E merkure, 24.04.2024, 06:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Mbi globalizmin dhe imagjinatat e deformuara antiglobaliste

E diele, 02.07.2023, 07:53 PM


Mbi globalizmin dhe imagjinatat e deformuara antiglobaliste

Globalizmi dhe përfytyrimet provinciale antiglobaliste

Rreth librit: “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist”të "Mjeshtrit të Madh" Gëzim Tushi

Nga Fran Gjoka

Vazhdon me intensitet punën e vet studimore, hulumtuese e krijuese sociologu, Gëzim Tushi. Si gjithnjë, të fokusuara në fushat e gjëra të sociologjisë dhe problemeve sociale, të filozofisë, psikologjisë dhe shqetësimeve ekzistenciale që ka sjellë koha postmoderne dhe në  politologji. Gjithnjë autori me tendencë të qartë është i fokusuar në diagnostikimin e fenomeneve psikologjike, materiale dhe efektet sociale që ato reflektojnë në jetën e shoqërisë tonë.

Besoj se edhe libri i tij duket intrigues që në titull “Globalizmi dhe antikapitalizmi romantik”, i njëzet e dyti në kolanën e librave të tij në fushë të sociologjisë dhe politologjisë, është interesant për objektin e tij, mënyrën optimiste të trajtimit të efekteve dhe kundërefekteve të globalizmit në shoqërinë e sotme universal, por edhe në nivel kombëtar. Një libër me tematikë jo të lehtë për t’u trajtuar, për shkak të optikave optimiste dhe pesimiste që përplasen me njëra-tjetrën. Edhe pse globalizmi, sikurse thotë autori, po bëhet rendi natyror i kohës postmoderne, këtë dilemë e ka ndjerë autori, i cili për t’i dalë përballë gjykimeve apo paragjykimeve të mundshme pranon se kur fillova punën për këtë libër, isha i bindur për hermeneutikën kontroversale delikate, një temë e shenjtëruar dhe anatemuar njëkohësisht. Duke qenë i imunizuar nga “sindroma e imposterit”, e vetëdyshimit, pa patur frikë për të thënë atë që mendoj, isha dhe jam i bindur dhe  besoj në mënyrë të patundur se globalizmi mbetet e ardhmja e njerëzimit. Në libër jam investuar gjerësisht me argumentime kundër idesë sempliste se “globalizmi do sjellë një çorbë kulturore e padiferencuar”.

Përballë sfidave të gjykimeve dhe rreziqeve të keqkuptimeve të mundshme, ai thotë se jam mundur të argumentoj se ideja që globalizmi do të jetë shkak që mund të ndodhë një “rrafshim kulturor” nuk është e vërtetë. Kjo ide është fare e gabuar, metafizike, cinike. Me gjithë ndryshimet që do sjellë efekti i pashmangshëm i globalitetit kulturor, ai megjithatë nuk do mund të mjegullojë plotësisht veçanësitë kulturore të popujve në sfondin e përgjithshëm të qytetërimit global”.

Kur unë kam biseduar kohë më parë me autorin e librit, ai kishte idenë që titulli të ishte “Kush ka frikë nga globalizmi”. Me sa duket gjerësia e problematikës dhe zgjerimi i shqetësimeve që po shfaqen midis perspektivës së globalizmit dhe shkaqeve të shumta të pasigurive, e ka detyruar atë të zgjerojë lëndën dhe trajtesat. Duke marrë parasysh edhe pëlqimet dhe mospëlqimet e njerëzve, jo aq shumë të kënaqur nga efektet dhe kundërefektet aktuale të globalizmit. Megjithatë autorit i vjen në ndihmë gjykimi elegant i Presidentit të ShBA-ve Barack Obama, i cili shkruan se …nuk besoja se mund të ndalonim apo të zhbënim globalizmin, ashtu siç nuk mund të fikim internetin.

Autori është realist përballë vështirësive të gjëra të kësaj teme. Prandaj ai thotë se angazhimi im nuk ka qënë i lehtë për t’ia dalë mbanë. Kur e nisa punën vite më parë u mbështeta në vëzhgimin e kujdesshëm të “dialektikës” së ndryshime në këtë shekull që jetojmë, në studimin e realitetit politik, social, ekonomik, kulturor. Por më është dashur një punë jo e vogël për të analizuar idetë e filozofëve, sociologëve, mendimtarëve social, polititologë e intelektualë të shquar, të cilët kanë ndërtuar dhe kanë sjellë paradigma dikotomike, herë optimiste, sipas të cilës “ideja e globalizmit, do të bazohet tek bindja se emëruesi i përbashkët dhe se baza e ndërtimit të tij do të jetë konsolidimi i gjerë i demokracisë në nivel planetar. Por në shumë raste edhe nacionaliste, skeptike, pesimiste për të ardhmen e pasigurt të tij.

Sociologu Tushi e trajton temën e gjerë të globalizmit në dy rrafshe: konceptual dhe kontekstual. Madje ky komponent i dytë zë peshë në lëndën e librit, duke evidentuar procesin e ndërlikuar të kalimit nga shoqëria e mbyllur dhe sistemi totalitar në shoqërinë moderne, të hapur dhe me prirje drejt globalizimit. Sepse ai mendon se globalizmi, pavarësisht vështirësive kalimtare, do të bëhet “ideologji planetare”. Në këtë kontekst ai nuk pajtohet me konceptime të ngushta skeptike, cinike, provinciale e antiglobaliste.

Globalizmi është një realitet që mund të kuptohet me “mendje të hapur” dhe kjo është një nga detyrat e njerëzve që kanë idetë e duhura për të qënë “strategjistë të globalizmit”, duke argumentuar se kjo është rruga e zgjerimit të të drejtave të njeriut në botën postmoderne, që do të ndikojë pozitivisht në karakterin universalizues të vlerave të qytetërimit në epokën tonë. Bashkekzistenca qytetare në botën e globalizuar do të shoqërohet, thotë autori, me patjetër edhe me ndryshime thelbësore në mënyrën e jetesës. Sipas tij kuintesenca e globalizmit do jetë “shumë kultura e mënyra sjelljeje dhe një njerëzim”. Doemos duke “sulmuar” imagjinatat e deformuara dhe konceptet paranojake të antiglobalistëve, Gëzim Tushi për ta zhvilluar teorikisht këtë sfidë të globalizmit si alternativë dhe e ardhmja e këtij shekulli, trajton gjërësisht edhe mënyrat e reja të shfaqjes së humanizmit, komunitarizmit e solidaritetit global.

Bota nuk mund të bëhet globale dhe globalizmi nuk mund të bëhet funksional pa një kartë të “humanizmit dhe solidaritetit universal”. Një solidarësi që mund të kapërcejë kombet, bashkësitë, etnitë, por pa prishur kushtet e gëlimit të kulturave. Kjo do të thotë se në disa drejtime globalizmi do të zbusë forcën e egër të “përkatësive të trashëguara” që në epokën paraglobale i kanë shoqëruar njerëzit dhe qytetërimet që nga djepi deri në varr. Solidaritetet e vjetra, të kufizuara kulturalisht, ekonomikisht dhe etnikisht nën ndikimet transformuese të globalizmit do të kapërcejnë kufijtë e trashëgimive dhe përcaktimeve të vjetra të tyre.

Sociologu Gëzim Tushi i kushton jo pa qëllim një pjesë të konsiderueshme të librit të tij, çështjeve të ndërlikuara të raporteve midis kombëtares dhe globales, lokales dhe planetares, mënyrës etnike dhe jetës postmoderne në hapësirën e globalizuar. Problemet e globalizmit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar janë trajtuar me kujdes, duke parë anën e ndritur, por dhe problemet jo aq shumë të lehta për t’u koordinuar e zgjidhur në mënyrën e duhur. Prandaj autori tregohet i matur kur vjen fjala për raportet e globalizmit me diversitetet, të çdo natyre qofshin ato si dhe për mundësinë e shfaqjes edhe të “rreziqeve të pakontrolluara”.

Pavarësisht vështirësive, dyshimeve dhe skepticizmit autori ngul këmbë dhe argumenton tezën se bota në kohën e sotme po kalon nga një gjëndje fragmentarizimi drejt globalizmit integrues. Të gjithë mendojnë se globalizmi është një stad i ri në rrugën e evolucionit të njerëzimit. Kjo rrugë globale ka nevojë për strategjistë dhe njerëz mendjehapur. Ky stad ka të pashmangshëm rrugën e ecjes së përbashkët drejt dimensioneve të reja të integrimit global. Është e pritshme që sa më globale të bëhet bota dhe sa më i globalizuar të shfaqet njerëzimi, aq më shumë do të ndihet i çliruar nga tensionet e panevojshme e të tepërta nacionaliste. Globalizmi në mënyrë të pashmangshme do të sjellë jo thjeshtë ndryshim, por shndërrim të njërëzimit. Gëzim Tushi ngul këmbë se pavarësisht vështirësive kalimtare, është e sigurt që do të marrë kuptim tjetër kalimi nga integrimi nëpërmjet kombit në një integrim të përgjithshëm, që po përfshin tërë njerëzimin. Kjo do të thotë se ajo që pritet nga zhvillimet globale është vlerësimi i forcës së tij për të ndërtuar “shoqërinë e njeriut global”, sepse, sikurse thotë autori, në një botë të globalizuar do të jetë e mundur që jo vetëm njerëzit të jetojnë së bashku, por edhe ta kuptojnë njëri-tjetrin. Autori merret gjerësisht me problemet e ndërlikuara të raportit midis globales dhe kombëtares, për garancitë dhe pasiguritë që e shoqërojnë këtë simbiozë delikate, që do rregullojnë raportet dhe marrëdhëniet midis globales dhe lokales, midis mënyrës universale dhe mënyrës etnike të të jetuarit në kohën e sotme.

Autori përqëndrohet me tendencë në sqarimin  e paqartësisë që qarkullon në opinionin publik se globalizmi do të jetë shkak për rrafshim kulturor. Kjo tezë, mendon sociologu Tushi, është fare e gabuar, metafizike dhe cinike. Globalizmi nuk është kundër tendencës së qytetërimit postmodern për të mbrojtur të drejtën e afirmimit të identitetit kulturor. Autori i librit “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist” është i mendimit që megjithë ndryshimet që do sjellë efekti i pashmangshëm i globalitetit kulturor, ai megjithatë nuk do mund të mjegullojë plotësisht veçanësitë kulturore të popujve në sfondin e përgjithshëm të qytetërimit global. Por nga ana tjetër sociologu Tushi mendon që duke parë këtë realitet është normale që për të qenë në kompatibilitet me kohen dhe raportet identitetit me globalizmin kulturor është e udhës që herë të flitet për “qytetërimet” njerëzore dhe herë për “qytetërimin” njerëzor.

Globalizmi do të ndihmojë për të kapërcyer “konceptimin fisnor” për kulturat dhe qytetërimet e parcelizuara nga identitetet e ngurta, por në të njëjtën kohë globalizmi nuk mund të sjellë një “çorbë kulturore” të padiferencuar që vjen nga mungesa e respektit për integritetin fizik e moral të njeriut. Globalizmi ka potencë që të krijojë një “qytetërim njerëzor”, i cili do mund të shpaloset përmes diversifikimit kulturor të pafund.

Sociologu Tushi është i mendimit se kultura dhe përparësia e saj në globalizëm duhet bërë “disiplinë e mbijetesës planetare”. Që të ecim normal dhe të ekuilibruar në epokën e globalizmit është e udhës që të kuptojmë imperativin e madh dhe nevojën e ndryshimit të zakoneve dhe përparësive që kemi në jetë. Kjo do të thotë se duhet të dëgjojmë më mirë dhe me vëmendje më të madhe zërin e botës ku “kemi zbarkuar”. Sociologët në mënyrë sintetike e metaforike thonë se në botën globale njerëzit nuk mund të jenë më të “huaj” për njëri-tjetrin, pavarësisht nga identitetet e tyre të trashëguara. Përkundrazi globalizmi do t’i bëj planetarisht njerëzit vetëm “shokë udhëtimi”. Kjo do të thotë se globalizmi do krijojë kushte humane të tilla që diversiteti njerëzor të shprehet nëpërmjet një bashkëekzistence të harmonishme dhe pa tensione që prodhojnë dhunë. Ky është globalizmi i cili nuk mund të bëhet pa krijuar kushte për një unitet të ri global të “aventurës njerëzore”.

Në këtë kontekst, sipas autorit, që në globalizëm të ndryshojë edhe trajta e zhvendosjes dhe integrimit të njerëzve. Megjithë përpjekjet e bëra deri tani, pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur pas rënies së Murit të Berlinit, një gjë është fare e qartë. Deri tani nuk ka funksionuar si duhet “makineria e integrimit” të emigrantëve dhe atyre që duan të lëvizin apo të emigrojnë. Njerëzit kanë shumë shpresa nga zhvillimet globale dhe efektet e globalizmit. Por ajo që ata presin më së shumti është kapërcimi i atmosferës globale për emigrantët, e cila është e mbuluar nga ankthi, frika, mosbesimi dhe mllefi.

Të gjitha këto ide, dilema, gjykime, analiza e prognoza janë të sintetizuara në librin e sociologut Gëzim Tushi, i cili ka pak ditë që ka parë “dritën e botimit” dhe tashmë është në duart tuaja…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora