Mendime
Adil Fetahu: Letërshkëmbimi i At Gjergj Fishtës
E hene, 25.10.2021, 06:28 PM
LETËRSHKËMBIMI (I AT GJERGJ FISHTËS)
(Botoi: Biblioteka Françeskane “At Gjergj
Fishta”, Shkodër, 2020)
Nga Adil
FETAHU
Para një jave, djali im Arben Fetahu, më solli dhuratë nga Shkodra
kompletin e shtatë blejve të veprave të At Gjergj Fishtës: Epika; Lirika;
Dramatika; Publicistika; Satira; Letërshkëmbimi; dhe Shkrime të ndryshme në
shtypin e kohës. Prej këtyre veprave, nuk i kisha lexuar tri të fundit,
prandaj më së tepërmi më nxiti kurreshtja ta lexoj së pari librin Letërshkëmbimi, duke
ditur se prej letrave të tilla do të gjej elemente e ndjenja më intime të
raporteve të Fishtës me letërshkëmbyesit, por edhe informacione për ngjarjet
historike, politike, diplomatike, letrare e fetare të kohës. Dhe, vërtetë, nga
leximi i librit Letërshkëmbimi, kam mësuar për tiparet e Fishtës më
shumë se leximi i Lahutës së Malcisë dhe I veprave tjera. E me qenë se për këtë libër askush deri më sot
nuk ka shkrua ndonjë reçencë a vështrim, këtu më poshtë po jap ca informacione
për librin, që besoj se do t’iu interesojnë dashamirëve të fjalës së shkruar,
veçmas dashamirëve të veprave të poetit,
shkrimtarit, atdhetarit, prelatit dhe intelektualit të madh, At Gjergj Fishta.
Përmbajtja dhe struktura e librit
Në 266 faqe të librit Letërshkëmbimi janë radhitur e 152 letr, të
shkruara e dërguara personaliteteve ose
institucioneve të ndryshme nga Gjergj
Fishta, apo aso që Fishta ka marrë nga personalitete ose institucione të
ndryshme. Kështu, Fishta paraqitet si letërdërgues i 114 letrave, ndërsa
letërmarrës i 38 letrave. Prej 114 letrave që i ka dërguar Fishta, vetëm 37 i
kishte shkruar në gjuhën shqipe, ndërsa të tjerat në gjuhën italiane. Kuptohet,
që letrat në gjuhën shqipe i ka shkruar në të folmën e pastër gegënishte.
Letrat e shkruara në italishte, për këtë botim të librit i ka përkthyer dhe
përshtatur të folmes gegënishte Prof.as.dr.Vinçens Marku. Janë këto 71 letra
të At Gjergj Fishtës dërguar At Pal
Dodajt, 2 letra dërguar Ëmzot Vinçens Prenushit dhe 4 letra dërguar
autoriteteve. Nga përmbajtja e letrave dërguar At Pal Dodajt, prej të cilave
burojnë plot ndjenja e dashuri, informacione, kritika, udhëzime, këshilla, mund të konkludohet se Fishta kishte raportet
më të afërta me atë personalitet. Po të lexosh mbiemrat me të cilët Fishta i
drejtohet Palit: “Pal i dashtun”; “Pali em fort i dashtun”; “Pali em fort i
dashtun dhe shum fort i dashtun” (libri, fq.130); “ Fort i dashtuni em, shum i
nderuem “(fq.150); “Ati em Provinçjal fort i dashtun” (fq.170); “Pali em fort i
dashtun…jo” (fq.176), etj, shihet se me çfarë afërsie, konsiderate e
respekti i drejtohet Fishta At Pal
Dodës, po në ndonjë rast edhe me tone të
ashpra kritike.
Në hapje të librit do të gjeni një Parathanie të shkruar nga At Vitor Demaj
(Lezhë, 23 tetor 2020), në të cilën jep informacione mbi ecurinë e botimit të
kompletit të veprave të Fishtes, në 80-vjetorin e vdekjes së poetit. Në
Parathënie thotë: “Në këtë vëllim nuk
mtojmë të paraqesim krejt Letërshkëmbimin e Fishtes, por kemi paraqitur
njëpjesë të mirë të tyre… .Sikurse
kje fati i At Gjergj Fishtes me ardhjen në pushtet të komunizmit, njat
fat të keq pësuan edhe korrespondencat e tij .... Nëpërmjet letrave lexuesi dhe
studjuesi kupton rëndësinë strategjike të Fishtës si nji pesonalitet i rrallë
dhe i duhur për Shqipninë e asaj kohe, por edhe për kohën tonë. Po kështu,
leximi dhe studimi i letrave na paraqet kontekstin historik, ku ai jetoi dhe
veproi”.
Në Hymje (fq.15-25), të cilën
e ka shkruar e nënshkruar përkthyesi i
letrave, nga gjuha italiane në gjuhën shqipe, dhe redaktori i të gjitha letrave
të botuara në këtë përmbledhje, prof.as.dr.Vinçens Marku, thotë se “Botimi i
tashëm nuk mbart në vetvete pretendimin e pathemeltë se në këtë vëllim ka me u
sjellë i gjithë letërshkëmbimi i Fishtës, madje as pjesa më e madhe e tij, por
vetëm një pjesë, e quajtun prej nesh
nesh si ma e mundshmja dhe ndoshta edhe ma e randsishmja”.
Sipas profesorit Vinçens Marku, duhet të ketë pasur edhe së paku dy-tre
fishi i këtyre letrave që janë botuar në këtë libër. Në vazhdim, autori i Hyrjes
dhe i përkthimit të letrave,
shpjegon strukturën dhe anën përmbajtësore të Përmbledhjes: Radhitja e
ekstit në Word; Paraqitja e faqeve dorshkrimore’; Kriteret e përkthimit; tema e
Pamvarsisë dhe Njohja ndërkombtare; tema e artit të letërsisë dhe e natyrës së
tij; tema e jetës së Provinçjes Françeskane dhe marrëdhëniet mes sivllazënve, duke
përfunduar se “Studjuesit dhe lexuesit do të kenë në dorë një korpus
domethanës dhe me shumë vlera të korrespondencës së njanit prej personaliteteve
ma të njohftuna të botës shqiptare, pra atë të At Gjergj Fishtës. Kjo gja pa
dyshim ka me ndikue në rishkimin e figurës së tij nën kandvështrimin e të
dhënave të reja dhe ma të plota për studimin e veprës dhe të autorit”.
Radhitja strukturore e letrave
Nga ana strukturore e radhitjes së letrave, libri ndahet në dy pjesë. Pjesa
e parë titullohet Fishta letërdërguesi (faqe 26-217),
që përmban 114 letra të dërguara nga Fishta, dhe pjesa e dytë: Fishta
letërmarrsi (fq.219-266), me 38
letra që ka marrë Fishta nga personalitete dhe institucione të vendit dhe të
jashtme.
Pjesa e parë, që është më e madhe , ndahet në dy kapituj: Letra shqip (fq.31-81), që përmban tekstet
e 37 letrave, dhe Letra në Italisht
(fq.85-217), me 77 letra.
Prej 114 letrave që ka dërguar Fishta, 71 sosh ia ka dërguar At Pal Dodajt;
dy letra i ka dërguar Ëmzot VinçencPrenushit dhe katër letra ua ka dërguar
autoriteteve. Nga 38 letra, që ka marrë Fishta nga personalitete dhe
institucione të ndryshme, po veçojmë këtu: Shtjefen Gjeçovi, Dr.M.Lambertz,
John Adams, Faik Konitza, Pekmezi, Dr Norbert Jokl, Eqrem Çabej, At Mark Harap,
Hugh G.Grant, etj.
Letrat janë paraqitë në libër sipas rendit kronologjik, për secilën ndarje
ose nëndarje. Letrat e dërguara dhe ato
të marrura i përkasin periudhës 1908 – 1940. Opusi i letrave të botuara në këtë
Përmbledhje, fillon me letrën e Fishtës, dërguar Pader Shtjefen Gjeçovit,
dërguar më 17 janar 1908, dhe përfundon me letrën e Dritës, dërguar Fishtës më 15 nëntor 1940, një studente e kolegjit françeskan, e cila e
njofton për përfundimin me sukses të vitit shkollor.
Shumicën e letrave Fishta i ka dërguar nga Shkodra, por edhe nga Troshani,
Lezha, Gomsiqe, Durrësi,Tirana, ndërsa i ka marrë nga Roma, Livorno, Parizi, Levanti, Njujorku, Vashingtoni, Londra, Athina,
Stambolli.
Letrat e tij Fishta i ka shkruar me makinë shkrimi, por edhe me dorë, që
dëshmohet nga faksimilet e dorëshkrimit, të dhëna në fund të Përmbledhjes.
Gjatësia e tekstit të letrave është e ndryshme. Ka letër e gjatë 9 faqe të
dendura të librit, të cilën Fishta ia ka dërguar Vinçensit, Atit Delegat
Gjeneral të Provinçjes (më 25 gusht
1914), në të cilën i ankohet atij për padrejtësi që i janë bërë me lënien e tij
jasht Provinçjes, për shkak të insistimit të tij që në të githa shkollat
fillore të Shqipnisë duhet me u përdorë në gjuha shqype. Nga fundi i kësaj
letre, Fishta thotë: “…idhnimet e randa, të krijueme kohët e fudit, kanë
ndikue mjaft mbi fizikun t’em”. Ndërkaq, letra më e shkurtër, me gjithsejt
3 rreshta, është ajo që nuk përmbanë as emrin e personit të cilit i dërgohet
(nga Tirana, më 13-9-21), as emrin e autorit të letrës, por nënkuptohet se
është letër e Fishtës, e që ka këtë përmbajtje: “…Sod kam folë me Pecin
lidhun me Gjimnazin. Tashti aj nuk duket aq anmiqsor me idenë t’onë, madje kena
ba nji hap të madh para; kena emnue tashma profesorin e matematikës…”(fq.154).
Rëndësia e letrave të Letërshëmbimit
Shumë nga letrat e Fishtës dërguar personaliteteve të njohura të kohës,
mund të quhën letërsi e vërtetë. Por, rëndësia e letrave të tij, qoftë atyre të
dërguara apo të marruna, janë dëshmi e bashkëpunimit, komunikimit, raporteve
miqësore e dashamirëse, dashurisë për Kishën
dhe Atdheun, por gjithashtu janë dëshmi e dekadencës, krizës dhe vetëdijes
morale, apatisë, lodhjes, pafuqisë për të ndryshuar gjendjen. Shprehet në to
frika nga copëtimi i vendit nga fqinjët veriorë dhe jugor, pas Luftës së Parë
Botërore. Janë këto letra edhe si një ditar, më
të rrallë, në të cilat tregon punët që bënte, ngjarjet dhe ndodhitë
brenda e jashtë vendit, aktivitetet e tij kombëtare, patriotike,
atdhetare, diplomatike, kishtare,
letrare e kulturore. Binomi Fe e Atme (Atdhe) ishte boshti kurrizor i
veprimtarisë së Fishtës, siç do thoshim me terminologjinë bashkëkohore të teknikës informative: Fe e
Atdhe ishte “pasfordi” i veprimtarisë së Fishtës, dhe kjo përshkohej në
letrat, e më gjërësisht në veprat e tij. Ishte merita e Fishtes që ShBA-të e
njohën pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1922, njohje kjo që kishte rëndësi të
veçantë, sepse i hapi rrugën edhe
njohjeve nga shtetet e tjera. Ja se çka
shkruan për këtë Fishta nga Parisi (ai e quan: Parigji) At Pal Dodajt (më
16-2-22): “…vizita ime në Vashington ka pasë si rezultat njohjen e Shqypnis
prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës…”.
Secila letër e Fishtës, qoftë se iu ka dërguar personaliteteve të shquara
apo autoriteteve shtetërore ose
kishtare, meriton lexim të vëmendshëm dhe analizë. të tekstit dhe
kontekstit. Në një letër që Fishta i
kishte dërguar At Vinçens Prenushit (17 prill 1919), me të cilën e informon për
zhvillimet e Konferencës dhe pretendimet sllavo-greke ndaj Shqipërisë, shprehë
keqardhjen për disa dërgata shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, të cilat
nuk kishin qëndrim të njëjtë dhe ishin intelektualisht të papërgatitura, përpos
Luigj Gurakuqit. Në atë Konferencë merrnin pjesë gjashtë dërgata të ndryshme,
të kryesuara nga: Turhan Pasha, Esat Pasha, Halit Pasha, Erixon, Mihajl Grameno
dhe Pandeli Vangjeli.
Bënë përshtypje një letër e Fishtës, dërguar Mbretit të Shqipërisë (më 23
shtator 1939), me të cilën, në emër të të gjithë intelektualëve shqiptarë, i
propozon Mbretit, t’ia mundësojë filologut dhe albanologut të njohur, Norbert
Joklit, të vinte të vendosej për të
jetuar e punuar në Shqipëri, pasiqë pushteti gjerman e kishte përzënë si
hebre nga Universiteti i Vjenës, dhe ky duhej të largohej prej andej.
Leksiku i afërsisë, besimit,dashurisë, përkushtimit që shpreh Fishta në
letrat e tij, shihet që nga fillimi i letrave, me fjalët: “I dashtuni”; “Fort i dashtuni”; “Pali em
fort i dashtun”; “Mos m’qit në harresë”;
“Fort i nderti e i dashtuni”; “Pali im i dashtun”, etj, dhe në funt të letrës kur nënshkruhet, nën
fjalët: “I yti”; “Krejt i yti”; “Gjithmonë i yti”; “I juaj”, “Shërbtuer i përvuejt”,
etj. Ka brenda letrave edhe plot shprehje spirituoze e humor,
ndonjë shprehje a sentencë latine dhe urti tjera. Fishta ka pasur ide dhe stil
për të matur e peshuar secilën fjalë e fjali, prandaj leximi i letrave të tij
krijon knaqsesi të veçantë te lexuesi.
Me gjasë Fishta paska pasur merak për duhan, sepse në disa letra të tij ka
kërkuar t’i dërgohet duhan, veçse përmes njerëzve të besuar, e jo me postë,
sepse nuk i ka hije të etikohet për kontrabandë.
Në epistolarin e Fishtës, nuk ka letra familjare, përveç një nipi dhe një
kumbare.
Libri Letërshkëmbimi, është interesant për ta lexuar dhe analizuar nga
teksti dhe konteksti privat dhe publik, historik dhe politik, shoqëror dhe
diplomatik, letrar dhe kishtar. Është një prurje interesante dhe e vlefshme në
letërsinë shqipe, që i është ofruar publikut lexues shqiptar, dhe për këtë
meriton falënderim të veçantë prof.as.dr.Vinçens Marku, për përkthimin e
shkëlqyeshëm dhe redaktimin korrekt profesional të letrave të botuara dhe për
shpjegimet udhëzuese që i ka dhënë në Hyrje të librit.