Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ballafaqimi i shqipes me gjuhën e globalizimit, anglishten
E marte, 10.01.2023, 08:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Gjatë
historisë gjuhës shqipe i ka rënë fati të ballafaqohet me gjuhë të ndryshme, që
kryesisht ishin gjuhë të fuqive dominuese të kohës. Krejt në fillim ishte
ballafaqimi me latinishten romake. Një pjesë e konsiderueshme e leksikut të
sotëm të shqipes na vjen nga ajo kohë.
Pastaj
erdhën shekujt e dominimit bizantin. Edhe ata lanë gjurmët leksikore në gjuhën
shqipe. E kur Bizanti humbi kontrollin mbi Ballkanin, fuqitë jetëshkurtëra
bullgare e serbe bënë të njëjtën gjë.
Po
ashtu edhe sundimi i gjatë osman që erdhi pas tyre. Por, përkundër kësaj
historie të gjatë të hegjemonive që zëvendësonin njëra-tjetrën, shqipja
mbijetoi.
Ku
qëndron shkaku?
Gjuhëtarët
thonë se një gjuhë përbëhet nga tre përbërës kryesorë: sintaksa, fonologjia dhe
leksiku. Derisa dy të parët përbëjnë armaturën e gjuhës, i treti përbën
llustrën e saj. Kjo do të thotë se leksiku vazhdimisht është nën presionin e
ndryshimeve që vijnë nga gjuhët dominuese. Por kjo nuk e rrezikon ekzistencën e
një gjuhe. Rreziku shfaqet atëherë fonologjia e një gjuhe fillon e shkrihet në
fonologjinë e një gjuhe tjetër, ndërsa kur sintaksa e saj filllon të
çrregullohet e të mosfunksionojë, atëherë gjuha hyn në procesin e vdekjes
klinike.
Shqipja
nuk e ka pasur këtë fat sepse ndikimi i gjuhëve të tjera nuk ka shkuar përtej
rrafshit të leksikut, duke i lënë pothuajse të paprekura dy rrafshet kryesore,
sintaksën dhe fonologjinë.
Sot
ne po jetojmë në një ballafaqim tjetër gjuhësor të shqipes: ballafaqimin me
gjuhën e globalizimit, anglishten. Si rezultat i kësaj, tek gjeneratat e reja
të shqiptarëve, ka marrë jetë një variant i të folurit që mund të quhet
"anglo-shqipe". Dy vajzat, të cilat dy ditë më parë u bënë temë
diskutimi në rrjetet sociale për faktin se shpreheshin në një të folur
gjysmëshqip e gjysmëanglisht, paraqesin vetëm dy shembuj tregues të këtij
zhvillimi të ri në ekzistencën e gjuhës shqipe.
A
do t'ia bëjë anglishtja gjuhës shqipe atë që nuk ia bënë dot latinishtja
romake, greqishtja bizantine dhe turqishtja osmane, pra prishjen e sintaksës-
kjo nuk mund të thuhet tash për tash. I mbetet të ardhmes ta tregojë
përgjigjen. Sigurisht një pjesë e saj varet nga mënyra se si vetë shqiptarët do
të sillen me gjuhën e tyre.
______________
Libri
“Paris 1919- Gjashtë muaj që ndryshuan botën” i historianes Margaret Macmillan
përbën një ndër librat më të mirë që janë shkruar mbi negociatat në Konferencën
e Versajës, e cila vendosi rendin e paqes ndërkombëtare pas Luftës së Parë
Botërore.
Në
atë konferencë, përveç vendosjes së kufijve të rinj mes shteteve, fuqitë e
mëdha që e kishin fituar luftën përcaktonin edhe nivelin e lejuar të forcave
ushtarake të shteteve të tjera.
Siç
tregon Macmillan kur erdhi puna tek Serbia çështja që u shtrua ishte nëse i
duhej lejuar Serbisë të kishte në dispozicion një flotë ushtarako-detare.
Presidenti amerikan Woodrow Wilson u shpreh kundër me fjalët : “DO TË BËHEJ NJË
KOMB I HARBUAR, MEQË EDHE KËSHTU ATA JANË POPULL TURBULLUES, DHE NUK DUHET TË
KENË NJË FLOTË QË TË LUAJNË MENDËSH”.
Ndoshta
kjo është analiza më e saktë që dikush ndonjëherë ka mundur të japë për shtetin
serb. Ajo edhe sot është e vlefshme, ndonëse kanë kaluar 104 vjet prej ditës
kur presidenti Wilson e dha atë.
Fatkeqësia
është se njerëzit e liderët e tyre i injorojnë mësimet e vlefshme nga e kaluara
dhe për pasojë vazhdimisht i përsëritin gabimet e saj. Siç thotë Hegeli të
vetmin mësim që e marrim nga historia është se nuk mësojmë prej saj.
______________
Në
vitin 1940, me ta pushtuar Parisin, nazistët kishin filluar regjistrimin e
popullatës hebreje, të cilën planifikonin ta dërgonin në kampet e Holokaustit.
Të tmerruar hebrenjtë përpiqeshin me lloj-lloj mënyrash të fshihnin identitetin
e tyre, dikush duke korruptuar zyrtarët nazistë, dikush duke u konvertuar në të
krishterë, dikush duke falsifikuar dokumentet e identifikimit.
Një
ditë në stacionin e policisë ku bëhej regjistrimi i detyrueshëm, u paraqit një
plak me shëndet të rrënuar. Mezi ecte dhe mbushej frymë. Zyrtari i ofroi
formularin e identitetit. Me duart që i dridheshin nga pleqëria, plaku shkroi
në të: Henri Bergson. Akademik. Filozof. Fitues i Çmimit Nobel.HEBRE. Fjalën e
fundit e shkroi me shkronja të mëdha që ta lexonin më mirë. Zyrtari mbeti i
habitur nga guximi i plakut, guxim që nuk e kishte hasur gjatë kohës që po
bënte atë detyrë.
Pak
muaj më vonë, në një ditë të ftohtë janari, filozofi i madh do të shembej për
tokë derisa po priste në rradhë për të marrë bukë në furrë. Ishte 82 vjeçar. Në
shkrimet e të tij të hershme rinore kishte shkruar një fjali të cilës do t'i
qëndronte besnik deri në fund të jetës: filozofia dhe guximi për të vërtetën
janë e njëjta gjë.