E premte, 26.04.2024, 08:41 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Xhemil Çela: Labëria në rrjedhën luftarake të kohës

E hene, 02.02.2009, 04:03 PM


Labëria në rrjedhën luftarake të kohës

Nga Xhemil Çela

Të faleminderit, Maksim Velo për zbulimin tënd

Më 4 Gusht 2007, mbushen plotë 64 vjet nga krijimi i njerit prej formacioneve më të rëndësishme të LANÇ, Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër (Z I-rë OP). Në të kaluarën, për më se 60 vjet, Z1op thuajse ishte lënë në harresë. Madje, në vitet e pluralizmit, në kushtet e lirisë së mendimit e të shprehjes, për këtë formacion luftarak të shquar të UNÇSH, është folur e shkruar më tepër, fatkeqësisht, nga disa individë, në aspektin denigrues. Dhe përflitet ky formacion luftarak vetëm e vetëm se lidhet me trevën e Labërisë dhe me lebërit, një qëndrim ky profashist dhe racist, në vështrimin tonë. Madje nga ndokush, me qëllim denigrimit të lebërve u jep epitet të ndryshme si "çobanë", "jeniçerë" e tj. Kjo ngjarje e shënuar na jep shkas të trajtojmë qoftë edhe shkurtimisht të evidencojmë kontributin e krahinës së Labërisë në luftrat e popullit shqiptar.

I kujtojmë që në krye lexuesit e pastaj edhe ndonjë shkruesi artikujsh në gazeta, se lebërit vërtet kanë qënë çobanë dhe, si rrallë të tjerë, vërtet kanë ditur të mbajnë kërrabën. Ata, me profesionin e nderuar të çobanit, kanë arritur të mbijetojnë me nder në rrjedhën e shekujve e deri edhe në ditët tona. Por njëherazi shprehim edhe të vërtetën historike se ata, po aq mirë e ndoshta akoma edhe më mirë se kërrabën, në momente kyçe e me nyje gordiane për fatet e Atdheut, kur trojet jo thjesht të Labërisë por kryesisht ato arbërore, kërcënoheshin nga i huaji, veçanërisht nga shovenët jugorë fqinjë të Labërisë por edhe ata veriorë shumë larg kufijvë të saj, kanë ditur të luftojnë si me pushkë edhe me pendë. Sa për "jeniçerët", për ata që nuk e dinë, kujtojmë se këta të fundit nuk kanë patur atdhe, nuk kanë luftuar kurrë për popullin e Atdheun e popullin e tyre, sepse edhe nuk e dinin as se kë kishin për babë e mëmë. Ndaj morali dhe vepra e tyre nuk kanë patur dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin dhe veprën atdhetare të lebërve e të Labërisë, sikurse edhe me moralin e veprën e matjanëve, apo të veriorëve të ardhurve në rrethinat e qyteteve nga zona të ndryshme të vendit, të cilët gjithashtu në ndonjë shkrim, së bashku me lebërit, emërtohen po "jeniçerë". Ky kontribut dhe ky moral i pastër atdhetar në ka bërë e na bën ende të ndjehmi krenarë me të parët tanë që, më shumë se me fajlë, të tillë ishin me veprën e deri jetën e tyre. Lufta e Labërisë dhe e lebërve ka qënë pjesë e luftës së përgjithshme të popullit shqiptar në shekuj. Por këtu e jep rasti të flasim kryesisht për Labërinë e bijat e bijt e sajë.

Labëria, ka vënë në dukje Fan Noli në një moment kritik për fatet e Atdheut, me klithmat e saj zgjoi tërë Shqipërinë nga letargjia në të cilën ishte mbytur. Dhe këtë rol e vlerë Labëria e ka shfaqur jo në një rast të vetëm, duke filluar që me betejat por edhe fitoret e para kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e Gjergj Araianitit në vitet 1432-1433, për të vijuar me një sërë kryengritjesh që shpesh njihen me emrin e Himarës, apo të Kurveleshit deri në fundshekullin XVIII. Më të shpeshta por edhe më të dokumentuara janë ato të shekullit XIX.

Në shekullin e XIX, pavarësisht disa kundërshtive me Ali Pashë Tepelenën, labërit qëndruan në krah të tij deri në fundin e Pashallëkut në luftë me hordhitë turke. Shumë bij të Kurveleshit e Labërisë u formuan ushtarakisht në oborrin e Vezirit të Janinës. Ata dhe të tjerë prijësa u vunë në krye të lëvizjeve e kryengritjeve popullore antiosmane. Labëria dhe lebërit, , në bashkëvperim edhe me karhinën e Mallakastrës, nën drejtimin e Asllan Kucës, Jaçe Golëmit, Çelo Picarit, Rrapo Hekalit, Hodo Aliut, Zenel Gjolekës etj, ishin promotorrët dhe baza kryesore mbështetëse e qëndresës anitosmane si në kryengritjet e viteve 1820-1840 e veçanërsht në kryengritjen e njohur antiosmane, si të Tanzimatit, duke u njësuar me to. Më pas bij të Labërisë, në udhëheqjen e Zenel Gjolekës, Hodo Aliut etj, në vitet 1852-1853 luftuan heroikisht kundër forcave shovene malazeze në zonën Tarabosh-Podgorcië e deri Cetinjë, ku dhanë edhe jetën, sikurse të tjerë nën drejtimin e Çobo Golemit, Hasan Çakos me shokë luftuan në Mecovë më 1854 për mbrojtien e viseve jogore arbërore nga bandat e shovinistëve grekë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) vërtet epiqëndrën e veprimeve të veta luftarake e pati në Shqipërinë verilindore, pra në Kosovë, por Toskëria e posaçërisht Labëria ishte jo vetëm nga përkrahësit kryesorë të saj. Nën drejtimin e Avdyl Frashërit në njerën nga kryeqëndrat e Labërisë, në Gjirokastër (1880) por edhe pranë saj në Janinë (1877, 1878) e në Frashër (1879) u mbjatën disa Kuvende ku u hodhëm idetë e para të Lidhjes por edhe qëndrimet politike e deri te shtrirja e stukturave organizative. Në Kuvendin e Gjirokastrës, do të hidhej nga atdhetari Avdyl Frashëri e do të përpunohej e gjente shtrije e përkrahje të gjerë edhe programi politik i Lidhjes. Ky program u miratua më pas mga Kuvendi Dibrës si dhe Lidhja e Gëgërisë dhe ju dërgua Portës së Lartë. Në zbatim të kërkesave të këtij programi luftëtarët e prijësat lebër do të luftonin që nga Preveza, Janina, Kalaja e Lëkurësit (Sarandë) e deri në Plavë-Guci, në mbrojtje të viseve jugore por edhe veriore të trojeve arbërore (1878-1881).

Shpirti dhe përkushtimi atdhetar lab u shpreh në një shkallë edhe më të lartë në prag e gjatë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntror 1912. Plaku i mënçur e atdhetar lab, Ismail Qemali, në mirëkuptim me bashkëluftëtarët më të afërt nga gjithë viset shqiptare, në ato zhvilllime të turbullta brenda vendit dhe tepër të rrezikshme me nisjen e Luftës së Parë Ballkanike, strehën e vet për aktin e lartë mëmëdhetar e gjeti në njërën nga kryeqëndrat e Labërisë, në Vlorë që tashmë, duan apo nuk duan disa, është njësuar me flamurin kombëtar. Dhe ata, "çobanët", ditën jo thjesht t'i dalin në krah bashkëkrahinarit të madh Ismail Qemali në misionin e tij fisnik atdhetar por edhe ta mbrojnë atë dhe aktin e tij me jetët e tyre. Ndokush edhe e ka përfolur këtë akt sidomos parë nga territori ku ushtroi veprimtarinë e vet Qeveria e Ismali Qemalit. Por se çfarë vlere kishte ky akt për Shqipërinë e kombin shqiptar, si gurë themeli për ardhmërinë e tyre, mund ta kuptojnë vetëm ata që kanë shpirt atdhetari e jo mercenari.

Moment kulmor e që shpreh në mënyrë shumë të përqëndruar shpirtin atdhetar e jo prej "jeniçeri" të lebërve, nga ku buron edhe vlerësimi nolian i cituar më lartë për Labërinë, në të mirë të Atdheut të përbashkët, të Shqipërisë, është Lufta e Vlorës në vitin 1920. Sërish apo më saktë ata, lebërit, "çobanët" apo "jeniçerët", që i quan me përbuzje ndokush, pikërisht kur ardhmëria e adheut dhe e popullit ishte sërish në rrezik, morën kurajon dhe rrokën armët për të luftuar "me një mbret dyzet milionë". Shprehim një të vërtetë kur themi se Labria e krahinat përreth mbajtën peshën kryesore në Lufën e Vlorës, më 1920. Se çfarë do të thoshte kjo luftë për Shqipërinë e vogël në atë kohë dhe fitorja në të, kush e vë në dyshim, le të hapë analet historike të diplomacisë. Në to do të gjejë aktin e marrëveshjes së fshehtë Titoni-Venizellos (përkatësisht ministra të jashtëm të Italisë e Greqisë), të vitit 1919. Sipas kësaj marrëveshjeje Greqia merrte të ashturqaujturin por edhe shumë të ëndërruarin, edhe në ditët e sotme, "Vorio-Epir". Thënë ndryshe, pjesën më të madhe të trevës së Labërisë por përfshi edhe Korçën e Pogradecin. Dhe pjesën tjetër të Labërisë, jo se e mëshironin, por Vlorën me rrethina, në shkëmbim, Greqia ja linte Italisë, së cilës i njihej edhe kujdestaria mbi shtetin e cunguar shqiptar, si hap i parë i aneksimit (aneksim që e realizoi më 12 Prill 1939, kur mercenarët i dorëzuan kurorën mbretit xhuxh italian). E pra ata "çobanët" e pa shkollë apo "jeniçerët" labë dhe atdhetarë deri në palcë, i thirri ndërgjegja kombëtare, u vetorganizuan, krijuan komisione, shtabe, komanda dhe ushtri vullnetare. Në udhëheqjen e Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, Duro Shasko apo të prijësave popullorë Selam Musai, Sali Vranishti, Kanan Maze, Ahmet Lepenica etj, duke hedhur gunat mbi tela, këtë simbol të çobanërisë, me ndihmesën e gjithë popullit shqiptar, e gremisën ushtrinë italiane në det. Por, bashkë me ushtrinë, mbytën në det edhe marrëveshjen e mësheftë Titoni-Venizellos. Ranë qindra dëshmorë në fushbeteja, para të cilëve jemi përulur e përulemi me nderim të veçantë.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Labëria në këtë luftë përbëjnë një epope të vërtetë për të cilën mund të krenohen jo vetëm lebërit por edhe më gjerë. Labëria, kjo vatër e atdhetarizmit shqiptar, nuk mund të rrinte duarkryq as në Luftën e Dytë Botërore, kur vendi u pushtua nga fashizmi italian e më pas nga nazizmi gjerman. Lebërit nuk u ngritën në luftë nën ndikimin e ndonjë politike apo ideologjie, qoftë kjo edhe komuniste, sikurse shkruan ndonjë gazetar apo esseist si Maks Velo. Jo. Ata, besnikë në idealet dhe veprën atdhetare të të parëve të tyre, u ngritën në luftë kundër pushtuesit të huaj, fashist apo nazist qoftë ky. Natyrisht dikush edhe i priu apo i udhëhoqi në shkallë kombëtare, sepse ishte një luftë e përbashkët e gjithë popullit. Brenda trevës së vet, në krye të formacioneve luftarake, dolën nga bijtë e bijat labe më të afta e më besnikë antifashistë në luftën pa kompromis si Abaz Shehu, mustafa Matohidi, Shefqet Peçi, Jaho Gjoliku, Hysni Kapo, Tahir Kadare etj. Në shkallë vendi, si organizëm që bashkonte pa dallim feje, krahine dhe ideje, ishte Fronti Nacional Çlirimtar. Nuk është përgjegjësia e Labërisë se në krye të këtij Fronti, si forcë politike, u vu PKSH, që ndokush bën edhe etiketime të krahinës apo lidhjen me sistemin që u vendos pas luftës. Komunizmi, grupet apo vet PKSH, si ideologji, nuk lindën në Labëri. Komunizmi lindi në Evropën Perëndimore ndërsa grupet komuniste dhe PKSH lindën në qytete të Shqipërisë, tepër larg Labërisë. Natyrisht, pavarësisht se si u zhvilluan ngjarjet më pas, ato lindën si një alternativë në një botë të zymtë. Gjithsesi ajo që dinin dhe ndjenin në shpinë e në shpirtrat e tyre lebërit ishte pushtimi fashist, rrëzimi apo përdhosja e flamurit kombëtar për të cilin kishin derdhur gjak. Kjo dhe pikërisht kjo, ashtu si më 1912-1914, 1920 dhe jo politika, i ngriti ata në luftën atifashiste sikurse edhe u emërtua me shumë të drejtë në përmasa botërore.

Këtë radhë, në LANÇ, krahina e Labërisë u organizua ushtarakisht e administrativisht në një formacion të caktuar, sikurse ishte Z10p. Në krye të komandës së zonës kishte edhe komunistë, sikurse ishte komisari Bedri Spahiu, por kishte më shumë atdhetarë të flaktë, me veprimatri atdhetare që nga Lufta e Vlorës apo edhe vet fillimet e LANÇ e ndonjeri edhe më herët, të pa lidhur me asnjë parti apo organizatë politike, pra nacionalistë, por që u vunë në krah të asaj force politike që luftonte pa kompromis pushtuesin. Mund të përmendim komandantin Islam Radovicka, anëtarët e shtabit: Hasan Pulo, Baba Fejzo Xhindole (klerik), Rexhep Plaku, Nuredin Aliu, Hariz Velo, Jaho Gjoliku, Faslli Jaho etj. Pra nga 11 anëtarë vetëm 4 veta ishin anëtarë të PKSH. Në se PKSH ishte e vetmja forcë politike që i bëri thirrje popullit për luftë dhe nuk e ndau fjalën nga vepra, kjo nuk është as meritë e as përgjegjësi e Labërisë apo e labërve. Kjo, kush kërkon ta dijë, le të hedhë vështrimin, në radhë të parë, te ata intelektualë apo edhe nacionalistë bashkëkohës që nuk luajtën rolin e tyre atdhetar në një moment kyç sikurse ishte kjo luftë për të dalë në krye të popullit, në luftën çlirimtare. Në të kundërt ata, mbajnë përgjegjësinë e madhe morale para popullit se në vend që të viheshin në drejtimin e kryengritjes së armatosur popullore antifashiste, u bënë vegla të pushtuesve deri në kundërshitmin e luftës së armatosur.

Nuk mund të mohosh apo denigrosh LANÇ apo edhe Labërinë si pjesmarrëse aktive në të vetëm se atë e udhëhoqi PKSH. Kjo nuk ishte dhe nuk mbeti një dukuri thjesht shqiptare. Ajo luftë, ku Labëria, fillimsiht nëpërmjet çetave e batalioneve partizane dhe të ndonjë formacioni nacionalist nga më të parat e më të shquarat në shkallë vendi e më pas kryesisht nëpërmjet Zonës së Parë Operative, luajti rol të rëndësishëm e të pamohueshëm që na bën të krenohemi, ka meritën e padiskutueshme se e lidhi atë luftë me Aleancën e Madhe Antifashiste Botërore me në krye Birtaninë e Madhe, BRSS dhe SHBA. Edhe në Z1op gjatë gjithë kohës ishte një përfaqësues aleat, majori anglez Tilman. Në se Shqëipëria do të kishte mbetur në krahë të boshtit Berlin-Romë-Tokio, sikurse vepruan me ndërgjegje apo u gënjyen jo pakë nacionalistë e formacione të rye politke e ushtarake (për aq sa ishin), atëhere përfundimi i luftës do të kishte shënuar edhe fshirjen e Shqipërisë nga harta e shteteve ballkanike në dobi të gjithmonë të interesuarve në coptimin e trojeve shqiptare, të sërbeve dhe grekërve, që tashmë ishin të lidhur gjithashtu, si edhe neve, me aletatët e mëdhenj. Pra LANÇ, ku Labëria dha ndihmesën e saj të shquar, garantoi edhe njëherë e tashmë përfundimisht kufijtë shtetëror të vitit 1913 të shtetit shqiptar. Dëshmi më të drejtëpërdrejtë për këtë përbën Konferenca e paqes e Parisit më 1946 ku u vendos edhe për ndarjet territoriale. Vetëm fakti se Shqipëria, nëpërmjet LANÇ ishte pjesmarrëse e Bllokut Antifashist Botëror, bëri që të bien poshtë rivendikimet e përfaqësuesve më të lartë të qeverisë greke për viset jigore të Shqipërisë. Dhe në se nuk do të ishte LANÇ kërkesa e Greqisë për të aneksuar "Vorio Epirin" do të ishte marrë parasyshë dhe pastaj do të vijonte loja e "dominove" me pjesët e tjera të kufijve, dhe Sërbia ishte e gatshme për të marrë Shqipërinë e veriut e deri në Shkumbin. E këtu sërish Labëria e lebërit kanë meritën e vet.

Natyrisht, një detyrë të tillë atdhetare ndaj vendit të vet, sikurse e kryen lebërit në këtë luftë, krahas gjithë luftëtarëve të tjerë antifashistë, nuk mund ta bënin "jeniçerët" apo ata që bashkëpunuan me fashizmin. Edhe studjues të huaj seriozë pranojnë këto të vërteta. Amerikani Berndt Fisher, në librin e tij "Shqipëria gjatë luftës 1939-1945, thekson qartazi se " SOE-ja, e përfaqësuar nga Lord Heatcourd, deklaroi zyrtarisht atë që që qysh prej kohësh kishte qënë e qartë se LNÇ përbënte të vetmen forcë që luftonte.gjermanët në Shqipëri" (botim shqip, Tiranë, 2000, f 296). Dihet shprehja e Reginald Hibbert, oficerit anglez që qëndroi gati një vit pranë shtabeve tona ushtarake për ndihmë, se "po të kisha qënë shqiptar, unë do të kisha dalë partizan" por njëherazi edhe bindja e tij thënë një partizani të thjeshtë: "Partizanët ishin të vetmit që ja vlente t'i mbështesje" ("Fitore e hidhur", botim shqip, Tiranë 1993, f 372). Dhe në këtë luftë u vranë shumë bij e bija të Labërisë që nga Konispoli, Korça, Tirana, Tropoja, Shkodra, Kosova e deri në Vishegrad të ish Jugosllavisë. Një detaj jo me pak kuptim: nga 5 femra të varura në litar nga nazistët gjermanë (këta kalimtarë-sikurse i quan ndokush!) gjatë gjithë L2B vetëm një ishte ruse (Zoja Kosmodejanskaja në betejën e Moskës) dhe, katër të tjerat ishin vajza shqiptare prej të cilave tre ishin vajza labe, Heroinat e Popullit Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima dhe Fato Berberi. Për gjithë këto lebërit ndjehen krenarë.

Dhe së fundi, bij të Labërisë, të ndërgjegjëshëm për çështjen kombëtare, ishin pjesmarrës vullnetarë edhe në radhët e UÇK-së gjatë luftimeve në Kosovë në fundshekullin e kaluar. Madje djali nga Labëria, Shpëtim Golemi, arriti deri në detyrën e lartë të zëvëndës shefit të Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së. Në gjithë këtë rrugë luftarake të Labërisë, si pjesë e popullit shqiptar, shumë bij e bija labe kanë dhënë jetën për liri e pavarësi. Madje në pjesën dërrmuese ata kanë dhënë jetën kryeisht jasht vendlindjes apo krahinës së tyre për çlirimin apo mbrojtjen e viseve arbërore edhe në skajet më të largëta të tyre. Dhe kjo përbën një vlerë tjetër shumë të artë atdhetare të lebërve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora