Kulturë
Përparim Hysi: Lukja që më la me "provim në vjeshtë"
E marte, 23.11.2021, 07:35 PM
LUKJA që më la me "provim në vjeshtë"
(tregim)
Nga
Përparim Hysi
E
quanin Flamur, por i thërrisnin "LUKE" dhe kështu vazhdojnë edhe sot.
Qe komshi me shtëpinë time dhe, ndërsa
unë jetoja në katin e dytë të një pallati, ky, LUKJA, në një shtëpi përdhese. Jetonim aq afër, sa,
po të provoja e të zgjasja krahët, mund ta kapja prej qafe aty ku ishte dhe ta
ngjisja aty ku jetoja. Qe nxënësi im dhe, kur zënë fill ngjarjet në këtë
tregim, LUKJA ishte në klasën e tetë.
Zakonisht,
në shkollën ku jepja mësim, unë i merja nxënësit në klasën e tetë, kur qenë të
detyruar të jepnin Provimet e LIRIMIT. Në 8-vjeçare, unë jepja lëndën e gjuhës
shqipe dhe atë të Leximit Letrar. Në shkollë kishte tri paralele të klasës së
tetë dhe, ngaqë bëhej ballafaqimi i parë me nxënësit, unë, paraprakisht, bëja një
lloj"testimi" për përvetësimin e programës për lëndën përkatëse dhe,
ndërsa për gjuhën bëja provim me shkrim,
në leximin letrar, provoja sa ishin të aftë për të lexuar një poezi a
një tekst në prozë. Natyrisht, me kalimin e kohës, ndiqja përparimin e çdo
nxënësi dhe, sa kisha vënë re, me LUKEN, këtë gjitonin tim, nuk qenë mirë
punët. LUKJA, epo nuk ishte i vetmi,
ishte nga ata nxënësit që për arsye subjektive kish arritur në klasën e
tetë. Dijenitë sa për klasën e pestë. Kur them nuk ishte i vetmi, siç vëreja
nga testimet që bëja, kur LUKJA qe në klasën e tetë, në të tri paralelet,
kishte nga "Tri-katër LUKE". Kam qenë shumë këmbëngulës në kërkesat,
sipas programës, dhe më shkaktonin dhimbje koke"firot" e dijeve të
tyre. Kisha gati 30-vjet që jepja lëndët dhe, për"t'i zbutur" sado pak
firot dhe për të mos i kaluar kot, kisha "shpikur" një metodën time
vetjake.
Tek
tri paralelet, i mora këta me"firo" dhe, para klasës (ndodhte që
ishin të gjithë djem) komunikoja kështu. Për të kaluar në lëndën e gjuhës, duhet të kopjonin çdo ditë nga një tekst, ku
vlerësimi ishte për bukurshkrimin dhe për gabimet. Një gabim i ndëshkonte,
sikur s'kishin bërë asgjë. Kush kopjonte pa asnjë gabim dhe shkruante bukur, vlerësohej pozitivisht.
Përvoja tregonte se asnjë nxënës i mirë,
për të njëjtin tekst të kopjuar, për çudi,
nuk shpëtonte pa bërë gabime. Kurse këta të"firove" e ngulnin
bririn mirë. Për Leximin letrar, u jepja
copëra nga poezitë e vështira ku 15-vargje t'i
thoshin përmendësh. Piketa kalon a nuk kalon, gjithmonë qe"Poema e
Mjerimit" të MIGJENIT.Dhe kjo"Poema e mjerimit"
qe"kafshata" që i mbeti në fyt LUKES. E lashë me"provim në
vjeshtë".
* *
*
E
lashë në vjeshtë dhe kjo nuk i prishi fare punë LUKES që mos rritej si moshatarët
e tjerë.Jo vetëm të rritej, por të krijonte familje dhe t'ia çonte më mirë se
dhe unë që isha mësues i tij. Qemë komshinj e vija re dhe më vinte mirë që ky,
ish-vjeshtuku im, ishte goxha familjar.
Kish ardhur demokracia dhe LUKJA kish pronën e tij:tokë, ullinj dhe tri lopë.
Vërtet
s'e mësoi "Poemën e mjerimit" përmendësh, por qe fermer i mirë. Qe viti i mbrapshtë
1997. Unë punoja inspektor në Drejtorinë Arsimore në FIER dhe, sa vija nga
puna, dilja aty, mbi xhade, se nën hijen
e ullinjëve jo vetëm çlodheshim, por bënim dhe nga"një bark me
muhabet". Kishin filluar ato"demonstrimet anti firmave piramidale me
thirrjen"Duam paratë tona". Demonstruesit mbrrinin deri në fshatin
tonë, 4-km nga qyteti i Fierit dhe, tek i shihja, sikur kruaja kokën. Isha dhe unë
njëri nga ata. Thonë që PERËNDIA të merrë mendjen, në fillim, dhe, pastaj,
jetën.Kështu ndodhi dhe me mua. Ndërsa imbir, emigrant në GREQI, (mezi i fitoi
ato miliona dhrami:qenë dy milionë që ia mbylla në arkë të kursimit).më mori në telefon"që mos
gënjehesha dhe t'i çoja në ndnjë firmë, se më thotë bosi grek, se janë firma
mashtruese", unë e bëra si ai nxënësi i klasës së parë që i tha prindit:"Nuk di ti sa mësuesja
ime". I thashë djalit:-Ka thënë BERISHA që janë paratë më të pastra në
botë dhe nuk di bossi yt sa BERISHA!!!! I hoqa nga arka e kursimit dhe drejt e
në VLORË tek "Gjallica". Dhe
prisja që t'i merrja në shkurt 1997. "Gjallica" ra dhe paratë e
timbiri shkuan për dhjamëqeni. Ndjeva dhimbje, por nuk dola në demonstrata se
BERISHA nuk më kapi nga veshët që o çoj atje, ose të vrava. Fajin ma pati koka
dhe kafshova gjuhën. Si lajm kishte marrë dhenë dhe një burrë plak kish
thënë:-Pse edhe PAPI (kështu më thërresin në fshat e kudo) i humbi paratë? Po
ne e dinim PAPIN të mençmin e fshatit,
ai qenka budallai i kazasë! Pra, le gomari më ngordhi, por nuk të lënë
as mizat rehat.
* *
*
Po
bëja muhabet, kur u rrëfye LUKJA. Tri lopët i la për kullotë dhe, sa më pa aty
mes njerëzve, e zbrazi"koburen"
që e mbante të mbushur që nga koha që ish nxënësi im.
-Eh,
profesor, - tha LUKJA, - më le mua mahere me provim në vjeshtë. E shikon LUKEN?
Lopë po, prona po dhe
ca"çikalekë" i ka LUKJA mu në arkëz të kursimit. Po ti, o profesor, i more lekët e SUADIT (emri i
timbiri) dhe i vërvite mu tek"Gjanica" *! Profesor, - shpotiti duke
qeshur LUKJA, - të kam lënë me provim në vjeshtë! U ngrita dhe e përqafova
LUKEN miqësisht.
*Gjanica-lumthi që kalon
përmes Fierit
Tiranë, 23 nëntor 2021