Mendime
Alfred Lela: Luli në duar të grave
E hene, 10.01.2022, 07:05 PM
Luli
në duar të grave
Nga
Alfred Lela
A
e ka sjellë rasti apo prirja, kush dreqin e di, por ‘Garda’ e Lulzim Bashës, në
finalen e përplasjes më të fortë të jetës politike është një grup grash.
Bjonde, me shtat të zënë, por jo domosdoshmërisht mend (të zëna, e kam fjalën),
shfaqen ato qaj-e-ofshaj, në përpjekje për ta ngashënjyer publikun shqiptar,
edhe ashtu të tromaksur nga batërdia e së shtunës.
Paradoksalisht,
ose asfare kështu, janë gratë e futura në PD dhe ‘hatrin e Lulit’ nga dritarja
e kuotave, pra nga thirrja për barazi gjinore në politikë. Kur vjen ora që
akrepi politik i tejkalon edhe burrat, ato kuisin brigjeve të portaleve dhe
gazetave “se janë gra”.
Nëse
kemi rënë dakord se gratë dhe burrat janë të barabartë, atëherë pse para gazit
lotsjellës, trokamave të tokmakëve mbi dyer të blinduara, ashpërsimit të
fjalorit dhe ‘orëve të kulturës fizike’, ato bëhen ‘të pabarabarta’? E kuptoj
se agjenda liberale këtë na thotë: jetoni një hiper-realitet dhe thoni se ai
është i vërtetë, por shtresëzimi i së rrejshmes nuk e ndihmon, por e pengon, si
raportin gjinor, ashtu dhe zhvillimin e shoqërisë.
Gratë
e këtyre rasteve, e dinë ose jo, pranojnë ose jo, kthehen në viktima të
trefishta. Një herë të kuotave, herën tjetër të dëmshpërblimit që duhet të
paguajnë për to dhe, së treti, të vetes. Edhe pse janë futur në politikë nën
sloganin ‘gra të forta dhe të mençura’, si çdo burrë i fortë dhe i mençur,
madje pak më shumë, po të mos ishin penguar nga burrat dhe konstrukti social
patriarkal, ato, brenda një dite, e hedhin të gjithën poshtë dhe shfaqen si e kundërta
e kësaj.
Na
thonë se janë bjonde, të brishta, shtatzana e me radhë, e pa masë, e pa kufi.
Ato
fillojnë e luajnë mu atë lojë që u futën për të prishur: të burrave. Në këtë
rast, të një burri që e njohim procedurialisht nëpërmjet emrit Luzim Basha. Duke
dashur ta mbrojnë, ato i prishin punë; siç edhe ai, duke dashur t’i viktimizojë
dhe heroizojë, i qesharakëzon.
Edhe
për një arsye tjetër, përpos asaj se nuk mund ta kërkosh barazinë si burrë dhe
ta ankimosh si grua. Çfarë duan këto gra pas dyerve të mbyllura me hekur të
përforcuar, pas tubetëve me pepper spray apo pas zjarrfikëseve? Duke qenë se
vinë nga hapja, nga toleranca, dhe nga fakultete të tjera të mëmësisë, pse nuk
e kundërshtojnë mbylljen, izolimin, betonizimin dhe blindimin?
Të
operuarit me dy regjistra, njëherë të burrneshës që mbyllet në kullë, dhe një
herë të nënës që i duhet të lërë një sisë jashtë për të voglin, i zhvlerëson.
Politiko.al