E enjte, 28.03.2024, 01:39 PM (GMT)

Kulturë

Vlash Prendi: Sulejman Krasniqi, një Balzak i kohëve moderne

E enjte, 22.06.2023, 07:41 PM


SULEJMAN KRASNIQI, NJ? BALZAK I KOH?VE MODERNE

- Në kujtim të jetës dhe veprës së shkrimtarit të njohur Sulejman Krasniqi -

NGA VLASH PRENDI

Po mbushen rreth dymbëdhjetë vjet, që zemra e shkrimtarit të madh kosovar, mësuesit, historianit dhe gazetarit të shquar Sulejman Krasniqi, pushoi së rrahuri. E kam njohur shkrimtarin e madh që në fëmijëri, kur një mësues imi nga Tirana, duke parë dëshirën dhe etjen time për të lexuar, më sillte libra që t’i lexoja herë pashere. Në mesin e atyre librave kishte mbërritur edhe një roman i Sulejman Krasniqit botuar në vitin 1972 me titull “Në shpellën e banditëve”, subjekti i të cilit ishte vendosur në fshatin tim të lindjes dhe ngjarjet zhvilloheshin pikërisht aty rreth viteve 1945 - 1951. E pata lexuar me një frymë. Më pati bërë përshtypje menyra e trajtimit të ngjarjeve, përshkrimi i detajuar i personazheve, organizimi perfekt i kompozicionit dhe përdorimi i stilistikës letrare dhe gjuhësore. Kjo ka qënë vepra që më la mbresa të veçanta dhe më njohu me autorin për të mos e harruar më kurrë. Kisha lexuar më pare shkrimtarë dhe poetë të tjerë kosovarë, të cilën ishin detyruar të vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar dhunës dhe terrorit serb, si Kapllan Resulin, Adem Istrefin, Shefki Karadakun, Agim Gjakovën, prej të cilëve kisha lexuar disa vepra në prozë dhe poezi. Më pelqenin veprat e tyre, menyra e trajtimit të ngjarjeve, përshkrimet plot ndjenjë dhe subjektet interesante.

Ndërsa këto shkrimtarë i njihja përmes leximit të veprave, me shkrimtarin Sulejman Krasniqi ndodhte ndryshe. Ai pati punuar disa vite në Burrel, mësues në një shkollë të mesme Më kanë thenë se në këtë qytet, shkrimtari i njohur ka punuar rreth tre vjet, në mos gaboj në vitet 1969 - 1971. Siç më ka treguar më vonë shkrimtari, duke lëvizur nga Tirana në Burrel dhe anasjelltas, në fshatin Shkopet pati takuar burra të mençur dhe të kuvendit, të cilit i patën treguar ngjarje dhe fakte nga jeta e një heroine, që më vonë u bënë objekt për shkrimin e romanit historik  “Në shpellën e banditëve”, ku thuajse të gjithë personazhet janë të asaj zone. Romani e pa dritën e botimit një vit më vonë dhe u pelqye pa masë nga lexuesi. Më vonë, kur studioja në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, pata lexuar edhe vepra të tjera të këtij autori, aq të pëlqyer për mua, si  “Qielli i përflakur” -  roman 1974, “Prijësja e komitëve” -  1975, “Lindita” - 1977, përmes të cilëve pata krijuar përshtypjen, se ishte një shkrimtar mjaft i pelqyer dhe me shumë vlera.

Shkrimtari i njohur Sulejman Krasniqi ka lindur në Hoçë të Vogël të Rahovecit, më 7 dhjetor 1937. Ishte djalë i vetm, i lindur nga babai Islami dhe nënë Ryvija, i cili që në moshë të vogël që mësuar të merrte pjesë në odat e burrave të njohur të krahinës, duke mësuar shumë nga bisedat dhe mësimet e tyre. Prindërit e tij të dashur, u interesuan që biri i tyre plot mençuri dhe shkathtësi të arsimohej. Kështu e regjistruan në shkollën fillore të fshatit, të cilën e përfundoi me rezultate mjaft të larta, madje qe në bankat e kësaj shkolle do të vinte në prove talentin e tij prej krijuesi duke shkruar dhe botuar në revistën e njohur për fëmijë “Pioneri”, vjershën e tij të parë “Dëshiroj”. Botimi i kësaj vjershe i dha krahë të shkruajë dhe të botojë pareshtur në shtypin e kohës. Pasi mbaron shkollën fillore me sukses, regjistrohet në gjimnazin e asaj kohe në Prizren. Nga kjo kohë asnjëherë nuk iu shua etja për të shkruar. Provon të shkruajë përrallën “Pallati prej dukati” në vargje, dhe ia del me sukses duke krijuar plot 1500 vargje në 6 rrokëshin e tij të preferuar, vepër e cila mbeti e pabotuar dhe që autori e pati gjetur pas 4 dekadash. Në vitet kur studionte në gjimnazin e Prizrenit, u dallua në mësime, në veprimtari shoqërore dhe patriotike, këtë e tregoi edhe në trajtimin e temave në krijimtarinë e tij të ardhshme artistike. Ishte ky gjimnaz, kjo trupë mësimore dhe grupi shoqërorë, që e brumosën Sulejman Krasniqin si një patriot të vërtetë, shkrimtar të madh dhe njeri me vlera të jashtëzakonshme. Pas përfundimit të studimeve në gjimnaz, do të punonte pak kohë si mësues në shkollën e fshatit dhe më vonë edhe në fshatin Ratkoc dhe Denjë, ku thuhet se në këtë shkollë pati grisur plot urrejtje fotografinë e kryetarit jugosllav Josip Broz Tito, duke shprehur pafundësisht urrejtjen për sistemin totalitar dhe sherbëtorët e devotshëm të tij. Veprimtaria e gjërë patriotike dhe atdhetare, krijimtaria me temën atdhedashurisë, urrejtja që shfaqte vazhdimisht ndaj pushtuesit, bënë që emri i tij të skedohej në listst e UDB - së si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në këto rrethana shkrimtari i ri, kur ishte vetëm 15 vjeç, arrestohet dhe dënohet me burg, të cilin e kreu në Rahovec dhe Prizren në vitet 1952 - 1953. Pas vuajtjes së dënimit, djaloshi i ri ishte tashmë i survejuar nga UDB - ja në çdo lëvizje, çdo veprimtari apo në çdo artikull e vepër që shkruante dhe botonte. Në këto kushte thuajse ishte bërë i pamundur qëndrimi i tij në Kosovë, prandaj nisur edhe nga fakti se iu mohua e drejta e studimit për në shkollën e lartë, po mendonte të arratisej për në atdheun amë. Nga viti 1956, në trojet dardane kishin nisur dy lëvizje që kishin për qëllim spastrimin etnik të Kosovës nga banorë me kombësi kosovarë, siç ishte Reforma Agrare dhe aksioni i mbledhjes së armëve, nën drejtimin e oficerit mizor serb Rankoviç, i cili solli shumë dhunë dhe gjakderdhje në popullsinë me kombësi kosovare që kujtohet me dhimbje edhe sot. I detyruar nga perndjekja dhe presioni që po i ushtrohej familjes së tij nga autoritetet serbe, një ditë të nxehtë qershori të vitit 1958, Sulejman Krasniqi detyrohet të arratiset drejt Shqipërisë. Sigurisht që vendimi për të ardhur në Shqipëri nuk ishte aspak i lehtë për shkrimtarin, kur merr parasyshë se edhe kalimi i kufirit ishte me rrezikshmëri tepër të lartë. Të gjitha këto pengesa dhe vështirësi i mendonte shkrimtari i shquar, por në kushtet e vështira ku ndodhej, nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër. Udhëtoi me ditë e netë të tëra, mes vapës, vuajtjeve dhe vështirësive dhe për ironi të fatit, arrestohet nga forcat e kufirit shqiptar dhe burgoset. Dy javë qëndroi në burg dhe meqë hetuesit nuk gjetën dot vepër penale në veprimtarinë e tij, detyrohen t’a lënë të lire. Dërgohet përkohësisht në Llakatund të Vlorës, ku qëndronin emigrantët kosovarë. Atje qëndroi pak kohë, sepse intelektualin e njohur e priste internimi në Levan të Fierit. Qëndrimi korrekt, marredëniet mjaft të mira, sjellja shembullore dhe puna e papërtuar bënë që autoritetet vendore të ndryshonin opinionin ndaj tij. Qëndrimi në internim me disa nga personalitetet e dikurshme të politikës dhe artit në Shqipëri si Liri Gega, Osman Kazazi, Drita Kosturi dhe Dali Ndreu të dënuar për motive politike, bisedat dhe diskutimet e vazhdueshme me ta, duket se i hapen një vizion të ri për jetën.

Punoi për shumë kohë në punë të ndryshme ku u dallua për marredënie korrekte dhe seriozitet në kryerjen e detyrave. Në këto kushte i krijohet mundësia të vazhdojë studimet e larta, duke realizuar kështu një nga ëndrrat e tij më të mëdha. Nis me shumë dëshirë Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dega gjuhë - letërsi në Universitetin e Tiranës në vitin 1963 dhe e përfundon me rezultate të mira në vitin 1967. Ndërkohë fillon punë si mësues dhe për pak kohë punon në rrethin e Matit, pastaj transferohet në Tiranë. Krahas punës së mësuesit, të cilën e kryente me passion dhe përkushtim, shkruante shpesh artikuj të ndryshëm në shtyp. Lëvizjet e shpeshta nga një zone në tjetrën për çështje pune, shpesh u shfrytëzuan nga shkrimtari si motive për të shkruar veprat e ardhshme. Ishte shumë energjik, i shkathët, i kuvendit, miqësor dhe shumë bujar. Fliste shpesh për historinë, për figurat historike të cilat u bënë subjekt i veprave të tij dhe këto vepra e nisën Sulejman Krasniqin drejt pavdekësisë. Mjafton të kujtojmë se ai ka shkruar: “Tri motra, tri histori” - novelë 1972, “Në shpellën e banditëve” - roman 1973, “Qielli i përflakur” - roman 1974, “Prijësja e komitëve“ - roman 1975, “Beteja e nëndheshme“ - roman 1976, “Lindita” -roman 1977, “Rrustë Kabashi” - 1978, “Mic Sokoli” - 1979, “Besëlidhja shqiptare” - 1980, “Pushka top, Bajram Curri” - roman 1982, “Dardanët” - roman 1985, “Heronjtë e borës” - 1985, “Oso Kuka” - 1986, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve” - studim, “Njeriu dy herë i pushkatuar” - 1991, “Belbacakja“ - 1982, “Rrëfimet e majorit” - 1993, “Evropë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare” - studim 1996, “Rapsodia e kosovares” - 1999, “Makthi i hijeve” - 2000, “Rebeli i bajraqeve” - 2010 dhe libri “Jetëshkrim” - 2011, duke dhënë kështu një kontribut me mjaft vlera në pasurimin dhe konsolidimin e letërsisë shqiptare. Krasniqi mbeti një nga shkrimtarët e vaçantë që i shpalosi faktet dhe figurat historike përmes veprave letrare, sepse ishte shkrimtar i së vertetës historike.

Rreth vitit 1987, e kam takuar disa herë shkrimtarin e paharruar Sulejman Krasniqi. Nga viti 1982 ishte shkrimtar në profesion të lire, prandaj ishte dërguar nga Lidhja e Shkrimtarëve në hekurudhën Milot - Rrëshen, për të shkruar një roman për jetën aktive të rinisë në vitet e socializmit, vepër të cilën shkrimtari nuk e shkroi kurrë. Meqë shkrimtari qëndronte në sektorin e Skurajt, në brigjet e lumit Mat, shkoja dhe e takoja shpesh tek sektori, por edhe më kthente shpesh vizitat në shkollën e fshatit, ku asokohe punoja si drejtor i saj. Takimi me shkrimtarin e njohur ishte kënaqësi e vaçantë, sepse ishte mjaft i përgatitur, poliedrik, tepër miqësor. Vinte gati çdo ditë tek shkolla, sepse ishte miqësuar me nxënësit, me mësuesit, njihte disa nga kuadrot e atëhershëm të sektorit dhe rrinte e bisedonte me ta. Shpesh, bashkë me shkrimtarin e njohur mbushnim nga një gotë raki, ndonjë meze të thjeshte dhe bënim muhabet të embël, kryesisht rreth letërsisë dhe vendlindjes së tij. Që ditën e pare më pati treguar se në një bisedë me një të moshuar nga Ferrë - Shkopeti i pati lindur ideja të shkruante romanin “Në shpellën e banditëve”. – Ja, tek ai fshati atje në rrëzë të kodrës janë vendosur ngjarjet e kësaj vepre, - më thotë shkrimtari duke dashur të zgjojë kureshtjen time. – Po, - i them, - e kam lexuar. Më kanë bërë shumë përshtypje personazhët, përshkrimet, ndërtimi dhe analiza e ngjarjeve, tamam sikur të kesh jetuar në atë fshat të vogël, që dikur ka qënë pjesë e fshatit tonë, - përfundoj unë. Pasi u mendua pak çaste, shkrimtari vazhdoi: - Sa herë kaloja për në Burrel, ndalohesha këtu të bisedoja me ndonjë fshatar. E dija historinë e heroinës në përgjithësi, por më duheshin disa detaje, ngjarje dhe këto i mora kur takohesha me fshatarë të kësaj zone. Romani doli në vitin 1973 dhe besoj ka dale një vepër e realizuar.

Nga bisedat dhe diskutimet me të, dalloje lehtas intelektualin e kompletuar, shkrimtarin e formuar, patriotin e devotshëm dhe atdhetarin e flaktë që sakrifikonte për çështjen kombëtare shqiptare. Këtë e pati dëshmuar me punën e palodhur, aktivitetin patriotik dhe veprën e tij, ku mbi 14 vepra të tij trajtojnë temën historike. Në bisedë me të, nuk ngurronte të trajtonte probleme dhe shqetësime personale. Mbaj mend se një ditë në bisedë e sipër, më foli për veprën “Njeriu dy herë i pushkatuar”, ngjarjet dhe motivet e të cilit shkrimtari i pati marrë nga masakra e Tivarit. Në fakt, vepra qe shkruar qe në vitin 1967, sapo Sulejmani kishte përfunduar studimet e larta, por nuk i ishte dhënë e drejta e botimit nga organet përkatëse, me pretekstin se mund të ndikojë në cënimin e marrëdhënieve me ish - Jugosllavinë. Vepra fjeti e heshtur në dosje deri në vitin 1991, kur pa dritën e botimit. Shkrimtarin e njohur e shihje shpesh herë edhe në faqet e shtypit periodik dhe letrar ku dilte para lexuesit me skica, tregime, artikuj, reportazhe, intervista, duke mbajtur qëndrim për gjëndjen e krijuar në Shqipëri dhe duke kritikuar fenomenet negative që shfaqëshin në jetën e përditëshme, duke treguar në një fare menyre edhe natyrën e tij prëj një shkrimtari dhe vëzhguesi rebel. Mbaj mend, se një ditë pasi kisha mbaruar mësimin, vjen Sulejmani tek shkolla dhe më thotë: - Më ke pritur me gjithë të mirat disa here, tani do shkojmë tek qendra e sektorit dhe do rrimë bashkë pak kohë. Me këtë rast edhe bisedojmë. Nuk e kundërshtova nisur nga dëshira që kisha për të biseduar dhe mësuar sa më shumë prej tij. Ndërsa po laheshim në ujrat e kristalta të lumit Mat, e pyes shkrimtarin rreth krijimtarisë së tij, menyrës së të mbledhurit të materialeve të nevojshme dhe hartimit të projektit për subjektin e veprës. - Keni shkruar 13 vepra nga të cilat 8 me temë historike, - i them, - cilat janë veçoritë e përgatitjes së rrethanave për të shkruar një vepër të tillë? Kam parasyshë prof. Sula, se tek romani “Mic Sokoli”, ju krijuat një mjedis heroik duke gdhendur në faqet e historisë figura të tilla si: Mic Sokoli, Haxhi Zeka, Sef Kosharja, Ahmet Koronica apo Shuaip Spahiu, duke krijuar heroin universal që lufton për idealin mbarëkombëtar. Shkrimtari i spikatur nis e flet plot butësi, ndjenjë dhe emocion, ndaj mua më dukej sikur po jepte ndonjë leksion para studentëve të tij. - Të shkruash një vepër letrare me temë historike, është disi më e vështirë se temat tjera, - më thotë shkrimtari, - sepse shkrimtari duhet t’i përkushtohet një studimi të zellshëm materialit historik, kulturorë, gjeografik e ndoshta edhe folklorik të ambientit ku do të lëvizin personazhet. Pa njohur ambientin, historinë dhe personazhet, vepra nuk mund të shkruhet, - përfundon mendimin prof. Sulejman Krasniqi. Ndërsa po afroheshim tek lokali, nuk më rrihet pa e pyetur përseri shkrimtarin: - A mund të më thuash konkretisht, si e keni projektuar subjektin e romanit në fjalë, pasi e kam lexuar para pak vitesh? - Dëgjo! - më tha, - Për këtë vepër kam mbledhur shumë materiale dokumentare, sepse ngjarjet para dhe pas Lidhjes së Prizrenit ishin të shumta, situatat ishin të ashpra, lufta ishte e ndezur. Kontradiktat mes patriotëve shqiptarë dhe pushtuesëve osmanë përbenin drama, prandaj duheshin kanalizuar me kujdes. Pasi seleksionova materialin, përcaktova linjat e shumta të romanit dhe krijova lidhjen tërësore të hallkave të subjektit duke i renditur sipas rrjedhës historike. Kështu kam vepruar edhe tek romani “Prijësja e komitëve“, “Oso Kuka”, apo tek romani “Dardanët”. Kisha shumë dëshirë të bisedoja edhe më tepër për letersinë me të, por të njohurit e shumtë, aksionistët nuk e linin të qetë Bacën nga Kosova, siç e thërrisnin me perkëdheli. E dinte se shkruaja shpesh në shtypin e kohës shkrime të gjinive të ndryshme, prandaj shpesh më këshillonte t’i ruaja shkrimet, që në të ardhmen të mund të botoja një libër me ndihmën e tij, por ngjarjet precipituan aq shpejt, saqë nuk na u krijua mundësia për t’a vazhduar një bashkëpunim të tillë. Rrallë e “ngacmoja” për vendlindjen, pasi Kosovën dhe kosovarët i kishte gjithmonë në zemër, prandaj shumë vepra të tij i kushtoheshin çështjes kombëtare dhe figurave patriotike kosovare që dhanë jetën për lirine e atdheut. Më fliste shpesh për Hoçën, vendlindjen e tij të dashur, për Rahovecin si trevë e njohur e prodhimit të rrushit, verës dhe rakisë. Kujtimet e bukura me prof. Sulejman Krasniqin e paharruar nuk kanë fund, por unë nuk mund të lë pa kujtuar edhe një moment tepër emocionues. Ishte viti 1988, kur për arsye familjare u gjënda në Tiranë. Po kërkoja ca ilaçe për një familjar timin të sëmurë, por askund nuk gjendeshin. Ecja i menduar rrugëve të Tiranës dhe nuk po gjeja zgjidhje. Kur po kaloja pranë ish - Lidhjes së Shkrimtarëve, dëgjoj një zë që më thërret. Kthej kokën dhe shoh Sulejmanin ulur në tavolinë tek klubi i Lidhjes. Më fton me respect dhe mall dhe më pyet nësë kisha ndonjë problem. Ia shpjegoj shkurt shqetësimin tim. Ai ngrihet nga tavolina, drejtohet tek recepsioni i Lidhjes dhe dike merr në telefon. Pas pak, tek tavolina jonë afrohet një grua. –Kjo është Mira, - m’a prezanton shkrimtari me krenari, - bashkëshortja ime, është farmaciste. Ia shpjegoi problemin prof. Sulejmani dhe i kërkoi me mirësjellje të kryente porosinë. Pas pak, e nderuara Mira, erdhi tek ne me porosi të kryer, madje nuk pranoi të merrte as vlerën e çmimit të ilaçeve. Ja edhe ana shoqërore, humane dhe njerëzore që manifestonte ky shkrimtar i njohur, i cili u nda nga jeta pas një sëmundje të rendë më 16 korrik 2011 dhe kjo familje tepër e nderuar. Pas viteve 1990, ai botoi edhe shumë vepra të tjera, por unë nuk munda t’i  siguroj dot, sepse të tilla u krijuan rrethanat, megjithatë në kujtesën time kishte mbetur i pashlyer kujtimi për shkrimtarin e shquar Sulejman Krasniqi dhe veprën e tij.

VLASH PRENDI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora