Mendime
Enver Bytyçi: Djalli në Beograd, këta e kërkojnë te Vjosa Osmani!
E hene, 13.06.2022, 07:19 PM
Djalli në Beograd, këta e kërkojnë te Vjosa Osmani!
Nga
Enver Bytyçi
Në
marsin e vitit 1999 delegacioni i Kosovës në Rambuje u kthye për në Prishtinë
përmes aeroportit të Tiranës. Të gjithë anëtarët e delegacionit zbritën nga
avioni për ta takuar presidentin e kohës në sallonin e VIP-ave të këtij
aeroporti përpos Ibrahim Rugovës! Mediet e qeverisë së kohës e akuzuan
presidentin historik për "idhnak", "hakmarrje" dhe
"përçarje"! Ai nuk u përgjigj. Kur mbërriti në Prishtinë gazetarët e
lidhur me qeverinë e Tiranës zyrtare të tipit Kreta, mes tjerave e pyetën se
"Kur do ta vizitonte Shqipërinë"! Ai tha: "Në rastin më të
parë"! Nuk shau. Nuk iu kundërpërgjigj akuzave që i frymëzonte Rexhep
Qosja në gojën e presidentit socialist, Meidani, apo eksponentëve të tjerë të
qeverisë, përfshirë dhe ministrin e Jashtëm, Milo!
Asnjëherë
nuk foli. Nuk shau! Nuk kritikoi! Por ama ndryshonte rrugë kur përballej me
renegatët e Kosovës që banonin në Tiranë. Nanos i tha se "Ju kujtoj që
parlamenti i Shqipërisë e ka njohur Republikën e Kosovës në vitin 1991"!
Sepse Nano u pajtua me Milosheviçin gjatë samitit të Kretës që Kosova të mbetej
nën Serbi! Ndërsa pas çlirimit të vendit, kur presidenti i Shqipërisë vizitoi
Prishtinën, Rugova iku e shkoi në Bruksel. Rastësisht! Jo! Por ikja e tij ishte
ikje prej konfliktit! Sepse Ibrahim Rugova nuk kishte njëqind fytyra. Nëse do
takohej me presidentin Mejdani, do të duhej t'i kërkonte llogari, pse ky i
fundit e quajti pengmarrjen e Rugovës nga Milosheviçi si tradhti dhe vetë
Rugovën "tradhtar"?! Do të duhej t'i thoshte se "Ti zoti
president i Shqipërisë fole me mendjen, inatin dhe urrejtjen e Rexhep Qosjes
dhe në emër të tij u hakmore"! Prandaj iku! Nuk e donte sherrin. Por edhe
e urrente shpifjen, të ligën, maskarallëkun!
Sot
është 23 vjetori i çlirimit të Kosovës nga pushtimi dhe sundimi kolonialist i
Serbisë. Dhe më duket se jemi në një dezhavu të asaj çfarë ka ndodhur para
kësaj dite të shenjtë. Kryeministri i Shqipërisë së sotme, përtej maskave, ka
dalë hapur në krah e në mbrojtje të Serbisë dhe presidentit të saj dhe kundër
Kosovës. Nuk gjen rast pa atakuar kryeministrin dhe presidenten e vendit.
Presidenten Osmani e injoroi kur ajo foli në parlamentin e Shqipërisë para një
viti. Kërkesave të saj që Shqipëria duhej të përkrahte Kosovën dhe të bënte
kujdes në marrëdhëniet me Serbinë, iu poërgjigj me një arrogancë të pashoqe. E
etiketoi dhe fyu rëndë presidenten e vendit. Kurrë, në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk ka
kritikuar Rama Aleksandër Vuçiqin qoftë dhe me fjalë këshilluese! Ndërkohë nuk ka lënë fyerje dhe akuzë të
paskrupullut që nuk e ka vënë në gojën e tij kundër Vjosa Osmanit dhe Albin
Kurtit.
Sejmenët
e Edi Ramës luftën e kryeministrit të Shqipërisë kundër kryeministrit të
Kosovës e lidhin me pjesmarrjen në zgjedhjet e vitit 2021 të Vetëvendosjes në
Shqipëri. Alibi e besueshme. Por nuk është ky shkaku. Lepuri fle në Beograd.
Eshtë e njohur tashmë se të gjitha elaborimet ekademike e të Kishës Ortodokse
të Serbisë rekomandojnë përçarjen e shqiptarëve e sidomos të politikës
shqiptare. Këto programe e projekte anti-shqiptare konsiderojnë si suksesin më
të madh përçarjen e politikës së Shqipërisë dhe të Kosovës! Dhe nëse ka ndonjë
politikan në historinë e re të shqiptarëve, që ia ka arrit me shumë sukses ta
realizojë këtë kërkesë të vjetër e të re të Serbisë, ky është Edi Rama!
Askush
nuk mund të m'i hedhë poshtë këto argumente, sepse gjithçka na shfaqet çdo ditë
para syve. Megjithatë në rastin e publikimit të një fotoje në darkën e shtruar
në Selanik të Greqisë me kancelarin Scholz jo pak miopë dhe argatë të së keqes
fajësojnë Vjosa Osmanin. Po, është e vërtetë se presidentja Osmani publikoi
foton e kësaj darke. Ndoshta e postoi edhe dikush tjetër para ose pas saj. Por
nuk i tha Vjosa Edi Ramës qëndro dy metra larg saj e mbaje gojën mbyllur! Nuk e
bëri protokollin e asaj darke presidentja e Kosovës. Ai protokoll u zbatua nga
mikpritësit. Unë e pranoj se Ramën e kishin vënë qëllimisht në një pozitë të
tillë denigruese. Ndoshta mikpritësi ka zbatuar një skenar të tillë. Por Ramës
i takonte të afrohej e të bisedonte me Vjosa Osmanin! Asnjë që do ishte në krah
të kancelarit gjerman nuk do ta kishte mendjen te një persomazh tjetër! Dhe
Rama doli vetë bllof në një cep të tavolinës e në pamundësi të bënte shoqëri me
Aleksandër Vuçiq! Ai do të donte të ishte përballë Vjosës e në krah të
presidentit të Serbisë. Por nuk ia dhanë këtë mundësi! Për mua kanë bërë shumë
mirë!
Megjithatë
shumë analistë e kolegë kërkojnë të fajësojnë presidenten e Kosovës për këtë.
Pse? Sepse publikoi atë foto. Megjithëse askush nuk mund të thotë nëse ishte
Vjosa apo dikush tjetër që e postoi i pari foton në fjalë. Nuk fajësojnë Edi
Ramën që urren dhe hakmerret, madje pa u maskuar, me presidenten e Kosovës, por
fajësojnë viktimën e kryeministrit të Shqipërisë për llogari të presidentit të
Serbisë. Djalli është në Beograd dhe këta e kërkojnë në presidencën e Kosovës.
Me djallin është bashkuar Edi Rama dhe këta fajësojnë Vjosa Osmanin! Njësoj si
para 23 vitesh. Milosheviçi e mori peng presidentin Rugova dhe Tirana zyrtare
nuk e fajësoi pengmarrësin e nuk i kërkoi Milosheviçit ta lirojë pengun e tij,
Dr. Rugovën, por pengut Rugova i vunë etiketën e "tradhtarit"!
Tradhtarët thërrisnin "dënojëni tradhtarin", dmth atdhetarin e madh
Ibrahim Rugova! Tradhtarët e sotëm paguajnë miliona e bërtasin me të madhe
"Dënojeni viktimat e duetit Rama-Vuçiq", pra Vjosa Osmanin e Albin
Kurtin, pra Kosovën! Deri kur?