Mendime
Dritan Demiraj: Pse Wagner përbën kërcënim jo vetëm për Rusinë?
E hene, 26.06.2023, 07:53 PM
PSE WAGNER GRUP PERBEN KERCENIM JO VETEM PER FEDERATEN RUSE POR ME GJERE?
Nga
Kolonel Dritan Demiraj
Ndërkohë
që të gjitha qeveritë e botës po ndjekin me vëmendje situatën e brendshme të
sigurisë në Federatën Ruse, janë rritur si asnjëherë më parë shqetësimet në
lidhje me situatën politike të vendit që ka në dispozicion të tij sasinë më të
madhe dhe të fuqishme të arsenalit nuklear në botë.
Në
këtë këndvështrim, mendoj që është relevante të bëjmë një analizë edhe për
faktin që këtë grup e ndjek për vite me radhë duke konkluduar në vitin 2015 dhe
2022 me botimin e dy librave modestë në lidhje me strukturën, kapacitetet,
përfshirjen e tij në sulmet kibernetike, në rrëzimin e qeverive në vendet e
Sahelit, Magrebit, Lindjen e Mesme në mbështetje të qeverive në Republikën
Qëndrore të Afrikës, Sudan, Mali, Libi, Venezuelë, Somali, në mënyrë shumë
aktive në mbijetesën e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri, më pas në
konfliktin në Ukrainë por jo vetëm deri në veriun e Kosovës, në Serbi dhe
Republikën Serpska.
Një
nga strategjitë e ‘suksesshme’ të presidentit Vladimir Putin pas vitit 2010 ka
qënë rritja e influencës ruse nëpër botë, nëpërmjet ekzekutimit të operacioneve
të fshehta të luftës së parregullt jo vetëm në Siri, Libi, Ukrainë por edhe më
gjerë.
Për
këtë qëllim përveç ekzekutimit të operacioneve të fshehta të shërbimeve sekrete
ruse SRV dhe GRU, Moska në mënyrë metodike ka zgjeruar prezencën dhe
përfshirjen në këto operacione të kompanisë së saj më të madhe të sigurisë e
cila njihet me emrin Grupi ‘Wagner’. Kjo kompani deri dje drejtohej nga
biznesmeni/krimineli rus Jevgeni Prigozhin. Ajo ka qënë e përfshirë edhe në
aktivitete të tjera destruktive dhe kriminale.
Pra
thënë ndryshe, ‘Grupi Wagner’ ka qënë një zgjatim ose instrument force i
politës së jashtme të Federatës Ruse, por vetëkuptohet në mënyrë të fshehtë dhe
i padeklaruar me qëllim rritjen e projektimit të fuqisë ose influencës politike
me njësi të armatosura.
Në
këtë këndvështrim, mund të përmendim kapacitetet e saj të mëdha në fushën e
luftës kibernetike, kapacitete të cilat janë të tilla për shkak të mbështetjes
që ky grup merr drejtëpërdrejtë nga GRU-ja dhe SVR-ja. Grupi Wagner drejton
Agjensinë e Kërkimeve të Internetit IRA, për të cilën kam shkruar në detaje në
librin ‘Shërbimet Sekrete të Federëtas Ruse’. Në të njëjtën kohë Grupi ‘Wagner’
ka ekzekutuar me sukses misione të ndryshme luftarake dhe të luftës
informative, nëpërmjet veprimeve të drejtëpërdrejta në luftim, stërvitjes së
ushtrive të ndryshme në Afrikë, shërbimeve të mbrojtjes, të ruajtjes së bazave
ose ndërtesave qeveritare, etj.
Strategjia
e Federatës Ruse nëpërmjet kompanive private ushtarake, është implementuar me
qëllim që të ulë fuqinë dhe autoritetin e SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe
dhe të rrisë influencën e Moskës në kontinentin Afrikan dhe më gjerë duke
përdorur forca me profil të ulët, të afta të sigurojnë për drejtuesit e korruptuar
në këtë rajon siguri fizike, stërvitje ushtarake, këshillim dhe asistencë
ushtarake.
Kjo
kompani në Libi ka mundësuar stërvitje ushtarake, inteligjencë dhe mbështetje
në fushëbetejë për Ushtrinë Kompëtare të Libisë (LNA) e cila drejtohet nga Marshalli
Khalifa Haftar dhe për qeverinë e tij në Tobruk.
Pavarësisht
kësaj mbështetje, mercenarët e Grupit Wagner dështuan të mposhtnin forcat
kundërshtare në Tripoli, të cilat mbështeten nga presidenti turk Rexhep Taip
Ergogan. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, përdorimi i këtyre forcave jashtë
Federatës Ruse është rritur 7 fish sa i përket numrit të vendeve ku operon kjo
kompani. Në vitin 2015 kjo kompani operonte në katër vende, në vitin 2022 ajo
operon në 27 vende. Kompanitë private
ushtarake ruse, kanë qënë aktive në vende të Afrikës, Lindjes së Mesme, Europë,
Azi dhe në Amerikën Latine në vende si: Republika Qëndrore e Afrikës, Iraku,
Libia, Sudani, Siria, Venezuela, Ukraina, etj.
Grupi
Wagner i cili njihet edhe si “PMC Wagner” është një organizatë/agjensi paramilitare private ruse. Ajo ka marrë pjesë
në shumë konflikte, kryesisht në konfliktin civil në Siri, në krahun e qeverisë
së Presidentit Bashar al-Asad, nga viti 2014-2015 në konfliktin luftarak në
rajonin Donbas, Ukrainë duke ndihmuar separatistët e republikave të
vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut. Shërbimet perëndimore të
inteligjencës mendojnë se Grupi Wagner është një njësi speciale e Ministrisë
Ruse të Mbrojtjes që vepron në fshehtësi. Ajo përdoret nga qeveria ruse në
zonat e konfliktit ku trupat ushtarake ruse nuk mund të përdoren haptazi.
Grupi
Wagner është krijuar në vitin 2014 dhe vepron në aleancë me forcat e armatosura
ruse, ushtrinë Arabe Siriane, forcat e armatosura të Sudanit, të Afrikës Qëndrore, Libisë,
lufton kundër ISIS-it, forcave të Armatosura
të Ukrainës, Frontit al-Nusra, Tahrir al-Shamit, HTS-së dhe Ushtrisë së
Lirë Siriane (FSA).
Ajo
që e bën Grupin Wagner të suksesshëm në fushën e betejës, është pikërisht
lidershipi i saj, struktura organizative, mbështetja financiare, mbështetja
mediatike, mbështetja politike nga ministria e jashtme nëpërmjet ambasadave në
shtetet ku vepron dhe mbi të gjitha deri në fillim të vitit 2023, mbështetja me
armatime, baza stërvitore, inteligjencë por jo vetëm nga ministria e mbrojtjes
dhe më e rëndësishme mbështetja e padeklaruar në publik e presidentit Vladimir
Putin dhe lidhjet e drejtuesve të saj me shërbimin sekret të GRU-së.
Të
gjithë drejtuesit e strukturave të saj janë ish gjeneralë të ushtrisë ruse, ish
kolonelë dhe n/kolonelë të Drejtorisë së III-të, Drejtorisë së IV-rt,
Drejtorisë së V-të dhe më e rëndësishmja Drejtorisë së VIII-të të GRU-së e cila
është drejtoria e operacioneve të fshehta, operacioneve speciale dhe
klandestine ose e cila njihet ndryshe si Drejtoria e Sabotazhit. Ajo ka nën
komandën e saj pesë Brigada shumë të stërvitura të forcave speciale ‘Spetsnaz’,
të cilat janë të angazhuara në maksimum në konfliktin aktual të Ukrainë që nga
pushtimi i Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe në ekzekutimin e
operacioneve të inteligjencës dhe operacioneve speciale në pesë rajonet e
pushtuara si në Gadishullin e Krimesë, Kherson, Zhaporizhzhia, Donetsk dhe
Luhansk.
Grupi
Wagner drejtohet nga ish koloneli Dmitri Utkin, ish komandant Brigade i Forcave
Speciale Spetznas Ruse-GRU (Detashmentit 700 Spetsnaz i Brigadës së 2-të të
Pavarur) të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ruse-GRU). Ai ka lindur në
Kirovohrad Oblast në ish Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës në
Bashkimin Sovjetik në vitin 1970, pra është shtetas ukrainas. Dimitri Utkin
doli në pension në vitin 2013 dhe filloi të punonte në kompaninë private ‘Moran
Security Group’, e krijuar nga veteranë të ushtrisë ruse e cila realizon
misione sigurie dhe stërvitje nëpër botë, e specializuar në sigurinë kundër
piratëve.
Në
të njëjtin vit, menaxherët kryesorë të ‘Grupit Moran Security’ u përshinë në
krijimin e organizatës ‘Corpusi Sllav’ në qytetin e Shën Petërsburgut që
realizonte nën kontraktime për mbrojtjen e fushave të naftës dhe
infrastrukturës së saj në Siri. Dmitri
Utkini për herë të parë ka qënë në Siri si pjesë e këtij Korpusi (Sllavonic
Corps).
Grupi
Wagner u shfaq për herë të parë në vitin 2014 së bashku me Dimitri Utkin në
rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Emri i kompanisë rrjedh nga pseudonimi që
Utkini kishte në ushtri (Wagner) dhe origjinën e ka nga pasioni i Utkinit për
Rajhun e Tretë Gjerman. Në datën 9 dhjetor 2016, Dimitri Utkin është
fotografuar me Vladimir Putinin në Kremlin dhe është dekoruar me medalje
trimërie së bashku me tre persona të tjerë Alexander Kuznetsov, Andrey Bogatov
dhe Andrey Troshevin. Menjëherë pas publikimit fotoja shkaktoi një skandal
mediatik. Kuznetsovi (i ashtuquajturi Ratibor) është komandanti i Batalionit të
I-rë të zbulimit/sulmit Wagner, Bogatovi është komandanti i Batalionit të IV-rt
të zbulimit/sulmit Wagner, ndërsa Troshevi është zv/komandant Batalioni.
Ndërkohë më pas zëdhënësi i Kremlinit deklaroi se Dmitri Utkin u dekorua me
medaljen e “Trimërisë” dhe Titullin “Hero i Rusisë” në një ceremoni të
organizuar nga presidenca për nder të kontributit të tij në Siri.
Por
si dhe përse mori kaq shumë rëndësi përdorimi i kërtij grupi në strukturën e të
ashtuquajturës ‘Lufta Hibride’ dhe ‘Lufta e Gjeneratës se Re’ (RNGW) të
Federatës Ruse?
Në
vitin 2013, gjenerali rus Valeri Gerasimov urdhëroi ushtrinë ruse dhe shërbimet
sekrete ushtarake ‘GRU’, të fillonin praktikimin e Luftës së Gjeneratës së Re
(RNGW), e cila do të realizohej me medoda jo ushtarake, për të arritur
qëllimet, objektivat politike dhe strategjike ushtarake të Kremlinit. Këtu mund
përmendim protestat popullore, infiltrimin e forcave speciale dhe agjentëve të
fshehtë ushtarakë, civilë dhe përdorimin e tyre me pretekstin si ‘forca
paqeruajtëse’ si psh në rastin e pushtimit të Gadishullit të Krimesë në vitin
2014.
Për
këtë qëllim, Federata Ruse nën drejtimin e gjeneralit Valeri Gerasimov ka
adoptuar Luftën Hibride (Gibridnaya Voyna). Lufta Hibride (Gibridnaya Voyna)
është një përzierje e luftës konvencionale dhe e fushave të sofistikuara të
operacioneve të propagandës dhe të keqinformimit, përfshirë këtu përpjekjet e
Federatës Ruse për të influencuar opinionin publik përmes financimit të partive
politike brënda vendeve të NATO-s dhe angazhimit të përditshëm të organizatave
joqeveritare (NGO) me mënyra klandestine.
“Doktrina
Ushtarake Gerasimov” u ‘armatos’ në momentin kur presidenti rus Vladimir Putin
urdhëroi pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duke pushtuar në të
njëjtën kohë edhe rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë. Në atë kohë në terren
u dislokuan edhe mercenarët e “Grupit Wagner”, grup i cili u shfaq për herë të
parë në vitin 2014 në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Mercenarët rusë dhe serbë
u përfshinë në betejën për marrjen e kontrollit të aeroportit në verën e vitit
2014.
Edhe
në ditët e sotme, ata kanë qënë forcat kryesore që kanë mundësuar pushtimin e
Soledarit, Vuhledarit, Bahmutit, Avdivkas, Druzhkivkas dhe Kostanivkas duke
shkaktuar një dëm shumë të madh për ushtrinë e Ukrainës dhe duke asgjësuar
pothuajse çdo ditë nga një batalion ukrainas.
Gjatë
viteve 2014-2015, shumë ekspertë perëndimorë i referoheshin veprimeve të
ushtrisë dhe të agjensive ruse të inteligjencës si pjesë e Luftës Hibride.
Lufta Hibride përfshin përdorimin e taktikave të egra dhe të buta, me qëllim
arritjen e objektivave të ushtrisë dhe të presidentit të Federatës Ruse
Vladimir Putin. Megjithatë, me qëllim fshehjen e veprimeve të tyre destruktive,
rusët në vazhdimësi akuzonin perëndimin dhe SHBA-të, se po përdornin në mënyrë
aktive luftë hibride kundër Federatës Ruse.
Në
raste të tjera, mund të përmendim termin rus ‘Veprime të limituara’ ku mund të
përfshihen grupet ‘proxy’ si në rastin e dislokimit të ‘Grupit Wagner’ në Siri,
me mbështetjen e tyre me transport, pajisje luftarake dhe inteligjencë nga
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Federatës Ruse dhe nga GRU-ja.
Po kështu edhe gjatë përfshirjes së Rusisë në konfliktin civil në rajonin e
Donbasit gjatë viteve 2014-2021, ku Federata Ruse vendosi të përfshihej në
mënyrë indirekte. Milicitë ‘proxy’ si në Siri ose në Donbas në të dyja rastet
mbështetën objektivat indirekte ruse, ku mund të përmendim mercenarët, milicitë
vendase, kontraktorët civilë ose forcat qeveritare.
Që
nga viti 2014, mercenarët e kompanive ushtarake ruse të sigurisë kanë operuar
në Ukrainë, Republikën Arabe të Sirisë, Republikën e Afrikës Qëndrore, Libi,
Sudan, Mozambik, Venezuelë, Serbi, etj dhe në ditët e sotme në luftimet
intensive në Bakhmut dhe në Soledar. Fshehtësia e mënyrës sesi veprojnë këto
forca, i kanë mundësuar Federatës Ruse që të përdorë të dy anët e konfliktit në
mënyrë të njëkohshme, duke siguruar mbështetje të fshehtë ushtarake për vendin
që është i përfshirë në konflikt dhe nga ana tjetër të deklarojë haptazi se
është një ndërmjetës i sinqertë në konflikt. Statusi ‘privat’ i këtyre forcave,
i ka krijuar mundësi Federatës Ruse që të mos mbajë përgjegjësi për civilët e
vrarë prej tyre dhe për dhunën që ata kanë shkaktuar.
Nga
fundi i muajit shtator të vitit 2017, forcat e Wagnerit në bashkëpunim me
forcat ruse dhe qeveritare siriane, sprapsën një sulm të fuqishëm të
terroristëve xhihadistë në veri të qytetit Hama. Në fund të këtij muaji, gjatë
një kundërofensive të ISIS-it në provincën e Deir ez-Zorit, dy kontraktorë të
Wagnerit u kapën të gjallë nga militantët.
Fillimisht Kremlini u distancua nga kjo ngjarje, por kur njëri nga
vëllezërit e të kapurve peng akuzoi qeverinë ruse se po përpiqej të mos
ndërhynte për lirimin e qytetarëve të saj, atëherë njësia siriane “Gjahtarët e
ISIS-it” deklaroi se ishte gati të paguante 1 milionë dollarë për lirimin e
sejcilit rus.
Në
rast se xhihadistët e ISIS-it nuk do t’i kishin publikuar nëpër media këto
mercenarë si shtetas rus, atëherë lajmi për përfshirjen e tyre në Siri nuk do
të kishte qënë aq i madh. Në shumë raste Kremlini zyrtar është përpjekur që të
justifikojë përfshirjen e tyre dhe sa herë ata janë arrestuar, kapur të gjallë
ose janë vrarë, qeveria ruse është justifikuar se ata veprojnë si vullnetarë pa
dijeninë e Kremlinit zyrtar.
Forcat
e fshehta ushtarake janë duke ekzekutuar operacione ushtarake në mbështetje të
kërkesave të politikës së jashtme ruse njëlloj si operacionet e luftës
politike, pavarësisht se në disa raste suksesi i tyre është vënë në pikëpyetje
si në rastin e mësipërm në Siri. Edhe në Mozambik, në momentin kur forcat e Wagnerit
arritën në vend në mbështetje të forcave vendase kundër kryengritësve Islamikë,
shumë shpejt këto forca u detyruan të tërhiqeshin në bazat e tyre duke u
akuzuar nga qeveria e Mozambikut si forca të stërvitura shumë dobët në luftën
në xhungël dhe pa respekt ndaj forcave vendase, për të cilat ata kishin shkuar
për t’i stërvitur dhe mbështetur në këto operacione.
Edhe
në Republikën e Afrikës Qëndrore, forcat e Wagnerit kanë hasur vështirësi të
bashkëpunojnë me sukses më qytetarët vendas.
Nga
ana tjetër, Grupi Wagner ka arritur disa suksese në Libi, ku mercenarët e tij
kanë qënë një burim i rëndësishëm suksesi për ushtrinë e Marshallit Khalifa
Haftar i cili ka kontrollin e zonës që është e pasur me naftë dhe me gaz të
lëngët në Libi. Grupi Wagner në atë kohë ka përfshirë shumë mercenarë në Libi.
Si
përfundim nuk mund të lëmë pa përmendur sukseset e Grupit Wagner në Ukrainë. Në
fillim të muajit korrik të vitit 2022, gazeta ruse ‘Istories’ raportoi se Grupi
Wagner filloi rekrutimin e të burgosurve në dy burgje të qytetin e Shën
Petërsburgut. Në muajin gusht të vitit 2022, Mediazona raportoi se kishte marrë
mesazhe nga të burgosurit rusë të cilët pretendonin se ata po rekrutoheshin nga
‘bosi’ i Grupit Wagner Jevgeni Prigozhin për të luftuar në Ukrainë konkretisht
në qytetet Rybinsk dhe Plavsk.
Pas
këtij rekrutimi në burgjet e Shën Petërsburgut, përafërsisht 300-350 të
burgosur u regjistruan për të luftuar në Ukrainë. Në një video e cila kishte
lidhje me rekrutimet në burgje e publikuar në datën 14 shtator 2022, Jevgeni
Prigozhin deklaroi se të burgosurit kishin filluar t’i bashkoheshin fushatës së
luftimit në Ukrainë që nga data 1 korrik e vitit 2022. Pikërisht gjatë betejës
në Solidar dhe në Bakhmut të dënuarit u përdorën me shumë intensitet me qëllim
që të ekspozonin pozicionet ukrainase ndaj sulmeve nga njësitë e artilerisë
ruse. Në datën 20 maj të vitit 2023, Jevgeni Prigozhin deklaroi marrjen e plotë
të kontrollit të Bakhmutit pas 224 ditësh luftimi, ku janë vrarë dhe mijëra
luftëtarë nga të dy krahët.
Informacione
më të detajuara në lidhje me këtë grup mund të gjeni në librin e botuar së
fundi, “Shërbimet Sekrete të Federatës Ruse”, një libër jo vetëm që është unik
nga përmbajtja por që botohet për herë të parë në hapësirën Ballkanike.
Libri
gjendet tek Shtypshkronja M&B z. Bujar Karoshi: Cel nr: 0692068603,
0686508441.
Dr. Dritan Demiraj.
https://www.facebook.com/profile.php?id=100044589662161