E premte, 26.04.2024, 04:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Sarë Gjergji dhe gruaja si frymëzim hyjnor?

E shtune, 10.01.2009, 05:33 PM


Gruaja është ajo që i dhuron petkun hyjnor poezisë

Nga Baki Ymeri

Paralelisht me vëllimet e Sali Bashotës, Miradije Ramiqit, Ibrahim Kadriut, Jeton Kelmendit, Brahim Avdylit, Jusuf Zenunajt, Halil Haxhosajt, Fatmir F. Salihut etj., vjen libri Foc nestins (Zjarr i pashuar), i poetit Sarë Gjergji që e pa kohë më parë dritën e botimit në Bukuresht, në gjuhën e Mihai Eminescut, i cili e konsideronte shqipen si “gjuha më e zhdërvjelltë në botë”. Faktikisht, libri i Sarë Gjergjit është vëllimi i parë poetik i botuar në gjuhën rumune nga një shqiptar i Kosovës me prejardhje katolike. Bota poetike e Sarë Gjergjit, e mbështjëllë me velin e një enigme permanente (gruaja), qysh në fillim ka krijuar adimirim te eseistët dhe poetët që patën fatin ta lexojnë para se të shkojë dorëshkrimi në shtyp. Libri e pa dritën e botimit me rastin e festave të dimrit (2007), me propozim të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke patur për përkthyes autorin e këtij teksti, për autor të parathënies eseistin Marius Chelaru, dhe me një pasthënie të poetit Fehmi Ajvazi. Kësaj vepre të bukur ia shtojnë bukurinë disa piktura dhe fotografi si dhe një medalion i autorit të përkthimit (Gruaja si fenomen hyjnor).

Lënda poetike e Sarë Gjergjit fillon me një prolog, mbaron me një epilog dhe është e strukturuar në pesë kaptina poetike: Trëndafili im i nxehtë, Thirrja më e këndshme, Kënga e këngëve, Flaka e pashuar e agimeve të mia, Hyjneshë me shpirt prej drite. Duke parafrazuar autorin e pasthënies, personazhin e poetizuar autori e personifikon gruan me gjithë korpusin e asaj që ne e njohim si kategori e së bukurës, me gjithë thesarin e ndjeshmërisë, siç janë emocionet, dhembja, shqetësimet etj. Sarë Gjergji, sipas Fehmi Ajvazit, “nuk na tundon as me figuracionet, as me gjuhën artistike, por me sensibilitet, me thellësinë e dashurisë, me respektin dhe moralin njerëzor dhe sidomos me shpirtin, duke arritur që në një libër të vetëm prej 49 vjershave, të na e konkretizojë gjysmën e qenies sonë: gruan, gruan që në çdo kuptim real është binomi i homo sapiensit në botën tonë. Prandaj, gruaja ka qenë gjithmonë dhe me gjasë do të mbetet (ashtu si drita dhe liria) personazhi më i pakonsumuar për të gjithë ne, dhe në veçanti për të gjithë ata që janë mjeshtër të fjalës dhe krijimit artistik”.  Ajo që ia shton vlerën kësaj vepre është admirimi i gruas shqiptare, e lirë dhe e çrobëruar nga havalet ballkanike të pushtuesit osman.

Sarë Gjergji
Sarë Gjergji
Mendime rumune mbi vlerat poetike të Sarë Gjergjit

Shpirti i gruas përmes shpirtit të një burri

Nga Marius Qelaru

Nga një brumë tjetër nga ai i poetëve shqiptarë, kur vjen fjala për tematikën e trajtuar, për titullin e veprës apo mënyrën e përbërjes së tropeve, të diskursit poetik, të gjerësisë së ndjeshmërisë apo lojës imagjinare, është Sarë Gjergji. Autori ka zgjedhur për konstruimin e vëllimit një mënyrë tejet origjinale. I nisur me një „prolog” dhe i përmbyllur me një „epilog” – që të dyjat të përbëra nga dy strofa, vëllimi i cili përfshin gjithsejt 49 poema të numëruara, është i hartuar në idenë e një „shkalle” të përbërë sipas do fijeve epike të një rruge që të shpie drejt shpirtit të gruas, ashtu siç duket përmes syrit dhe zemrës së një burri.

Në vend të ngritjes së një godine në vargje me një gjuhë të përpunuar, i sofistikuar apo metamorfizuar, Sarë Gjergji zgjedh për vallëzim zemrën, shpirtin, fytyrën dhe trupin e  Gruas, shpeshherë në një gjuhë poetike të rëndomtë. Duke nisur nga shprehjet magjike të tipit Gruaja është pema e jetës/ pema e njohjes së të mirës e së të keqes, apo nga shprehje tjera që lëvaren në fqinjësi të zzakonshmërisë (Gruaja është det/ lumi jam unë/ në valët e detit dua të vdes),  apo nga thjeshtësia e gjuhës kuazi/të/përditshme (Ti apo ëndrra ishit mbrëmë/ në shtratin tim/ flet zemra ime/ flet indiferenca që vret/ flet zemra ime/ flet), Sarë Gjergji bazohet në stilin e drejtëpërdrejtë, duke zgjedhur herë pas here një shprehje thuajse sentencioze, duke u kthyer në koncizitetin e dukshmërisë përmes një paralelizmi që shëmbëllen me poemat orientale dhe formulimit tipik të disa definicioneve, mikro/definime që mund të argumentohen përmes vargjeve: Përjetësia është gruaja/ ikonë para së cilës përulem, apo: Trëndafili im i nxehtëe/ i agimeve të ditës; apo: As dheu as qielli/ as deti as dielli/ si floku i saj; apo: E lindur nga zemra/ zemrës i jep zjarr. Herë tjera, tërë mikro/poemi duket i përbërë nga „definime” si:  Libri i librave / gruaja kurrë/ s’përfundohet së lexuari/ dënesja më e preferuar e botës/ gruaja/ ëndërr e të gjitha ëndrrave. Herë/herë, stilin e tij e kaplon një kolorit me nyanca të fuqishme të precizitetit, madje prekëse: Semantikë e përgjithshme është/ loti i gruas; apo: Gjithçka është gruaja/ ekuilibër dhe fatalitet i gjithësisë/ lufta për të cilën vlen bukuria/  filozofia dhe letërsia...

U përcaktova për një serë citatesh në idenë për të trasuar linjat për të cilat është përcaktuar autori në konstruimin e vëllimit. Kjo thjeshtësi, ndoshta e kërkuar, e gjuhës poetike, nuk don të thotë patjetër dhe një kanalizim më i qartë i planeve mbi të cilat derdhet pena e poetit. Dhe as një ndriçim më i lehtë dhe i qartë i tyre. Dhe, duke vazhduar në të njëjtin drejtim të deshifrimit të vëllimit, duhet vërejtur se ka momente në të cilat  Sarë Gergji, edhe kur e mohon stilin e zgjedhur, edhe kur e  pigmenton me shprehje  të shkëputura nga një tjetër brumë, atëherë kur ato kaplojnë një erëtimë të veçantë të fjalës nga kopshti i poezisë: Gruaja/ vuajtje në heshtje/ apo: Kur dita e re nuk vjen/ kërkoje gruan/ trëndafilat do të lulëzojnëi/ do të ngrihet loti i dashurisë. Poashtu, ballafaqohemi në vjershat e këtij vëllimi edhe me shprehje të një hijeshie të veçantë, të cilat thuajse dalin nga „botimi” i vjershave të tjera (Një mbretëri fustanash/ është gruaja).

Ndoshta stili mbi të cilin mbështetet poeti ka gjetur portën për të hyrë në zemrën e lexuesve të Kosovës, duke patur parasysh faktin se ka fituar një varg shpërblimesh, dhe duke mos e harruar faktin se nuk është një rastësi mundi i Baki Ymerit për përkthimin e këtij vëllimi në gjuhën rumune, pasiqë i ka dhënë lexuesit të këtushëm një spektër emrash të admiruar të poezisë shqipe. Po e përmbyllim duke i dëshiruar Sarë Gjergjit të gjejë rrugën për të gyrë edhe në zemrën e lexuesit tonë. Aq më shumë, duke patur parasysh faktin se gruaja, përmes shëmbëlltyrës dhe shpirtit të saj, është ajo që i dhuron petkun hyjnor poezisë, dhe, siç thot dhe poeti: Gangrenë/ është mungesë e gruas/ çasti më hyjnor prania e saj.. Ndërsa ky vëllim, në të cilin vargjet rradhiten pa pengesë për të thurrur dhe një shëmbëlltyrë të shpirtit të gruas, ashtu siç duket përmes syrit të një burri, mund të jetë edhe një çels i bekuar për gjuhën rumune të poezisë kosovare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora