E shtune, 27.04.2024, 01:50 AM (GMT+1)

Speciale

Enver Bytyçi: Presidenti Rugova dhe kthesa e lidhjeve Prishtinë - Tiranë

E marte, 27.01.2009, 12:00 AM


Enver Bytyçi, Analist
Në përkujtim të tre vjetorit të vdekjes (pesa e VI)

Presidenti Rugova dhe kthesa e lidhjeve Prishtinë - Tiranë

Vizioni e liderit historik, Ibrahim Rugova dhe partneriteti i Tij me Tiranën zyrtare ishte krejt i ndryshëm nga zhvillimi i lidhjeve shqiptaro-shqiptare të mëparshme. Ai u kishte dhënë një frymëmarrje të re këtyre lidhjeve, i kishte shndërruar ato në një forcë të pazevendësueshme për zgjidhjen e problemit shqiptar të Kosovës. Ai kishte ditur gjithashtu të imponohej, të refuzonte dhe të ishte faktor i pakundëshrtueshëm e kryesor përballë politikës së Shqipërisë.

Nga Enver Bytyçi

1. Vizion i ri për rolin e Shqipërisë në Kosovë

Në historinë e shekullit të XX, gjatë kohës kur shqiptarët ishin detyruar të jetonin të ndarë e të izoluar prej njëri-tjetrit, ata i kishin mbajtur shpesh sytë nga ajo pjesë e vendit, të cilin e quanin "Vendi amë", Shqipëria Londineze. Ngjarjet dhe rrjedhat e tyre shpesh herë nuk kishin lënë shijen e mirë gjatë ushtrimit të këtyre raporteve. E megjithatë veprimtarët shqiptarë të Kosovës të çdo kohe ishin përpjekur të mbanin lidhjet morale, shpirtërore e sa ishte e mundur organizative e fizike me shtetin e Tiranës, duke i dhënë Shqipërisë Londineze emërtimin e shumëpërdorur "Nana Shqipni". Ndoshta periudha e komunizmit ishte një prej kohëve, të cilën më së shumti e kishte karakterizuar ky lloj sentimenti. Ndaj shumë shqiptarë e shihnin diktatorin shqiptar, Enver Hoxha, si personifikim të çeshtjes nacionale. Një pjesë e madhe prej tyre vazhdojnë ende dhe sot të besojnë demagogjinë e ttij nacionaliste.
Ibrahim Rugova ishte ndër të parët që kishte bërë hapin e domozdoshëm për t'u ndarë nga kjo dogmë utopike. Ai nuk u konfrontua asnjëherë publikisht me diktaturën komuniste në Shqipëri, por as kishte dhënë ndonjë shenjë nderimi e respekti ndaj saj. Kur në dimrin e vitit 1991 kishte viziituar Shqipërinë Ai ishte takuar me Ramiz Alinë, kishte biseduar miqësisht me të, por edhe kishte refuzuar të përulej te varri i diktatorit Enver Hoxha, duke dhënë kështu mesazhin e qartë të mospajtimit me politikën e tij nacionale. Ish-shefi i Rugovës në Institutin Albanologjik, përkundrazi, kishte shkuar atë kohë në Tiranë dhe kishte bërë të kundërtën e Rugovës, ishte përulur me respekt para diktatorit më të egër të vendeve të Lindjes, pas Stalinit.
Qëndrimi ndaj diktatorit shqiptar shërbente si vijë e ndarjes më shumë të shqiptarët në Kosovë sesa te ata në Shqipëri. Diktatori, edhe i vdekur, kishte mundur të përçajë kombin shqiptar në ideologji e sentimete të ndryshme, deri anatagoniste e të papajtueshme. Aio edhe në varr po bënte shërbimet e veta antinacionale. Madje, ende sot një pjesë e politikës në Prishtinë është në dilemë: Me Enver Hoxhën apo pa Enver Hoxhën, me diktatorin që kishte manipuluar shqiptarët apo me NATO-n, e cila çliroi Kosovën. Kjo dilemë shfaqet te disa edhe si hakmarrje për qëndrimin antienverist të Rugovës, zaten me moton e injorancës, "Çka ka bërë Rugova, edhe nëse është e mirë, nuk e pranoj, e refuzoj dhe e baraktisi". Për inat të Rugovës dhe për nder të diktatorit injorantët vazhdojnë t'i bëjnë shërbime Serbisë. 
Kjo lloj ideologji ishte kundërshtuar në një farë mënyre që në vitin 1980, kur Isuf Gërvalla i shkruante diktatorit shqiptar një letër dhe i bënte vërejtjen se "Kosova nuk mund të presë që të çlirohet prej sundimit serb atëherë kur të fitojë revolucioni botëror". Por Ibrahim Rugova ishte personaliteti më i pozicionuar për raportet shqiptaro-shqiptare midis Kosovës dhe Shqiërisë. Së pari, Rugova kishte përpunuar teorinë e progresit në këto marrëdhënie dhe kishte refuzuar bashkëpunimin ideologjik. Kjo ishte një risi në këmbimet midis të dy vendeve. Së dyti, Ibrahim Rugova ishte përpjekur të kanalizonte qëllimet e Tij dhe për to të fitonte përkrahjen e Shqipërisë, pa iu referuar "shembëlltyrës diktatoriale". Por Ai ishte treguar i kujdeshëm edhe kur në Tiranën zyrtare qeverisnin bashkëpunëtorët e Millosheviçit. Ndërkaq për identifikimin dhe realizimin e qëllimeve të Tij nacionale Ai ishte nuk kishte nguruar të "konfrontohej" me forcat demokratike të Tiranës. Së treti, Ibrahim Rugova nuk ishte treguar inferior, as në rolin e "skllavit" në raportet që kishte ndërtuar më Tiranën zyrtare. Ai ishte një partner e ndoshta dhe një këshilltar i pakontestueshëm për të. Ai ishte i vetmi personalitet shqiptar, që i vinte në vështirësi bashkëbiseduesit e të gjitha rrymave dhe ngjyrave që takonte në Tiranë. Askush nuk kishte imponuar e rrezatuar ide, mendime e filozofi politike te politikanët shqiptarë në Tiranë e më gjerë si Ibrahim Rugova. Pra Ai e ktheu rrotacionin e qëndrimit dhe veprimit të politikës së Kosovës ndaj asaj të Tiranës në të kundërtën e vet, çka do të thotë në të mirë të çeshtjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan.

2. 1991 - Shqipëria njeh shtetin e Kosovës
 
Në përgjithësi lidhjet, raportet dhe marrëdhniet e Kosovës e të Shqipërisë gjatë veprimtarisë politike të Rugovës janë zhvilluar në disa etapa. Faza e parë përmbledh atë që përmendëm më lart - kohën e transferimit të pushtetit prej ish-komunistëve te demokratët. Faza e dytë përfshin marrëdhëniet me shtetin shqiptar të qeverisur prej demokratëve të Sali Berishës. Faza e tretë është ajo e qeverisjes së socialistëve pas "revolucionit të vonuar" të vitit 1997 e deri në çlirimin e Kosovs dhe periudha e fundit i përket gjashtë viteve të para të shekullit të ri. Në fazën e parë Ibrahim Rugova kishte mundur të siguronte përpkrahje maksimale për projektin e Tij të një Kosove të pavarur e sovrane. Ai e kishte bindur Ramiz Alinë që ta njihte shtetin e Kosovës si shtet sovran. Dhe Ramiz Alia, duke dashur të konkuronte me programin nacional të opozitës së atëhershme të demokratëve ishte pajtuar me kërkesën e Rugovës. Më 1991 Kuvendi i Shqipërisë kishte votuar një rezolutë, e cila e njihte Kosovën si Republikë të pavarur. Ky ishte njëri prej sukseseve më të mëdha të liderit historik shqiptar në Kosovë. Nëse qeveria shqiptare nuk priret ta politizojë njohjen e shtetit të Kosovës, ajo do të duhet të shënojë në kalendar si datë historike njohjen e vitit 1991, ndërsa pavarësinë e 17 shkurtit 2008 ta shënonte si konfirmim të njohjes së para 17 viteve.

3. Dyshja Rugova - Berisha

Entusiazmi i shqiptarëve në Kosovë dhe personalisht i Ibrahim Rugovës ka qenë mjaft i madh në kohën kur në Tiranë kishin ardhur në pushtet demokratët me në krye Sali Berishën. Në pamje të jashtme dukej gjithçka pa probleme, pa vështirësi, e koordinuar dhe shqiptarët besonin se me këtë lloj politike shpejt do të vinte momenti i çlirimit përfundimtar të Kosovës prej skllavërisë, pushtimit e kolonizimit serb. Rugova shkonte shpesh në Tiranë, takohej e bisedonte me presidentin shqiptar, Berisha, jepte intervista dhe shprehte opcionet e Tij për Kosovën dhe çeshtjen shqiptare në përgjithësi dhe dukej i kënaqur me bashkëpunimin midis Tij e Tiranës zyrtare.
Megjithatë duket se Ai kishte pasur dhe ndonjë mospajtim me politikën zyrtare të atëhershme të demokratëve. Në vitin 1993 presidenti i Kosovës kishte hartuar një projekt për krijimin e një parlamenti panshqiptar, në të cilin do të merrnin pjesë të gjithë deputetët e zgjedhur të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Ky projekt ishte shoqëruar me një propozim për formimin e instrumenteve që do të kërkonin bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Projekti i atëhershëm i Rugovës, i zbuluar më së pari prej studiuesit gjerman, Jens Reuter, kishte synuar realizimin e një vizioni më të madh sesa pavarësia e Kosovës. Por ai projekt ishte kundërshtuar nga Berisha me motivin se "Tirana kishte nënshkruar Dokumentin e Helsinkit dhe se ai dokument nuk lejonte ndryshimin e kufijve ekzistues". Në fakt ato kohë Karta e Helsinkit ishte paralajmërimi i të gjithë diplomatëve europianë për Tiranën zyrtare. Për pasojë projekti i Rugovës kishte dështuar.
Megjithatë të dy udhëheqësit shqiptarë të të dy vendeve kishin vazhduar koordinimin e përpjekjeve të tyre në aspektin e marrëdhënieve me vendet e NATO-s e të BE-së për njohjen e së drejtës së shqiptarëve në Kosovë për shtetformim. Rugova nuk kishte devijuar qoftë dhe një rast të vetëm nga ky projekt. Ai "kishte devijuar" vetëm në rastin e projektit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Berisha, nën presionin e miqve europianë, ishte deklaruar në ndonjë rast për kthimin e autonomisë së vitit 1974. Por kjo nuk kishte qenë pengesë e unifikimit të qëndrimeve midis tyre. Berisha kishte shfrytëzuar të gjitha takimet ndërkombëtare të nivelit të lartë për ta bërë prezent krizën dhe zgjidhjen e saj në Kosovë.
Ndërkohë, të parin mospajtim Rugova dhe Berisha e kishin patur në gjysmën e dytë të vitit 1996, kur presidenti i Shqipërisë i kishte bëë thirrjepresidentit të Kosovës të mbështeste përpjekjet dhe protestat e opozitës serbe në Beograd për rrëzimin e Milosheviçit. Rugova kishte reaguar dhe e kishte refuzuar një opcion të tillë, sepse Ai e konsideronte Kosovën si vend të pavarur nga Serbia. Ndërsa propozimi i Berishës e fuste Rugovën dhe politikën e Tij në kurthin e pranimit të sovranitetit serb në Kosovë. Ky dallim ishte i madh, ndaj dhe i papranueshëm. Ky zhvillim "aksidental" ishte ndoshta faktori i tretë, pas Dayton-it dhe kurtheve të Beogradit që kishte ndikuar për dobësimin e pozicionit të liderit kosovar. Për këtë arësye Rugova kishte krijuar një distancë me Tiranën zyrtare. Kjo distancë në fakt do të ishte e përkohshme, sepse Berisha do të vinte shpejt në rendin e pikëpamjeve të presidentit historik, Ibrahim Rugova. Megjithatë, këto ngjarje si dhe përpjekjet e përbashkëta për arritjen e një Kosovë të pavarur e sovrane mund të studiohen më thellë, me qëllim që të nxirren në dritë fakte, argumente dhe të dhëna që i vijnë në ndihmë të vërtetës.

4. Tradhëtorët kishin guxuar ta etiketonin Rugovën si "tradhëtar"

Ndërkaq e vërteta e marrëdhënieve të Ibrahim Rugovës me qeverinë e socialistëve është më e njohur, më e lexueshme, më e qartë. Ajo mund të konsiderohet si periudha e "luftës së ftohtë" midis filozofisë së Tij dhe politikës antirugovë të Tiranës zyrtare. Në këtë status të ngrirë kishin ndikuar faktorë të shumtë të brendshëm e të jashtëm. Por mund të besohet se te socialistët kishte një aspekt gjithashtu ideologjik. Paardhësit e socialistëve kishin investuar shumë, sidomos në mërgatën shqiptare në Perendim, për të siguruar mbështetjen e kësaj mërgate "kosovare". Socialistët e viteve 1997-2000 nuk kishin hequr dorë për të marrë më në fund frutet e këtij investimi të kohës së diktaturës. Ndërkaq Rugova shihej si kundërshtar ideologjik edhe për shkak të afrimit të Tij me demokratët e Sali Bersihës dhe te socialistët vepronte aksioma, sipas së cilës, "Miku i armikut tim është armiku im".
Për këto lideri socialist, Fatos Nano, dhe shumica e bashkëpunëtorëve të tij kishin projektuar "likuidimin politik" të Ibrahim Rugovës. Të dhëna të publikuara dëshmojnë se këtë angazhim Nano e kishte përsëritur në takimin 90 minutësh që kishte patur me Sllobodan Millosheviçin në nëntor 1997 në Kretë të Greqisë. Molosheviçi ishte shumë i interesuar për diskretitimin moral dhe eleminimin e efekteve të filozofisë politike të Ibrahim Rugovës, ndërkohë që kishte dhe një interes maksimal të gjallëronte grupet e armatosura, me qëllim që të realizonte më tej projektin e spastrimit etnik të Kosovës. Eshtë e paqartë nëse Nano e njihte ose jo këtë interes e plan serb, por është fakt se Nano ishte bashkuar me opcionet e Milosheviçit dhe për këtë i duhej të eleminonte pengesën kryesore, me emrin Ibrahim Rugova. Në opcionet e Nanos, siç ka deklaruar vetë ai, bënin pjesë kërkesa që shqiptarët e Kosovës të marrin pjesë në instirucionet e Serbisë, në kërkesën që ata të njohin Beogradin si kryeqytet dhe që të shuheshin institucionet paralele. Këto kërkesa ishin në thelb revokim i vendimit të Parlamentit të Shqipërisë për njohjen e Republikës së Kosovës. Rugova, si reagim, ishte detyruar t'i kujtonte qeverisë së Nanos, se "Kuvendi i Shqipërisë e kishte njohur shtetin e Kosovës, në kohën që president i vendit kishte qenë Ramiz Alia".
Fatkeqësisht thuajse të gjithë udhëheqësit socialistë, përfshirë Nanon e Mejdanin, ishin kurthuar në planet makabre për delegjitimimin e historisë së shtetit të pavarur paralel të Kosovës të viteve '90". Këto qëndrime, të cilat në prill të vitit 1999 kishin shkuar në ekstrem me etiketime të tilla "për tradhëti" në adresë të Rugovës, kishin krijuar një hendek të pakapërcyeshëm midis Presidentit të Kosovës dhe Tiranës zyrtare. Tradhëtorët kishin guxuar ta etiketonin si "tradhëtar" liderin historik të Kosovës. Ndaj Rugova i kishte ngrirë të gjitha veprimtaritë institucionale me presidentin e Shqipërisë, Rexhep Mejdani. Edhe kur ky i fundit ishte ftuar të merrte pjesë në panairin e librit të vitit 2001 dhe për herë të parë shkelte në Prishtinë, nuk ishte pritur nga Rugova. Vetëm kur vendin e Mejdanit e kishte zënë Moisiu, Ibrahim Rugova do të gjendej për vizitë në Tiranë.
Vihej re se kjo sjellje e Rugovës nuk përfshinte ish-kryeministrin socialist, Pandeli Majko. Majko ishte pritur, nderuar dhe respektuar nga lideri historik i Kosovës. Kjo ndodhte për shkak se kryeministri shqiptar kishte dhënë kontribute të çmuara në krizën e Kosovës dhe njëkohësisht ishte i vetmi kryetar qeverie ndër socialistët që ishte përpjekur ta sfidonte planin e shefit të tij në parti, Nano, për nxitjen e grindjeve brendpolitikës së Kosovës. Ndërsa për Ibrahim Rugovën nuk kshte tabu e dogma ideologjike në marrëdhëniet e Tij me Tiranën zyrtare. Ai nuk shihte prapa Ramiz Alisë, por e shihte atë drejt e në sy. Nuk e paragjykonte Majkon, pse ai ishte bashkëpunëtor i Mejdanit dhe i Nanos, por e vlerësonte atë për kontributet e tij personale. Në këto kushte, ndonëse i ftohtë dhe pa emocione, Ibrahim Rugova i kishte dhënë Tiranës mësimin e duhur se ajo duhej ta konsideronte Prishtinën dhe vetë presidentin e Kosovës si partnerë të barabartë. Janë të paktë ose të aspaktë udhëheqësit politikë në Kosovë, të cilët kanë dëshmuar aftësi të përmasave të tilla. Dhe nëse asnjë udhëheqës politik tjetër i Kosovës nuk është dëshmuar si Rugova, kjo ka ndodhur e do të ndodhë për shkak të mungesës së ideve dhe vizioneve, për shkak të inferoritetit dhe shërbimeve në kushte të tjera ndaj regjimeve të Shqipërisë londineze, në ndonjë rast dhe për shkak të aferave të ndryshme midis të dy palëve.

5. Aventura antiRugovë e Ilir Metës

Kjo atmosferë e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Tiranës zyrtare ishte trashëguar që nga koha e luftës në Kosovë. Marrja peng e Rugovës dhe familjes së tij nga ana e Milosheviçit i kishte vënë kapakun sjelljeve brutale të të dy anëve të kufirit ndaj figurës e personalitetit të Tij, aq sa e kishin tronditur edhe besimin e bashkepunëtorëve të afërt në LDK. Nëse socialistët në Tiranë, të cilët vazhdonin qeverisjen e vendit, ishin tërhequr nga pozicionet e fillimit, ata e kishin bërë këtë për shkak të reputacionit të padiskutueshëm që Ibrahim Rugova gëzonte ndër shqiptarët e Kosovës. Megjithatë ata nuk morën kurajo që t'i kërkonin falje Presidentit historik të Kosovës. Përkundrazi, vazhduan të flirtojnë me Beogradin. Ilir Meta, në rilin e kryeministrit, kishte bërë pazare më 2002 me Zoran Xhinxhiç, të njëjta si ato pazaret e Nanos me Milosheviçin. Ai i kishte kërkuar kryeministrit serb postmilosheviçian që të punonin së bashku që ta dobësonin rolin politik të Ibrahim Rugovës, me qëllim që Ai të mos ishte patneri kryesor i Beogradit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Edhe në këtë rast të dy palët, serbët dhe kryeministri socialist i Tiranës ishin të interesuar për arësye të ndryshme që të arrinin të njëjtin objektiv antirugovë.
Presidenti i Kosovës i njihte këto plane e dredhi dhe kishte konkluduar se këto drejtoheshin jo vetëm kundër Tij si personalitet, por në radhë të parë kundër Kosovës dhe ardhmërisë së saj, pra kundër vizionit dhe dimensionit që tashme ka mërrë emrin Ibrahim Rugova. Megjithatë kushtet kishin ndryshuar dhe akujt kishin filluar të shkriheshin, ndaj Rugova nuk shihte më ndonjë rrezik nga të tilla aventura.

6. Epilog:

Ibrahim Rugova ndërroi jetë para tri vitesh. Edhe gjatë vuajtjeve të sëmundjes së Tij, edhe me vdekjen e Tij Ai ishtë vënë me zgjuarsi, kurajo e guxim në shërbim të vendit të Tij. Ai mbeti simbol i qëndresës deri në fund. Ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë dhe më gjerë, kur një politikan u rangut të Rugovës, të njoftonte bashkëkombasit e Tij për sëmundjen e rëndë që vuante. Ishte hera e parë në historinë e shqiptarëve, kur një udhëheqës i kalibrit të Rugovës të shndërrohej në një simbol lirie e krenarie për kombin e Tij. Kurrë ndonjëherë nuk ishte respektuar dikush nga personalitetet shqiptare në të gjallë e në ceremoninë e varrimit, aq sa Ibrahim Rugova. Kurrë ndonjëherë nuk ishin derdhur qindramijë veta në të ftohtin e acartë që të nderonin dhe t'i jepnin lamtumirën e fundit ndonjë udhëheqësi politik e shpirtëror, siç kishte ndodhur ato ditë të janarit 2006 me ceremoninë e varrimit të Ibrahim Rugovës.
Përpjekja e dikujt për ta denigruar atë në ditën e varrimit, ose për t'ia larguar fotografinë nga salla ku do të shpallej pavarësia e vendit, vetëm se i kanë zmadhuar dimensionet e Ibrahim Rugovës. Të marrët, ata që nuk dijnë se ç'është historia, se ç'janë vlerat e lirisë e të pavarësisë, egoistët, ata që mburren me pesë fishekë e një xherdan, të paftyrët, ata që nën hijen e Rugovës kishin bërë emër, frikacakët, ata që në kohën kur Rugova rriskonte në gjurmët e të parëve të vet fshiheshin "prapa gaxhoit", këta persona pa personalitet përpiqen e do të përpiqen të hedhin baltë mbi emrin, rolin dhe figurën e pakontestueshme të Ibrahim Rugovës. Fatmirësisht rrethi i këtyre njerëzve vjen e ngushtohet në Kosovë. Kjo do të thotë se filozofia politike e Ibrahim Rugovës dhe vizioni i Tij për Kosovën gradualisht bëhen e do të bëhën pjesë e boshtit politik të të gjithë spektrit politik kosovar. Në fakt ky vizion e kjo filozofi ka nevojë të përvetësohet nga të gjithë politikanët shqiptarë në të gjitha trevat ballkanike. Për këtë ndoshta do të duhej investuar që studiues dhe analistë të aftë të skicojnë mirë mendimin dhe filozofinë politike të Ibrahim Rugovës, me qëllim që ajo të gjejë aplikim në të gjitha shtresat politike shqiptare, si standart origjinal i një enciklopedie politike e morale nacionale më vehte.

Fund
 
E-Mail: eb_shqip@hotmail.com



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora