Kulturë
Drançolli & Mala: Marrëdhëniet e hershme historike midis Arbërisë dhe Kroacisë
E shtune, 15.01.2022, 07:25 PM
Jahja Drançolli:
Të
dashur miq,
Në
Zagreb këto ditë u botua libri ynë vëllimor me bashkëautor Prof. dr. Muhamet
Mala "Marrëdhëniet e hershme historike midis Arbërisë dhe Kroacisë"
(“Early historical relations between Arberia and Croatia”).
-
Libri ofron interpretime të reja dhe bazohet në disa nga arritjet tona
kërkimore në arkivat dhe bibliotekat kroate, si dhe ato italiane, austriake dhe
shqiptare.
-
Libri trajton periudhën mesjetare arbërore dhe kroate, të cilën na pëlqen ta
quajmë epoka e artë e historisë dhe e qytetarisë kroate dhe arbërore dhe është
padyshim një periudhë në të cilën çdo njoftim nga të ndryshmet ngjall shumë
emocione.
-
Libri, përveçse jep të dhëna të rëndësishme dhe sjell risi në një pjesë të
pashkelur të historisë mesjetare të dy popujve të Gadishullit Ilirik, nga ana
tjetër, bashkëautorësia e dy historianëve kosovarë paraqet dhe afirmon kulturën
e punës ekipore pak të praktikuar në studimet historike të shqiptarëve.
-
Duke qenë një rajon në periferi të qytetërimit Lindor dhe Perëndimor, zona e
Ilirisë antike dhe mesjetare, pati fërkime, kontakte, ndikime dhe ndërveprime
që tërheqin vëmendjen jo vetëm të historianëve, por edhe të studiuesve të tjerë
të shkencave humane dhe shoqërore. Historia e këtij rajoni të turbullt politik
e bëri këtë zonë një përzierje mendësish, kulturash, fesh, dhe demografisë, të
dukshme edhe sot ku arbërorët dhe kroatët na paraqiten si dy popuj me afërsi jo
vetëm gjeografike, por edhe me sfera të tjera të jetës.
-
Nëpërmjet trajtimit tematik në libër, vihet re se ndërveprimet më aktive
arbërore kroate janë më të dukshme në zonat bregdetare të Adriatikut, të cilat
në mesjetën e hershme ndaheshin etnikisht nganjëherë midis kroatëve dhe
arbërorëve. Ky konfiguracion etnik i mesjetës është vendimtar në marrëdhëniet
mes shqiptarëve dhe kroatëve për faktin e afërsisë dhe ndonjëherë edhe
kontaktit territorial të këtyre dy popujve.
-
Mbështetur në këto premisa historike të trashëguara, libri i botuar paraqet
aspekte shumëdimensionale të arbërorëve dhe kroatëve gjatë periudhës mesjetare.
Këto raporte janë të karakterit kulturor, etnik, fetar dhe politik dhe kanë
qenë shumë intensive sidomos në periudhën para pushtimit osman dhe janë
paraqitur në libër me një pedantri të lartë shkencore. Në fakt, disa nga
studimet në libër janë botuar më parë, por janë rishikuar nga një dioptri e re
shkencore, ndërsa të tjera janë kërkime të reja të pabotuara që hedhin dritë
mbi çështjen në fjalë.
-
Krahas përmbajtjeve të përmendura më sipër, një qasje me interes shkencor në
këtë libër është edhe studimi i veçantë kushtuar historiografisë, duke
prezantuar kështu rolin e studiuesve kroatë në avancimin shkencor të
albanologjisë dhe kritikës shkencore ndaj historiografisë politike të vendeve
të tjera ballkanike.
-
Duke dashur të largohen paragjykimet historike ndaj shqiptarëve të njohur më
mirë si luftëtarë apo punëtorë dhe zejtarë në pjesë të Kroacisë moderne, libri
përmes temave të trajtuara shpalos një histori të begatë arbërore-kroate në
nivele shumë të larta nga familjet aristokrate arbërore si Balshaj, Topiaj,
Kastrioti, si dhe figura të shquara mesjetare dhe periudhës së Humanizmit dhe
Rilindjes, si Ndre Durrësaku, Gjin Gazulli, Marin Beçikemi, Gjon Progoni, e të
tjerë, të cilët u bënë pjesë përbërëse e hapësirës kulturore europiane,
përkatësisht asaj kroate.
-
Temat e trajtuara në këtë libër nga pikëpamja metodologjike kanë një mbështetje
të mirëfilltë burimore dhe marrëdhëniet arbërore-kroate konsiderohen jo vetëm
si individuale, pra përmes individëve dhe personave të caktuar, por trajtohen
edhe përmes spektrit të formacioneve politike dhe shtetërore të kornizave
mesjetare siç është Shteti i Principatave Arbërore.
-
Parimi metodologjik i mbështetur në libër, vihet re se bazohet në punën pa
konstruksione dhe paragjykime paraprake, por në pritje që rezultati të dalë
vetiu nga materiali burimor, gjë që e bëjnë librin të besueshëm shkencërisht
dhe të vlefshëm si literaturë historigrafike.
-
Marrë në tërësi, ky realizim bashkëautorial, jo vetëm që trajton të kaluarën
por i kushtohet edhe të tashmes, duke qenë se edhe sot marrëdhëniet e
Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut me Kroacinë janë intensive në të
gjitha fushat, ndaj libri si e tillë ofron një pasqyrim të një të kaluare në
shërbim të së ardhmes.
–
Pavarësisht lëshimeve të mundshme, qofshin ato profesionale apo teknike,
ndryshe nga shumë libra të historiografisë sonë, të botuar në dekadat e fundit,
libri në fjalë do të jetojë pak më gjatë.
-
Libri është botuar me ndihmën financiare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë,
si dhe të botuesit "Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë" në
krye me z. Esad Çollaku dhe z. Sejfedin Prekazi, të cilëve u shprehim
mirënjohjen e përzemërt për kontributin e tyre.
Shfrytëzojmë
rastin për të falënderuar redaktorin gjuhësor, Prof. Edmond Ramadani, autorën e
kopertinës Ark. Kaltrina Drançolli, dhe kryerësi i punëve të dixhitalizimit MA.
sc. Ermal Gashi.