E merkure, 20.11.2019, 10:13 AM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Zanfina Ismajli

E marte, 14.02.2006, 02:03 PM


Fare e vogël në dhomën e saj, imitonte këngëtarët. Më vonë nis të këndojë vërtet. Ndonëse motra e saj, Adelina, ka vite që merret me muzikë, vetëm për pak vjet, Zanfina Ismajli ka arritur të ketë pothuajse të njëjtin sukses.

Këto ditë udhëton shpesh drejt Shkupit pasi përgatit albumin e ri.

Shenja e horoskopit “Demi”

Ndjek studimet për drejtësi.

Kënga me e suksesshme “Kokaina”, që u bën thirrje të rinjve që e përdorin, ta braktisin atë.

E do Tiranën njësoj si Prishtinën.

Gjithmonë ndryshe në skenë.

Jetën private e ruan me fanatizëm

Jeni një familje me këngëtarë. Bëni ndonjëherë gara brenda familjes thjesht për qejf se kush këndon më mirë nga ju motrat?

Adelina ka 20 vjet që merret me këngën, prandaj unë nuk vë në dyshim asgjë në lidhje me karrierën e saj sepse deri më tani çfarë ka bërë ajo, ka qenë e suksesshme. Por në shaka, pse jo, e ngacmoj shpeshherë me fjalët si “ta kam ftof me këtë… hahaha” (ta kam hedhur në karrierë).

Dueti me Adelinën “Dy motra, një frajer” arriti sukses në pak kohë. Ka ndonjë këngëtar me të cilin do të këndonit në duet, përveç motrës suaj?

Deri më tani kam dy duete të realizuara dhe nuk mendoj të bëj ndonjë duet tjetër për momentin. Nëse do të realizoja ndonjë, do të doja që të ishte një këngë e bukur dhe me dikë që është artist ose artiste e kompletuar.

Nëse ndonjëherë ziheni me motrën Adelinën për gjëra të thjeshta kuptohet, cila toleron e para?
Hmmm...më parë isha unë ajo e cila lëshonte pe pasi Adelina është më e madhe edhe kur ndodhte të ishte gabimi im. Por tani më shumë tërhiqet Adelina. Jam kokëfortë, këtë ndoshta e tregon edhe shenja ime e horoskopit. Në shenjë jam Dem.

Zanfina fëmijë, a ka qenë një vajzë interesante?

Besoj se po... Pasi unë isha një fëmijë me shumë temperament. Pjesa më e madhe e kohës më kalonte duke imituar këngëtarët dhe duke kënduar si ata.

E vogël keni kënduar këngën “Disco Epidemia”. Tani e rritur shkoni shpesh në disko dhe pub-e?

Të them të drejtën. kur isha 16 vjeç, kisha dëshirë më të madhe të dilja me shoqëri, por as atëherë nuk i preferoja diskot shumë pasi vendet me zhurmë të madhe nuk më kanë pëlqyer. Më shumë më pëlqen të dal me shoqe në bare dhe të bisedojmë për gjëra të ndryshme.

Kujt ia rrefeni sekretet tuaja?
Motrës sime Emës. E kam më shumë shoqe edhe pse është 5 vjet më e madhe se unë, kuptohemi shumë mirë dhe kohën e lirë e kaloj me të.

E planifikoni ditën, apo e lini të rrjedhë ?

Zakonisht kur bëj planet se si ta kaloj ditën, të nesërmen nuk më shkon ashtu si unë e planifikoj. Prandaj shpeshherë rrjedhën e ditës ia lë rastësisë.

Kur keni dalë për herë të fundit tek farë e fisi juaj?

Kam qenë te gjyshja dhe daja të cilët i kam afër. Të ata shkoj shpesh dhe ia kaloj shumë mirë.

Mbani mend qortimin e fundit më të rreptë që iu ka bërë nëna juaj?
Të them të drejtën jo, ngase nëna me mua nuk ka fare probleme. Kjo sepse kuptohemi mirë dhe mua më ka sugareshë (fëmijën më të vogël) dhe nuk ka zemër të më qortojë.

Kush ka ndikim më të madh mbi ju për t'iu bindur për diçka, nëna, Adelina, apo motra tjetër Ema?

Mund të them se të trija ato kanë ndikim, prandaj edhe këshillat i pranoj sepse e di që ato janë thjesht për të mirën time.

Të gjitha vajzat ëndërrojnë për këtë, po ju, si e mendoni veten nuse?

Sa herë e mendoj këtë, them me vete “ka edhe shumë kohë,dhe mendimet largohen menjëherë …hahaha (qesh).

Cila ka qenë ëndrra më e bukur që keni parë?
Ëndrrat zakonisht i shoh të pakuptimta, por në mëngjes zgjohem me buzëqeshje. Zakonisht kur në ëndërr shoh veten në një shtëpi të madhe plot me qenë dhe mace, sepse i dua shumë kafshët.

I keni dhënë ndonjëherë cent ndonjë lypsari në rrugë?
Gjithmonë e bëj këtë sepse e kam shpirtin e dhimbshëm.

Nga kush turpëroheni më shumë, nga motrat apo nga mami?
Gjithsesi nga mami. Nëse do bëja diçka të pahijshme, mjafton një shikim i saj dhe do të ishte e mjaftueshme që unë të skuqem dhe turpërohem gjatë.

Meqë po flasim për turpin, keni bërë ndonjëherë diçka kur keni qenë pak më e vogël, nga e cila tani do t'ju vinte turp?

Kur isha më e vogël grindesha me motrat, pasi isha shumë e llastuar.Gjithashtu mbaj mend një herë që e pata rrahur një shoqe e cila bëri diçka që mua më nevrikosi shumë.Por ju siguroj qe tani s'do ta bëja.

Nëse edhe një herë do të mundnit të rifillonit karrierën tuaj, do të ndryshonit diçka?

Ka disa gjëra, që secili fillestar në këtë punë nuk i di dhe pastaj me kalimin e kohës dhe fitimin e përvojës thotë vetë me vete “ah si nuk e kam bërë këtë kështu”. Edhe unë i kam këto momente normalisht, por meqë kohën nuk mund ta kthej, më shumë mendoj për atë që të jem sa më e mirë në të ardhmen.

Jeni dehur ndonjëherë edhe pa pirë fare alkool, p.sh thjesht nga qejfi?

Hahahaha (qesh). Ka ndodhur që me shoqet të qesh deri në lot, pa alkool kuptohet.

Kush i menaxhon të hollat që fitoni?

Unë dhe mami. Atë e kam menaxhere dhe së bashku me të, të gjitha punët i menaxhojmë shumë mirë.

Mos thoni se nuk keni ndonjë simpati apo ndoshta disa shkëndija të dashurisë?

Shumë herë kam thënë se nuk dëshiroj të flas për jetën private dhe dëshiroj që kështu të mbetët sepse nëse jeta ime private bëhet publike, frikësohem se do ta humbas.

Përveç muzikës, me çka tjetër do t'ju pëlqente të merreni dhe pse?

Përveç që këndoj, unë jam në një kolegj privat këtu në Prishtinë dhe studioj drejtësinë. Pas këndimit gjithsesi do merresha me këtë drejtim për të cilin studioj.

Zanfina tani dua vërtet një përgjigje të sinqertë. Kur dilni ne skenë për të kënduar “play back” për çfarë mendoni zakonisht?

A si nuk kam një orkestër pas vetes, qoftë edhe një piano, dhe të këndoj “live”, në mënyrë që koncerti të jetë në maksimum i mirë. Por mundësitë janë të tjera dhe realiteti tjetër.

Ju këngëtarët zakonisht thoni se i duam të gjitha këngët njësoj. Këtë e dimë. Ne duam të mësojmë nga ju se cilën nga këngët tuaja tani do të dëshironit ta fshinit fare?
Kënga që më bëri të njohur më shumë e ndoshta menjëherë në estradë ishte ''Gajdexhiu''. Nuk them se do dëshiroja ta fshija, kurrësesi por do dëshiroja që të ishte ndryshe.

Si?

Ndoshta më ritmike.

Kënga “Kokaina” është bërë shumë e njohur jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri. Ju vetë ndoshta kur keni qenë adoleshente, keni provuar sa për kuriozitet se çfare është kjo, pra kokaina?

Jo, asnjëherë edhe pse këto gjëra ndodhin shpesh tek të rinnjte. Tek unë nuk ka ndodhur asnjëherë të provoj diçka të tillë as nga kureshtja. Thjesht nuk preferoj të marr stimulantë vetëm që të disponohem. Unë as cigaren nuk e konsumoj.

Njihni dikë që merr kokainë?

Jo, me shoqëri të tillë dhe njerëz të tillë nuk më ka ndodhur të jem dhe as nuk mendoj të shoqërohem ndonjëherë. Kam një shoqëri që nga fëmijëria dhe nuk e ndërroj me asgjë.

Me siguri qe i lexoni gazetat dhe i shikoni TV. Çfarë ju pëlqen në këto media e çfarë jo?

Në gazeta s'më pëlqejne të pavërtetat, sepse bëhen për qëllime materiale dhe ashtu dëmtojnë njerëz të tjerë. Ndërsa në televizione kam dëshirë të transmetohen më shumë videoklipe.

Do të pranonit të këndonit ndonjë këngë folklorike me çifteli dhe ju të ishit e veshur me veshje kombëtare?

Pse jo! Me gjithë qejf. Unë kam një potpuri me këngë popullore dhe në koncerte ajo pëlqehet shumë nga publiku. Me këtë muzikë i bëj të vallëzojnë të gjithë. Ne këngët e mia gjithmonë gjen elemente folklorike shqiptare.

Karriera e cilit këngëtar kosovar dhe të huaj ju bën më shumë përshtypje?

Nga të huajt më shumë më bën përshtypje Shakira. I bën vetë tekstet e këngëve, muzikën, pothuajse të gjitha. Gjithashtu ka interpretim fenomenal, si atë skenik ashtu edhe vokal. Ajo më pëlqen shumë.

...Ndërsa në Kosovë, të them të drejtën, asnjë në veçanti.

Jeni duke përgatitur një album këto ditë dhe shpesh udhëtoni në Shkup. Diçka më shumë?

Me realizimin e këtij albumi unë kam filluar para Vitit të Ri, dhe shpresoja ta përfundoja këto ditë. Por si duket nuk do të jetë ashtu, pra me siguri dalja e albumit në treg do të vonohet pak më shumë. Megjithatë, më mirë ngadalë e me hapa të sigurt. Deri më tani i kam dy këngë të përfunduara kurse në të tjerat janë duke punuar kompozitorët me të cilët po bashkëpunoj. Edhe videoklipet nga unë as këtë vit nuk do të mungojnë.

Ju pëlqen Tirana?

Herën e fundit në Tiranë isha në vitin 2004. Jam befasuar shumë sepse qyteti kishte ndryshuar shumë. Tirana ishte bërë si një metropol i vërtetë. Të gjitha në këtë qytet më kanë pëlqyer, por më shumë më kanë lënë përshtypje dyqanet e veshjeve.

Mos më thoni se do ta ndërronit Prishtinën me Tiranën, për të jetuar?

Nuk e di. Tirana është afër dhe aty e ndiej vetën njësoj si në Prishtinë, por këtu jam lindur dhe rritur si dhe i kam të gjitha. Prandaj nuk e di nëse do ta ndërroja Prishtinën ndonjëherë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT