Kulturë
Gjon Keka: Gjergj Kastrioti e vuri veten në shërbim të së mirës dhe shpëtimit të kombit arbëror
E merkure, 12.01.2022, 10:50 PM
Gjergj Kastrioti e vuri veten në shërbim të së mirës dhe shpëtimit të kombit arbëror
Lufta kundër armikut është luftë për të
mbrojtur nderin e kombit, identitetin dhe qenien e tij nga rreziku i
skllavërimit dhe humbjes apo zhdukjes. Kombi ynë përgjatë historisë më tepër ka
pasur luftëra në mbrojtje të vetvetes nga armiqtë e jashtëm sesa paqe për ta
ndërtuar veten dhe zhvilluar sipas dinamikës së kombeve të tjera që nuk e patën
këtë fat. Fati i kombit tonë ishte se ai u gjend në pikën e lakmueshme
gjeopolitike dhe strategjike të kontinentit, ndërsa pasuritë e tij të mëdha nuk
u shfrytëzuan nga ai vetë, por nga pushtuesit që e pushtuan këtë vend njëri pas
tjetrit. Edhe periudha e sundimit turk në trojet tona është një nga periudhat
më të errëta të historisë së kombit tonë, sepse me egërsinë e tyre këta
pushtues të urryer popullin tonë jo vetëm që e skllavëruan, e dëbuan, e
masakruan dhe i imponuan ideologjinë e tyre, por edhe ia ndërprenë zhvillimin
dhe lidhjen amë me familjen e vet europiane. Ky pushtues barbar kishte krijuar
bindjen se kombin shqiptar do ta sundonte përjetësisht, duke futur brenda vetë
perandorisë së vet jeniçerë nga popuj të ndryshëm, e po ashtu edhe nga populli
ynë, ashtu sikurse ndodhi me marrjen peng të Gjergj Kastriotit dhe kthimin e
tij jeniçer i Sulltanit, e më pas edhe ngritjen e tij në rangje të tjera sipas
talentit të tij dhe aftësisë së jashtëzakonshme që ai pati. Kështu mendonte
Sulltani dhe i planifikonte qëllimet e tij agresive, në këtë mënyrë kërkonte ai
ta mbante popullin arbënor nën shtypjen e tij të mallkuar. Por ja që doli një
arbëror që ia prishi sulltanit planet e tij prej demoni, që ia ndali qëllimet e
parapërgatitura dhe afatgjata për mbajtjen e Shqipërisë nën sundimin e egër të
tij. Dhe ky burrë, ky trim, ky vizionar e strateg ishte Gjergj Kastrioti. Ishte
vetë ai që ndali hovin e kësaj perandorie famëkeqe.
Natyrisht, duke e ndalur hovin e barbarisë
së këtij pushtuesi, së bashku me arbënorët e tij Gjergj Kastrioti realizoi
planin e shpëtimit të qenies së kombit të tij dhe të identitetit europian.
Kthimi madhështor i Gjergj Kastriotit në Krujë, më 28 Nëntor 1443, si dhe
ngritja e Flamurit me Shqiponjën e pamposhtur arbënore, qenë hapi i tij i parë
i strategjisë së shpëtimit dhe rikthimit të kombit në udhën e dikurshme të
etërve dhe të faktorizimit të forcimit përballë sfidave dhe armiqve të jashtëm
e të brendshëm. Pas kësaj, duke e ditur se ai ka përballë një perandori
famëkeqe, pra një armik me ushtri me potencial shumëfish më të madh sesa
ushtria e tij, hapin e dytë pas kthimit në atdhe ai e bëri duke i ftuar të
gjithë fisnorët dhe kryefisnorët për një kuvend të bashkimit të forcave. Ky
kuvend u mbajt në Lezhë, më 2 Mars 1444, dhe u quajt themeli i unitetit të
vendit, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ushtarak e të vetë trungut
natyror arbënor. Aty Sulltani realizoi hapin e dytë, që nënkuptonte për arbënorët
unitetin e tyre për t’i bërë ballë armikut, i cili thurte plane për ta zhdukur
Arbërinë dhe për ta shkatërruar shtetin apo mbretërinë arbënore që e kishte
ringjallur Gjergj Kastrioti pas kthimit të tij. Kjo strategji e unitetit
arbënor ishte strategjia e Heroit për t’i bashkuar të gjitha forcat në të
gjitha fushat; gjithashtu, kjo strategji e unitetit ishte shembulli që trokiste
në dyert e mbretërve dhe të princërve të Europës për t’i bashkuar njëherësh të
gjitha forcat kundër armikut të përbashkët. Por, siç dihet, princërit dhe
mbretëritë e asaj kohe i kishin mbyllur veshët për unitet, ndërsa tregoheshin
të gatshëm vetëm kur ishte fjala për interesat e tyre egoiste, duke u zhytur
kështu në luftëra njëri me tjetrin, në smira e xhelozi, si dhe në ruajtjen e
fronit me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet. Sepse për ta vetëm froni kishte
rëndësi dhe, nëse një ditë u rrezikohej ai fron, ata do të lidhnin aleancë edhe
me djallin për ta shpëtuar fronin – idhullin e tyre të vetëkënaqësisë. Dhe kjo
ndodhi disa vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Kështu që Gjergj Kastrioti,
i mbetur vetëm me arbënorët e tij dhe me unitetin që realizoi nga brenda, korri
fitore të vazhdueshme kundër armikut turk.
Strategjia politike e Gjergj Kastriotit
paraqitej e tillë: në radhë të parë, ta forcojë e ta konsolidojë shtetin apo
mbretërinë e tij nga brenda; së dyti, qëllimi i tij ishte t’i rriste
marrëdhëniet materiale dhe shpirtërore të popullit të tij me fqinjët që kishin
të njëjtin armik; ndërsa detyra e tij e tretë, në fakt, ishte prodhimi i një
sistemi të shkëlqyer për ta mobilizuar ushtrinë e tij kombëtare.
Të gjitha këto detyra Gjergj Kastrioti i
realizoi në kohë paqeje.
Porse duhet nënvizuar se edhe në këtë fazë
tjetër të re, strategjia politike vjen sapo një luftë të bëhet e pashmangshme.
Prandaj ai veproi me urtësi, duke bërë izolimin e kundërshtarit, duke nxitur
vendet e tjera fqinje të mbajnë një neutralitet të rreptë ose të bashkëpunojnë
me të. Ndryshe, edhe ata do të përballeshin me luftë të pamëshirshme dhe të pa
kompromis, sepse mosbashkëpunimin me fqinjët Gjergj Kastrioti e shihte si
mundësi për të rënë në ujdi me armikun, dhe kështu beteja me armikun të mos e
kishte suksesin e dëshiruar prej tij, pra atë të shporrjes së pushtuesit turk
njëherë e përgjithmonë nga trojet tona.
Nga këtu shihet që suksesi i tij i madh
ishte rezultat i urtësisë së tij, i largpamësisë, vizionit dhe njohjes
rrënjësore të artit të luftës, politikës dhe diplomacisë. Gjergj Kastrioti e
dinte se cili është rregullatori i përgjithshëm i përparimit të kombit të tij,
ndaj dhe për atë ai i shërbeu atdheut me tërë qenien e tij. Me vetëmohim, ai e
vuri në shërbim veten për të mirën dhe shpëtimin e kombit të tij nga pushtuesi
otoman.
Për ta përmbledhur karakterin dhe forcën e jashtëzakonshme të
Heroit tonë, e vlen të ritheksohet se ai u bë mbrojtësi i atdheut të tij,
identitetit të tij dhe vlerave të lashta rrënjësore europiane të kombit
arbënor. Duke e mbrojtur atdheun e tij, ai në fakt mbrojti edhe tërë
civilizimin e familjes europiane. Pushtuesi otoman u ndal në Shqipëri, sepse
vetëm aty ai nuk mund ta kapërcente murin që kishte ngritur Gjergj Kastrioti me
arbënorët e tij. Aty u zhvilluan betejat që, në fakt, i mbrojtën edhe kombet e
tjera nga pushtimi i egër turk. Kjo ndodhi derisa Gjergj Kastrioti ishte
gjallë, por pas vdekjes së tij këmba e pushtuesit turk u rëndua përsëri në
trojet arbënore dhe sundoi aty barbarisht, duke e lënë kombin tonë në mjerim,
të pazhvilluar, të shkatërruar, pa dije e arsim, pa gjuhë, duke ia shkëputur
atij lidhjet amtare me familjen europian për 445 vjet, deri në rishpalljen e
pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Sidoqoftë, ja si
shkruante me të drejtë
bashkëkohësi i Gjergj Kastriotit dhe humanisti Marcantonio Sabellico: “Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, thonë se shqiptarët, të
habitur nga trimëria e këtij burri zunë të shihnin tek ai diçka që kalonte
përtej kufijve njerëzorë dhe ta kujtonin princin e dashur me këngë madhështore.
Disa burra të besueshëm më kanë treguar se në valën e luftës dhe, pikërisht kur
çdo gjë shungullonte e oshtinte nga armët barbare, grupe vajzash kishin zakon
të mblidheshin çdo tetë ditë ndër sheshet ku kryqëzoheshin tri rrugë në qytetet
ku kish sunduar dhe të këndonin lavdinë e të ndjerit princ, siç bënin burrat e
lashtë në ahengjet e tyre”.