Mendime
Ndue Dedaj: Ti Shqipëri më jep nder
E merkure, 16.08.2023, 07:58 PM
TI
SHQIPËRI MË JEP NDER
(“Poemë”
në prozë në prag të 1 shtatorit)
Nga
Ndue Dedaj
Po
bëhen 140 vjet që kur këto fjalë u shqiptuan me atdhetari e dashuri nga Naimi
ynë i madh, në poemën e tij të mirënjohur “Bagëti e Bujqësi” dhe janë po aq
aktuale dhe sot, pavarësisht se në tjetër kontekst, po fundja kjo është fuqia e
artit të vërtetë.
Menduam
t’ia kushtojmë këto radhë ditës së parë të shkollës, këtu dhe në Kosovë, paçka
se në cilën datë fillon fiks mësimi, me dëshirën që edukimi me idealin e
Atdheut, shqiptarisë, të ngrihet në një tjetër nivel formues gjatë këtij viti
shkollor. E themi herë pas here, se shkolla, arsimi është institucioni më pak i
prekur nga korruptimi moral. Prandaj vërtetë kambanat bien për të gjithë, sa i
përket atij që po e quajmë edukimi atdhetar, por mbase vetëm aty dëgjohen!...
E
keni vënë re? Ikin politikanët nga politika dhe nuk shihen më të përfshihen në
jetën e vendit, qoftë dhe duke dhënë mendime për problematika të ndryshme të
zhvillimit. Aq më pak shtetarët, qeveritarët, ministrat, deputetët, që shumicës
iu harrohen emrat pas ca kohësh. Kurse mësuesit e pedagogët janë te “dera” e
shkollës me mendje e me zemër, dhe kur nuk janë më pjesë e saj, për arsye nga
më të ndryshmet, ashtu si dhe mjekët që sërish gjenden pranë spitaleve dhe
qendrave shëndetësore. Me këshilla, me ide, me propozime etj. Pedagogia e gjuhës
angleze, Zana Lita, e njohur si autore tekstesh dhe menaxhuese projektesh në
fushën e arsimit, prej vitesh në Kanada, shkruante këto ditë: “Shqipëria është
një vend i vogël, i bukur, me potencial për turizëm dhe shqiptarët nisur nga
kjo nevojë, duhet të mësojnë gjuhët e huaja. Çdo shqiptar duhet të kthehet në
një guidë turistike për t’ua bërë të njohur të huajve historinë, kulturën,
ekonominë, bukuritë e vendit të vet, qofshin këto në fshat, qytet, kryeqytet”.
Aq
më tepër, që kjo verë tregoi se si mund t’i japim ne shqiptarët nder Shqipërisë
dhe si ajo mund të na japë neve nder, emër të mirë në rajon dhe të ardhura më
të mëdha, nga vërshimi i turistëve si asnjëherë tjetër, nga Joni në Alpe. Ia
vlen të shqiptohet e promovohet me krenari ky bum turistik i vendit tonë, që u
kurorëzua me ardhjen e Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni në Vlorë për
dy-tre ditë pushime, por dhe çdo resurs tjetër ekonomik, kulturor në trojet
shqiptare, çka e bëjnë mirë e bukur shqiptarët e Vjenës, të cilët në revistën e
tyre “Albinfo” shkruajnë: “Të gjitha rrugët të çojnë drejt vendlindjes”,
“Diaspora, burim i pashterrshëm për ekonominë e Kosovës”, “Bregdetit shqiptar
ia mësyjnë dhe austriakët” etj.
Po
si shpjegohet që Shqipërinë e duan me mish e me shpirt emigrantët, ku shumë prej
tyre zor se kthehen më për të jetuar këtu dhe nuk e duam sa duhet ne që jemi
(sh)përdoruesit e pasurive shqiptare, të fushës, malit, detit, rrugëve,
mineraleve, ujërave etj.? Ne me të ikurit tanë nuk kemi të përbashkët vetëm
festën e Flamurin më 28 Nëntor dhe pushimet e verës, po krejt trashëgiminë tonë
historike. Mirëpo kjo është një fjalë goje, përderisa ende nuk i kemi bërë
pjesë të kutive të votimit, pasi për psikologjinë tonë ata tashmë janë të
“huaj”…
“Ti
Shqipëri më jep nder”, është thirrja e përzemërt e shqiptarëve, edhe e atyre të
rinjve që shtrëngohen të marrin rrugët e botës, të cilat nuk ua jep Atdheu, por
qeverisja pa përspektivë e pa prodhim vendas, mungesa e rendit publik dhe e
sigurisë së jetës dhe shumë mungesa të tjetra, që në Europë janë standarde të
paprekshme. Nuk ndodh që atje të rritën çmimet dhe mos të rritën më parë rrogat
dhe të ardhurat, që njerëzit të mos kenë para për bukë dhe ilaçe etj.
Ti
Shqipëri më jep nder… dhe jo kulla të larta në mes të Tiranës, në vend të
parqeve. Pamë Kryeminstrin të mbante një fjalim të gjatë për kullën e fundit,
projektuar nga danezët, që do të ndërtohet në sheshin mbas Pallatit të
Kulturës, i vetmi që kishte mbetur pa u zënë qysh nga “Gropa Sejdia”, njolla e
parë e tranzicionit në kryeqytet. Foli e shkroi për të sqaruar popullin
sigurisht. Si është e mundur që ky popull nuk i kupton direktivat e udhëheqjes?
Nuk i kuptoi as në rastin e prishjes së Teatrit Kombëtar!... Nëse kreu i
qeverisë do të ishte duke vënë aty gurin e parë të një parku çlodhës e argëtues,
apo të ringjalljes së Pazarit të Vjetër, që të lidhej me Pazarin e Ri, siç
propozon dikush, do ta kishim “duartrokitur”, edhe pse është detyrë e qeverisë
të krijojë sa më shumë hapësira të blerta, parqe, lulishte, të mbjellë lule e
pemë e jo të zërë dhe ato hapësira që janë.
Ti
Shqipëri më jep nder… dhe jo ngastra hashashi në male e “pika” shitje të
drogave në baret rreth e qark shkollave 9-vjeçare e të mesme, fakulteteve të
universiteteve etj., nën hundën e policisë së shtetit dhe asaj bashkiake, që
shpejton të largojë nga qoshet e qyteteve tregtarët e vegjël të tezgës me
prodhime kopshti, se këta të fundit na “ndotin” mjedisin, paçka se shesin
prodhime bio? As kaq “nder” nuk u bëhet fermerëve, për të cilët ministria e
Bujqësisë thotë përditë fjalë “dashurie”, por vetëm fjalë, pasi atyre iu kalben
prodhimet në fushë…
Ti
Shqipëri më jep nder... dhe jo mungesë shprese për të nesërmen, se ky vend nuk
mund të bëhet. Na ka befasuar recitimi aq i shpeshtë i vjershës historike “O
moj Shqypni” të Pashko Vasës, në veprimtari të ndryshme shkollore, por kemi
mbetur pa “mend” kur një 80-vjeçar po e kërkonte ndër librat shkollorë ta
mësonte përmendësh!?... Çudi mund të duket, por nuk është tejkaluar as “Poema e
Mjerimit” e Migjenit në shumë rrethina qytetesh e fshatra, poezi që recitohej
me patos dhe në vitet e “socializmit”, ndoshta jo aq për të fshikulluar kohën e
Zogut, porse aty njerëzit gjenin veten.
Ti
Shqipëri më jep nder!... Bëj që këto fjalë kaq hyjnore të shqiptohen dhe nga
politikanët dhe shtetarët tanë, dy shekuj pas Naimit të ndritshëm, të cilët sa
herë bie fjala, shprehen entuziastë për të arritjet në fusha të ndryshme, pasi
është dhe ndihmesa e tyre në to, por përjashtojnë kategorikisht nga vetja, nga
qeveria dhe qeverisja të gjitha të këqiat që i kanë ndodhur këtij vendi, me ata
në krye, si inceneratorët etj. Sipas tyre, për të mirat ngazëllimi është
kolektiv, ku dhe mund të kërcejmë dorë për dorë në sheshin e fshatit, kurse për
korrupsionin qeveritar përgjegjësia është veçse individuale!? A thua se
ministrat nuk ishin pjesë e qeverisë, para se të ishin “klientë” të SPAK-ut. Po
a keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë kryeqeveritar të thotë “na falni”, “gabuam” me
këtë apo atë projekt, investim etj.? Ndaj, Shqipëri e dashur, bëj që të
rrëzohen pa dhimbtë qeveritë, të bien kur punët e shtetit kapërthehen nga
korrupsioni e dallaverja. Italia fiqnje, Anglia e të tjerë, kanë ndërruar nga 3
apo 4 kryeministra në këto dhjetë vjet, ndërsa këndej nga ne, mos o Zot, kjo do
të ishte një dramë kombëtare, ashtu si bie fjala në Turqi a diku tjetër.
Shqipëria
ime, bëj që administrata shtetërore të shpëtojë nga shkresomania cfilitëse,
letra pas letrash për çdo gjë dhe, ndërkohë, punë pak! Nuk ka zyrtar, nëpunës
që nuk ankohet “na mbytën letrat”! I duan ata atje lart! Kur ua shtrëngon në
këtë mënyrë, kuptohet që shqetësimi i tyre nuk është si të bëjnë punën, por si
të “qendisin” sa më mirë letrat! Dhe a e dini, ato thuajse nuk lexohen nga
askush! Janë letra bakalli... Në thelb, ky është një falsifikim i vetë shtetit,
pasi tjetër është gjendja në letra dhe tjetër në realitet. Kjo praktikë
burokratike është shtrirë deri te mësuesi, i cili detyrohet të plotësojë
shkresa pafund, formularë, pasqyra me të dhëna të ndryshme, gjer “argumentim” i
notës me shkrim etj. që kinse lidhën me kompetencat e të mësuarit, përformancën
e klasës, shkollës etj. Paradoksi, shkollat përherë e më shumë burokraci dhe
përherë e më pak kabinete mësimore!?
Doemos
që të gjitha këto dihen, janë thënë e stërthënë me dhjetëra herë, por askush
nuk dëgjon, aq më tepër që vendi ynë pati fatkeqësinë të mbetej pa opozitë.
Atëherë tash për tash ka vetëm një shpresë, shkolla, pavarësisht problematikave
të saj. Ajo nuk ka fuqi të ndalë ikjen e shqiptarëve, të vendosë rendin publik,
të luftojë korrupsionion, të mbjellë me grurë fushat naimjane të lëna djerr nga
tranzicioni. Por, sado e brishtë në dukje, ajo mund ta bëjë ndryshimin, duke
përmirësuar kurrikulën e edukimit kombëtar. Natyrisht shkolla nuk mund ta bëjë
këtë duke ekspozuar byrekë në sheshe publike, kinse po përtërinë traditat e të
parëve. Ky soj patriotizmi “folklorik” nuk është as në nivelin e punëve
praktike të dikurshme, kur fëmija mësonte të bënte diçka sado të thjeshtë me
duart e tija dhe jo si sot që “gatuan” me duart e mamit... Duket se politikat
arsimore, kulturore në shekullin XXI çalojnë nga klasat e fillores te Teatri
Kombëtar dhe folku i trumbetuar sot, deri në Gjirokastër, po i hyn në hak
modernes në muzikë, teatër etj. Të përpiqësh të mbrosh kulturën tënde përballë
“ortekut” të globalizmit është domosdoshmëri, por a shkon kjo që po bëjmë
përtej formalizmit, dekoratives, fotografisë me qeleshen e gjyshit? Ndryshe
ndodh atje ku është realisht “skena” e folklorit, përformi i tij në dasmat
moderne, agroturizmin e kullave - bujtina, shfaqjet popullore fshatçe me
turistët e huaj, kremtimet në terren të festave të ndryshme tradicionale,
rituale, si në Kelmend, Mat, Mirditë, Dajt, Elbasan, Pilur, Ziçisht, diasporë
etj.
Edukimi
shkollor me frymën e Atdheut është shumë më konceptual dhe përmbajtësor se
ngjyrosja me folklor. Formulën e tij e kemi të gatshme që nga Rilindja, të
pavjetëruar e tejkaluar, pasi rilindasit ishin formati i intelektualëve
europianë dhe ideali i tyre ishte ai i Heroit Kombëtar. Naimi i kërkon
Shqipërisë që t’i japë nder dhe “emrin shqiptar”, ku për ta fituar me dinjitet
këtë emër, ai shkroi poema kombëtare lavdithurëse dhe vjersha didaktike për
shkollarët. E kemi te Fishta, që shkroi epopenë “Lahutën e Malësisë” dhe hapi
shkolla shqipe në fillimet e shekullit XX etj., kur ende ishte perandoria
otomane. E kemi te Noli, mishërimi i diturisë së historisë, poezisë, teologjisë
dhe sidomos përkthimit të autorëve më të shquar botërorë etj. E kemi te Konica,
që dimensionin kulturor shqiptar e shpërfaqi me elitën nga Anglia e Belgjika
deri në Amerikë, si shkrimtar, botues dhe ambasador. Ne e dimë se çfarë
mrekullie bëri për shkollën shqipe Shoqnia “Bashkimi” e Prend Doçit, që thirrej
nga bashkëkohësit akademi, por nuk dimë çfarë bën sot Akademia e Shkencave për
shkollën dhe edukimin në shoqërinë e hapur globale.
Rilindasit
e bënë Shqipërinë me shtet, me flamur, me alfabet, me diplomaci, me gazeta dhe
revista, me libra shqip, me gramatika, fjalorë, histori, gjithçka, mbasi ata
ishin programuar si misonarë kombëtarë. Mund të përmendnim dhe të tjerë korrifej
të arsimit dhe diturisë, letërsisë dhe shkencës, si Gurakuqi, Koliqi,
Malëshova, Xhuvani, Çabej, Kadare etj. dhe ajo që mund të thuhet është:
Themelet i kemi, po më tej, çfarë?... Kemi tridhjetë e tre vjet që idenë dhe
emrin e Rilindjes i kemi sërish nga “Rilindja Demokratike” te “Rilindja”
socialiste, por pa mundur të rilindnim. Sepse a mund të rilindë Shqipëria me
kulla dhjetrakatshe në Tiranë dhe e braktisur e pa njerëz në krejt territorin
malor, nga Leskoviku në Has!?...
Shkolla
po, nëse asaj i jepen nga shoqëria të gjitha tagret që i përkasin, aq më tepër
që klasa politike ka dështuar dhe i duhet të rilindë më parë veten. Dituria e
ka rilindur Shqipërinë në fillimet e shekullit XX, mund ta rilindë dhe në
fillimet e shekullit XXI. E në këtë vështrim, lutja jonë drejtuar Shqipërisë do
të ishte sërish ajo e gjashtëqind vjetëve më parë, bëj që Formula e Pagëzimit
të na ndriçojë për ta filluar edukimin nga gjuha jonë e bekuar, shqipja!
Më
1462 “ëngjëlli i saj”, Imzot Pal Ëngjëlli i Drishtit e Durrësit e ruajti
shqipen nga zhbimja e sunduesit, duke e shkruar në rrasa guri, përgemena,
ungjij dhe akte pagëzimi të fëmijëve të Matit, kurse sot na duhet të bëhemi të
gjithë “ëngjej” të saj, që të mos e vrasim pa dashje përmes gjuhës së “cunguar”
të elektronikës, ku shkruajmë me gjysma fjalësh, pa i vënë pikat mbi ë... dhe
mbi i. Shkolla, me edukimin gjuhësor, është e vetmja që ka forcën për ta
mbrojtur gjuhën dhe më shumë se vetë ligji, pasi ajo dhe e zhvillon dhe pasuron
ligjërimin...