Kulturë
Albert Zholi: Reshat Arbana - Si u njoha me veprat e Gjergj Fishtës
E diele, 26.09.2021, 11:24 AM
Reshat Arbana 81-vjeç: Si shikoja xhirimet e filmit “Debatiku” para shtëpisë sime më dukej hyjnore
-
Kënaqesha kur shihja Colin që luhej nga Shpëtim Zani. “Lum ky!”
Nga
Albert Z. ZHOLI
Kinemaja
në atë kohë ishte mollë e ndaluar. E ka frekuentuar herë pas here dhe ruan
mbresa të jashtëzakonshme. Të shihje një film për ata ishte një ngjarje e
paharruar. Emocione mahnitëse! Dukej si çudi që në ekran të shihje njerëz që
lëviznin, që jetonin një ngjarje, që jepnin një mesazh. Kujton filmin e parë në jetën e tij, që
titullohej “Kashei i pavdekshëm”, më pas “Qilimi fluturues”, “Akrobati i bukur”. Këta filma i ndiqnin tek
kinema ‘Republika”, apo kinema “17 nëntori”. Shkonin zakonisht me shokët e
lagjes. Filmi kinez “Vajza me flokë të thinjur” iu ngulit në mendje për një
kohë të gjatë. Ishte një vajzë me sy të
drapërinjtë, me një vështrim si prej shqiponje e shkathët, që me shpatën e saj
luftonte armiqtë. Sa donte ta imitonte atë grua. Ishte një heroinë, që i
nguliti shpirtin e madh të sakrificës, dhe ndjenjat e saj të jashtëzakonshme
për drejtësinë.
Filmi “Debatiku”
Filmi
“Debatiku” një ëndërr e madhe. Në sheshin para shtëpisë së tij, tek sheshi
Colit siç thirret sot, që ndodhet prapa Ministrisë së Arsimit, xhirohej filmi
“DEBATIK”. Kur pa turmën e njerëzve, u infiltrua menjëherë mes kureshtarëve.
Aty mes njerëzve, ndiqte si i shushatur dhe i mrekulluar xhirimet e filmit. Nuk
kishte parë kurrë një kamera në jetën e tij. Aktorët e nderuar Sulejman
Pitarka, Besim Levonja e Qenan Toro, i ktheheshin sekuencave disa herë. Me sa
kuptoi, lypej kohë e vrenjtur dhe kur dilte dielli si engjëll i qeshur
regjisori thirrte: STOP! Drejtor i filmit ishte Todi Bozi dhe i është ngulitur
në mendje se, sa herë shihej ndonjë re në qiell që fluturonte si tufë patash
thërriste me të madhe: Gati, gati, disa re po vijnë nga perëndimi! Shpejt mos
humbim kohë. Kënaqej kur shihte Colin që luhej nga Shpëtim Zani. “Lum ky!” thoshte me vete dhe ëndrra merrte
krahë. Arrinte deri aty sa të zilepsej deri në marrëzi. Ëndërronte të ishte në
vendin e tij dhe të bridhte rrugicave me shokët tek krijonin organizatën e
fëmijëve të luftës antifashiste. Ishte fëmijë, por në shkollë ishin mbrujtur me
heronjtë e vegjël që kishin dhënë kontribut në Luftën Nacionalçlirimtare. Nuk e
ka përmendur më lart, por të gjithë pionierët në atë kohë mbanin në qafë një
shall të kuq kur shkonin në shkollë. Ishte rregull, normë shamia e kuqe, pasi
simbolizonte gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë e atdheut. Askush nuk
mund të shkonte pa këtë shami në shkollë. Ishte kujtimi ndaj dëshmorëve që
kishin sublimuar jetën për liri. Ato ditë ngrihej herët e vraponte tek vendi i
xhirimit. Ishte përballja e parë me një shesh xhirimi.
Teatri ishte Olimpi im
Teatri
ishte Olimpi për të. Aty ngjizej një ngjarje, personazhet krijonin jetë,
imagjinatë, krijonin katarsis shpirtëror të hatashëm. Aty kishte diçka hyjnore,
që e bënte të ëndërronte pa fund. Dhe këtë telepati me teatrin e ndiente që
fëmijë. Fakti që ishte një artist në shpirt, e shtynte shpesh drejt teatrit,
monumentit të fjalës të lirë. Por me gjithë magjinë që i falte ky institucion,
shpesh kthehej mbrapsht. Nushi, një punonjës i pathyeshëm nuk e lejonte. Si
fëmijë i shkathët që ishte, kishte gjetur mënyrën t’i përvidhej syrit të
Nushit. Ai vinte dhe kundronte sallën, mos futej ndonjë fëmijë nën moshën
16-vjeç. Atëherë fshihej pas perdeve të rënda, kolonave e skutave të errëta
deri sa ulej sipari. Nuk ngopej me art.
I dukej si një pellg ku notonte e lirë fantazia. “Prefektin” e Besim Levonjës,
e ka ndjekur 15 apo 20 herë. Nuk kishte vende të lira në sallë dhe publiku
ushtonte në të qeshura e duartrokitje pa fund.
Mihal Popi interpretonte me një mimikë groteske, që çdo herë e bënte të
qeshte me shpirt. Që atëherë, aktorët për të, do ishin njerëz të mbinatyrshëm, njerëz që
kishin tjetër shëmbëlltyrë. A do arrinte të bëhej një syresh, vallë
ndonjëherë...?!
Estrada e Shtetit
Mban
mend shfaqjet e para të Estradës së
Shtetit që i jepte në sallën e Teatrit Popullor, sepse nuk kishin sallë të
vetën. Shfaqjen e parë, trupa e dha nën siglën “Estrada numër një” dhe më
pas “Estrada numër dy”. I kanë mbetur në
mendje dy numrat e para. Interpretimet e të njohurit Ramazan Zyberi edhe të
tjerëve. Ishin befasuese për të. Kujton një skeç ku Xani luante rolin e Titos
dhe gruan e tij, Jovankën e interpretonte aktorja e mirënjohur, “Artistja e
Popullit”, Margarita Xhepa. Kujton
Xanin, kur i drejtohej serbokroatisht,
Jovankës:
-Ljubicica
sercemoja, draganaja ljubica!
Nuk
mban mend sa herë e ka parë, por batutat i përsëriste çdo kohë në mendje dhe
ndjehej i plotësuar. Kur nisën shfaqjet e mëngjesit, matinet siç quheshin,
ndjeu një çlirim të vërtetë. Tani do mundej t’i frekuentonte këto shfaqje, pa
pengesë. Ndërkohë, vitet rrodhën, dhe ai e pa veten të lirë. Shihte çdo
premierë. Lozha kushtonte vetëm 15 lekë
dhe prindërit këto nuk ia kursenin.
Hyrja në rrugën e artit
për të ishte si një ëndërr pasionante
Perceptim
imazhesh dhe tingujsh të njohur që rridhnin nga brendia e tij për të formësuar
një model. Ishte një dëshirë organike që trupi ia ushqente në çdo çast. Joshje
e brendshme që e përkundte në djepin e lumturisë. Ndjehej i ngazëllyer, kur
takonte aktorët e teatrit. Kishte mall dhe dashuri njerëzore për ta. Ishte kurioz
për mënyrën si ato përgatisnin rolin, për provat, emocionet që përjetonin, kur
ato përcillnin personazhin në skenë. Përpinte gjithçka, ç’ka i tregonin dhe
bashkë me to ndjente admirim, përulje, pasion. Rrinte me orë të tëra para
teatrit dhe kur takonte ndonjë aktor të njohur, çuditej, që ato ishin aq
njerëzor dhe të thjeshtë. Ëndërronte të takonte yjet e skenës si Mihalin,
Naimin, Pjetrin, Prokopin, Sulejmanin, Gjonin, Lazrin, Luanin, Nikollën,
Marijen e Violetën, Dritën, Afërditën, Margaritën, Pirron e shumë aktorë, e
aktore të tjerë të mrekullueshëm. I dukej vetja krejtësisht i vogël përballë
tyre, ndaj gllabëronte, çdo detaj që kishte të bënte me artin e tyre të bukur.
Asokohe, nuk e mendonte aspak që ajo dashuri dhe pasion që kishte për teatrin,
do e rreshtonte përkrah të mëdhenjve, idhujve të tij. Kontakti me ta dhe
eksperienca e tyre, do ishin shkolla më e madhe për të. Artistët janë njerëz të
çuditshëm! Janë “open minds”. Janë thesare. Janë të ndjeshëm deri në kockë. Ata
ta thonë të vërtetën në sy. Me ta grindesh për principe. Por ato dinë të falin.
Kanë një botë të brendshme, që ngjan me një zabel natyre të hijeshuar. Të
interpretosh një personazh tjetër që mund të jetë një mashtrues, një koprac,
një i çmendur, etj duhet një punë përgatitore e veçantë. Sepse duhet të hysh
thellë, në qenien dhe gjakun e tyre, në gjithçka.
Asokohe
ishin shumë në modë filmat italianë.
Por
kishte dhe filma francezë e amerikanë. Prej tyre u njoh me aktorët Amadeo
Nazari, Raf Valone, Renato Salvadore, Zhan Maria Volonte, Zhan Gabenin e madh,
të rrallin Zherar Filipi e Alen Delonin, Xhina Lolobrixhiden, Vittorio Gasman e
të tjerë, shumë të mëdhenj. Artistët e mëdhenj bëjnë epokë. Ishte i tërhequr
nga figurat e tyre, bota e brendshme që ato shprehnin, deri tek ecja në skenë. Yjet
e ekranit janë shkolla më e përsosur për aktorët e rinj. Vittorio Gasman ishte
një perfeksionist i lindur. Të dhuronte emocione të mëdha dhe kishte ndjeshmëri
dhe intelekt të rrallë. Ishte perfeksionist i dialektit, paraqitjes, lojës së
shkathët duke tipizuar italianin e kohës në mënyrë perfekte. Alen Deloni kishte
një vështrim plot hijeshi, fytyrë të skalitur bukur, e sy që të arratisnin në
fantazi. Që atëherë mahnitej nga mekanizmi dhe magjia e kinemasë. Në
nëntëdhjetë minuta ndërtohej një histori e tërë jete, një eksperiencë që të
jepte mesazhe tronditëse. Aty kuptoi se personazhet kryesorë nuk janë kurrë
negativë. Heronjtë e filmave konkretizonin atë që ndodhte si fenomen në
shoqërinë njerëzore. Figura në fillim ishte nën torturën e ndërgjegjes, e cila
gjithnjë miklohej nga një gabim shoqërues e në fund ndodhte pendesa, e cila
mund të shoqërohej me rrezikimin e jetës. Dhe fundi ishte kryesisht “happy
end”, ose një akt tragjik që tregonte se ndonjëherë fati është tektonik dhe
letal.
Intepretimi para pasqyrës
Tek
rreket të kujtojë pragun e udhës së tij artistike, i vijnë shumë imazhe në
mendje. I kujtohet vetja para pasqyrës ovale, që vendosej në sallon, duke bërë
imitime e duke skërmitur fytyrën. Nëna,
kur e shihte që zgërdhihej, që
shihte vëngër, që përsëriste me zë të lartë ndonjë batutë, të ndonjë
aktori që i kishte mbetur në mendje,
tundte kokën dhe thoshte “më iku djali”. Qeshte, egërsohej, nevrikosej e
qortonte dikë, që e mendonte sikur e kishte përballë. Imagjinonte personazhe
skenikë si Agamemnonin e Eskilit, mbretin Edip të Sofokliut me problemet e tij
të jetës dhe drejtësisë, Hamletin që do vriste të atin për t’i zënë fronin dhe
mbretin Lir që mashtrohej nga Goneril e Regan ndërsa vajza e vogël Kordelia e
adhuronte me shpirt. Lexonte ndonjë libër dhe përpiqej të imitonte ndonjë
monolog. Pra improvizonte mizanskena, monologje, shëmtira siç i thoshte më pas
nëna. Më tej ajo shprehej; “Leni, mos bir i nënës, leni këto shëmtira, se je
gjithë ky çun. Pse bo si budall. Ti je gjithë ky djalë të mortë të keqen
nona...Lum nona mooo. Mos bo mo kështu, se të thonë paska lujt nga
fiqiri.” Këto ishin hapat e parë të tij
drejt aktrimit. Fillesa e tij drejt skenës. Ëndrra më e dlirë e jetës. Burimi
më i kthjellët i përroit të shpirtit dhe arsyes që fshiheshin tinëz nën
shtresën amorfe të kraharorit dhe mendjes. Dhe kërkonin udhën e tyre drejt
shpërthimit. Mendimtarët e mëdhenj shprehen se ëndrra është ilustrimi i librit
që shpirti po shkruan për të ardhmen tënde.
***
Nëna e tij e mrekullueshme kishte të drejtë që
proekupohej dhe shqetësohej, për këto “budallallëqe”. Një ditë, në shtëpinë e tyre kishte ardhur
për të bujtur një kushërirë nga fshati
VISHJE i Tiranës, bashkë me djalin e saj pak më të vogël se ai. Një
krijesë imcake me ca mollëza që skuqnin si mollë starkinge. Gjatë një shfaqjeje
të Estradës, një aktor kishte recituar disa vargje që iu ngjizën në kujtesë.
Vargjet, një ditë po i recitonte përpara pasqyrës, në prani të djalit nga fshati. “Interpretonte” gjoja,
thurte e akuzonte sipas vargjeve të strofave të mëposhtme. Bërtiste, duke
menduar se kështu po interpretonte mirë. Duart i shpaloste në ajër si degë
pemësh nën tufan. Kraharori buçiste si qielli i skuqur nga rrufetë. Djaloshi u
tremb, ia mbathi në kuzhinë, i lemerisur, ku ishte e ëma me nënën dhe tezen e
tij.
-Nanë,
nanë Xhinosi, Xhinosi, Xhinosi (fshatarët e Tiranës i thonë Gogolit, Lugatit në
këtë emër). Sa dëgjoi këto fjalë, ia beh e ëma me fytyrë të inatosur që e gjeti
përpara pasqyrës, duke recituar. I thirri me zë të lartë:
-Ç’farë
bën, mër lugat, mër shejtan, se trembe çunin. Hajde mjaft ke bërtit të keqen
nona, se u lodhe. Hajde ke nona dhe boni ndonjë lojë tjetër”.
Librat e Fishtës
Siç
e ka përmendur më lart, babai dhe xhaxhai kishin një dyqan zarzavatesh. Atëherë nuk kishte qese plastike. Me fletët e
librave që sillnin njerëzit, me pak brumë që bëhej nga përzierja e ujit me
miell gruri sajoheshin qese për të mbajtur frutat e perimet. Një ditë i
tërheqin vëmendjen disa libra të shtypur e të lidhur bukur. Në kopertinën e
tyre lexon një emër Gjergj Fishta, “Lahuta e Malësisë”, “Mrizi i Zanave”, e të
tjera që ndonjëherë u mungonte kopertina, pra s’kishin titull dhe as emrin e autorit por ishin (kuptohet)
pjesë e librave të poetit tonë të madh Gjergj Fishta. I lë veç dhe nuk i shqep.
Sapo gjeti kohë u zhyt në lexim. Por nuk i kuptonte. Gegërishtja e tyre
ndryshonte kryekëput me të folurën e Tiranës dhe me atë që mësonin në shkollë.
Më vonë mëson që ato ishin libra të ndaluar. Edhe pse me frikë i fsheh larg
syve të njerëzve. Nuk guxon kurrsesi t’i grisë. Libri është shenjtëri më vete
dhe duhet vlerësuar si ikonë e shpirtit. I ka dhe sot në bibliotekë dhe herë
pas here i nxjerr dhe i sheh me admirim. Fishta me vargjet e tij do ishte
fatsjellës për artistin dhe do i sillte
emër në të gjitha trojet ku ka shqiptarë.