E marte, 19.11.2019, 11:06 AM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Vace Zela: Dua te vij ne Shqiperi por jam shume semure

E merkure, 11.07.2007, 05:32 PM


Dua të vij në Shqipëri, por jam e sëmurë. Tani sapo u ktheva nga takimi që kisha me doktoreshën. Them që jam mirë, për të mos mërzitur njerëzit, por nuk është se ndihem mirë…"
Përmes zërit që i dridhet nga malli dhe pleqëria e parakohshme, Vaçe Zela pohon pengun që e shqetëson prej kohësh: Dëshira për të ardhur në Shqipëri, përkrah pamundësisë fizike. Është ende sëmurë. Sapo është kthyer nga vizita që ka bërë tek mjekja. E priste telefonatën tonë. Edhe pse e pamundur fizikisht, përsëri dëshira për t'i dhënë një mesazh publikut, që e adhuroi gjithë jetën dhe e ndoqi nga skena në skenë, e bëjnë që ta mbytë sëmundjen dhe të flasë edhe njëherë. Të vijë edhe njëherë përmes shtypit dhe të rrëfejë përmes pak fjalësh mallin, largësinë që e mundon, sëmundjen që e sikletos prej vitesh. Gojëmbël si përherë gjen kohë të falënderojë publikun, por edhe shtetin për vlerësimin që i është bërë.

Miti "Zela"
A do të kuptohej vallë "Valsi i lumturisë", "Lemza", "Djaloshi dhe Shiu", "Mesnata", etj, pa të magjishmin zë të Vaçe Zelës?!
Vaçe Zela. Emri i së cilës tashmë është një legjendë për muzikën shqiptare. E larguar vetëm fizikisht nga vendi i saj, ajo jeton me kujtimet që i fali publiku shqiptar dhe me shpresën për t'u rikthyer sa më shpejt në Shqipëri. Emocionohet sa herë që bie një zile nga telefoni, i cili tregon prefiksin shqiptar. Zakonisht janë të afërmit, miqtë e saj dhe të bashkëshortit, por nuk mungojnë dhe gazetarët. Gjë që e gëzon pa masë dhe i risjell në mendje edhe njëherë kohën kur ajo ishte në majë të suksesit. Gjithashtu, ndihet e lumtur që edhe pse sot është larg skenës dhe të gjithëve, gëzon vlerësimin maksimal. "Vlerësimi moral që më është bërë në Shqipëri, është i pakrahasueshëm me çfarëdo vlere monetare që mund të ekzistojë", - shprehet e madhja Vaçe. Një vlerësim i merituar për shkak të zërit të saj, për shkak të emrit që ajo krijoi dhe që tashmë është kthyer në etalon për gjithë brezat e rinj të këngëtarëve. Por edhe pse numri i këtyre të fundit rritet gjithnjë edhe më tepër, në të njëjtin progresion rritet emri i Vaçes, që ende nuk e ka një të dytë në skenën shqiptare.

Këngëtarja e popullit
Këngëtarja që këndoi për popullin e saj dhe që kurrë nuk u ligështua, përse nuk pati mundësinë edhe ajo si artistët e sotëm të prekë skenat e huaja. Është e lumtur gjithsesi. Pasi këngët e saj edhe sot kujtohen dhe këndohen nga njerëzit. Ky është një shpërblim që zëra të rrallë mund ta kenë. Vaçe e ka. Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte. Ndjehet mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Është emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj, përsëri sedra e saj përkëdhelet. "Ndihem shumë e vlerësuar nga publiku, që nuk më harron dhe në çdo rast përpiqet që të shpërblejë punën time. Dhënia e çmimeve nuk është një gjë e vogël dhe kjo më gëzon pa masë", tregon prej së largu Vaçe Zela. Ka kaluar një Ictus Cerebral, gjë që e vështirësoi disi shëndetin e saj. Por tani ndihet më mirë. E përmalluar për vendin që e ngriti lart zërin e saj, mezi pret që të vijë në Shqipëri. Është kjo shpresa që këngëtarja e madhe ka, edhe pse në Zvicër ka njerëzit e saj të dashur, bashkëshortin dhe vajzën e saj. Përsëri i mungojnë njerëzit. Ata që me duartrokitjet e tyre rritën madhështinë e saj.

Mbështetja e shtetit
Artistja e mrekullueshme e Shqipërisë, më 7 Prill të këtij viti ka mbushur 68 vjeç. Ajo që prej 10 vjetësh ndodhet e sëmurë në një qytet shumë larg prej Shqipërisë, ku trajtohej mjaft mirë nga mjekët e huaj, ndërkohë që tek koka e krevatit i rri bashkëshorti dhe e bija. Dhe pas dy operacioneve të njëpasnjëshme, ylli i të gjitha epokave muzikore të Shqipërisë ende vazhdon të jetë e sëmurë. Ajo që dikur ka lëvizur diskun e horizontit të jetës shqiptare, tani gjendet krejt e palëvizshme në shtrat. Janë vetëm 13.000 lekë që gëzon nga pensioni special, megjithatë përsëri nuk ankohet. Pra, gjithsej, megjithë pensionin e punës, 25 mijë lekë. "Ndoshta janë pak, por përsëri është një vlerësim. Pastaj, askush nuk merr më shumë se aq. Kështu që nuk kam arsye përse të marr më shumë unë dhe të mërzitem për këtë gjë. Pastaj, unë kam ndihmën e vajzës, e cila i përballon të gjitha shpenzimet e mia në spital dhe nuk e kam ndjerë vështirësinë financiare", - shprehet e madhja Zela. Duke mos i dhënë fare rëndësi mbështetjes financiare dhe e lumtur që ka marrë mbështetjen morale në maksimum nga publiku i saj.

Para disa muajsh, çmimi Special
Një çmim i madh për legjendën e këngës. Në 45-vjetorin e Festivalit të Këngës së Lehtë, e mirënjohura Vaçe Zela është nderuar me çmimin special. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, në të cilin këngëtarja e madhe ka interpretuar në rreth 30 festivale. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT