E premte, 26.04.2024, 02:15 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ndrekë Gjini: Rivrasja e Azem Hajdarit (II)

E enjte, 29.01.2009, 01:03 AM


Ndrekë Gjini

RIVRASJA E AZEM  HAJDARIT

(Gjyqi)

Përpjekjet për manipulimin e hetimit, përgjegjësia e prokurorëve

Një pikë shumë e rëndësishme e hetimit të vrasjes së Hajdarit  ndoshta po aq kriminale sa vrasja për specialistët është edhe  manipulimi i vrasjes, i realizuar në dy drejtime kryesore. Zhdukja e  provave dhe dëshmitarëve, dhe pengimi i paramenduar i hetimit.
Përgjegjësia e minimit të hetimit të vrasjes së Hajdarit fillon pa dyshim që para momentit të vrasjes e deri më sot. Ka prova të mjaftueshme se Ministria e Rendit Publik disa muaj para vrasjes, kishte të dhëna të sakta se po përgatitej vrasja e deputetit demokrat. Vetë ish-ministri i Rendit, Perikli Teta, ka pranuar publikisht se kishte paralajmëruar Azemin të ruhej se ndaj tij po përgatitej një atentat. Mirëpo Teta dhe ministria e tij jo vetëm që nuk mori masa mbrojtëse të detyruar me ligj për kryetarin e komisionit parlamentar të Mbrojtjes, por ende nuk ka bërë publike emrat e njerëzve që sipas tij kishin planifikuar të vrisnin Hajdarin. Nuk e di në Teta është pyetur në Prokurori apo Gjykatë për këtë problem, por gjithësesi kjo është një pikë shumë e vlefshme për  hetimin e çështjes. Teta ka deklaruar se përpara se ai të vihej në dijeni i pari për vrasjen si ministër i Rendit, persona ende të papërcaktuar zyrtarisht nga Prokuroria që dyshohen të jenë pjesëmarrës në vrasje kishin lajmëruar ish-kryeministrin Fatos Nano. Kjo gjë, sipas Tetës, është bërë vetëm pak sekonda pas vrasjes, gjë që sipas specialistëve bëhet fjalë për një veprim të paralajmëruar dhe një telefonatë që pritej nga ana e ish-kryeministrit.             
Mosarrestimi dhe në mënyrë të veçantë mosfillimi i menjëhershëm i  hetimit, arrestimit të ekzekutorëve të identifikuar menjëherë pas vrasjes, u shoqërua edhe me ????????????të Azemit e kishte vënë këtë dëshmi me vlera në dispozicion të Prokurorisë, e cila jo vetëm që nuk e përdori për  hetime, por e dekonspiroi atë publikisht në një të përjavshme proqeveritare, revistën “Klan”. Dekonspirimi publik i provave dhe dëshmive nga ana e Prokurorisë, përbën natyrisht një krim, por në rastin konkret kur pasojat e dekonspirimit ishin tejet të rënda krimi i kalon përmasat e zakonshme dhjetra herë.    
Eleminimi i ekzekutorëve është një nga qëllimet kryesisht të realizuar që synoi të zhdukte fizikisht dëshmitarët të lidhjeve të  ekzekutorëve me organizatorët apo urdhëruesit politikë të vrasjes. Po të shikosh emrat e njerëzve të vrarë nga listat e të akuzuarve për  këtë çështje mungojnë njerëz të njohur për lidhje me politikën si  Fatmir Haklaj, që njihej si njeri më me influencë i këtij grupi, Feriz Kërnaja, miku i burgut i Fatos Nanos, si dhe nipi i Gjinushit që vdiq në rrethana të dyshimta në një spital në Itali, ndërkohë që edhe  Fatmir Meta u plagos gjatë një atentati ndaj tij në Tiranë dhe Jaho Salihi u ka shpëtuar disa herë përpjekjeve për ta vrarë. Dëshmitarë të deklaruar të kësaj çështje janë vrarë ose janë tentuar të vriten nga njerëz ende të paidentifikur nga Prokuroria apo Policia. Kështu Jonuz Hyka ish-drejtori i Policisë së Kukësit në momentin e vrasjes së Hajdarit u vra në banesën e  tij në Tropojë, pasi kishte depozituar në Ministrinë e Rendit të drejtuar nga Petro Koçi, prova dhe fakte që vërtetonin se vrasësit e Azemit ishin ata që thoshte opozita. Dosja me dëshmitë e tij u zhduk nga Ministria e Rendit. Ndërkohë Sali Lusha, i deklaruar si dëshmitar i vrasjes  pranë selisë së PD-së, është tentuar disa herë të eleminohet fizikisht dhe mbahet në burg nën dhunën e presionin policor pa  asnjë provë.       
Një përgjegjësi të madhe që nesër me ndryshimin e raporteve politike, normalizimit të shtetit dhe institucioneve antikrim mund të kthehet një çështje penale kundër “të pestëve” që morën përsipër manipulimin e hetimit. Shmangie me qëllim e drejtimit të hetimit, përjashtim po me qëllim nga hetimi të organizatorëve politikë të vrasjes, fshehje e dëshmive dhe provave, janë disa prej veprave penale që kanë konsumuar dhe vazhdojnë të konsumojnë   prokurorët e çështjes “Hajdari”.        
Mënyra se si ata po e trajtojnë çështjen si dhe detaje të tjera të rëndësishme të hetimit, janë cilësuar nga kolegët e tyre juristë jo si gafa, por si veprime të qëllimshme të planifikuar e me prapavijë të qartë politike, që synojnë mbrojtjen e vrasësve politikë të deputetit të opozitës. 
Krimi ndaj Azemit duket se vazhdon edhe tani, më shumë se dy vjet mbas vrasjes. Mbrojtja e vrasësve është padyshim një krim po aq i rëndë sa edhe vrasja. Dihet që krimi shtetëror e politik po lindi, vazhdon në një sistem zinxhir që jeton aq sa jeton ajo politikë që e krijoi, drejton e stimulon atë. Organizatorët e vrasjes së Azemit, fatkeqësisht, janë të gjallë dhe me pushtet. Ata nesër mund të mendojnë të ikin dhe për këtë do të përpiqen, por krim pa ndëshkim nuk ka. Më fatkeqë duket se janë ata zyrtarë që kanë marrë përsipër mbulimin e krimit dhe mbrojtjen e autorëve. Nesër,  nuk besoj të kenë mundësi të thonë kaq mundësi patëm, tashmë  përgjegjësitë mbi krimin janë marrë, fatkeqë janë ata që iu bashkëngjitën listës së të implikuarve në të, qoftë edhe për të mbajtur një vend pune, apo për pak miliona më shumë...

Çfarë (nuk) dëshmuan vëllezërit Haxhia para prokurorëve

Ja si i mbrojti PS-ja vrasësit e Azemit

Letrat dhe dëshmitë e vëllezërve Haxhia janë përdorur nga shtypi i klanit qeveritar dhe ai i PS-së, (pra gazeta ZP) si “prova” të forta për të akuzuar kryetarin e PD-së, Sali Berisha, si të implikuar në këtë çështje, ndërkohë që organi i prokurorisë kishte prova të plota për të kundërtën

Ismet dhe Isamedin Haxhia, që janë dy prej të akuzuarve nga Prokuroria si bashkëpunëtorë në vrasjen e deputetit Azem Hajdari, janë marrë në mbrojtje për më shumë se dy vjet pas kryerjes së këtij krimi nga strukturat më të larta të PS dhe gazeta e kësaj partie. Madje letrat dhe dëshmitë e vëllezërve Haxhia, janë përdorur nga shtypi i klanit qeveritar dhe ai i PS-së, (pra gazeta ZP) si “prova” të forta për të akuzuar kryetarin e PD-së Sali Berisha si të implikuar në këtë çështje, ndërkohë që organi i prokurorisë kishte prova të plota për të kundërtën. Krerët e prokurorisë pasi shitën tek vrasësit e Azemit provat dhe dëshmitë që u kishte vënë në dispozicion PD dhe kryetari Berisha (përmes Ambasadës së SHBA) nisën aksionin për eleminimin e disa prej vrasësve duke (keq)përdorur disa prej bashkëpunëtorëve në këtë vrasje. Pas botimit në revistën “Klan” të dëshmive dhe fakteve të servirura nga PD mbi vrasjen e deputetit Azem Hajdari, sipas një burimi brenda grupit të prokurorëve, vëllezërit Haxhia janë thirrur nga kryetari i SHIK, Fatos Klosi, dhe ai i PS-së, Fatos Nano, dhe u është servirur një letër e gatshme që duhej ta botonin në shtyp për të mbrojtur veten duke akuzuar PD-në dhe Sali Berishën për këtë vrasje.
Mirëpo tani që ka kaluar mëse një vit e gjysëm nga kjo histori dhe ka nisur procesi farsë i gjykimit të vrasësve të Azem Hajdarit e vëllezërit Ismet dhe Isamedin Haxhia gjenden në bangën e të akuzuarve para gjykatës si bashkëpunëtorë në vrasjen e liderit të Dhjetorit 1990, ata ndjehen të (keq) përdorur, të shitur dhe natyrshëm revoltohen në sallën e gjyqit, shton ky burim.

Kush dhe pse ua hapën dyert e shtypit vëllezërve Haxhia
 
Sipas akt-akuzës së ngritur nga Prokuroria, të lexuar nga kryetari i grupit të prokurorëve të kësaj çështje, Haxhi Giu, më 3 prill 2001 para Gjykatës së Faktit Tiranë, vëllezërit Haxhia janë  cilësuar bashkëpunëtorë në vrasjen e Azem Hajdarit. Madje dy prej tyre Ismeti dhe Isamedini janë vënë nën pranga nën këtë akuzë të rëndë që me 15 janar të këtij viti. Mirëpo, të dy këto të arrestuar kanë reaguar shumë ashpër ditën e parë të gjyqit sapo në sallë janë shfaqur prokurorët e kësaj çështje. Ismeti dhe Isamedini janë ngritur në këmbë dhe me të bërtitura me zë të lartë duke drejtuar gishtin mbi prokurorët, kanë deklaruar se “ju me Agim Tiranën i keni liruar vrasësit e Azemit dhe më pas i keni vrarë. Ne na keni përdorur si kokë turku. Ju do të përgjigjeni për këtë” etj.
Po krejt ndryshe nga akt-akuza e lexuar nga prokurori Haxhi Giu, shkruan gazeta e PS-së për këtë çështje. Në faqen e parë të ZP-së më datë 16 dhjetor 1999 shkruhet me shkronja të mëdha “3 orë rresht dëshmi dhe akuzë e dy vëllezërve Haxhiaj para prokurorëve” shoqëruar me një nëntitull spekulativ, “Ismet dhe Isamedin Haxhiaj: Ja ç’dimë ne për vrasjen e Hajdarit dhe Berishën”.
Në faqet e kësaj gazete ribotohen pothuajse të plota “faktet” e servirura në letrat e botuara në shtyp nga të dy vëllezërit  Haxhia. Mbështetja që mediat e klanit qeveritar dhe kjo gazetë u japin këtyre dy vëllezërve nuk përfundon me kaq. Me 12 shkurt 2000 gazeta e PS shkruan sërish në faqen e parë të saj “Berisha nën akuzë. Gjykata gati procesi” duke i vënë si nëntitull, “Kryetari i PD-së do të përballet me akuzën e shpifjes mbi vëllezërit Haxhia lidhur me vrasjen e Azem Hajdarit”. Në këtë shkrim thuhet se në Gjykatën e Tiranës është hapur çështja penale në ngarkim të Sali Berishës, i cili do të duhet të përgjigjet  për akuzën e shpifjes. Në këtë shkrim të “ZP”-së thuhet se Berisha është paditur në gjykatë nga Ismet dhe Isamedin Haxhia për shpifje ndaj tyre lidhur me çështjen e vrasjes së deputetit të PD-së Azem Hajdari. Tani, pas më se një viti nga këto deklarata e publikime të bujshme dosja e çështjes “Hajdari ka shkuar në gjykatë. Në bangën e të pandehurit janë ulur të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Azem Hajdarit të dy vëllezërit Haxhia të cilët me ndihmën e pakursyer të PS dhe policisë sekrete u rreken të krijojnë alibi të ndryshme për të fshehur këtë krim politik, deklarojnë burime pranë gjykatës për këtë çështje. Gjithësesi nuk dihet në se këto dy të arrestuar, dhe ish-shefi i Komisariatit të  Policisë Tropojë, Fatmir Meta, si të vetmit njerëz nën pranga për këtë vrasje, do të kenë kurajon të tregojnë me gisht urdhëruesit dhe ekzekutorët e vërtetë të këtij krimi politik, apo do të pranojnë të deklarojnë versionin e servirur  nga prokurorët dhe eprorët e tjerë për këtë vrasje. (Kuptohet kjo kundrejt ndonjë falje apo zbutje dënimi për ato çka këto të arrestuar kanë bërë.

Ja pse nuk do të thirren si dëshmitarë ato që urdhëruan botimin e fakteve të dosjes “Hajdari”

Një burim nga grupi i prokurorëve të kësaj çështje bën të ditur se në këtë proces nuk do të thirren për t’u pyetur asnjë prej drejtuesve të shtypit dhe mediave që kanë botuar provat dhe faktet e dosjes “Hajdari” dhe ata që kanë marrë haptazi në mbrojtje vëllezërit Haxhia, që sot janë të ulur në bangën e të pandehurve nën akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e deputetit Azem Hajdari. E kjo përbën një provë tjetër të fshehjes së të vërtetës rreth kësaj vrasje. Ose e thënë ndryshe ky proces është katandisur në një gjëndje të tillë sa mund të thuhet me plot gojën se nuk është procesi i zbardhjes së vrasjes së deputetit Azem Hajdari, por procesi i fshehjes së detyruar të urdhëruesve dhe ekzekutorëve të vërtetë të kësaj vrasje politike që është quajtur si vrasja e shekullit.

Ja si u (keq)përdor babai i Haklajve nga krerët e PS-së, që urdhëruan vrasjen e Azemit

Pse mungojnë dëshmitë e Muharrem Haklajt në dosjen  e çështjes “Hajdari”

Në dosjen e çështjes “Hajdari” jo rastësisht mungojnë dëshmitë e Muharrem Haklajt, i cili është i ati i dy të akuzuarve kryesorë për vrasjen e Azem Hajdarit. Ai në prononcimet publike që ka bërë në shtyp, ka shprehur versionet e tij rreth kësaj vrasje, duke akuzuar persona konkretë dhe duke shfajësuar djemtë e tij. Madje Muharrem Haklajt disa herë radhazi i  janë hapur faqet e gazetës së PS-së, duke i vënë deklarimet e tij si tituj të mëdhenj në faqen e parë

Sipas akt-akuzës së ngritur nga Prokuroria, mbi deputetin e PD-së, Azem Hajdari, kanë qëlluar natën e 12 Shtatorit 1998 Jaho Salihi, Fatmir Haklaj dhe Halil Haklaj. Këto fakte u bënë publike në mënyrë zyrtare më datë 3 Prill 2001, në sallën e gjyqit të këtij procesi, përmes kryetarit të grupit të prokurorëve që kanë hetuar mbi dosjen “Hajdari”
Tani, dosja e kësaj çështje ka shkuar në gjykatë dhe seanca e parë e këtij gjyqi shpalosi akt-akuzën për autorët e krimit, duke anashkaluar qëllimisht motivet dhe urdhëruesit e këtij krimi politik. Prokurori Haxhi Giu në akt-akuzën që lexoi para gjyqtarëve, i kërkoi trupit gjykues pushimin e çështjes për ata persona, të cilët akuzohen si vrasës direkt të deputetit Azem Hajdari, por që nuk jetojnë më pasi janë vrarë. Pra, Fatmir Haklaj dhe Halil Haklaj nuk do të gjykohen në këtë proces. Kjo gjë parashikohet nga ligji. Por ajo çka duhet të kërkonte prokurori, do të ishte thirrja me cilësinë e dëshmitarit e të atit të këtyre dy të akuzuarve, të cilët nuk jetojnë më, thotë njëri prej avokatëve të këtij. Kjo, pasi Muharrem Haklaj, i ati i dy të akuzuarve kryesorë për vrasjen e Azem Hajdarit në prononcimet publike që ka bërë në shtyp, ka shprehur versionet e tij rreth kësaj vrasje duke akuzuar persona konkretë dhe duke shfajësuar djemtë e tij. Madje Muharrem Haklaj disa herë radhazi ka hapur faqet e gazetës së PS-së, duke i vënë deklarimet e tij si tituj të mëdhenj në faqen e parë. Por, pavarësisht këtyre deklarimeve të Muharrem Haklajt në gazetën e PS, ai nuk është pyetur asnjëherë nga prokurorët e kësaj çështje rreth atyre gjërave që ai di rreth kësaj vrasje. Madje burime pranë gjykatës së Faktit Tiranë bëjnë të ditur se emri i Muharrem Haklajt nuk figuron as në listën e dëshmitarëve që do të pyeten në gjykatë për këtë çështje. Kjo gjë flet më së miri për rolin dhe kontributin e gazetës së PS-së për fshehjen e gjurmëve të krimit, krijimit të versioneve e alibive krejt të paqëna rreth kësaj vrasje politike. Këtë gjë e dëshmojnë shkrimet e gazetës “ZP” dhe intervistat pa autor që i janë botuar në këtë gazetë Muharrem Haklajt. Më datë 19 Prill 2001, pra vetëm një vit para se Prokuroria të dërgonte në gjykatë dosjen e çështjes “Hajdari”, gazeta “ZP” hapet me një titull të madh: “Kush vret në PD? Po Azemi?, Berisha horror në partinë e tij”, shoqëruar nga një mbititull sensacional, “Pas 584 ditësh nga vrasja e Azem Hajdarit, dëshmi “bombë” e plakut të Haklajve mbi vrasjen e deputetit demokrat”. Dhe këto sensacione pasohen nga një nëntitull po kaq diversiv në të cilin thuhet: “Muharrem Haklaj: Të akuzoj ty Sali Berisha, se ti e vrave Azem Hajdarin”. Këto gjëra janë botuar në gazetën e partisë në pushtet me qëllimin e vetëm për të fshehur gjurmët e krimit politik. Kjo, pasi gazeta “ZP” edhe një ditë më pas po me titull të madh reklamon si “prova” të forta të implikimit të kryetarit të PD-së në këtë çështje thëniet e babait të dy djemve, të cilët janë akuzuar nga Prokuroria si vrasës direktë të deputetit Azem Hajdari, duke shtuar se Muharrem Haklaj do të pyetet nga prokurorët e kësaj çështje mbi gjithçka di për këtë vrasje. Mirëpo nuk dihet se me urdhër të kujt u bllokua pyetja si dëshmitar i Muharrem Haklajt. Këtë gjë madje e deklaron vetë gazeta e PS-së disa ditë më vonë, kur thotë se plaku i Haklajve nuk vjen të dëshmojë në Prokurori. Pra, intervista me të dhe deklarimet e tij vetëm sa u përdorën nga kjo gazetë dhe disa organe të tjera të klanit qeveritar, për të fshehur të vërtetën rreth kësaj vrasje dhe vetëm kaq.
Ndaj natyrshëm, pas gjithë kësaj historie gjithkush pyet se kush dhe pse u penguan prokurorët për të thirrur Muharrem Haklajn si dëshmitar në këtë proces. Pse gazeta e PS-së e përdori intervistën e tij si “provë” për të akuzuar persona që nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen? Kush i porositi dhe urdhëroi këto botime dhe pse asnjë palë në këtë proces nuk kërkoi thirrjen si dëshmitar  të Muharrem Haklajt? Pa u hetuar seriozisht dhe me paanësi mbi këto pista nuk mund të flitet për një hetim profesional e të plotë të kësaj dosje. Burime pranë gjykatës bëjnë të ditur se tani që Muharrem Haklajt i janë vrarë tre djem, organet e hetimit dhe ato të gjykimit kanë frikë nga dëshmitë e tij. Kjo, pasi e dinë se ai mund të tregojë shumë të vërteta rreth zyrtarëve më të lartë të qeverisjes aktuale që i kanë urdhëruar djemtë e tij dhe personat e tjerë me grada në policinë e Tropojës për të kryer këtë krim politik. Frika ndaj deklarimeve të plakut të Haklajve është dëshmia më kokëfortë e asaj që Prokuroria nuk ka tentuar në asnjë rast zbardhjen e së vërtetës rreth vrasjes së deputetit Azem Hajdari, por zhdukjen e provave të kësaj vrasje dhe fshehjen e dëshmive të atyre personave, të cilët pasi janë (keq)përdorur nga urdhëruesit e këtij krimi politik, tani të zhgënjyer mund të deklarojnë në sallën e gjyqit emra pushtetarësh të lartë si urdhërdhënës direkt të vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Gjithësesi, përgjegjësi penale për fshehjen  me dashje të këtij krimi dhe mbrojtje publike të autorëve të krimit duhet të mbajnë të gjithë ata që porositën, urdhëruan dhe botuan shkrime, që kishin si qëllim fshehjen e së vërtetës rreth vrasjes së kryer më 12 Shtator 1998 para selisë së PD-së.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora