Faleminderit
Idriz Zeqiraj: Përkujtohet Presidenti Rugova në 17-vjetorin e amshimit
E premte, 10.02.2023, 07:59 PM
Pamje
nga salla përkujtimore
PËRKUJTOHET
PRESIDENTI RUGOVA NË 17-VJETORIN E AMSHIMIT
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Dega e LDK-së në Gjermani, me kryetar Osman
Ferizin, në koordinim me Nëndegën e LDK-së, në Rheinland Pfalz, me kryetar
Alush Zeqiraj, organizoi Akademi Përkujtimore, në 17-vjetorin e amshimit të
Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Figura madhore e udhëheqësit
shpirtëror dhe faktik të Kosovës, Dr. Rugova, vazhdon me përmasën e
madhështisë, si ikonë e themelimit të shtetit të Kosovës. Andaj, edhe
interesimi i shqiptarëve, për t`u bërë pjesë e nderimit të figurës më madhore
të kombit, vjen duke u shtuar.
Në sallën madhore, në Frankenthall të
Ludwigshafenit, gjihtçka ishte gadi, për ta shënuar këtë përkujtesë fisnike.
Kryesia e Degës të LDK-së në Gjermani dhe ajo e Nëndegës nikoqire, pritën
kryesitë e nëndegëve dhe shumë anëtarë të kësaj partie, por, edhe mërgimtarë të
tjerë, pavarësisht përkatësisë partiake. Binin në sy garda e hershme e
mërgimtarëve, të cilët iu përgjigjen thirrjes të Presidentit Rugova, për ta
ndihmuar Atdheun-Kosovë, për mbijetesë ekonomike dhe mbrojtje nga armiku
serbo-sllavë.
Intonimi i hymnit "Kur ka ra kushtrimi
n`Kosovë", i ngriti në këmbë të pranishmit. Moderatorja simpatike,
Magdalena Blakaj, e shpalli të hapur Akademinë Përkujtimore, duke ftuar në
foltore kryetarin e kësaj Nëndege, Alush Zeqiraj, për fjalën e
rastit, i cili u uroi mirëseardhje mërgimtarëve nga anekënd Gjermania dhe
jashtë saj. Ai përshëndeti kryesinë Degës dhe kryesitë e Nëndegëve, familjet e
dëshmorëve, të pranishme në Alkademi: Çekaj, Zemaj, Hajdaraj, Zeqiraj, Demaj;
anëtarësinë, mysafirët dhe gjithë të pranishmit. Gjithashtu, kryetari Zeqiraj
përshëndeti veteranin e UÇK-së, Çerkin Zeneli, i ardhur mysafir nga Dragashi.
Fazli Hajdaraj, Magdalena Blakaj dhe Erza Hajdaraj
Moderatorja Magdalenë ftoi anëtarin e kryesisë dhe
zëdhënës i kësaj Nëndege, veprimtarin e hershëm, Fazli Hajdaraj, për
të folur për jetën dhe veprën e Presidentit Ibrahim Rugova. Fjalën e tij e
filloi, duke cituar Rugovën, nga një intervistë të dhënë, një gazete sllovene,
se "kokën mund të ma ndërroni, por mendimin kurrë!" Vërtet, një
thënie lapidare! Dhe, veprimtari Fazli Hajdaraj, vazhdoi: "Në këtë ditë të
shënuar, të dhimbjes krenare, për burrështetasin, ikonën, arkitektin,
shkrimtarin, akademikun Ibrahim Rugovën, nderojmë jetën dhe veprën e Tij. U lind
dhe u rritë në Cercë të Istogut, në familjen e Sadri Elezit, nga Malaj të
Rugovës. Ai bëri histori në fund të shkullit 20-të dhe në fillim të shekullit
21.
Presidenti Rugova e kuptoi se politika shqiptare
duhej të udhëhiqej nga parimi për liri e pavarësi. Frymëzimi i Rugovës ishte i
natyrshëm dhe shumë progresiv, nga leximi i letërsisë klasike, të shkrimtarëve
mendjendritur, të cilët, me veprat e tyre kanë lënë gjurmë në historinë
botërore. I shkëlqyer si nxënës i 8-vjeçarës, shkollar i mesem, në fakultet si
dhe në studimet post-diplomike, deri në specializimin për kritikë letrare dhe
doktoraturë.
Rugova gërshetoi, mrekullisht mirë, veprimtarinë
krijuese me atë politike. Dhe, këtë e filloi si student, duke drejtuar gazetën
"Bota e re", për të vazhduar botimin në "Fjala" dhe mediet
tjera të kohës. Më 1988 u zgjodh në krye të Shoqatës të Shkrimtarëve, duke u
përballur, madje suksesshëm, me gardën nacionaliste të shkrimtarëve dhe të
akademikëve serbo-sllavë.
Më 1989 themeloi partinë e parë plurale në Ballkan,
LDK-në, duke u vënë në ballë të proceseve të vështira, për një 10-vjeçarë
radhazi. Për ta refuzuar pushtetin represiv serbo-sllavë, krijoi institucionet
paralele, duke bllokuar të gjithë sistemin zyrtar. Në fillim të viteve `90-a,
shpalli Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën, zgjedhjen lokale e qendrore,
zgjedhjet presedenciale; qeverinë paralele, pjesërisht në ekzil; fondin
shtetëror për mbijetesën dhe mbrojtjen e Kosovës, e deri te krijimi i Forcave
të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK) dhe Shërbimin Informativ.
Presidenti Rugova ishte një krijues brilant. Është
autor i disa librave letrare e kritike. Sensi politik i shprehur në librin
"Refuzimi estetik" dhe "Demokracia dhe Pavarësia", janë
vlerë e fondit të letrave shqipe.
Rugova u bë model frymëzimi për liri dhe demokraci,
jo vetëm për popullin e vet, por edhe për popujtë ballkanikë dhe të Evropës
Lindore. Kjo meritë madhore i është njohur botërisht, duke marrë shumë
vlerësime nga bota demokratike, me dekorata dhe tituj prestigjiozë. "Ishte
burri i madh i shtetit të Kosovës",- vlerësonte Rugovën, akademik Mark
Krasniqi. Gazeta qendrore e Mariborit shkruante se "Ibrahim Rugova është i
vetmi shqiptar, që ka guximin të fletë, ashtu siç mendon". Rrjedhimisht,
Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti shqiptari më i madh i trojeve shqiptare", -
tha, ndër të tjetra, në ligjërimin e tij të gjatë, anëtari i kryesisë, Fazli
Hajdaraj.
Shkollarja e zgjuar, Erza Hajdaraj, deklamoi,
artistikisht, monologun kushtuar Presidentit Rugova, shkruar nga poeti
mjeshtëror dhe veprimtari i Mërgatës, Mentor Thaçi.
Nënkryetari i Degës të LDK-së, Tahir
Buçolli, në emër të kryetarit të Degës, Osman Ferizi, përshëndeti këtë
aktivitet përkujtimor, duke personifikuar figurën madhore të Presidentit
historik të Kosovës, si arkitekt e vizionar i pashoq. Ne krenohemi që jetuam
epokën e ndritur të Rugovës, edhe pse në kushtet specifike dhe krejt të
panatyrshme.
Alush Zeqiraj, kryetar i Nëndegës
Kryetari i Degës të LDK-së, në Beneluks, Bahtir
Kastrati, përshëndeti me përzemërsi kryetarin e Degës, Osman Ferizi
dhe kryetarin e Nëndegës nikoqire Alush Zeqiraj, për organizimin e kësaj
Akademie. Zoti Kastrati foli në supërlativë, për figurën unike të Presidentit
Rugova. Rrugëtimin e gjatë, për ta nderuar veprën zëmadhe të Presidentit
Rugova, e konsideron si obligim moral, madje pa i numëruar kilometrat.
Erza Hajdaraj, tashmë, në rolin e
moderatores, fton në foltore Magdalenë Blakaj, për ta recituar
një poezi, kushtuar Presidentit Rugova, të shkruar nga studjuesja dhe poetja e
mirënjohur, Kozeta Zylo, nga Nju Jorku.
Një telegram përshëndetje ka ardhur nga kryetari i
LDK-së, Lumir Abdixhiku, në adresë të kryetarit të Nëndegës,
Alush Zeqiraj, të cilin e lexoi Erza Hajdaraj. Në mes tjerash, thuhet: "Rugova
, para se të ishte prijës shpirtëror e politik, ishte një krijues, poet, kritik
e mendimtar. "Refuzimi estetik" i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit
e shtypjes të kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej
krijuesi, u ndërpre nga një thirrje e kohës, për t`i prirë lëvizjes më të madhe
historike të shqiptarëve në Kosovë.
Rugova, njeri me një natyrë të brishtë prej poeti e
intelektuali, u bë zëri i kërkesës të popullit të Kosovës, për liri, pavarësi e
demokraci. Një zë i fuqishëm, që nuk ndryshoi asnjëherë.
Programi dhe vizioni i tij politik, për një Kosovë
të pavarur e sovrane, e barabartë mes popujve të familjes evroatlantike, me
miqësi të përhershme me SHBA, u bë shpejt platformë nacionale të shqiptarëve të
Kosovës. Kjo platformë vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne edhe sot.
Çdo vit sikurse sot, pesha e trashëgimia e
presidentit Rugova, përballë proceseve shtetformuese, jeton e do të jetojë
bashkë me kombin tonë. Rugova mbetet frymëzim e model i njeriut të urtë,
intelektual e prijetar. Idetë e tij jetojnë në historinë e shtetit të Kosovës
dhe të tilla do të mbesin përjetësisht.
Si i tillë ai mbetet figura më e madhe historike e
gjithë popullit të Kosovës. Identifikimi me Te, dje, sot dhe nesër, paraqet vlerë,
e këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe kultivojmë me përkushtim, me dije dhe
admirimin më të madh".
Akademia Përkujtimore u përmbyll me dy pika
muzikore, nga këngëtari Besnik Shyti.
Organizatorët shtruan drekë për pjesëmarrësit e
largët.