhe të bënte incizimin e vendit së vrasjes së nipit tonë. Ai thoshte se pranoje vrasjen se ju e keni bërë”, kujton ai.

Dëshmitari i vetëm i mbetur nga kjo familje thotë se Hilmi Zhitia ka qenë i përsosur për zanatin e dhunës psikike.

“Ai ishte fyes, cinik, prepotent. E kishte të përsosur dhunën psikike, ndërsa që për dhunë fizike ishin të caktuar disa të tjerë që ishin me të, emrat e të cilëve i përmenda më lart”, rrëfen ai.

Raif Lahu është mbajtur pesëmbëdhjetë muaj në paraburgim, i ngarkuar me një akuzë fyese, siç thotë ai, dhe se gjatë gjithë kësaj kohe ka përjetuar tortura prej më të ndryshmeve për të pranuar fajësinë.

“Më patën rrahur e zhveshur komplet, më kanë rrahur derisa janë lodhur, pas kësaj më kanë gjuajtur ujë të ftohtë dhe kanë filluar sërish të më rrahin vetëm që ta pranoj fajësinë”.

Në momentin që dëgjon emrat e Hilmi Zhitisë, Muharrem Spancës, Aziz Hasanit, Faik Sinanit, Qazim Lloshit, Jetullah Kuqit dhe Ajvaz Rakinicës, ky plak thotë se për një muaj nuk mund të ngrihet nga krevati për shkak se i parafytyrohen skenat e dhunës dhe torturat që i ka përjetuar prej tyre.

Raifi, i cili ka dy djem, gruan dhe një vajzë, thotë se pas pesëmbëdhjetë muajsh dhe 12 seancave gjyqësore, trupi gjykues në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza.

Gazeta ka kontaktuar edhe kryeprokurorin e Kosovës, Hilmi Zhitia, i cili nuk ka dashur të flasë, ngase tani të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës janë në procesin e selektimit për t’u rizgjedhur nëpër organet e drejtësisë.

Kjo familje thotë se është për hapjen e dosjeve, madje plaku i vetëm i mbijetuar i këtij terrori nga sistemi i atëhershme i quan “dosje të krimit”.

“Gjithsesi si familje që na janë vrarë familjarë në atë regjim, si familje që kemi hequr shumë nga ai regjim, jemi për hapje të “dosjeve të krimit”. Institucionet duhet bërë më shumë që të çojnë në vend amanetin e të rënëve të atij regjimi së paku për të kryer borxhin moral ndaj dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, vlerëson ai.

“Njerëzit, të cilët kanë qenë pjesë e atij regjimi, e sot që janë të punësuar në pozita kyçe në institucionet e Kosovës, sipas familjes Lahu, duhet të largohen dhe më pas të ndëshkohen për veprat që kanë kryer në atë kohë.

Familja e Raif Lahut ka ende në sirtarët e tyre të gjitha vendimet e gjykatës së atëhershme në lidhje me akuzat që i janë bërë atij si dhe shkrimet e gazetës
“Rilindja” që kanë të bëjnë me procesin gjyqësor dhe mënyrës së vrasjes së nipit të tyre, Bajramit.

Rrëfimi i Xhafer Berishës

Bajram Lahu, i vrarë në vitin 1984 nga UDB-ja serbe në këtë kohë, sipas shokut të tij të ngushtë dhe bashkëveprimtarit Xhafer Berisha, është vrarë përderisa ai ishte në burg. Për Express nga Italia, ku gjendet tash e dhjetë vjet, ka treguar në detaje për veprimtarinë e Bajram Lahut. Xhafer Berisha rrëfen se si Lahu ka qenë anëtari i Lëvizjes Popullore bashkë me grupin e Ali Ajetit dhe disa veprimtarëve të tjerë nga komuna e Podujevës. Gjatë rrëfimit të Berishës nga Italia, ai ka zbuluar dy enigma të mëdha për vrasjen e Bajram Lahut nga strukturat e UDB-së, duke përfshirë këtu edhe disa shqiptarë, si dhe për përgatitjen e atentatit ndaj Jetullah Gashit, kryeinspektor i shërbimit serb gjatë kësaj periudhe. Sipas shokut të ngushtë të Bajram Lahut, Jetullah Gashi ka qenë kryeinspektor, i cili ka rrahur dhe maltretuar Adem Demaçin dhe axhën e Bajram Lahut.

“Bajram Lahu e ka ditur që do të arrestohet. Ai kishte planifikuar ta vrasë një kryekriminel, një udbash, këtë po e them për herë të parë publikisht. Vetëm mua më ka treguar këtë sekret Bajrami. Ka pasë të bëjë atentat ndaj Jetullah Gashit, i cili e kishte rrahur Adem Demaçin dhe axhën e tyre”, tregon Berisha.

Sipas tij, këtë e kishin kuptuar pjesëtarët e sigurimit serb, duke përfshirë këtu edhe disa shqiptarë dhe para se të vritej Bajram Lahu, nga këto struktura disa herë ishte marrë në pyetje nga një inspektor i sigurimit, i cili, sipas Berishës, quhej Ruzhdi Bujupi.

“Para se të vritej Bajram Lahu, e ka marrë në pyetje një inspektor me emrin Ruzhdi Bujupit. Bajrami më thirri mua dhe më tha se e ka marrë në pyetje një inspektor dhe i ka thënë se Bajrami ka qenë në vitin 1982 tek axha i tij, Hamit Lahu në Gjermani dhe se ka mbajtur lidhjet mes Jusuf Gërvallës dhe të tjerëve”, thotë ai. Para se të arrestohej, Bajrami Lahu i kishte dërguar porosi Xhafer Berishës që të arratiset në Shqipëri për shkak se sigurimi serb kishte mësuar për veprimtarin e tyre dhe për përgatitjen e atentatit ndaj Jetullah Gashit. Berisha tregon se për t`i ikur gjurmëve dhe përcjelljeve të njerëzve të atij sistemi, ishte shtrirë në spital me një emër të rrejshëm për disa javë.

Përderisa familja e Bajram Lahut edhe pas 26 vjetësh ende nuk di asgjë për mënyrën e vrasjes së djalit të tyre, shoku i tij, Xhafer Berisha, pohon se ai ishte vrarë gjatë kohës sa kishte qëndruar në burg dhe më pas ishte dërguar në vendin e quajtur Malet e Shatorit, tri kilometra larg shtëpisë së tij, në fshatin Gllamnik.

Ai kujton kohën kur mediat e atëhershme kishin dezinformuar se Bajram Lahu kishte vdekur në një spital të Beogradit nga sëmundja e verdhëzës.

“Ka shkuar axha i tij që ta kërkojë, ka ardhur tek unë, i kam thënë se Bajrami është në burg. Ka marrë cigare për t`i dërguar atij në burg dhe se aty i kanë thënë se kemi gabuar se Bajrami nuk është në burg. Ai më të vërtetë ka qenë në burg, e kanë mbytur aty dhe trupi i tij është mbajtur në frigorifer dhe më pas e kanë hedhur në mal”, thotë Berisha.

Edhe familjarët dhe bashkëveprimtari i Bajram Lahut rrëfejnë se gjatë obduksionit që i ishte bërë trupit, është konstatuar se ai është vrarë me dy plumba, njëri 7.62 mm dhe tjetri 9 mm.

Pak kohë pas vrasjes së Bajram Lahut, pohoni ai, një grup prej 60 policësh ia kanë rrethuar shtëpinë dhe më këtë rast e kanë shoqëruar në stacionin e policisë për ta marrë në pyetje në lidhje me aktivitetet e Bajram Lahut dhe të tij.

“Më kanë thënë se keni qenë të një grupi, kënd nga shteti keni dashur ta vrisni. Nuk e harroj sa të jem gjallë. Ka qenë një Lorenc Selmani, më ka akuzuar se unë e kam njohur Bajramin, më ka pyetur se kënd e keni vrarë dhe se duhej ta dija, ngase isha, sipas tij, i vetmi shok i Bajramit.”, kujton fjalët e Selmanit.
Xhafer Berisha ka kujtuar edhe kohën kur Hilmi Zhitia e kishte marrë në pyetje dhe kishte kërkuar nga ai që të pranojë se kënd kanë dashur ta vrasin nga shteti në atë kohë dhe për të gjitha veprimtaritë e Bajram Lahut.

“Katër orë më ka marrë në pyetje Hilmi Zhitia, i cili ka kërkuar nga unë që të flas për Bajramin dhe atentatin që kishte përgatitur ai. I kam thënë se nuk di asgjë për punët e tij dhe se jam i bindur që ai nuk është vrarë nga familjarët e tij”, tregon Berisha.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora