E premte, 29.03.2024, 08:19 AM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Dje sabotuan luftën, sot me asociacionin, duan Serbinë hisedare në Kosovë!

E merkure, 21.06.2023, 07:53 PM


DJE SABOTUAN LUFTËN, SOT ME ASOCIACIONIN, DUAN SERBINË HISEDARE NË KOSOVË!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Nisma e kryeministrit  shqiptar, Edvin Rama, për bërjen e një Drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dorëzuar presidentit Emmanuel Macron, kancelarit Olaf Scholz, si dhe vënien në dijeni të kyetarit të Këshillit të Evropës, Charles Michel dhe palën amerikane, po konsiderohet si guxim i tepëruar, shumë i gabuar dhe fare korrekt, për raportet mes vëllezërve. Pa paragjykuar qëllimin, qoftë ai edhe i mirë, veprimet konspirative ngjallin dyshime. Sepse trajektorja e Ramës, ashtu si e pararendësve të tij social-komunistë, ka dëshmuar qasjen kontraverse dhe hiç vëllazërore ndaj Kosovës.

Kryeministri shqiptar, Fatos Nano, në ishullin Kretë të Greqisë, i dërgoi mesazh shqiptarëve së kryeqyteti i Kosovës është Beogradi. Presidenti Mejdani, kur u kidnapuar Presidenti Rugova, nga policia e Millosheviqit, e quajti "tradhtar!" Të nesërmen zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, përmes TVSH, në lajmet qendrore të mbremjes, e akuzoi Presidentin Rugova për "tradhti"!

Të njëjtën akuzë e bëri edhe kryeministri i Qeverisë së Përkohshme, Hashim Thaçi, e kompozuar me rekomandimin e krerëve të PS-së, në Tiranë, duke e kërcënuar Rugovën, pengun e Millosheviqit, me dënimin më të rëndë. Dhe, e gjithë lukunia servile, argatë të Mejdanit dhe SHISH-it të Fatos Klosit, me propagandën lehaqene, harruan Serbinë dhe u sulën kundër Rugovës dhe partisë së tij LDK-së. Gjithnjë, si një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, siç e përcakton, saktësisht, Qeverinë e Përkohshme të LPK-së, kryeprokurori amerikan, i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, Xhack Smith.

Presidenti Rugova, duke parë qasjen e krerëve social-komunistë, nostalgjinë për ideologjinë serbo-ruso-sllaviste, bëri deklaratën e dhimbshme, por shumë të nevojshme: "Kosova i ka udhëheqësit e vet dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të flasë në emër të saj". Dhe këtë përcaktim e mbajti, deri në amshimin e tij të përjetshëm, pavarësisht çjerrjeve të sivëllezërve të tyre në Kosovë, se, kinse, shkëputi marrëdhëniet me shtetin amë.

Arsyet ishin bazike, të thella. Social-komunistët shqiptarë përflakën dhe përgjakën Shqipërinë, duke shkelur mbi kufoma, për ta rimarrë pushtetin me dhunë, të humbur, më 22 mars 1992, në zgjedhjet e para demokratike e pluraliste. Dërguan në Mërgatë emisarët e ideologjisë së kuqe-partiake, në ndihmë të LPK-së, për të përçarë mërgimtarët e Kosovës, duke sabotuar Fondin Shtetëror të 3%-it, i cili shërbente për mbijetesën e Kosovës dhe përgaditjen për vetëmbrojtjen e saj. Dhe, deri në sabotimin e luftës, duke mos lejuar hyrjen e UÇK-së të LPK-së, me formacionet e saj ushtarake në Luftën e Kosovës.

Këtë e thonë, të paktën, 4 (katër) nga themeluesit e UÇK-së të LPK-së, përfshi edhe Jakup Krasniqin. Këta denoncojnë dhe akuzojnë, me emër dhe mbiemër, sabotatorët e SHTAB-it të "Rogner-it", SHISH-in e Klosit me krerët e PS-së, Shërbimin Sekret Francez me Serbinë mike të tyre.

SHISH-i, me sigurimsat e Enver Hoxhës, instruktuan SHIK-un dhe "Shqiponjat e Zeza", për ta marrë pushtetin me dhunë, duke ekzekutuar ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadrot e LDK-së; gazetarët e luftës; kuadrot e hershëm të LPK-së, të cilët mund t`i rrezikonin SHTAB-istët e "Rogner-it" për rivalitetin politik perspektiv, të pritshëm.

Partia e filosllavit Enver Hoxha, është dëshmuar një armike e egër, në vrasjet dhe burgosjet e atdhetarëve të Kosovës, duke filluar nga vrasja e Kolonel Sylejman Vuçiternit, Bajazit Boletini, (djali i Isa Boletinit) dhe të tjerë. Burgosjet e luftëtarëve nacionalistë, Tafil Boletini, Aziz Zhilivoda, Xhafer Vokshi, (nipi i Bije Vokshit, vëllai i Asim Vokshit), si dhe armatën e djemëve të përndjekur nga UDB-a jugosllave, qeveria shqiptare i sakatosi burgjeve dhe internimeve me dekada. Për të gjitha këto të zeza qeveritë e mëpasme të Shqipërisë, nuk i kanë kërkuar falje popullit të Kosovës.

Draft-statuti i Edvin Ramës për Asociacionin, i ka surprizuar për të keq, madje jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të përbotshëm. Sepse nuk ka denjuar ta konsultojë, paraprakisht, as kryeministrin Albin Kurtin, i cili e ka ekskluzivitetin e dialogimit të Asociacionit Kosovë-Serbi!

"Një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar, që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën", - thotë kryeministri shqiptar, Edvin Rama.

Ndërsa, zyrtarët dhe ekspertët në Kosovë dhe Shqiptari, nuk shohin asnjë "arsye" bindëse, për krijimin e çfarëdo Asociacioni, ndërkohë që Kosova me shqiptarët shumicë dhe komunitetet pakicë, kanë një Asociacion komunash, ku pakicat kanë të drejta të bollshme, madje me shumë se çdo minoritet tjetër në rajon, Ballkan e më gjerë. E vetmja "arsye" është, se çfarëdo standardesh që mund të realizohet një asociacion i dytë, monoetnik, ka për qëllim krijimin e premisës, për ndarjen e Kosovës, shkëputjen e Veriut të Kosovës dhe bashkimit të saj Serbisë. Pra, e krahasueshme me sentencën "të gjitha rrugët të çojnë në Romë!"

Nga Qeveria e Kosovës thonë se "nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje, pasi ndërmjetësues, tashmë, janë bërë shumë". Një përgjigje diplomatike, por një refuzim i prerë. Vet sjellja e Ramës ndaj Kosovës, në raport me Serbinë, në përgjithësi, dhe për dialogun, në veçanti, është provuar dhe shquar për negativitet. Rama e ka thënë dhe përsëritur se "Vuçiqin e kam mik!" Hafijen e hershëm të Serbisë, Baton Haxhiun e ka këshilltar personal, i cili është i pari që në T7 -Pressing-, ka befasuar me tri kërkesat, kinse, të tijat, por, në fakt, ishin të Hashimit:

1.       Zhbërja e Gjykatës Speciale;

2.       Falja e krimeve reciproke serbo-shqiptare;

3.       Pajtimi serbo-shqiptar!

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka shprehur mendimin se ideja për ndarjen e Kosovës, është e Edvin Ramës. Realisht, kjo është ide dhe projekt i Hashim Thaçit, në koordinim me Shërbimin Sekret Francez dhe Serbinë. Dhe, gjithësesi, me aprovimin e kryeministrit Rama. Kjo ndodhi, pasi Hashimi u shantazhua me dosjet e krimeve faktike, gjatë dhe pas luftës, kryesisht, për krimet vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë.

Pojektit makabër, për ndarjen e Kosovës, të maskuar pas shkëmbimit të territoreve, iu bashkruan edhe disa komandantë të luftës, pjesë të krimeve numerike. Të tufëzuar në PAN-in kriminal, provuan zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, por dështuan. Ndonjëri hoqi dorë nga udhëheqja e dialogut, edhe pse, ligjërisht, i takonte, duke ia faturuar Hashim presidentit, sepse ai mori përsipër zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Megjithatë, edhe pse nën shantazh, nuk u dorëzuan. Kuadri i Ministrisë të Jashtme, përfshi edhe shumica absolute e ambasadorëve, ishin PAN-istë të rreshkur, ashtu siç është e kapur edhe, pothuaj se, i tërë sistemi i drejtësisë, pavarësisht mungesës fizike të Hashimit. Qendra lobuese u vendos në ambasadën e Kosovës në Amerikë. Që andej, dirigjohej lobimi, madje edhe me pagesë, në Evropë dhe gjetkë!

Diplomatja boshnjake, Sabina, do ta denonconte ambasadoren Vlorë Çitaku, për lobimin e ndarjes të Kosovës. Lobistë të njohur shqiptarë në Amerikë, të cilët, dikur, priteshin me respekt në Shtëpinë e Bardhë, për hallet e Kosovës, tani filluan të merren me hallet e Hashimit dhe të shokëve të tij komandantë. Shfrytëzuan miqësinë e tyre, i bindën disa miq të Kosovës, zyrtarë të zëshëm, të trokisnin në zyrat e ish-presidentëve, senatorëve, kongresmenëve dhe personaliteteve tjerë, duke i lutur për zhbërjen e Gjykatë Speciale, për ta shpëtuar Hashimin me kriminelët e tij.

Kjo qasje hasi në reagimin e atdhetarëve mërgimtarë. Vatranët u ndanë! Edhe gazeta e Nolit "Dielli", aplikoi cenzurën, për kritikët e Hashimit me shokë. Për rrjedhojë, burrat e dikurshëm, lobues të suksesshëm, për Kosovën, u zvetnuan në respektin që kishin. Lobi Shqiptar, përkatësisht, Liga Shqiptare në SHBA, lëshoi alarmin se Kosova është varfëruar me lobues, pranë Qendrave Vendimmarrëse. Ndërkohë, Lobi serb është mobilizuar, duke u hedhur në lobimin ofenziv, sulmues për "Kosovën Serbe".

Në shërbim të këtij lobimi është aktivizuar edhe Opozita Shqiptare e Kosovës. Krerët partiakë PAN-istë, me veteranët e kryesisë, si Ramë Buja, Enver Hoxhaj dhe të tjerë, (Hoxhaj e pranon koordinimin me Ramën, për Draftin në fjalë); AAK e NISMA, janë të një mendje me "kallauzin" e tyre Hashimin, për bërjen e "Zajednicës".

Baton Haxhiu, me armatën e gazetarëve, analistë e banalistë, ish-zyrtarë të lartë, ish-ambasadorë profiterë, ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, argatë të Hashimit dje dhe sot, janë aktivizuar, madje hapur e zellshëm, në favor të Serbisë. Ata që dje ishin angazhuar për ndarjen e Kosovës, përkrah Hashimit, sot kërkojnë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, sepse "marrëveshja është nënshkruar dhe parlamenti e ka votuar me 82 vota, prandaj duhet zbatuar pa kushte!?"

Ata shkojnë larg në tradhtinë e tyre të hapur, kërkojnë referendum në Veriun e Kosovës, duke e ditur, paraprakisht, rezultatin, në përfitim të serbëve! Ata janë bërë "yje" të debateve televizive, me paraqitjen e çdoditshme, përfshirë edhe disa komandantë të inkriminuar, të akuzuar bazikë për krime, por të liruar me milionat e dhëna, në këmbim të lirisë së tyre personale. Me të drejtë analisti dhe publicisti Shkëlzen Gashi ngulmon në bojkotimin në media, të këtyre argatëve të Hashimit, përkatësisht, të Serbisë.

- V i j o n -



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora