Mendime
Florim Zeqa: Jo referendumit serb në Kosovë!
E premte, 14.01.2022, 08:27 PM
JO referendumit serb në Kosovë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Kosova
në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojë që Serbia të mbajë referendum kushtetues
në Kosovë, për faktin se referendumi kushtetues i Serbisë nënkupton ushtrimin e
sovranitetit shtetëror në vendin tonë. Referendumi i Serbisë në Kosovë është
atak i drejtëpërdrejtë politik ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial
të vendit tonë.
Nga
shpallja e pavarësisë së Kosovës së 17 shkurtit 2008 e këndej, Serbisë në
vazhdimësi, nga secila qeveri i është mundësuar mbajtja e zgjedhjeve nacionale
në Kosovë, por e njëjta e drejtë iu është mohuar shqiptarëve të Luginës që të
votojnë për zgjedhjet nacionale në Kosovë!
Si
pasojë e këtyre lëshimeve, sot shteti serb provokon edhe me mbajtje të
Referendumit (anti) kushtetues në shtetin tonë!
Mbështetur
në “praktikat” e mëparshme të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, shtetet e
QUINT-it i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës për lejimin e organizimit të
procesit të votimit në përputhje me “praktikën” e mëhershme!
Pas
mbështetjes së referendumit, gjegjësisht agresionit politik serb nga shtetet e
QUINT-it, Qeveria dhe populli i Kosovës ndodhet para një sfide të madhe!
Referendumin
e shtetit serb në Kosovë fillimisht e mbështeti përfaqësuesi i lartë i BE-së,
Josep Borelli, pastaj Shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria
e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara) dhe Bashkimi Evropian, të cilat i kanë bëre
thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të
drejtën e tyre të votës në referendumin e Serbisë!
Na
mbetët të shpresojmë që Institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht
kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca edhe
përkundër presionit ndërkombëtar nuk do të lëkunden nga qëndrimet për mos
lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë.
Hapja
e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, përveçse poshtërim të
institucioneve tona shtetërore, përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të
Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.
Kushtetuta
e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe
praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar
referendum në territorin sovran të një shteti tjetër.
Një
akt i tillë eventual paraqet shkelje e integritetit territorial nga ana e
Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, të njohur nga
shumica e vendeve demokratike anekënd botës dhe vulosur nga GJND-ja!
Meqë
është kështu, pse u dashka ne të lejojmë mbajtjen e referendumit të një shteti
tjetër brenda territorit të shtetit tonë?!
Arsye
shtesë për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë është fakti
tjetër i pamohueshëm dhe pakontestueshëm nga bashksia ndërkombëtare, se në
Kushtetutën e shtetit të njohur ndërkombëtarisht nuk permendet fare
Reeferendumi si instrument demokratik, prandaj si i tillë është antiligjor dhe
antikushtutes.
Motivet
e Serbisë për mbajtje të referendumit në Kosovë janë puro politike, për këtë
arsye ajo insiston që t’i hapë vendvotimet në Kosovë, sepse e konsideron
Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj dëshiron që përmes referendumit të
dëshmoj në praktikë ushtrimin e sovranitetit të saj mbi Kosovën.
Vërtetë
është për keqardhje qëndrimi i shteteve të Quint-it. Në vend që t’i
parandalojnë veprimet e vazhdueshme të Serbisë në minimin e sovranitetit,
integritetit territorial dhe shtetësisë së Kosovës ato po e bëjnë të kundërtën!
Tani
kur është në pyetje sovraniteti dhe integriteti i shtetit tonë nuk ka ndarje partiake,
nuk ka ndarje pozitë-opozitë, por duhet të bëhen bashkë të gjitha partitë
parlamentare për t’i thënë JO referendumit serb në Kosovë.
Pavarësisht
presionit të paparë ndërkombëtarë në përkrahje të referendumit (invazionit
politik) serb, kësaj radhe nuk goxojmë të tërhiqemi nga qëndrimet e përbashkëta
për mosmbajtje të referendumit një etnik (serb) në shtetin multietnik.
Me
unitetin tonë duhet ta bindim bashkësinë ndërkombëtare se jemi të vendosur në
mbrojtjen e interesave shtetërore dhe të drejtës natyrore për të qenë të lirë
dhe të pavarur.
Kalimi
me sukses i kësaj sprove politike nga institucionet shtetërore dhe partitë
politike, do t’i detyrojë zyrtarët perëndimorë që të ndërrojnë çasjen ndaj
zhvillimeve të mëpastajme politike, për faktin se ky mund të jetë një
eksperiment i planifikuar i ndërkombëtarëve për ta testuar vendosmërinë dhe
përkushtimin tonë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të
shtetit me legjitimitet ndërkombëtar.
U
bëjë thirrje të zgjedhurve të popullit pa dallime partiake, që në seancën e
jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovëe të ngrisin zërin të gjithë
kundër referendumit serb, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit
territorial të shtetit të tyre.
Prandaj,
jo vetëm përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, deputetët, liderët partiakë
dhe politikanët, por të gjithë njëzëri duhet t’i themi JO referendumit serb në
Kosovë!